Më 28 qershor 1389 u zhvillua Betaja e Fushë-Kosovës midis ushtrisë së osmanëve dhe ushtrive Ballkanike. Në fund të shekullit 18-të e fillim të shekulli 19-të diejtari serb Vuk Karaxhiq hodhi bazat e manipulimit të kësaj ngjarjeje, sepse mblodhi këngët epike të Malësisë së Shkodrës dhe i përhapi në Europë si krijime të Serbisë për atë ngjarje. E ktheu 28 qershorin dhe Betejën e Fushë-Kosovës në një mit, me të cilin ngjizi nacionalizmin serb, i cili për shkak të egoizmit dhe ambicjeve shkaktoi tragjedi të shumta, të pandërprera në Europën Juglindore dhe kërcënoi paqen e nevojshme për rajonin tonë. Kjo betejë u trajtua thjesht si një përballje e “qytetërimit” serb me kërcënimin osman, ndërkohë që kronikanë dhe dokumente autentike në arkivat e ndryshme dëshmojnë se në Fushë-Kosovë ishin mbledhur luftëtarë nga të gjitha vendet ballkanike, shqiptarë, boshnjakë, alazezë, çekrezë etj. Dita e 28 qershorit u pagëzua kështu nga Sinodi i Kishës së Serbisë si dita e Shën Vidovdanit. Ndërsa martirët e saj u shpallën dëshmorë dhe udhëheqësi serb i kësaj Beteje, Car Llazari u shenjtërua! Kësisoj ndodhi në këtë proces manipulimi dhe indoktrinimi i popullit e kombit serb.

Për këtë punuan të gjitha segmentët e shoqërisë, Shteti, Kisha, Akademia, organizatat dhe shoqatat , shkollat, universitetet, derisa ndodhën katastrofat e njëpasnjëshme të dhjetvjeçarit të fundit të shekullit XX, kur Serbia nxiti dhe udhëhoqi luftrat e përgjakshme në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Ndërkohë në ditët e sotme vihet re ende mbajtja gjallë e frymës nacionaliste serbe bazuar në mitin e Betejës së Fushë-Kosovës.

Historiani i shquar britanik, Noel Malcolm, shkruan se “Ishte ideologjia serbe e shekullit XIX ajo që krijoi kultin e Betejës Mesjetare të Kosovës, si një lloj ngjarjeje historike e vetëpërcaktimit nacional dhe shpirtëror”. (Noel Malcolm: Kosova një histori e shkurtër, Revista “Koha”, nr 11, datë 15 maj 1999, faqe 41). Tetëmbëdhjetë vjet më parë, më 1371, ishte zhvilluar një betejë më e madhe midis bullgarëve dhe osmanëve pranë lumit Marica të Bullgarisë, por askush nuk e njeh atë betejë si një mit me frymëzim nacionalist të tillë si miti i Betejës së Kosovës i ngjizur te serbët! Kjo betejë shënoi asokohe humbjen më të madhe të forcave ballkanike kundër ushtrisë perandorake osmane. Megjithatë ajo festohet e përkujtohet nga serbët çdo vit. Madje shoqërohet me një propagandë të shfrenuar, duke predikuar tri elementë të nacionalizmit serb për homogjenizimin e popullit serb.

I pari element është viktimizimi. Rënia e Car Llazarit në atë betejë është shfrytëzuar nga teoricienët, teologët, predikuesit, akademikët, historianët e shtetarët serbë si thirrje për të përballuar “rreziqet” që i kanosen Serbisë nga elementi joserb në Ballkan e më gjerë. Sipas tyre Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë “viktimë” e konspiracionit shqiptar, kroat, bullgar, austriak, hungarez, slloven etj, e për pasojë serbëve u nevojitet uniteti. Bashkimi rreth nacionalizmit i bën ata të sfidojnë të tjerët e për pasojë të mos bëhen viktimë. Në të vërtetë luftrat e fundit dëshmuan se Serbia është dhe mbetet ende sot viktimë e vetëvetes.

I dyti element i dalë nga Betaja e Fushë-Kosovës lidhet me heroizmin e Millosh Obiliçit, (në të vërtetë Milosh Kopiliçit), dhëndërr i Car Llazarit, i cili në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vjehrrit vrau Sulltan Muratin, i cili udhëhiqte Betejën në Fushë-Kosovë. Shoqëria serbe mëkohet vazhdimisht me idenë dhe fiksionin nacionalist të heroizimit të saj, me qëllim evitimin e të qenit “viktimë”! Studiuesit dhe kronikat shkruajnë se Milosh Kopiliçi ishte shqiptar dhe rridhte nga një familje fisnike shqiptarësh. Por mitologjia serbe nuk mund të lejonte që heroi i kësaj beteje t’i përkishte një nacionaliteti jo serb, aq më pak shqiptarëve. Prandaj i ndërruan mbiemrin, duke e shndërruar në një hero për frymëzimin e nacionalizmit serb dhe homogjenizimin e shoqërisë e të popullit serb.

Së treti, nga Betaja e Fushë-Kosovës strukturat dhe elitat politike, kulturore, fetare e intelektuale serbe formuluan fiskionin e ndëshkimit të “tradhëtisë”, bazuar në faktin se në atë betejë, me fitoren e ushtrisë osmane, dhëndërri tjetër i Car Llazarit, Vuk Brankoviç, pranoi të bëhet vasal i Portës së Lartë të Edirnesë dhe t’i paguajë sulltanit taksën përkatëse.

Të tre këta elementë krijuan një Serbi të rrezikshme, e cila udhëhiqet nga mitet dhe jo nga realiteti, e drejta dhe e vërteta! Të tri këta elementë bënë që Serbia të shndërrohet në një kërcënim serioz për rajonin dhe për Europën.

Të tre këta elementë prodhuan për serbët vetëm armiqësi dhe armiq, urrjetje dhe predikimin e hakmarrjes përmes masakrave makabre, sidomos kundër shqiptarëve, por edhe kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Të tre këta elementë janë shfrytëzuar në kohë të ndryshme për të provkuar konfliktin dhe luftën, por edhe për të promovuar e mbajtur në pushtet kasta autokratësh, burokratësh, sin ë periudhën e Mbretërisë edhe në periudhën e socializmit autoritar titist e sidomos pas vdekjes së udhëhqësit liberal komunist në maj 1980.

Format me të cilat u ngjiz miti serb i Betejës së Fushë-Kosovës ishrin të ndryshme. Kështu në vitin 1889 mbreti i Serbisë planifikoi një manifestim të fuqishëm me rastin e 28 qershorit të atij viti, kur shënohej 500 vjetori i Betejës së Fushë-Kosovës. Ky manifestim do të zhvillohej diku afër Rashkës, sepse Kosova nuk ishte pjesë e shtetit serb asokohe. Por me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, sidomos Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, mbreti serb u tërhoq nga aventura e këtij manifestimi. 25 vjet më vonë, më 28 qershor 1914, serbët vranë në Sarajevë princin austriak Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij, Sofinë. Përsëri më 28 qershor?! Organizata e të rinjve serbë të Bosnjës “Dora e Zezë”, organizoi atentatin. Pjesmarrës në këtë atentat ishte gjithashtu një emër i njour i letrave serbe, Vasa Çubrilloviç, i cili 23 vite më vonë (7 mars 1937) shpalli memorandumin famëkeq të shpërnguljes dhe asgjësimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kjo ngjarje e Sarajevës shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore e miliona viktimat e saj. Por 28 qershori mbeti një ditë, e cila u përkujtua vazhdimisht. Madje udhëheqës të tjerë jashtë Jugosllavisë e përdorën këtë datë për qëllimet e tyre politike. Kështu Stalini e shpalli letrën e tij të famshme të Infrombyrosë për dënimin e Titos po më 28 qershor 1948 me qëllim që të nxiste serbët kundër udhëheqësit komunist rebel me prejardhje kroate.

Ndërsa me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës, më 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviçi, organizoi në Fushë-Kosovë mitingun e njour nacionalist me mbi 1 milion pjesmarrës të ardhur nga Serbia, nga ku shpalli filozofinë e tij nacionaliste. Sipas Milosheviçit “Serbia do të ishte gjithnjë jo vetëm aty ku ka serbë, por edhe atje ku ka varre serbësh” dhe se “Serbia ose do të ishte e madhe, ose nuk do të ekzistonte fare”! Shprehja e fundit ishte kopjuar nga numri një i propagandës naziste, Gëbelsi.

Prej asaj kohe e çdo vit, edhe pasi Kosova u vu nën protektorat ndërkombëtar, ose pasi ajo shpalli pavarësinë e saj, Beogradi ka organizuar përkujtimin e datës së 28 qershorit në territorin e Kosovës, pikërisht në Fushë-Kosovë.

Sot në këtë organizim përkujtimor të nacionalizmit dhe ngjizjes së konflikteve në rajon ishte nis të merrte pjesë gjithashtu ministri i Mbrojtjes së Beogradit ,Aleksandër Vulin. Njoftimet bëjnë me dije se atij nuk i është dhënë leje të hyjë në Kosovë. Por gjithësesi prirja për pjesmarrjen e tij dëshmon se mentaliteti i Beogradit sa i përket jo vetëm Betejës së Fushë-Kosovës, por edhe derivative nacionaliste të saj, nuk kanë ndryshuar.

Sa kohë që në Serbi predikohet miti i kësaj beteje, aq kohë serbët dhe Serbia do të jenë rrezik për paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në Europën Juglindore. Aq kohë do të jetë gjithashtu i ndezur fitili i konflikteve në rajon.

Dhe sa herë që autoritetet politike, religjioze e akademike të Beogradit vijnë në Kosovë për këtë ngjarje, aq herë ata kanë predikuar e do të predikojnë mitin serb të nacionalizmit për dominimin e popujve të tjerë në rajon, veçmas për “përkatësinë” serbe të Kosovës!!! Kësisoj negociatat për zgjidhjen e konfliktit mbeten thjesht një taktizim serb!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu