Tetë vjet më parë, më 25 korrik 2010, Wikileaks tronditi botën me publikimin e mijëra dokumenteve konfidenciale të ushtrisë amerikane për luftën në Irak, ku ndër të tjera dëshmohej dhe mbi vrasjen e civilëve. Fillimisht u përfol për të paktën 92 mijë dokumente që i përkisnin periudhes Janar 2004-Dhjetor 2009, por 16 mijë prej tyre nuk e panë kurrë dritën e botimit për shkak të “seleksionimit që gazetarët e The Guardian, New York Times dhe Der Spiegel i bën atyre që mund të sillnin kërcënimin e jetës së trupave amerikane, informatorëve lokale dhe bashkëpunëtorëve të tyre”. (The Guardian – editorial, Afghanistan war logs: the unvarnished picture, Korrik 2010)

Ky publikim, që erdhi tre ditë pas videos shokuese të ekzekutimit të civilëve, në atë që njihet si “Collateral Murder”, u pasua me nxjerrjen e 392 mijë dokumenteve të tjera për luftën në Irak, 251 mijë kabllogramet e shërbimit diplomatik amerikan që tronditën botën,  si dhe 780 dokumenteve mbi torturat në burgun e Guantanamos. (Wikileaks)

Krahas faktit që mbërtheu për vite me radhë vëmendjen e agjencive shtetërore, mediave dhe opinionit publik, i ashtuquajturi “fenomeni Wikileaks”, hapi një debat të madh në botën e gazetarisë dhe komunikimit publik. Pyetja që shqetësonte gazetarët, studiuesit dhe akademikët, të cilët ndajnë dhe opinione të ndryshme mes tyre  ishte: A mund të konsiderohen gazetari kabllogramet e Wikileaks?

Në fakt, vetë publikimet e Wikileaks janë një përgjigje për këtë pyetje. Nëse do ti ndanim ato në dy kategori të mëdha mund të klasifikohen:

1. Raportime të thelluara – ku mund të përfshihen të gjithë ato dokumente dhe histori që janë verifikuar, filtruar dhe janë futur në kontekst nga gazetarët e mediave të përfshirë në këtë hulumtim me kërkesë të vetë themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, ndër të cilët Guardian, New York Times e Der Spiegel. Sikurse evidentohet edhe në editorialet e këtyre mediave shqetësimi kryesor i gazetarëve të tyre ishte kontekstualizimi, pra t’i shpjegonin publikut ngjarjen, vlerën e saj dhe pse këto informacione ishin të rëndësishme për të parë dritën e botimit. (The Guardian – editorial, Wikileaks: Open secrets, Nëntor 2010).

2. Raportime të faktit fillestarku përfshihen materialet që drejtuesit e platformës Wikileaks kanë publikuar bruto, pa tentuar për t’i dhënë shpjegim apo të analizohen duke marrë parasysh kohën dhe rrethanat në të cilën ato kanë ndodhur. Të botuara në këtë formë, ndikimi i tyre në opinionin publik ishte shumë i vogël, pasi publiku merrte vetëm faktin fillestar, i cili merr kuptim të plotë vetëm nëse ai është i lidhur me faktet e tjera.

Megjithë vlerën e madhe të këtij informacioni dhe shërbimin që këto materiale i kanë bërë interesit publik, një ndër gazetarët më të njohur të New York Times, David Sanger, pjesë e stafit të vlerësuar me dy çmime pulitzer, kur pyetet nëse e konsideron Julian Assange një gazetar, shprehet:

Jo, dhe arsyeja është se unë besoj se ajo që gazetarët bëjnë, dhe duhet të bëjnë, nuk është vetëm të mbledhin informacion por dhe ta filtrojnë atë, ta shpjegojnë, ta vendosin në kontekst, punë që bën New York Times dhe gazeta e media të tjera të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo punë, kjo traditë gazetarie është shumë ndryshe nga vetëm ndërtimi i një sistemi kompjuterik, grumbullimi i disa informacioneve dhe publikimi i tyre në WEB.
(Mark Coddinton, Defendin judgmend and context in “origjinal reporting: Journalists construction of newswork in a networked age”, Sage, 2014

E megjithatë, gazetarë dhe profesorë të tjerë po kaq të njohur të botës së medias, si drejtori i qendrës kërkimore “Polis”, pranë Departamentit të Medias dhe Komunikimit në “London School of Economics and Political Science”, Chalrie Beckett, thekson se pyetja fillestare “a mund të konsiderohen gazetari kabllogramet e Wikileaks?”, duhet të zëvendësohet me “çfarë lloj gazetarie krijoi Wikileaks?:

Ashtu si mediat e tjera tradicionale, Wikileaks synonte një audiencë sa më të gjere, dhe, sigurisht dhe ndikim mbi opinionin publik. Assange nuk e shihte këtë si një projekt personal. Drejtuesit e Wikileaks besonin se ishin duke publikuar fakte dhe të dhëna sekrete që publiku duhej të ishte në dijeni, madje, edhe të reagonte. Gjithë këto elementë të kujtojnë gazetarinë tradicionale.
Në këtë kuptim, përgjigja e pyetjes nëse Wikileaks duhet konsideruar si gazetari, duhet thënë se është “cikli i ri”. Ata që argumentojnë se Wikileaks nuk është gazetari, po e kufizojnë shumë këtë profesion dhe format e reja të raportimit në rrjet. Ndërsa të tjerët, të cilët pohojnë se Wikileaks është gazetari e mirëfilltë, rrezikojnë të bien pre dhe të injorojnë sfidat e reja me të cilat përballet ky profesion në web 2.0.
Debati rreth faktit nëse “a mund të konsiderohen gazetari kabllogramet e Wikileaks?” është një diskutim rreth asaj se si po evoluon ky profesion dhe kjo pyetje duhet të zëvendësohet me një tjetër: Çfarë lloj gazetarie krijoi Wikileaks?

Në fakt, Wikileaks (themeluar në 2006, thuajse në të njëjtën kohë me mediat sociale Facebook (2004) e Twitter (2006)) shfrytëzoi gjithë hapësirën e krijuar në web 2.0 për të decentralizuar monopolin e informacionit nga mediat tradicionale dhe duke i dhënë fjalën audiencës. Fakti që dokumentet e rrjedhura iu dërguan themeluesit të saj, Julian Assange, është një provë se mediat e tjera, pavarësisht se me një traditë në gazetari e kishin humbur besueshmërinë në raport me audiencën.

Platforma e Wikileaks, sikurse shumë portale, blogje, media sociale, platforma të konverguara, apo dhe shërbime të tjera në ekranin e vogël janë dëshmi se kufijtë e gazetarisë si profesion dhe format e raportimit të gazetarit kanë ndryshuar katërcipërisht. Nëse nuk “lexojmë” në kohë këto ndryshime, do të gjendemi përballe një profesioni që papritur do të na duket i huaj!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu