Hidhini një sy masave që qeveritë kanë propozuar për të frenuar Facebook-un: Ato fillojnë nga gjobat e deri në kërcënimet për të mbyllur rrjetin e plotfuqishëm social. Disa masa janë kundër produktive, disa aspak efikase, ndërsa, të tjera, të nevojshme. Por, të gjitha së bashku janë të pamjaftueshme.

Ligjvënësit po i drejtohen Facebooku-ut me të njëjtën qasje që i janë drejtuar çdo kompanie tjetër por harrojnë se ky rrjet social nuk është si të tjerët. Ai përfaqëson një sfidë radikale, ndoshta, unike në historinë njerëzore, me përjashtim të Google-it.

Vetëm këtë muaj në Britaninë e Madhe u propozua një “politikë e re e kujdesit” për platformat online me qëllim që të filtrojnë dhe parandalojnë përmbajtjet e dëmshme në internet. Qeveria e Kanadasë, javën e kaluar deklaroi se Facebook ka shkelur ligjin pasi ka dështuar të mbrojë përdoruesit e saj nga rrjedhja e të dhënave private në favor të Cambridge Analytica. Irlandezët nisën një investigim ndaj rrjetit social për vjedhjen e fjalëkalimeve. Qeveria në Sri Lanka ka mbyllur përkohësisht eksesin në Facebook dhe WhatsApp pas sulmeve terroriste që u morën jetën më shumë se 250 personave dhe Facebook njoftoi së fundi se pret një gjobë prej 5 miliardë dollarësh nga qeveria amerikane për të ashtuquajturin skandalin e Cambridge Analytica.

Secila nga këto masa veç e veç synon të adresojë disa nga pasojat negative të Facebook. Por askush nuk po mendon, mesa duket, të përballet me Facebook-un si platformë dhe shërbimet mbarë botërore që ai zotëron tashmë, si WhatsApp dhe Instagram.

Kjo sjellje është njësoj sikur qeveritë në mbarë botën të adresonin problematikat e ngrohjes globale në mënyrë individuale, pa vënë gishtin në plagë.

Sakaq, Facebook është nyja më e madhe dhe më e fuqishe në një matricë të sistemeve të mbikëqyrjes që mbulon çdo aspekt të jetës sonë.  Në të gjithë botën, sistemet e përgjimeve janë kombëtare ndërsa për pjesën tjetër të botës materialet që këto agjenci zotërojnë trajtohen si çështje komerciale. Dhe të dhënat tona qarkullojnë lehtësisht mes shteteve dhe kompanive tregtare.

Ato që në fakt duket sikur janë problemet që Facebook shkakton – pra rrjedhja e të dhënave, shkeljet e privatësisë ose përhapja e gjuhës së urrejtjes – nuk janë shembuj të dështimit të Facebook, përkundrazi, ato dëshmojnë se Facebook-u po punon ekzaktësisht siç është projektuar.

Facebook bëtë tre gjëra: Së pari mbledh të dhënat e të gjitha aktiviteteve tona, informacione personale, vendndodhje dhe lidhjet tona shoqërore dhe i përdor këto të dhëna në shërbim të reklamuesve dhe reklamave, të cilat kanë rezultuar të jenë më efikase dhe më me pak kosto se në mediat e tjera tradicionale. Së dyti, i përdor këto të dhëna për të zgjedhur në vendin tonë se çfarë ne duhet të shikojmë, lexojmë dhe me kë ne duhet të bisedojmë në mënyrë interaktive, brenda sistemit që ai vetë na propozon. Së treti, algoritmet e Facebook strukturojnë gjithë jetën tonë ndonëse ne nuk e nuhasim një gjë të tillë. Ato ndikojnë në mënyrën sesi dhe çfarë perceptojmë si të vërtetë,  të rëndësishme dhe të vlefshme për jetën tonë.

Me pak fjalë, Facebook dikton aftësinë tonë për të komunikuar sipas mendjes dhe dëshirës sonë, na pengon për të diskutuar rreth çështjeve publike në një mënyrë racionale me qëllim që të krijojmë besim te miqtë apo qytetarët e thjeshtë. Dhe kjo fuqi e Facebook është shumë me e rrezikshme se çdo fyerje apo shkelje privatësie.

Facebook është një sistem kaq i fuqishëm sa të përballesh me të nevojitet një qasje paksa radikale. Ky rrjet social ka akses dhe influencon jetët e 2.3 miliardë personave të cilët rregullisht, çdo ditë e furnizojnë dhe fuqizojnë atë me informacion, foto dhe video në 110 gjuhë të botës.

Zgjidhja e vetme është përballja me të në nivel ndërkombëtar, sepse ideja e vetërregullimit të tij, sikurse propozohet aktualisht, është absurde.

Përballja me të është domosdoshmëri po të kemi parasysh se Facebook funksionon në pjesën më të madhe të botës pa një konkurrencë serioze për reklama apo vëmendje. Në mesin e pesë platformave të mediave sociale me më shumë se një miliard përdorues, katër prej tyre (Facebook, Messenger, WhatsApp dhe Instagram) janë në pronësi të Facebook. I pesti, WeChat, vepron kryesisht në Kinë, ku Facebook nuk operon. Platforma e vetme që e konkurron deri diku është YouTube, në pronësi të Google, me rreth 2 miliard shikues. Por kjo e fundit kryen funksione të ndryshme dhe ka shumë më pak ndikim në jetën tonë.

Këtu qëndron “mashtrimi”?! Facebook vepron në nivel global por funksionon sipas specifikave lokale dhe rajonale. Njerëzit përdorin Facebook ndryshe në Filipine, aty ku ai konsiderohet si burim i vetëm i informacionit dhe forma më e mirë e komunikimit personal për shumicën e qytetarëve. Ndryshe ndodh në Gjermani, ku Facebook ka një rol periferik në jetën e përditshme të njerëzve. Edhe India dhe Sri Lanka kanë përvoja shumë të ndryshme me Facebook dhe WhatsApp kjo dhe për shkak të zhvillimeve politiko-historike dhe konteksteve sociale.

Pra,  pyetja që lind vetvetiu është: si duhet të përballemi me këtë “platformë-përbindësh”? Çdo vend do të duhet të vlerësojë sesi Facebook ka ndikuar në shoqërinë, kulturën dhe sistemin politik të tij; secili vend do të duhet ta detyrojë atë të funksionojë sipas legjislacioneve lokale, sikurse gjithë ekosistemi i mediave, të cilat në fund të ditës janë të lidhura ngushtë me të; çdo vend, sipas specifikave lokale, mund të vendosë kufizime por pa cenuar vlerën parësore të demokratizimit të komunikimit dhe ndikimin në jetët e njerëzve…

Nga ana tjetër qeveritë dhe qytetarët do të duhet të marrin parasysh vendosjen e taksave për reklamat online, dënimet financiare, kufizimet në grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave, transparencën rreth mënyrës se si funksionojnë algoritmet dhe kufizimet në disa përmbajtje. Ndoshta, një ide mund të ishte që disa nga fuqitë më të mëdha, si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të shqyrtojnë mundësinë për të detyruar Facebook të heqë dorë nga WhatsApp dhe Instagram, në mënyrë që ato të kthehen në platforma konkurruese për vetë Facebook.

Zgjidhjet apo masat mund të jenë të shumta, por ajo që duhet bërë është koordinimi i shteteve për tu përballur me këtë fenomen. Sepse, me masat aktuale, Facebook ka fuqinë dhe paratë për të absorbuar çdo gjobë të vogël që çdo qeveri dëshiron ta vendosë ndaj tij.

Sot, pas tre vitesh ulje-ngritje të kompanisë, popullariteti i saj, të ardhurat dhe çmimi i aksioneve kanë rifilluar dhe vazhdojnë të rriten.Facebook vepron përtej mundësive të shteteve dhe forcave të tregut dhe kjo nuk është e shëndetshme për demokracinë/demokracitë.Adresimi dhe masat e duhura ndaj Facebook ndoshta do të kërkojnë vite studimi, por, pikësëpari, do të kërkojnë guxim intelektual.

Shënim: Artikulli është publikuar nga britaniken The Guardian dhe eshtë përshatatur në shqip nga Elvin Luku

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here