Monitorimi tremujor i gjithë mediave shqiptare në versionet e tyre online, zbuloi se mediat kryesore të Tiranës audio-vizive, botime dhe online po përhapin me shpejtësi dhe pa ndonjë verifikim profesional njoftimet e Bashkisë së kryeqytetit.
Autori i studimit, pedagogu i gazetarisë, Dr. Elvin Luku, thotë se “pjesa dërrmuese e mediave i publikojnë e transmetojnë njoftimet e Bashkisë pa asnjë filtrim apo editim, duke shtuar mundësinë për propagandë dhe duke zhdukur rolin e gazetarit”.
“Kemi bërë një klasifikim për 10 mediat me kontentin më të ngjashëm me njoftimet për shtyp të dërguara nga specialistët e PR-it të Bashkisë Tiranë dhe këtu u përfshinë edhe televizionet me licencë kombëtare në transmetimet dixhitale, gazetat me tirazhin më të madh në vend dhe portalet më të klikuara”,- deklaron Luku.
Vëzhgimi i redaksisë së MediaLook përfshiu 30 mediat më të mëdha tradicionale e të reja në Shqipëri, nga doli se televizionet kryesore transmetojnë afro 65 për qind të pandryshuar lëndën e përcjellë atyre nga zyra e marrëdhënieve publike e bashkisë, së bashku me fotot dhe videot nga i njëjti burim.
“Deri më tani nuk kemi patur një studim për të përcaktuar realisht sesa i përhapur është ky fenomen dhe hulumtimi i MediaLook bën pikërisht këtë, evidenton në përqindje sesa e rëndë është përmasa e tij në mediat shqiptare. Ky fenomen në botë njihet si “churnalism”, që do të thotë ndikimi i zyrave të shtypit të partive politike, qeverise, administratës, etj., në mënyrën e raportimit të lajmit nga mediat.”, – vijon autori i hulumtimit.
Studimi nxori se ndikimi i bashkisë së kryeqytetit është mjaft i madh edhe mbi gazetat kryesore të vendit, derisa ato botojnë njoftimet e saj të pandryshuara në masën mbi 85 për qind.
Pas televizioneve dhe gazetave vijnë edhe portalet kryesore, ku ngjashmëria e lajmeve të tyre me tekstet e përhapura nga bashkia shkon në masën mbi 90 për qind.
Studimi zbuloi po ashtu që çdo veprimtari e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht nëse përmbante apo jo informacion me interes të gjerë publik u pasqyrua në të paktën 25 media kryesore të vendit. Në pjesën dërrmuese të lajmeve që publikuan këto media u vu re mungesa e rolit të gazetarit si ndërmjetës midis njoftimeve të bashkisë dhe publikut, për të shmangur propagandën e këtij institucioni.
Gazetarët, thekson studimi i Medialook, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e editorëve, luajnë thjesht rolin e transmetuesit të kronikave të parapërgatitura nga bashkia.
Drejtuesit e disa mediave thanë se monitorimi nuk përfshinte edhe shkrime të tjera kritike që ata botonin për punën e bashkisë, ndonëse pranuan punën e pakët që bënin gazetarët për të verifikuar apo pasuruar më tej të dhënat që dilnin nga bashkia.
Transmetimi i materialeve të parapërgatitura nga partitë politike dhe institucionet është bërë tashmë një sëmundje shumëvjecare e mediave shqiptare.
“Në pjesën dërrmuese të rasteve mediat transmetojnë “live” aktivitetet politike. Duke bërë këtë gjë, pa e ditur më parë kontentin e materialeve të transmetuara nga qeveria e partitë politike të cilat janë të parapërgatitura me skenar, këtu bie filtri i gazetarit dhe në këtë moment, prirja për propagandë është shumë e madhe. Ne në termat e komunikimit e quajmë çmediatizim i mesazhit, ku gazetari e media bëjnë vetëm rolin e transmetuesit.”, – përfundon autori i monitorimit, Elvin Luku
Të paktën 3 fushatat e fundit elektorale u mbizotëruan nga kronikat që përgatitnin partitë në studiot e tyre, ndërsa aktualisht veprimtaritë e qeveritarëve ndiqen nga përherë e më pak gazetarë, sepse kudo ku shkojnë ata janë me regji dhe sinjal transmetimi më vete, për t’ia ofruar të gatshëm çdo stacioni apo medie tradicionale e moderne për ta shumëfishuar nëpër ekrane.
Shënim: Kronika është realizuar nga gazetari Ilirian Agolli për Zërin e Amerikës