Prej afro 15 ditësh televizioni kombëtar Top Channel ka raportuar me një “dozë” më të lartë kritike mbi zhvillimet e aktualitetit social, ekonomik e politik në vend, çka ka rizgjuar nostalgjinë e komentuesve në rrjetet sociale për kthimin e gjigandit mediatik, por dhe dozat e skepticizmit të shprehura përmes memeve.

Komente si “Kush është drejtori i Top Channel?”, “Sa më kishte marrë malli për lajmet e Top Channel” apo meme si “Unë e hedh TV fare dhe Ramën nuk e kritikoj, – tha Bollino” u komentuan në rrjet, për këtë qëndrim të ri të televizionit kombëtar.

Raportimet e këtyre ditëve në edicionet e Top Channel, kanë qenë dhe në axhendën e kreut të qeverisë Edi Rama, i cili prej disa kohësh akuzonte mediat për dezinformim duke dhënë lajme të paverifikuara.

Por në 24 orët e fundit Rama ka drejtuar gishtin mbi Top Channel. Kryeministri akuzon televizionin se po shantazhon AZHBR-në pasi kjo e fundit nuk i ka akorduar një mbështetje financiare prej 120 milionë lekësh të vjetra në këmbim të promovimit të investimeve që ky institucion dhe Ministria ka kryer në bujqësi.

Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120 mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale”, – shkruan Rama, ndërsa poston një aplikim të televizionit për fonde.

Në këtë dokument vërehet propozimi për realizimin e 50 materialeve 35 minutëshe, që përfshijnë transmetimet dhe ritransmetimet javore si dhe 300 videospote që do të shpërndahen në rrjetet sociale kundrejt kësaj shume. Në këmbim, institucioni i AZHBR-së do të mund të vendoste logon, të promovonte projektet në këtë hapësirë televizive përgjatë 10-muajve të ardhshëm.

Sipas ligjit “Për Mediat Audiovizive” transmetimi i këtyre materialeve nuk është i ndaluar në ekran për sa kohë që autorët e programit njoftojnë se materiali është i financuar apo vendoset logo e një agjencie të caktuar. Ajo që ndalon legjislacioni aktual është transmetimi i këtyre informacioneve të paguara në edicionet informative.

Por a është ky qëndrim i ri editorial një formë shantazhi që vjen nga mungesa e financimit të AZHBR-së, sikurse pretendon kryeministri?

Këtë, pak kush mund ta pohojë. Ajo që dihet në këtë moment është se kjo akuzë nga kreu i qeverisë pason stuhinë e pak kohëve më parë brenda televizionit ku drejtuesit shkëmbyen akuza të ndërsjellta publike me autorin e programit Top Story për gjobe vënie, fakt ky që u evidentua edhe në raportet ndërkombëtare.

Koha do të tregojë nëse gjigandi i dikurshëm mediatik është rikthyer, sikurse shpresojnë shumë qytetarë në rrjet, apo këto luhatje të shpeshta qëndrimesh do të mbeten iluzioni i radhës, me kosto të lartë në besimin e qytetarëve.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu