Në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar seancën dëgjimore me grupet e interesit për të diskutuar draftin e qeverisë shqiptare për “paketën antishpifje”, Autoriteti i Medias Audiovizive ka votuar kundër këtyre propozimeve me argumentin se censuron rëndë lirinë e medias në Shqipëri.
Vendimi duket si një “bumerang” për qeverinë pasi ai vjen nga agjencia e vetme rregulluese e medias, e cila ishte ngarkuar nga Këshilli i Ministrave për të zhvilluar seancat konsultuese me qëllim prezantimin e këtyre ndryshimeve ligjore “Për ligjine e mediave audiovizive” dhe “Për ligjin e komunikimeve elektronike” për opinionin publik.
Tre anëtarë të AMA-së, nënkryetari Sami Nezaj, dhe dy anëtarët e tjerë të bordit Suela Musta e Agron Gjekmarkaj kanë votuar kundër drafteve, duke u njësuar me qëndrimin e organizatave vendase dhe ndërkombëtare, që e kanë refuzuar “on block” këto amendime. Vetëm dy anëtarët e tjerë Gjipali e Salaj mbështetën projektligjet e qeverisë shqiptare.
Sikurse argumentojnë shumica e anëtarëve që rrezuan këto drafte “ndryshimet në ligj, të cilat nuk janë mbështetur mbi praktikat e vendeve të lira dhe demokratike, i kanë dhënë AMA-s, edhe kompetenca për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të mediave”.
Gjithashtu Nezaj, Musta e Gjekmarkaj shtojnë se këto propozime cënojnë lirinë dhe zhvillimin medias informative online, ndërsa anashkalojnë dhe një prej parimeve kryesore të medias siç është ai i vetërregullimit.
Dy projektligjet antishpifje janë refuzuar njëzëri nga të paktën dhjetë organizatat më të mëdha të medias dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri që i kanë cilësuar draftet si censuruese të lirisë së shprehjes dhe lirisë mediatike. Të njëjtin qëndrim si homologet e tyre shqiptarë kanë mbajtur dhe organizatat ndërkombëtare, ndër të cilat dhe Reporterët pa Kufij e Federata Europiane e Gazetarisë.
Ndërkaq OSBE i ka dërguar të paktën katër ekspertiza ligjore qeverisë shqiptare të cilat duket se nuk janë reflektuar të plota në dokumentin që i ka mbërritur Kuvendin të Shqipërisë nga ana e Këshillit të Ministrave.
Në propozimet e saj qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë fuqinë për të mbikëqyrur median online një zyre të quajtur “Këshilli i Ankesave” pranë AMA-s, e cila merr gjithashtu të drejtën për vendosur gjoba deri në 2 milionë lekë si dhe për të cenuar integritetin e mediave online, duke instaluar në faqet e tyre njoftime të llojit “pop up”, kur ky këshill gjykon se media online ka shkelur ligjin.
Projektligji i qeverisë synon të rregullojë edhe parimet etike, të tilla si e drejta e përgjigjes, ndërkohë që vendimet e Këshillit të Ankesave parashikohet të shfaqen gjithashtu në formën e një dritareje të njohur teknikisht si pop up, që u hapet automatikisht përdoruesve kur vizitojnë faqen e internetit.
Ndryshe nga draftet e mëparshme, qeveria duket se ka kënaqur kritikat e OSBE-së përmes vendosjes së një paragrafi në projektligj ku parashikohet se “vendimet e AMA-s mund të kundërshtohen në Gjykatën e Tiranës”. Megjithatë, ankimet në gjykatë nuk mund të pezullojnë ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesave. Sipas projektligjit, gjobat e vendosura bëhen menjëherë të ekzekutueshme.