Akademiku dhe pedagogu i gazetarisë, Artan Fuga shprehet se, misioni i Komisionit të Venecias është një mundësi e mirë për krijimin e një modeli tjetër të ligjit për ndalimin e shpifjes në mediat online. Profesor Fuga thotë se, Venecia ka reputacionin dhe pa anshmërinë për të ofruar një mendim të pranueshëm nga të gjithë palët.

Duke folur për ligjin aktual antishpifje që mazhoranca ka miratuar në Parlament në fund të vitit të kaluar, z. Fuga thekson se, ligji bie ndesh me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale ku parashikohen shkeljet për shpifjen dhe dëmtimin e reputacionit.

Kjo gjë shprehet z. Fuga ka shkaktuar një paqartësi të madhe se si do të ndiqet në një rast shpifjeje apo dëmtim të imazhit, pasi disa gjykatave u lind e drejta për të marrë në shqyrtim rastin.

“Neve na është bërë rregull që lëmë ligjet e vjetra dhe bëjmë ligje të reja. Tani kemi disa gjykata që mund të gjykojnë të njëjtin akt që konsiderohet shpifje. Jemi kthyer në kohën e mesjetës, ku ka gjykatë kishe, gjykatë fisniku, gjykatë mbreti. Këtu jemi në shkelje me të gjitha parimet e Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh profesor Fuga në një lidhje të drejtpërdrejte me Euronews Albania.

Edhe pse e konsideron të nevojshme rregullimin me ligj të mediave online, z. Fuga nënvizon se shumë vende të BE-së po hezitojnë për miratimin e një ligji të tillë. Për këtë arsye, z. Fuga e shikon të nxituar ligjin në vendin tonë.

Ai thotë se së pari Autoriteti i Medias Audiovizive nuk ka asnjë kompetencë dhe ligji i ri i ngarkon çështje që nuk janë në tagrin e saj. Nga ana tjetër z. Fuga shton se, dihet nga të gjithë që AMA është një përfaqësi politike.

“Këtu jemi në kushtet kur për çdo kritikë, një politikan mund të thotë se më është shkelur reputacioni”, u shpreh pedagogu i gazetarisë.

Rregullimi me ligj, sipas z. Fuga mund të bëhet duke ndryshuar Kodin Penal, duke shtuar disa specifika për median online. / Euronews Albania

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu