Në një përshkrim të spektaklit të realitetit Big Brother Albania, në punimin e saj “Reality TV apo televizioni real”, moderatorja Arbana Osmani e cilëson atë si një program banal, të ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare. Citojmë: “Megjithëse konsiderohet “trash” në mbarë botën, pasi kam ndjekur formatin italian, amerikan dhe atë britanik mund ta them me bindje, ndoshta edhe për shkak të kushteve sociale dhe rëndësisë që opinioni publik ka për pjesëmarrësit, se Big Brother-i shqiptar është më pak banali. Përveç kësaj, është një program i ndërtuar sipas standardeve botërore dhe na ka bërë të gjithëve të njohim më mirë disa elemente të shoqërisë sonë.”
E megjithatë, ndonëse cilësohet banal, ky program është ndër spektaklet me të shikuara në Shqipëri.
Sipas të dhënave të siguruara nga kompania e matjes së audiencës “Abacus Research”, për sezonin e katërt të Big Brother Albania, rezulton se ky format, që në nisje të tij në muajin dhjetor, është ndjekur nga 30.5 % e shikuesve në Tiranë. Ndërsa grupmosha me përqindjen më të lartë të audiencës ka qenë 20-29 vjeç dhe 40-49 vjeç.
Ajo që mund të kuptojmë nga leximi i këtyre statistikave është se ky program ndikon në formimin dhe edukimin e opinionin publik, veçanërisht tek të rinjtë.
Kur lindi ky reality show?
Big Brother është një format që i përket gjinisë “entertainment reality show”, që në shqip do të thotë një “spektakël argëtues i realitetit”. Ai është krijuar nga producenti dhe manjati i kompanive mediatike “Endemol” dhe “Talpa”, John de Mol. Sezoni i parë i Big Brother është transmetuar në televizionin “Veronica” në Holandë, më 16 shtator 1999. Ai është konceptuar në një shtëpi, lagje apo fshat të improvizuar, të rrethuar anë e kënd me kamera dhe mikrofona. Pajisjet digjitale regjistrojnë çdo lëvizje, ditë-natë, të banorëve teksa hanë, dialogojnë, flenë apo kryejnë marrëdhënie seksuale. Këta pjesëmarrës, që janë të izoluar nga kontakti me njerëzit jashtë dhe mediat, i nënshtrohen urdhrave të “Vëllait të Madh”. Këtë sfidë e kanë pranuar që në fillim. Banorët nominojnë njëri-tjetrin, ndërsa votimi i publikut nga celulari apo interneti i eliminon. Një herë në javë organizohet një spektakël ku diskutohen zhvillimet në shtëpi dhe komentohen konkurrentët e eliminuar. Banori që mbetet i fundit është fituesi i çmimit të madh. Çdo gjë që zhvillohet në shtëpi transmetohet në televizion, ekrane të dedikuara, në internet apo celularë. Ata ndiqen nga miliona sy.
Në të gjithë botën përllogaritet që këtë program ta kenë ndjekur më shumë se dy miliardë shikues. Ky format është përhapur me shpejtësi në mbi 50 shtete. Pjesa më e madhe prej tyre ka njoftuar vijimin për vitin 2014.
Në Shqipëri, emisioni u transmetua për herë të parë më 23 shkurt të vitit 2008, ndërsa programi vijon ende. Deri më tani janë zhvilluar gjithsej 7 edicione. Pas shtatë vjetësh, banoret Ermela Mezuraj dhe Nevila Omeri janë dy konkurrentet femra që kanë arritur të fitojnë çmimin e madh. Pesë fituesit e tjerë janë meshkuj. Nga fillimi i këtij spektakli e deri më sot ky program është drejtuar nga moderatorja Arbana Osmani.
Të kuptojmë Big Brother-in: një analizë teorike
Pse Big Brother-i ka rezultuar i suksesshëm në mbarë botën? Sepse “është një recetë ndërkombëtare që gatuhet sipas traditave lokale”. Televizionet blejnë formatin, por jo kulturën, banorët dhe shikuesit e tyre.
Janë, të paktën, tre shkolla të ndryshme që kanë analizuar formatin Big Brother:
- Është grupi i studiuesve britanikë, që përfaqësohen nga Jonathan Bingell, Annette Hill dhe Richard Kilborn, të cilët e shohin këtë reality si një zgjatim të “trash talk show-t”, të përfaqësuar në programet e Jerry Springer dhe Ricky Lake, në fillim të viteve ’90, në SHBA, si dhe dokumentarëve serialë në Britaninë e Madhe.
- Janë autorët amerikanë, të përfaqësuar nga teza e Mark Andrejeviç se, Big Brother lidhet me kulturën e përgjimit, survejimit, vuajarizmit, që është kthyer në një fenomen në shoqërinë e Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar konceptit të shkrimtarit George Orwell në veprën “1984”, Andrejeviç thotë se, brezi i ri po rritet pa konceptin e privatësisë.
- Studiuesit gjermanë dhe ato franko-holandezë, me autorë Ernst Mathijs dhe Janet Jones, Irene Meijer dhe Maarten Reesink, si dhe Lothar Mikos, e argumentojnë këtë format të producentit holandez John de Mol, si një pasqyrim të kulturës “pa perde” të shtetit të Holandës.
Në cilën prej këtyre shkollave e gjen veten Big Brother Albania?
Po të shqyrtojmë tezën e fundit, atë të autorëve franko-holandezë dhe gjermanë, vërejmë se ajo nuk vlen në rastin shqiptar. Madje, vendi ynë, ndoshta, do të vendosej në skajin e kundërt me kulturën holandeze, ku koncepti i transparencës nuk njeh as pragun e shtëpisë.
Në Shqipëri, ndonëse kanë nisur proceset e anomizmit, opinioni lokal në shoqëri është ende i fuqishëm. Unë nuk kam frikë nga vështrimi i turmave milionëshe, – thotë studiuesi Artan Fuga, në librin “Brirët e Dhisë”, por nga syri magjik i portës së komshies sime, një grua e vjetër shumë e nderuar. Nga ajo ruhem!
Mendimi i autorëve britanikë që e sheh formatin si një zgjatim të gjinisë “trash talk show”, gjithashtu nuk përputhet me realitetin tonë. Televizioni në Shqipëri nuk e ka njohur, deri më tani, këtë lloj “spektakli të fjalës”. Eksperienca në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka lindur ky lloj formati me Jerry Springer show, tregoi se ky program trajtonte tema që cilësoheshin si tabu në shoqërinë e fillim viteve ’90 në Amerikë, si martesat gej, personat transgjinorë, sida, përdhunimi, etj… Debatet shkonin deri në përplasje fizike mes të ftuarve. Jo më kot gjatë bisedave, dy ose më shumë roje trupmëdhenj qëndronin në studio.
Sa i takon serialet televizive apo doku-serialeve, deri më tani, në ekranet shqiptare ato kanë qenë të pakta.
Suksesi i formatit Big Brother në Shqipëri, ka të bëjë, pikësëpari, me konceptin e Andrejeviç-it lidhur me dëshirën për të parë nga “vrima e çelësit”. Shikuesit e rregullt të “Vëllait të Madh” kërkojnë vuajarizmin si spektakël në ekranin e televizorit.
Por ç’është kjo dëshirë për të parë e mbajtur vesh?
E para, ka të bëjë me të parit e asaj që morali e ndalon ta shohësh, – thotë profesor Artan Fuga, pra kapërcen tabunë morale. Është një kënaqësi e madhe…; E dyta, vështrimi në formën e vuajarizmit, do të thotë të identifikohesh me aktorët që je duke parë…; E treta, dhe më dramatikja, – vazhdon Fuga, ndodh kur, shpeshherë, njeriu, duke parë skena të dhimbshme, katastrofike, merr kënaqësi. Ky është misteri i qenies njerëzore…
Është pikërisht ky mekanizëm, kurioziteti për të parë se çfarë ndodh në shtëpinë e tjetrit, çelësi i suksesit të Big Brother-it.
Big Brother: Audiencë, prestigj dhe para
Edhe në rastin Shqiptar vuajarizmi ka ndikuar ndjeshëm në termat e shikueshmërisë. Sipas të dhënave të kompanisë së matjes së audiencës “Abacus Research”, ndjekësit më të shumtë të këtij spektakli janë të rinjtë. Në gjuhën e marketingut audienca e lartë përkthehet në para, por dhe prestigj për televizionin që transmeton një program të tillë.
Sipas të dhënave nga tarifat e reklamave të “Top Channel”, një spot para spektaklit Big Brother Albania 4, në vitin 2011, kushton 120.000 lek/30 sek, ndërsa në blloqet publicitare në mes të tij, çmimi arrin gati dyfishin, në 225.000 lek/30 sek. Kjo është shuma më e lartë që është paguar në programacionin e këtij televizioni kombëtar, në atë kohë. Pas këtij formati, reklamën më të shtrenjtë e ka emisioni i humorit Portokalli.
Në vitin 2013, pagesat e reklamave rriten në 126.000 lek/30 sek për spotet para spektaklit, ndërsa në mes të emisionit, një hapësirë publicitare prej 30 sekondash kushton 234.000 lek.
Po të bëjmë një lexim të këtyre çmimeve për vitin 2013, duke i krahasuar me kostot e sporteve prej 30 sekondash edhe në televizionet e tjera rivale, si: “TV Klan”, “Vizion Plus”, “News24”, etj., rezulton se hapësira publicitare në emisionin Big Brother, në “Top Channel”, është më e larta nga të gjitha programet në treg.
Edhe të dhënat e audiencës nga Abacus Research, për edicionin e katërt të këtij programi, flasin për një dominim të televizionit “Top Channel”, për periudhën Dhjetor 2010 – Mars 2011, kur transmetohej Big Brother-i. Në total, përllogaritet që niveli i shikueshmërisë ka qenë mesatarisht rreth 20-25% më i lartë krahasuar me televizionet rivale “Vizion Plus” e “TV Klan”.
Por, ndryshe nga programet e tjera, Big Brother nuk ka një audiencë pasive. Këtu s’ka shikues, por ndjekës. Ndërveprimi është një ndër elementët e suksesit të tij. Ai vihet në punë nga mekanizmi i eliminimit me anë të votimit nga operatorët e telefonisë celulare brenda dhe jashtë vendit; nga faqja në internet dhe forumet në rrjetet sociale, etj…
Ky popullaritet i Big Brother dhe fama që përfitohet prej tij, lakmohet jo pak nga të rinjtë e të rejat në vend.
Të rinjtë shqiptarë dhe realiteti televiziv
Aplikantët në Big Brother 4 për vitin 2011 rezultojnë të jetë sa 1/3 e numrit të përgjithshëm të studentëve që kanë konkurruar në shkollë të lartë për vitin akademik 2011-2012.
Kjo tregon se dëshira për sukses të menjëhershëm është e madhe.
Por konkurrentët e rinj duhet të dinë se secili prej banorëve, përfshi këtu fituesit e ato që kanë zënë një vend pune në botën mediatike, e kanë paguar shtrenjtë çmimin e famës.
Ata janë privuar nga privatësia dhe intimiteti, të cilat i kanë vënë në funksion të spektaklit.
I tillë ishte fati i Klodit, banorit të Big Brother Albania 3. Ai pranoi publikisht në ekran se është homoseksual. Deklarata u pasua nga disa protesta radhazi në Lezhë. Familja e tij, u zhvendos në Durrës, duke e patur gjithnjë e më të vështirë kthimin në vendlindje për shkak të homofobisë. Debati i përhapur gjerësisht në media, arriti deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur gjatë një aktiviteti në Nju Jork me përfaqësues të komunitetit LGBT, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, duke iu referuar rastit të Klodit në Shqipëri, bëri thirrje për respektimin e të drejtave të homoseksualëve.
Vetë Klodian Çela ka pranuar në një intervistë, se Big Brother-i përdori historinë e tij për spektakël. Ai tha se është penduar që u bë pjesë e këtij programi.
Po kështu dhe historia e Gentës së Big Brother 5. Gjatë kohës kur ndodhej në shtëpi, thuajse të gjitha mediat publikuan një seri fotosh erotike të konkurrentes nga Devolli. Imazhet bënë shumë zhurmë mediatike. Megjithatë, më shumë jehonë shkaktoi momenti i përballjes së Genta Gjalpit me këto foto. Produksioni i Big Brother-it theu një nga rregullat e këtij formati, duke i treguar banores fotot e publikuara në shtyp. Kjo, për arsye se historia do të garantonte spektakël dhe shikueshmëri. Jo rastësisht, moderatorja e këtij emisioni e ka renditur këtë ngjarje, si një nga shtatë momentet më të rëndësishme të këtij programi.
Edhe Adelajda, vajza 23-vjeçare nga Kavaja, pjesëmarrja e të cilës u “përdor” nga Big Brother për të rrëzuar një mentalitet të vjetër. Nuk ishin të rastësishme debatet rreth kërkesës së prindërve të Adelës, që ta nxirrnin vajzën nga shtëpia, apo letra e Bjordit për të ëmën Antonetë, ku i kërkonte të takohej dhe të bindte prindërit e saj.
Në analizën që i bën emisionit drejtuesja Arbana Osmani evidenton dy elementë të rëndësishëm. I pari lidhet me kontratën që firmosin të gjithë banorët e përzgjedhur para se të hyjnë në shtëpi, sipas të cilës ata “bien dakord me rregullat e programit, fitimet apo penalizimet që vijnë si pasojë e pjesëmarrjes”. Kjo do të thotë se Big Brother Albania nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore rreth dëmit që mund t’i shkaktohet banorëve nga mediatizimi i historive të tyre në ekran.
Elementi i dytë lidhet me përzgjedhjen e tyre. Sipas saj, këto lloj formatesh kërkojnë një kategori të caktuar konkurrentësh: “zakonisht nëpër reality show nuk mungojnë disa stereotipe, si vajza e bukur por jo fort e mprehtë, djali ose vajza që vijnë nga zonat rurale, djali muskuloz që e kanë qejf vajzat, i pasuri, i varfëri, vajza mistrece, çifti i shtëpisë etj…”
Dhe pikërisht, kjo lloj “përzgjedhje” e banorëve ngre shumë pikëpyetje rreth vërtetësisë së këtij programi.
Për të shuar këto dyshime, autorët e këtij formati në Shqipëri thonë, se ekzistojnë dy kanale televizive në Digitalb të cilat kujdesen të transmetojnë të gjitha ngjarjet brenda shtëpisë.
Kur flasim për vërtetësi nuk i referohemi censurës gjatë transmetimit të jetës dhe dabatit të banorëve. Përkundrazi, puna e monitoruesve duhet përgëzuar.
Me vërtetësi nënkuptojmë, së pari, skenarin e ndërtuar para e gjatë spektaklit. Ai fillon që te përzgjedhja e banorëve e deri te “parashikimi i situatave që do të krijohen në shtëpi”, me: sekretet e tyre; lojërat, dënimet dhe misionet; futjen e konkurrentëve të rinj; nominimet dhe eliminimit, etj…
Së dyti, atë që sociologu kanadez Ervin Goffman e cilëson si lojë maskash, aktrimin, që në rastin e Big Brother-it është i dyfishtë. Banorët janë në rol përballë konkurrentëve brenda shtëpisë, e njëkohësisht dhe për publikun jashtë saj.
Në këtë moment dhe shprehja simbol e banorëve të “Vëllait të Madh”: “Jam vetvetja!”, fillon e merr kuptim…
Gjetje
Suksesi i spektaklit televiziv Big Brother në kulturën Shqiptare lidhet me konceptin e vuajarizmit;
Formati Big Brother ka audiencë të lartë pasi, falë mekanizmave të eliminimit dhe teknologjisë, ka arritur t’i kthejë shikuesit në ndjekës;
Rregullat, skenari dhe mekanizmat e tjerë e shndërrojnë Big Brother nga një program të realitetit në një spektakël televiziv;
Në Big Brother banorët e paguajnë çmimin e famës duke “shitur” në ekran historitë dhe intimitetin e tyre.