Përgjithësisht, marrë nga gjuha popullore, termi «fakt i njohur botërisht » mund të kuptohet si një fakt i qartë dhe i padiskutueshëm. Evident. Pra që nuk ka nevojë për vërtetim. Këtë e bën të besueshëm mbiemri «botërisht », pra që nënkupton se fakti në fjalë është pranuar si i tillë nga një shumicë e konsiderueshme njerëzish.

Në logjikën komunikative, e vërteta është, flitet për atë që quhet «prova sociale», çka nënkupton që kur një e dhënë, një ngjarje, një konsideratë ndahet mes një morie njerëzish, atëherë ato kanë shanse të jenë të vërteta dhe të sakta. Në fakt termi « fakt i njohur botërisht » ka brenda edhe një kundërthënie, pra shënjon në një farë kuptimi edhe një paradoks, por edhe ka brenda tij një papërcaktueshmëri relativisht të konsiderueshme kuptimore. Cila është kundërthënia? Ajo lidhet me pyetjen, nëse një fakt mund të jetë ose të mbetet «fakt» nëse ai njihet botërisht? Brenda teorive klasike në shkencat sociale dhe humane këtu nuk ka asnjë kundërthënie, por do të shohim që në epokën e sotme, postmoderne, që një fakt të jetë edhe «fakt», por të jetë edhe i njohur «botërisht», kjo paraqitet gati si e pamundur. Së paku, duhet marrë si e vërtetë vetëm brenda disa kushtesh shumë specifike dhe të kufizuara. Kur një fakt njihet botërisht, duket, sipas shumë teoricienëve, se nuk është më fare një fakt, por një besim emocional.

Ndërsa papërcaktueshmëria qëndron te ajo se çfarë duhet të kuptojmë me « njohje botërisht ». Çfarë quajmë «njohje e faktit» ? Me njohje do të kuptojmë një njohje shkencore të faktit, një njohje empirike dhe shqisore, një njohje të pjesshme, të plotë, një opinion, apo çfarë të tjetër ?

Për faktet e njohur botërisht, sikurse paraqitëm, thuhet se « fakt » dhe « botërisht » janë dy përcaktues që përjashtojnë njeri tjetrin. Një personalitet i madh i shkencave humane, veçanërisht për sa i përket studimeve mbi opinionin publik, Gustav Le Bon, në librin e tij thelbësor «Psychologie des foules», argumenton që një « fakt » në çastin që pranohet në mënyrë masive si i tillë, pikërisht atëherë ka vend të dyshohet për të nëse është apo jo real. Kjo ndodh sepse turmat e kanë të pamundur që njëherazi të arrijnë në një njohje shkencore të faktit në fjalë, po ashtu e kanë vështirë ta perceptojnë atë drejtpërdrejt. Për rrjedhojë pranimi botërisht i atij fakti vjen ose si rjedhojë e « infektimit » të opinionit publik nga një « efekt komunikimi », pra propagandistik, ose vjen si pasojë e mentaliteteve iluzive dhe i paragjykimeve të opinionit publik.

«Fakti i njohur botërisht» mund të jetë i vërtetë, për rjedhojë, jo sepse ai njihet botërisht, por sepse ka vërtetësi. Mbiemri « botërisht» për Gustav Le Bon nuk i shton asnjë realitet çdo fakti të konsideruar si të tillë. Gustav Le Bon në veprën e cituar shkruan: «Traktatet e logjikës e marrin unanimitetin e dëshmitarëve të panumërt si një kategori e provave të forta lidhur me saktësinë e një fakti. Por, nga ajo që njohim mbi psikologjinë e masave tregon sesa shumë ato janë nën efektin e iluzioneve lidhur me këtë çështje. Ngjarjet më të dyshimta janë pikërisht dhe me siguri ato që konsiderohen se janë vëzhguar nga një numër i madh i njerëzve. Të thuash se një fakt është konstatuar njëherazi nga mijra dëshmitarë, do të thotë që fakti real përgjithësisht është shumë i ndryshëm nga ky që rrëfehet prej njerëzve. (Gustav Le Bon, Psychologie des foules).

Kush nuk e njeh rasti e kapiteni Drejfus, që në kushtet e Luftës së Parë Botërore u akuzua për tradhti ndaj atdheut në Francë, fakt i njohur dhe i pranuar botërisht nga një opinion që solli një histeri antisemitizmi.

Opinioni i gjerë i besonte këtij fakti. Por, mjaftuan që disa intelektualë të hedhin dritë mbi të vërtetën, për ta çmontuar këtë histeri masive, dhe më pas edhe sistemi gjyqësor« vulosi » faktin se akuza kishte qenë e pabazuar. Mirëpo ky reflektim kritik mbi atë që konsiderohet «fakt i njohur botërisht», nuk ka të bëjë vetëm me shkencat e komunikimit që studiojnë opinionin publik. Problemi nis e bëhet edhe më serioz kur shkenca të fushave të ndryshme konvergjojnë në të njëjtën pikë. Kështu H. L. A. Hart, një nga autorët më të shquar në filozofinë e jurisprudencës, specifikisht, të ligjit, e ka vendosur theksin e tij te marrëdhëniet midis dy ritmeve të ndryshme, nga njëra anë ritmi i ndryshimeve në jetën reale sociale, dhe nga ana tjetër ritmi i ndryshimit të mentaliteteve morale.

Shoqëria në etapa të caktuara ndryshon shumë shpejt. Diçka që jurisprudenca e konsideronte në një farë mënyre, mund të konsiderohet më pas në të kundërtën e saj. Kurse morali ecën më ngadalë, ai vazhdon shpesh të ruajë përcaktime që në shkencë, jurisprudencë, administrim, politikë, janë braktisur dhe zëvendësuar me të tjera. Këtu lind edhe mundësia e çarjes midis normës juridike dhe normës morale. Por, kjo e fundit përbën bazën që ndërton opinionin publik, pra « njohjen e përbotshme » të një fakti ose të realitetit në përgjithësi. Fakti i njohur botërisht, dhe fakti i njohur me pasoja juridike, nuk përbëjnë më në këto kushte të shoqërive në tranzicion të shpejtë një kuptimësi koherente të vetme, që jep mundësi për të gjeneruar të njëjtat gjykime dhe sanksione juridike dhe morale.

Ja si shkruan Hart në një nga shkrimet më të cituara të tij : «Në botën në të cilën ne jetojmë, dhe vetë ne që jetojmë në të, një ditë mund të ndryshojnë në mënyra të ndryshme ; dhe nëse këto ndryshime janë mjaftueshmërisht rrënjësore, jo vetëm disa përcaktime të njohura si të vërteta tashmë shfaqen si të gabuara dhe anasjelltas, por e gjitha mënyra jonë e arsyetimit, e cila përfaqëson aparatin tonë konceptual të tanishëm, do të rrëzohej » (An anthology: Philosophy of law and legal theory).

Në këtë periudhë tranzicioni të shpejtë, mund të ndodhi dhe ndodh që gjykimi juridik dhe gjykimi moral, ky i fundit si themel i opinionit që jep gjykime mbi «faktet» e njohura botërisht, të vijnë në kundërshtim me njeri tjetrin. Le të marrim për shembull thjesht gjykimin moral sundues në opinion mbi homoseksualët dhe gjykimin e sotëm juridik mbi sjelljen seksuale të tyre për të kuptuar se çfarë gabimi do të bënte gjyqtari po të braktiste gjykimin në rrafshin juridik, bazuar në ligj, dhe të mbetej rob i gjykimit moral sundues. Nga kjo pikëpamje, sipas sondazheve, dhe reagimit qytetar, për këtë çështje, fakti juridikisht i saktë është i perceptuar në mënyrë minoritare kurse fakti moral, në mospërputhje me atë juridik, pra i pasaktë juridikisht, është një « fakt i pranuar botërisht ».

A mundej në këtë rast gjykatësi të nisej nga «faktet e njohura botërisht» ? Në asnjë mënyrë jo.jo.

Mê tej Hart thekson se gjykimi i gjykatësit mund të dali i gabuar edhe kur ai arsyeton drejt, por mbështetet në përkufizime faktesh ose ngjarjesh të cilat vijnë nga jeta sociale, morale, e cila mund të mos përputhet fare me përcaktimet ligjore. Hart shkruan : «Është e qartë se thelbi i këtij gabimi (i të qenit «formalist. Shënim i autorit të këtij teksti.), qëndron se ai i jep disa termave të përgjithshëm një interpretim të verbuar nga vlera shoqërore…Por, logjika nuk përcakton interpretimin e koncepteve, ajo nuk dikton as një interpretim të çmendur, as një interpretim të mençur të cilës do shprehjeje. Logjika vetëm na tregon ne hipotetikisht që nëse ju i jepni një termi një interpretim të caktuar, atëherë prej andej do të dalin disa përfundime të domosdoshme. » (Ibidem).

Shumë shpesh, përkufizimi i një fakti, ose atributet e tij, varen nga mënyra e perceptimit të tij. Është kjo mënyrë e mbështetur në moralin popullor të zakonshëm, apo në një shpjegim shkencor që vjen nga përgjithësime dhe reflektime teorike? Këtu ka vend të thuhet se ndodh që dy përcaktime, ndonëse kuptimësisht të kundërta, mund të jenë të dyja të sakta brenda sferës të tyre të kuptimësisë, por jo më tej. Dihet për shembull që për gjykimin popullor, për utopitë masive, si edhe për moralistët, krimi në shoqëri, duhet bërë çmos që ta zvogëlojë sferën e veprimit dhe të ndikimit të vet. Kjo strategji udhëhiqet e frymëzohet nga besimi që krimi në parim mund të zhduket. Pra sipas besimit popullor mund të kemi një shoqëri pa krime ose me sa më pak krime.

Nga pikëpamja morale ky përcaktim i krimit si diçka që mund të luftohet derisa të zhduket mund të ketë vlerën e vet në botën e gjykimeve morale si edhe të gjykimeve të mjaft aktorëve socialë. Në fakt e gjithë shoqëria ëndërron një botë pa krime. Mirëpo në sociologji për shembull, vërtetohet prej një shekulli se në shoqërinë ku ne jetojmë, krimi është bashkudhëtar i saj, pra përkufizohet ndryshe, përkufizohet si «i domosdoshëm». Pra, si një dukuri jo e rastit, por e brendshme, e lidhur me thelbin e kësaj shoqërie. Sociologjia nga ana e saj ka të drejtë për përcaktimin që ajo jep. Pra kemi dy përcaktime të kundërta, moral dhe sociologjik, por të dyja të vërteta në fushat përkatëse. Ndërsa nëse secilin nga këta përkufizime do ta zbatonim në fushën tjetër të kuptimësisë, pra gjykimin moral ta aplikonim në sociologji, dhe gjykimin sociologjik ta aplikonim në moral, atëherë do të binim në gabime. Kështu sado e çuditshme që të duket, është një nga qëndrimet bazike të sociologjisë kur ajo e konsideron krimin si fakt të domosdoshëm, pavarësisht, se në përcaktimet morale kjo shprehje do të kishte qenë e dënueshme nga opinioni. Sikurse ka shkruar një nga themeluesit e sociologjisë, Emil Dyrkheim: «Krimi pra është i domosdoshëm; ai është i lidhur me kushtet themelore të çdo jete në shoqëri, dhe pastaj nisur nga vetë kjo, krimi del si i dobishëm; sepse këto kushte, që ai bashkëshoqëron janë në vetvete të domosdoshme për evoluimin normal të moralit dhe të së drejtës. (Emile Durkheim, «Les règles de la méthode sociologique». )

Te njohësh botërisht një fakt, pak a shumë do të thotë që ai fakt të jetë vëzhguar në mënyrë empirike, pra me anë të shqisave, nga një numër shumë i madh personash. Mirëpo pikërisht këtu fillon problemi. Nga njëra anë mund të ndodhi që në kushtet e një mungese ndërgjegjeje teorike, vetëm me anë të shqisave, sado i madh të jetë numri i dëshmitarëve, asgjë nuk e bën një fakt të gabuar të jetë një fakt i vërtetë. Kështu për shembull prej shekujsh e mijëra-vjeçarësh njerëzit kanë vrojtuar “rënien” e Diellit mbi horizont. Përpara sesa të zbulohej koncepti kopernikian se është Toka që rrotullohet rreth Diellit dhe rreth vetes të saj, njerëzit për shekuj me radhë kanë kujtuar se në horizont gjatë një perëndimi diellor, kanë qenë duke vrojtuar lëvizjen e Diellit dhe jo të Tokës. «Fakti i njohur botërisht» në këtë rast ka qenë krejt i pasaktë, thjesht një iluzion optik i syrit njerëzor. Në të vërtetë nuk ka qenë fare një fakt, por një pseudo-fakt, më shumë një besim që drejtonte syrin sesa një fakt i observuar realisht dhe empirikisht.

E vërteta është që fakti real, pra realiteti i rrotullimit të Tokës rreth vetes observohej vetëm nga një pakicë njerëzish, ishte pra një fakt minoritar që vinte në kundërshtim të plotë me «faktin e njohur botërisht», dhe konsiderohej si një herezi. Gjykatësi i kohës gabohej rëndë në gjykim jo sepse logjikisht arsyetonte në mënyrë të gabuar, por sepse mbështetej në atë që konsiderohej si perceptim i kolektiv i të gjithë njerëzve, si fakt në dritë të diellit jo si i vërtetueshëm me fakte reale, të provuara nga shkenca, por sepse mbështetej te interpretime dhe krijime artificiale kolektive të njerëzve.

Karakteri «botërisht» i faktit të vrojtuar në këtë rast mbështetej në një besim të gabuar joshkencor, në një iluzion që prodhonte një iluzion kolektiv sepse syri i njeriut, sikurse shqisat e tij në përgjithësi, karakterizojnë llojin, njeriun si të tillë, dhe jo një individ të veçantë. Perceptimet e përbashkëta kolektive shprehin natyrën e shqisave njerëzore që janë të përbashkëta për llojin njerëzor dhe jo natyrën e padiskutueshme reale të një fakti të pranuar kolektivisht. Fakt kolektiv në këto raste është një «gabim sistematik» që vjen nga vetë shqisat njerëzore si organe që karakterizojnë llojin dhe jo individin. Sikurse shkruan në librin e tij «The neopragmatism», filozofi i njohur amerikan Richard Rorty, njerëzit në më të shumtën e kohës, për shekuj e shekuj, më shumë kanë qenë viktima të bestytnive sesa kanë ndarë mes tyre dije të vërteta.

Ta zëmë se prej mijëra shekujsh kanë besuar në mitologji që drejtonin perceptimet e tyre mbi botën, ta zëmë edhe se kanë besuar që tërmetet vijnë nga fakti se ka lëvizur një breshkë e stërmadhe ku është mbështetur bota. Sa herë ata ndjenin lëkundje tërmeti kujtonin se perceptonin dhe ishin dëshmitarë të lëkundjeve të zhguallit të breshkës gjigante kozmologjike.

Nga ana tjetër nuk mund të mohohet krejtësisht fakti që, nëse me «fakt të njohur botërisht» do të kuptonin thjesht një perceptim kolektiv të një ngjarjeje ose dukurie që perceptohet njëkohësisht nga një grup njerëzish relativisht i kufizuar, pra nga një kontakt i tyre empirik dhe i drejtpërdrejtë me një fakt i ekspozuar përpara shqisave të tyre, atëherë mund të thuhej se mund të kishte gjasa që fakti i perceptuar kolektivisht të ishte real. Ta zëmë kjo do të kishte vlerë në rast perceptimesh sipërfaqësore, të pa thelluara, dhe që pranohen si reale pa hyrë shumë në shpjegimin e tyre. Ta zëmë kur njerëzit e një zone perceptojnë se bie breshër, se bën vapë, se një avion fluturon në qiell etj., etj. Por edhe këtu teoritë e sotme të komunikimit masiv bëjnë shumë kujdes kur strukturojnë profesionalisht gazetarët ose të gjithë ata njerëz që merren me informacionin dhe komunikimin. Në gazetarinë postmoderne të sotme është kufizuar shumë vlera e teorisë të shekullit të kaluar që gazetari për të verifikuar saktësinë e lajmit duhet të mbështetet së paku në dy ose tre burime të rëndësishme.

Pa mohuar vlerën e marrjes të dëshmive ose të lajmeve nga më shumë se një burim, sot thuhet teorikisht që sado burime të konsultohen për një lajm, sado dëshmitarë që të pyeten e të dëshmojnë për një ngjarje, asnjëherë lajmi nuk mund të konsiderohet absolutisht i saktë dhe jashtë çdo dyshimi. Verifikimi i lajmit nuk mund të mbështetet, pra në opinione masive, por në radhë të parë në ekspertiza profesionale që janë të specializuara në verifikimin e fakteve dhe në administrimin e provave. Kjo vjen, sepse teoria e gazetarisë ka përvetësuar sot idetë e teoricienëve të mëdhenj të informacionit sikurse është autori i njohur dhe me përmasa të përbotshme Walter Lippman, i cili në veprën e tij «The Public Opinion» thekson, se njerëzit në komunikimin masiv, duke mos pasur kontakt të drejtpërdrejt me ngjarjet që media raporton, më shumë kanë prirje të besojnë ato fakte të raportuara që ata duan të besojnë sesa të kenë perceptime reale mbi botën.

Sot komunikimi masiv, thekson Lippman, është pasojë e një medie të përbotshme, pra që krijon besime dhe perceptime kolektive, shpesh herë dhe shumë të unifikuara, sepse trajtimi i informacionit bëhet në mënyrë të organizuar nga media globale.

«Fake news» bazohet pikërisht te përhapja virusale në rrjetet sociale, pra në platformat e sotme të komunikimit të opinionit publik, të gënjeshtrave, të cilat besohen botërisht si të vërteta. Flitet sot që jetojmë në atë që quhet «post truth situation» kur njeriu më shumë është i ekspozuar kolektivisht ndaj besimeve iluzioneve, miteve, të pavërtetave, dëshirave, ideologjive, pasioneve, ndjenjave kolektive sesa është përballë fakteve të vërtetuara e verifikuara nga ekspertiza profesionale.

Është mendimi pothuajse unanim i mendimtarëve të sotëm më në zë të komunikimi se mënyra sesi funksionon sot opinioni publik në rrjetet sociale, si funksionon në fakt ekonomia e mediave digjitale, bën që e pavërteta të përhapet shumë më shpejt sesa e vërteta. Njerëzit, është provuar, eksperimentalisht, kanë më shumë interes t’u serviren të pavërteta, intriga, histori të trajtuara në mënyrë mitike, sepse kanë interes për shkencën, etj.

Mjafton të ndjekësh emisionet në prime time të televizioneve të sotme për të parë që emisionet me opinione politike janë shumë më tepër të pranishme sesa ato që quhen emisione mbi shkencat. Duhet theksuar gjithashtu se «faktet e njohura botërisht», pra besimi i përbashkët te disa fakte që konsiderohen si objektive për shkak se ndahen kolektivisht, janë karakteristike më shumë e shoqërive totalitare ose të dala nga totalitarizmi, sesa janë gjendje të një opinioni publik demokratik dhe të mirë-informuar. Janë më shumë gjendje propagande dhe pasoja propagande, sesa informimi të drejtë. Janë më shumë gjendje të shoqërive të mbyllura, rurale, të bazuara te gojëdhënat moderne të thashethemeve sesa të një opinioni të lirë e demokratik. Thuhet kjo sepse gjendja normale e opinionit publik, ajo që e dallon atë nga turmat e manipuluara ose të vetë manipuluara të shoqërive tribale ose post-totalitare, nuk është homogjeniteti i besimeve, por strukturimi kontradiktor i tij, ndarja e opinionit në pjesë kontradiktore me njëra tjetrën që reflekton lirinë e mendimit si edhe diversitetin e kulturave që qarkullojnë në shoqëri.

Qysh nga fillimet e shekullit të kaluar dhe deri më sot, në studimet mbi opinionin publik është sunduese metodologjia teorike e asaj që quhet «Shkolla e Kolumbias». Ideja bazë e kësaj platforme të përbotshme teorike të kuptimit të funksionimit të opinionit është që askush nuk mund të perceptojë asgjë, as edhe një informacion të thjeshtë, jashtë kulturës kolektive që karakterizon grupin shoqëror brenda të cilit njeriu edukohet dhe vepron. Dhe këta grupe njerëzore drejtohen nga liderë opinioni të dukshëm ose të padukshëm që influencojnë të gjithë pjesëtarët e grupit. Në këtë rast një opinion i përbashkët kolektiv në fakt nuk është veçse një opinion individual i përhapur pas përpunimit nga lideri ose liderët e opinionit që influencojnë atë grup. Pas opinionit kolektiv në fakt qëndron në burim një opinion individual influencues. Ky grup mund të jetë edhe një familje, opinioni i një lagjeje, i një kombi, i qytetarëve të një qyteti, etj. Prandaj sipas themeluesve të mirënjohur të «Shkollës të Kolumbias», që përfaqësojnë ekselenca në shkencat e komunikimit masiv, gjendja e opinionit në shoqëritë e lira demokratike është perceptimi i kuptimit të fakteve, me një fjalë pranimi i fakteve në mënyrë të diferencuar. Ka aq realitete sociale sa ka edhe struktura të përbashkëta perceptimi që vijnë nga kulturat kolektive të grupeve të veçanta shoqërore.

Në librin e tyre «The personal influence», Elihu Katz dhe Paul Lazarsfeld, iniciatorët e «Shkollës të Kolumbia», theksojnë :”Realiteti pra nuk është diçka absolute. Ai ndryshon sipas grupeve shoqërore që u përket individi.» (Elihu Katz, Paul Lazarsfeld, The personal Influence») Kur opinioni publik u beson fakteve të njëjtë, ka shumë gjasa që kemi të bëjmë jo me fakte reale, por me një opinion publik që është kthyer në një turmë, pra që vepron sipas një «shpirti kolektiv», sikurse do të shkruante Gustav Le Bon.

Përfundimisht konkludoj që në filozofinë e ligjit, në epistemologji, në teoritë sociologjike mbi opinionin publik, në shkencat e komunikimit, pra në shkencat humane dhe sociale postmoderne, pra të ditëve të sotme, ekspertët më të vlerësuar theksojnë se «fakti i njohur botërisht», që të mund të jetë një fakt real, ai ka nevojë të bëjë pjesë te ato fakte të kufizuar dhe sipërfaqësore që perceptohen drejtpërdrejt nga grupe njerëzish.

Përtej këtij kuptimi, ka shumë gjasa që «fakti i njohur botërisht», sado i besuar bindshëm si i vërtetë nga mijëra ose miliona njerëz, në fakt të mos jetë fare një fakt real, të mos jetë fare realitet, por një besim i përbashkët që vjen nga faktorë të ndryshëm të manipuluar ose nga mënyra e funksionimit të psikologjisë sociale.

Kemi të bëjmë pra me fakte konjitive, që besohen se janë të vërtetë, por ende aspak me fakte të vërtetë, sikurse i konsideron ata shkenca apo ekspertiza gjyqësore si degë e ekspertizës shkencore.

Përgjithësisht një «fakt i njohur botërisht» ka nevojë të provohet si i tillë kundër bindjes kolektive se ai është në mënyrë evidente dhe pa nevojë për vërtetim i saktë, për t’u njohur si një fakt i vërtetë. Sepse ka shumë mundësi që një «fakt i njohur botërisht» mund të mos jetë në thelb fare fakt.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu