Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se OSHEE arkëton nga shqiptarët dhjetëra milionë euro më shumë nga sa është e autorizuar nga ERE, ndërsa institucioni rregullator pranon llogaritje të kostove të energjisë, të cilat rezultojnë të pandershme dhe rëndojnë konsumatorin me të padrejtë.
Për të tretin vit radhazi dhe në mënyrë të heshtur, Enti Rregullator i Energjisë la në fuqi tarifat ekzistuese të energjisë për konsumatorin fundor tre ditë para fundit të vitit 2017, me një vendim në të cilin vetë ERE pranon se është ndërmarrë pa kryer analizat e nevojshme të kostove të energjisë si dhe duke pranuar disa kosto shumë të debatueshme të llogaritura nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Të dhëna të analizuara nga BIRN tregojnë se në rast se Enti Rregullator do t’i kishte zbatuar me përpikmëri rregulloret e nxjerra vetë për miratimin e tarifave, ka gjasa që shqiptarët do të përfitonin këtë vit një ulje të ndjeshme të faturës së tyre të energjisë, prej së paku 1.5 lekësh, ndërkohë që mungesa e zbatimit të rregullores i mundëson OSHEE të mbajë disa kosto, për të cilat, ekspertë të sektorit thonë se janë të pajustifikuara për një kompani nën pronësi publike.
Vetë Enti e pranon problemin e mosrespektimit të rregullores për përcaktimin e tarifave ndërsa në një letërkëmbim të gjatë me OSHEE vëren shkelje të shumta në rregullore, por pa mundur të bëjë korrigjimet e nevojshme. OSHEE kritikohet nga Enti veçanërisht për mosllogaritjen e fitimeve të jashtëzakonshme të viteve 2015 dhe 2016 në kostot për vitin 2018, për mosreflektimin real të kostove të “borxhit të keq” si dhe për mbajtjen e një norme të lejuar fitimi prej 16.44% mbi asetet e rregulluara, një problem ky i trashëguar nga koha kur OSHEE ishte nën pronësinë e CEZ dhe që kritikohet nga ekonomistët si një parim logjikisht i papranueshëm në kushtet kur OSHEE është kompani nën pronësi publike. Të gjitha këto llogaritje të pajustifikuara duket se mbajnë të larta tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët dhe i lejojnë OSHEE të rrisë shpenzimet e veta, veçanërisht shpenzimet për paga, të cilat janë dyfishuar në periudhën mes viteve 2014 dhe 2017 dhe pritet të rriten më tej më 2018.
Pyetur nga BIRN, OSHEE refuzoi arsyetimin e Entit Rregullator me supozimin se pjesa më e madhe e fitimeve të realizuara më 2015 dhe 2016 është “rikuperim humbjesh nga vitet e mëparshme” ndërsa theksoi se thatësira e vitit 2017 dhe prodhimi i bollshëm nga hidrocentralet private më 2018 e ka vënë OSHEE-në sërish në vështirësi financiare pavarësisht tarifave aktuale. Ajo thekson se kapitali aksioner i OSHEE vijon të jetë negativ pavarësisht fitimeve të jashtëzakonshme të viteve të mëparshme. [link përgjigjet]
Procedura e tarifave
Procedura e miratimit të tarifave të reja kërkon që fillimisht operatori i tregut, në rastin konkret, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSHEE), të plotësojë një aplikim ku argumenton kostot dhe nevojat e saj për të ardhura për të mbuluar këto kosto. Enti shqyrton kostot dhe i vlerëson ato si të arsyeshme apo të paarsyeshme. Pasi miraton tarifat për një vit të caktuar, Enti lë mundësinë që, në rast se kostot e energjisë rezultojnë më të larta se sa tarifat, kompania të kompensohet me një rritje tarifash në vitin pasardhës ndërsa në rast se kostot faktike rezultojnë më të ulëta, konsumatorët të kompensohen me një ulje tarifash për vitin pasardhës.
Këto rregulla funksionojnë në të gjitha vendet normale dhe mundësojnë nga njëra anë, që operatori i energjisë të mbulojë kostot e shërbimit dhe nga ana tjetër, që konsumatorët të mbrohen nga abuzimi i mundshëm i operatorit. Kjo bën që çmimi i energjisë elektrike ose të rritet ose të ulet, në varësi të kushteve të tregut, por probabiliteti që ai të qëndrojë në vend është shumë i vogël. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në të gjitha vendet e Europës dhe të Ballkanit, çmimet e energjisë gjatë këtij viti u ulën ose u rritën. Shqipëria ishte vendi i vetëm në listë ku çmimet nuk ndryshuan. [Link Eurostat]
Enti Rregullator argumentoi në vendimin e tij për lënien në fuqi të tarifave të mëparshme se nuk e kishte të mundur të bënte analizën e nevojshme për të ndryshuar çmimin. “Aplikimit i mungon analiza e detajuar dhe argumentet përkatëse për të gjitha shpenzimet operative për vitin ushtrimor të mbyllur dhe të audituar (2016) dhe e shpenzimeve të pritshme për vitin 2017.” [Link vendimi]
Enti vëren gjithashtu se OSHEE nuk ka kryer krahasimin e nevojshëm mes “të ardhurave faktike 2015 e 2016” dhe të ardhurave të pritshme 2017, me të ardhurat e autorizuara nga ERE. Detyrimi ligjor është që nëse të ardhurat faktike kanë qenë më të larta se sa të ardhurat e autorizuara, konsumatori duhet të kompensohet me ulje çmimi ndërsa në rast se të ardhurat faktike janë më të ulëta se sa është autorizuar, OSHEE duhet të kompensohet përmes rritjes së tarifës së shërbimit.
Pavarësisht të gjitha shkeljeve nga ana e OSHEE dhe mungesës së argumentimit të shpenzimeve, ERE vendosi të lërë në fuqi tarifat e mëparshme, të cilat janë ndryshuar për herë të fundit në vitin 2015. Vetëm pasi la në fuqi tarifat e mëparshme, Enti hyri në një komunikim shkresor me OSHEE-në për të kërkuar dokumente dhe sqarime shtesë, për të cilat, OSHEE dha përgjigje evazive. Gjatë ditëve të fundit, Enti publikoi letërkëmbimin në faqen e internetit.
Llogaritë e palogjikshme
Procedura standarde e përcaktimit të tarifave fillon me paraqitjen e një kërkese nga ana e kompanive (OSHEE, OST dhe KESH) te Enti Rregullator, ku kompanitë kërkojnë të ardhurat e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e tyre. Enti ka për detyrë që t’i analizojë të dhënat dhe nëse i sheh të paarsyeshme, t’ia mohojë kompanisë një pjesë të kostove si të pajustifikuara.
OSHEE e paraqiti kërkesën e saj te Enti shtatorin e kaluar. Siç ishte kërkuar, OSHEE mori autorizimin për të marrë nga shqiptarët 62 miliardë lekë gjatë vitit 2018. Por pas miratimit të tarifës dhe nivelit të lejuar të të ardhurave, Enti, në bazë të rregullores së tij shtroi disa pikëpyetje mbi llogaritjet e OSHEE. Në një shkresë të dërguar më 12 janar, kryetari i ERE Petrit Ahmeti, pyet OSHEE-në se pse nuk ka plotësuar me analiza shpenzimet operative të kërkuara nga kompania për vitin 2018 dhe pse nuk ka “krahasuar të ardhurat faktike të kompanisë gjatë viteve 2015 e 2016 me të ardhurat e lejuara nga ERE”. Çështja e dytë është veçanërisht me rëndësi, për shkak se të ardhurat faktike të OSHEE gjatë këtyre dy viteve janë ndjeshëm më të larta se sa të ardhurat e lejuara. Sipas të dhënave zyrtare, ERE pati autorizuar OSHEE të arkëtonte 48.1 miliardë lekë më 2016 dhe 47.1 miliardë më 2017.
Por OSHEE pranon se për këto dy vite ka realizuar të ardhura në masën 5.4 miliardë lekë më shumë nga sa lejohet nga tarifat e miratuara për këto dy vite. ERE pati autorizuar “të ardhura të lejuara” në masën 47.7 miliardë lekë me tarifë mesatare shitjeje 10.7 lekë për kWh. OSHEE realizoi të ardhura në masën 49.7 miliardë lekë me çmim mesatar shitjeje prej 11.13 lekë për kWh. E njëjta gjë u përsërit edhe në vitin 2016 ndërsa të dhënat e 2017 nuk janë publikuar ende. Përveç kësaj, OSHEE ka arkëtuar edhe para të tjera jashtë strukturës së çmimit në formën e kamatëvonesave e të tjera, duke bërë që në total përgjatë këtyre dy viteve arkëtimet të ishin 14 miliardë lekë më shumë se sa të ardhurat që ishin miratuar nga ERE. Të ardhurat e paautorizuara, sipas metodologjisë së tarifave, duhej të kompensoheshin te konsumatorët përmes uljes së tarifave për periudhën pasardhëse.
Çmimi i energjisë në Shqipëri dhe Europë
Në mars të këtij viti, zyra e statistikave të Bashkimit Europian bëri përditësimin e të dhënave të saj mbi koston e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë në shtetet anëtare të BE-së si dhe disa shtete kandidate ose fqinje. Shqipëria rezultoi një nga vendet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit në kuotën 9 cent të euros për kWh, përfshirë taksat. Çmimi në Shqipëri ishte ndjeshëm më i lartë se sa në Maqedoni (8 cent), Serbi (7 cent) apo Kosovë, gjithashtu 7 cent.
Shqipëria rezultoi gjithashtu vendi i vetëm në listë në të cilin çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin familjar nuk ka ndryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2017 në krahasim me vitin 2016. [Link Eurostat] Në të gjitha vendet e tjera, çmimi i energjisë elektrike ka ndryshuar, nga fare pak, në minus 12% në Itali apo plus 30% në Ukrainë.
Akoma më tej, Shqipëria rezultoi një nga të paktat shtete që, në mënyrë misterioze, nuk ka raportuar të dhëna për çmimin e energjisë së paguar nga konsumatorët jofamiljarë.
Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë si dhe për pjesën më të madhe të konsumatorëve jofamiljarë, duhet të përcaktohen nga entet rregullatore të energjisë, institucione mbikëqyrëse që kanë për detyrë të mbrojnë konsumatorët nga pozicioni monopol ose oligopol i kompanive të prodhimit, transmetimit apo shpërndarjes së energjisë elektrike. Në rast se për shkaqe të ndryshme, kostoja e energjisë elektrike rritet, çmimi duhet detyrimisht të rritet dhe anasjelltas, nëse kostoja ulet, çmimi duhet të ulet gjithashtu. Dhe duke qenë se kushtet e tregut të energjisë elektrike janë gjithmonë në ndryshim, është një probabilitet i pamundur që çmimi të qëndrojë i pandryshuar. Për këtë arsye, në të gjitha vendet Europiane si dhe ato të Ballkanit, çmimi ka ndryshuar.
Gjatë këtyre dy viteve në fjalë, jo vetëm të ardhurat e kompanisë ishin më të larta se sa tarifat e miratuara, por edhe shpenzimet ishin më të ulëta për shkak se prodhimi vendas i energjisë ishte i lartë falë rreshjeve të bollshme dhe çmimi i blerjes së energjisë nga OSHEE ishte më i ulët. Si rrjedhojë e këtyre dy faktorëve, OSHEE arriti të realizojë fitime neto sipas bilancit të saj në masën 33.66 miliardë lekë për tre vitet e fundit.
Në përgjigjen e saj me shkrim, OSHEE pranon se fitimet janë më të larta se sa autorizimi nga ERE për fitime, por argumenton se vetëm 13 nga 33.66 miliardët janë fitime që rrjedhin nga tarifa ndërsa pjesa tjetër janë efektivisht fitime që duhej të ishin realizuar vitet e shkuara.
“Nëse flasim për vitin 2015, ku fitimi rezultoi 15.5 miliardë lekë, vetëm 6 miliardë lekë është fitimi nga aktiviteti i shitjes së energjisë, i cili ka lidhje të drejtë me Tarifën, të cilën ju përmendni,” tha OSHEE. “Gjithashtu, për vitin 2016 fitimi ishte 18.7 miliardë lekë, por Fitimi nga Shitja e Energjisë ishte 6.5 miliardë lekë,” shtoi OSHEE.
Pavarësisht interpretimit, të ardhurat dhe fitimet mbi limitet e autorizuara nga ERE do të mjaftonin për të ulur çmimin e energjisë për konsumatorët së paku në masën 1.5 lekë për kWh. Kjo është shifra që lidhet vetëm me kompensimin e të ardhurave shtesë jashtë strukturës së çmimeve të autorizuara në masën 13 miliardë lekë. Për kompensimin e konsumatorëve për këtë shumë, OSHEE mund të merrte një tarifë 1.5 lekë për kWh më të ulët për të plotësuar detyrimin e furnizimit të afro 6.3 miliardë kilovatorëve.
Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri është shumë i pabarabartë, ku 7% e familjeve konsumojnë sëbashku mbi 30% të energjisë totale. Gjithsesi, nëse një familje konsumon 300 kWh në muaj, ajo po paguan aktualisht 5400 lekë në vit pa TVSH më shumë se sa do të duhej të paguante në rast se llogaritja e kostove të energjisë do të ishte e ndershme.
Në vitin 2016, ERE shkroi në vendimin e saj për mosndryshimin e tarifave se “Përditësimi dhe kompensimi i të gjitha efekteve të mundshme financiare për të licencuarit për periudhën 2015 dhe vitin 2016 do të bëhet në periudhën pasardhëse”. Por periudha pasardhëse mbërriti dhe sërish ERE nuk arriti të bëjë “kompensim”.
Fitime private për një kompani publike
Fitimet e viteve 2015 dhe 2016 nuk janë të vetmet kosto që kërkojnë kompensim. Enti Rregullator ka shprehur pakënaqësi për disa kosto të tjera të llogaritura nga OSHEE dhe që duket se nuk qëndrojnë. Kostoja më e rëndësishme lidhet me një koncept të njohur si “norma e lejuar e kthimit mbi kapitalin”. OSHEE llogarit këtë “normë të lejuar” fitimi neto në masën 16.44%. Kjo ka qenë norma e lejuar e fitimit që CEZ Shpërndarje kishte në kohën kur kompania ishte nën pronësinë e grupit çek CEZ, por e njëjta normë fitimi iu lejua kompanisë edhe pasi shteti shqiptar e ribleu atë.
Kjo është një normë fitimi e lartë edhe për një kompani private, por fakti është që bazuar në të njëjtin parim, OSHEE, zyrtarisht nën pronësi publike që nga viti 2015, vijon t’i bëjë llogaritë duke i njohur vetes një normë fitimi në këtë masë, gjë që konsiderohet si e parregullt formalisht dhe e paarsyeshme logjikisht nga vetë Enti Rregullator.
Në janar 2018, Enti i dërgoi një shkresë OSHEE [Link shkresa] ku vinte në pah dy probleme: e para, OSHEE është lejuar të ketë një normë fitimi 16.44%, shumë më të lartë se sa dy kompanitë e tjera, gjithashtu publike të këtij sektori, KESH dhe OST; e dyta: kërkesa për normë kthimi mbi kapitalin në këtë masë mbështetej në një dokument që kishte vlefshmëri deri në vitin 2014 ndërsa mbi këtë dokument, OSHEE kërkon tarifat për vitin 2018.
Të ardhura dhe fitime mbi autorizimin e ERE
Në vitin 2014, ERE autorizoi OSHEE-në të arkëtonte 48.6 miliardë lekë gjatë vitit 2015 për të mbuluar shpenzimet e saj për furnizimin me energji elektrike, përfshirë nevojat për investime kapitale, shlyerjen e borxheve, kompensimin për faturat e papaguara etj. [Link vendimi mbi tarifat 2015] ERE autorizoi OSHEE që në bazë të shpenzimeve të pritshme për vitin 2015, nga këto të ardhura të siguronte 1.5 miliardë lekë fitime. Në fund të vitit 2015, të ardhurat e OSHEE rezultuan 59.6 miliardë lekë ndërsa fitimet neto ishin 15.5 miliardë.
Për vitin 2016, ERE u gjend sërish në vështirësi për të përcaktuar tarifat, pasi dërgoi shkresa në qeveri, ministri dhe te operatorët, por pa sukses. [Link relacioni] Vështirësitë e ERE për përcaktimin e tarifave 2016 lidheshin me faktin që vendi miratoi një ligj të ri për energjinë elektrike ndërsa qeveria nuk kishte plotësuar aktet nënligjore. Në pamundësi për të vlerësuar situatën, por përballë faktit që fitimet e OSHEE për vitin 2015 ishin disa herë më të larta nga sa ishte autorizimi nga ERE, mbikëqyrësi i tregut vendosi lënien në fuqi të tarifave ekzistuese. ERE pranoi gjithashtu se nga informacioni i pjesshëm për rezultatin financiar të vitit 2015, fitimet e OSHEE ishin “rreth 6.4 herë më shumë nga sa i është pranuar kësaj kompanie në tarifat e vitit 2015”.
Për vitin 2016, të ardhurat e OSHEE ishin 62 miliardë lekë ndërsa fitimet neto 18.7 miliardë. Në dhjetor 2016, kur erdhi puna për të diskutuar tarifat e vitit 2017, ERE vendosi edhe një herë lënien në fuqi të tarifave të mëparshme. Bilanci i vitit 2017 të OSHEE nuk është ende publik dhe kompania nuk ka respektuar detyrimin e vet për të publikuar të dhënat kryesore në faqen e saj të internetit, por paraprakisht mësohet se importet e larta të energjisë gjatë vitit të kaluar kanë sjellë një humbje të vogël prej rreth 550 milionë lekësh për këtë vit.
Çështja e tarifave pritet të kthehet në diskutim sërish në shtator të këtij viti, kur Entit do t’i duhet të përcaktojë tarifat e vitit 2019. Në këtë rast, enti do të duhet të marrë parasysh të ardhurat mbi autorizimet e saj për të gjithë periudhën 2015-2018 si dhe të korrigjojë tarifat duke marrë parasysh të gjithë elementët e tjerë.
OSHEE argumenton në përgjigjen e saj se ajo nuk ka mundësi të llogarisë një normë fitimi të arsyeshme sepse nuk ka një kompani të ngjashme që të krahasojë riskun që duhet të ketë në Shqipëri.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, mendon se përcaktimi i një norme fitimi “të arsyeshme” për një kompani publike është më e thjeshtë nga sa e bën OSHEE të duket. Duke qenë se është një kompani publike, norma e saj e fitimit duhet të jetë zero. Kompanisë i nevojiten të ardhura për të mbuluar shpenzimet e saj dhe për të mos pasur humbje, por nuk ka sens të ketë një normë fitimi, e aq më shumë, një normë fitimi të tillë të lakmueshme edhe për një operator privat.
“Është marrëzi të kërkosh të nxjerrësh fitime nga një kompani publike ku ka për bazë të shesë energji elektrike apo ujë. Kompania nuk duhet të punojë me humbje, por nuk ka arsye të ketë fitime,” thotë Preçi, duke argumentuar se fitimet e një kompanie publike në fund të fundit, duhet t’i transferohen “pronarit” d.m.th., buxhetit të shtetit.
Edhe brenda ERE ka specialistë që e hedhin poshtë pretendimin e OSHEE për pamundësinë e llogaritjes së normës së arsyeshme të fitimit.
Një burim brenda ERE-s i tha BIRN se dy kompanitë e tjera KESH dhe OST kanë një normë kthimi mbi kapitalin në nivelin e barabartë me interesin mesatar vjetor të bonove të thesarit. I njëjti burim i sqaroi BIRN se reflektimi i normës duhet të kishte nisur zbatimin që në vitin 2015, por ERE është mjaftuar vetëm duke çuar shkresa pranë OSHEE-së duke prishur balancat mes kompanive në tregun e sektorit energjetik. Edhe për vitin 2018-ë OSHEE vazhdon të mbajë të pandryshuar normën mbi kthimin e kapitalit brenda strukturës së çmimit që paguan konsumatori.
Në rast se ERE do t’i lejonte OSHEE-së jo një normë kthimi zero, por një normë kthimi të barabartë me bonot e thesarit, normë referencë kjo e përdorur për kompanitë publike, atëherë fitimet e lejuara të OSHEE-së nuk do të ishin 16.44% por vetëm 2.4%. Vlera e aseteve të rregulluara, mbi të cilat llogaritet norma e kthimit mbi kapitalin, është 40 miliardë lekë për vitin 2018 sipas OSHEE dhe diferenca nga norma e fitimit të CEZ te norma e fitimit të kompanive publike është në masën 5 miliardë lekë.
Kostoja tjetër e debatueshme e OSHEE është “koston mesatare të ponderuar të kapitalit”, (njohur nga akronimi në anglisht WACC), i cili në rastin e OSHEE është llogaritur në masën 7.54%, shumë më i lartë se sa norma e lejuar për dy kompanitë e tjera publike të sektorit, KESH dhe OST.
Rregullorja e re e tarifave të miratuar nga ERE thotë: “Për llogaritjen e kostos së borxhit në modelin e llogaritjes së WACC do të bazohet në normat e interesit për borxhin e pa paguar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes”. OSHEE i ka njohur të drejtë vetes të llogarisë këtë kosto hipotetike kapitali në masën 7.54%, por në fakt kostoja e pritshme e kapitalit të saj (interesi i borxheve) për vitin 2018 është 1.92%.
ERE e pranon në një letër drejtuar kompanisë së shpërndarjes se deri tani ka toleruar një pozitë të pabarabartë në treg mes saj dhe kompanive të tjera publike në këtë sektor, KESH dhe OST-së.
“Lidhur me parashikimin nga ana juaj të “kthimit të lejuar mbi kapitalin” në nivelin 16.44% në përputhje me pikën 4.2. të Deklaratës Rregullatore, ju rikujtojmë se efektet e kësaj deklarate shtrihen deri më 31.12.2014 e për rrjedhojë i ka kaluar aktualiteti. Lutemi paraqisni propozimin tuaj për një normë të arsyeshme të kthimit mbi kapitalin e vet të argumentuar,” thuhet në letrën e nisur në dhjetor të 2017-s.
Kjo do të thotë se OSHEE, përveçse nuk duhet të llogarisë normë kthimi mbi kapitalin në këtë masë të lartë për vitin 2018, por duhet të njohë për kompensim fitimet e realizuara me një normë të tillë edhe gjatë tre viteve të shkuara.
OSHEE vijon të kundërshtojë rishikimin e kësaj norme. Kompania e shpërndarjes thotë se është kushtet e pamundësisë për të studiuar metodologjikisht këtë normë, pasi nuk ka një kompani të ngjashme që të krahasojë riskun që duhet të ketë në Shqipëri.
“Unë shoh dobësi të Entit Rregullator të cilat kanë bërë që OSHEE të jetë djali i njerkës dhe të shkelë me këmbë dy kompanitë e tjera dhe interesat publikë. Një shembull janë blerjet në emergjencë, që për mendimin tim janë premisa për korrupsion dhe abuzim me fonde publike. Një vend që ble 100 milion euro energji çdo vit, është pakuptim që të vazhdojë të blejë pa bërë prognozë,” sqaron Zef Preçi.
Shifra kontradiktore
OSHEE argumenton gjithashtu se pavarësisht të ardhurave dhe fitimeve të tre viteve të fundit, vlera e saj e kapitalit aksioner është shumë negative. Por shifrat e dhëna nga OSHEE për kapitalin janë kontradiktore dhe me diferenca të mëdha. Në dokumentin e aplikimit për çmimin e vitit 2018, OSHEE thotë se kapitali aksioner i saj është negativ në masën -31 miliardë lekë ndërsa në letrën ku i kthen përgjigje kërkesës së Entit për rishikimin e normës së fitimit, i referohet vlerës së kapitalit negativ në masën -36 miliardë lekë. Kjo është një kontradiktë në masën 5 miliardë lekë, një shifër e stërmadhe për një vend të vogël si Shqipëria, por nuk është kontradikta e vetme në shifrat zyrtare të OSHEE-së.
Të ardhurat e kompanisë OSHEE rezultojnë ndryshe në tabelat e paraqitura nga administratori i saj Ardian Çela gjatë një konference për shtyp (një nga tabelat), ndryshe në bilancin e dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa pranë ERE-s nuk është raportuar fitimi, por pretendime për kompesimin me rritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi struktura aktuale e çmimit nuk arrin të realizojë të ardhurat e kërkuara nga shitja e energjisë elektrike. BIRN ka marrë në analizë shifrat e vitit 2016, pasi për vitin 2017 nuk ka ende një bilanc të audituar të OSHEE. Të ardhurat e deklaruara në bilancin e dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë 62 miliardë lekë ndërsa OSHEE në një konferencë për shtyp në prezantimin e rezultatit 2017, raporton të ardhurat e vitit 2016 në masën 63.3 miliardë lekë. Këto janë shumë të ndryshme nga të ardhurat e lejuara nga ERE për të njëjtin vit në masën 47.6 miliardë lekë si dhe të ardhurat e raportuara nga OSHEE në ent në masën 48.8 miliardë lekë.
Me argumentime të ndryshme, por me konkluzione të njëjta, pasi çmimi nuk ndryshon, zhvillohet edhe korrespodenca mes ERE-s dhe OSHEE-së për marzhin e fitimit që kompania u mban konsumatorëve në çdo kilovat orë që i shet.
“Marzhi i fitimit prej 5% i aplikuar nga OSHEE është në kundërshtim me dispozitën 6.f. të “Metodologjisë për përcaktimin e çmimeve për shitjen e energjisë elektrike me pakicë tek klientët fundorë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU)” e cila përcakton një kufi prej 3% të marzhit të fitimit mbi kostot për blerjen e energjisë dhe kapacitetit,” thuhet në letrën drejtuar OSHEE.
Por kompania e shpërndarjes së energjisë thotë se metodologjia e re u miratua në 23 nëntor të vitit 2017, disa javë pas dorëzimit të aplikimit nga ana e saj duke i bashkangjitur përgjigjes edhe një tabelë të re me reflektimin e kësaj norme. Reflektimi në tabelën e dorëzuar ERE-s të normës 3% nga 5% që ishte më parë, ul me 0.7 lekë për kilovat orë çmimin për konsumatorët fundorë.
Akoma më tej, OSHEE kërkoi në tarifat e vitit 2018 të merret parasysh “kostoja e inflacionit”. Ky është një tregues i përfshirë në rregulloren e llogaritjes së tarifave. Zakonisht në Shqipëri me inflacion konsiderohet norma mesatare e indeksit të çmimeve të konsumit publikuar nga INSTAT. Gjatë vitit të kaluar, ky tregues ishte 2%. Por OSHEE ka kryer një llogari të vetën për inflacionin, mbi të cilin ka kërkuar indeksimin e shpenzimeve të veta operative. Në aplikimin e OSHEE shkruhet: “Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave INSTAT janë marrë të dhënat e grafikut të mëposhtëm të cilat tregojnë se indeksi i çmimit të konsumatorit për vitin në vazhdim 2018 tenton të jetë rreth 4.5%”. Problemi është që INSTAT publikon inflacionin e matur dhe nuk kryen parashikime për normën e inflacionit në të ardhmen. Por aplikimi i OSHEE vijon më tutje: “Megjithatë, sa më lart mbështetur në të dhënat shumëvjeçare të Bankës së Shqipërisë si dhe pritshmërinë e treguesve ekonomikë të Shqipërisë në përllogaritjet për tarifë kemi konsideruar një koeficient inflacioni prej 3%”. Në fakt, 3% nuk është një pritshmëri e Bankës së Shqipërisë por objektivi afatmesëm i inflacionit. Ky objektiv nuk është fiks 3% por është formalisht 3% +- 1%. Kjo nuk ka lidhje me koston e jetesës në Shqipëri. Për më tepër, Banka e Shqipërisë shpreson që inflacioni të kthehet në këtë normë rreth “gjysmës së dytë të vitit 2019” dhe jo në vitin aktual.
Inflacioni ka qenë mesatarisht 1.7% në vit përgjatë tre viteve 2015-2017, por OSHEE-së i është lejuar të llogarisë inflacion më të lartë për shpenzimet e veta operative.
Enti Rregullator kërkon edhe sqarime nga kompania për mënyrën e shpenzimeve operative dhe kapitale, tabela që OSHEE i ka dorëzuar pranë ERE-s dhe vazhdon korrespodencën deri në mars të këtij viti. Pavarësisht letrave të ERE-s për qartësimin e shpenzimeve dhe reflektimin e normave të tjera, organi i cili duhet të merrte vendim për reflektimin në çmim të treguesve që vetë ka evidentuar, nuk ka marrë asnjë nisëm.
Shpenzimet operative të OSHEE mbeten të larta
Në vitin 2014, kur OSHEE bëri kërkesën për tarifat e reja gjatë vitit 2015, kompania kërkoi një “rritje të fondit të pagave në masën 20%” nga shpenzimet mesatare për paga të viteve 2012-2014, duke argumentuar se fushata kundër vjedhjes së energjisë elektrike e kërkonte këtë shpenzim. Sipas OSHEE, rritja e fondit të pagave duhej të ishte “e përkohshme”.
Por ndërsa përkohshmëria supozohet se kaloi, shpenzimet e OSHEE për paga nuk u rikthyen në nivelin e mëparshëm. Përkundrazi, ato u rritën. Shpenzimet për personelin ishin në masën 3.3 miliardë lekë në vitin 2014 por parashikohen të rriten në 6.4 miliardë lekë në vitin 2018. Kjo nuk është kostoja e vetme operative e rritur. Shpenzimet për qiranë e zyrave të OSHEE të marra në tregun privat ishin 290 milionë lekë më 2014, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të jenë 466 milionë lekë. OSHEE shpenzoi gjithashtu për “Marrëdhënie me Publikun” 288 milionë lekë përgjatë viteve 2015-2017, shpenzime që dukshëm kanë shkuar më së shumti për reklama dhe që janë paguar nga konsumatorët.
Shpenzimet për reklama janë një rast problematik nëse merret parasysh se OSHEE është një kompani monopol në treg dhe për rrjedhojë, nuk ka produkt për të marketuar te publiku. Kjo bëhet akoma më e pakuptimtë nëse reklama interpretohet në mënyrën klasike, si mjet për përçimin e informacionit te konsumatorët përmes përdorimit të medias masive. OSHEE ka një komunikim të përmuajshëm me klientët e vet përmes faturës së energjisë elektrike. Rrjedhimisht duket paksa e pavend që përveç këtij komunikimi, kompania të shpenzojë para edhe për një komunikim të dytë përmes medias.
“Si mund të bësh shpenzime të pakontrolluara reklame, si mund të bësh tendera që nuk kanë lidhje me shërbimin bazë, si mund të marrësh një numër të madh në stafin e punës dhe njëkohësisht treguesit e performancës lenë shumë për të dëshiruar?” pyet Preçi.
OSHEE ka përfituar gjithashtu faljen e gjobave dhe kamatëvonesave të akumuluara gjatë viteve të shkuara ndaj administratës tatimore, falje që janë para të humbura për shqiptarët si taksapagues, por që nuk janë reflektuar në llogaritjen e kostove të shpenzimeve operative të OSHEE.
Nisma e ligjit për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore, fshiu dhe 5.3 miliardë lekë borxhe që OSHEE kishte ndaj buxhetit të shtetit. Ulje të cilat as këto nuk janë reflektuar në tarifën e energjisë. OSHEE-së i janë zbritur 1.1 miliardë lekë tatim mbi fitimin fitim, 4.2 miliardë lekë tatim mbi vlerën e shtuar dhe 300 milionë lekë sigurime shoqërore të punonjësve për vitet 2011 deri në 2014-ën.
Enti Rregullator i Energjisë ka vërejtje edhe për disa zëra të tjera shpenzimesh të OSHEE. Njëri prej tyre quhet “kapitali qarkullues”. OSHEE-së i njihet e drejta që të llogarisë si kosto një sasi kapitali për mbulimin e shpenzimeve të veta të përditshme. OSHEE ka llogaritur këtë kapital si një e katërta e shpenzimeve të veta operative. Por rregullorja e re e Entit përcakton se kjo kosto, që të përfshihet në çmim, duhet të mbështetet në një studim dhe nëse nuk ka studim, duhet të llogaritet si 1/12 e shpenzimeve operative.
Pavarësisht tarifave të larta, OSHEE gjendet në vështirësi
OSHEE thotë se ka arritur një “reduktim historik të humbjeve në rrjet” të energjisë elektrike nga mbi 44% në vitin 2013, në rreth 26% në vitin 2017. Reduktimi i humbjeve, pavarësisht se “historik” është shumë më i ngadaltë nga sa parashikohej të ishte në planin e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, aq sa Banka Botërore dhe FMN shprehën shqetësimin e tyre publikisht për “ngecjen e reformës së energjisë”. Gjithsesi, parimi është që rritja e investimeve në rrjet do të duhej të sillte reduktim të humbjeve teknike dhe rrjedhimisht, reduktim të kostove operative të OSHEE. Por në rastin aktual, Banka Botërore vëren se “programi i investimeve kapitale të OSHEE nuk ka dhënë ende reduktim të humbjeve”. Metodologjia e tarifave e konsideron uljen e kostove të shkaktuara nga përmirësimi i menaxhimit si “faktori X”. Ky faktor përkufizohet në këtë mënyrë në metodologji: përqindja vjetore e reduktimit në koston e shërbimit të shpërndarjes që rezulton nga përmirësimet në eficensën e operimit të rrjetit dhe përmirësimet në teknologji.” Por për shqiptarët, prej katër vjetësh, nuk ka pasur “faktor X” në tarifën e energjisë elektrike.
Me apo pa fitime, çmimi nuk ndryshon
Sipas të dhënave të ERE, OSHEE ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme një tarifë efektive shitjeje më të lartë se sa tarifa zyrtare e miratuar, një mospërputhje kjo që tregon rritje çmimi të pajustifikuar.
Lindita Lati, ish-kryetare e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, një institucion që ka për detyrë të kontrollojë tregjet në rastet e kufizimit të konkurrencës apo abuzimeve me pozicionin dominues në rastet kur tregu kontrollohet nga të ashtuquajturat “monopole natyrore”, ka qenë shumë e zënë me rastin OSHEE në disa çështje të shqyrtuara gjatë viteve 2014-2016.
Autoriteti i Konkurrencës, shqyrtoi në vitin 2016, një marrëveshje shitjeje të drejtpërdrejtë mes KESH dhe OSHEE për një sasi energjie të mbiprodhuar për shkak të reshjeve të atij viti. Autoriteti e pranoi marrëveshjen, e cila sillte kursime të mëdha për OSHEE, pasi më parë, KESH e shiste energjinë te tregtarët privatë ndërsa OSHEE e blinte praktikisht te të njëjtët tregtarë me çmime shumë më të larta nga sa e blinte KESH. Vetë OSHEE u shpreh e lumtur me marrëveshjen dhe shpalli se ajo i kishte kursyer kompanisë miliona dollarë për atë vit, por Autoriteti i Konkurrencës kërkoi që ky kursim të mos ishte vetëm teorik, por t’i transferohej konsumatorit në formën e uljes së çmimit.
“ERE duhet të reflektojë në tarifat e energjisë elektrike për klientët fundorë kostot reale të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, duke reflektuar përfitimet që sjell marrëveshja ndërmjet OSHEE dhe KESH,” thuhet në vendim.
“Tregjet e rregulluara, janë ato tregje ku produkti apo shërbimi i ofruar është në kushtet e burimeve të kufizuara, dhe si i tillë numri i operatorëve ekonomikë në këto tregje është shumë i kufizuar apo janë të vetme. Prandaj, përgjithësisht këto situata janë quajtur monopole natyrore,” shpjegoi Milo në një intervistë për BIRN.
“Në këto kushte sjellja e operatorëve ekonomikë që ushtrojnë aktivitetin në këto tregje ka një efekt të konsiderueshëm tek mirëqenia e konsumatorit pasi për këto produkte nuk ka zëvendësues, prandaj duhet mbikëqyrur në mënyrë të rregullt si dhe të kontrollohen dhe të miratohen çmimet që ata vendosin nëpërmjet enteve rregullatore të tregut specifik,” tha Milo.
Vërtetësia e shifrave të bilancit të OSHEE është në çdo rast e pasigurt, për shkak se kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur të sigurojë një certifikim nga audituesit e pavarur të të dhënave të veta, por Milo thotë se Enti Rregullator ka për detyrë të verifikojë këto shifra, të garantojë transparencën publike mbi gjendjen financiare të kompanisë si dhe të auditojë të dhënat para se të përcaktojë çmimin final për konsumatorin.
ERE nuk pranoi të kthejë një përgjigje për BIRN lidhur me çështjet e ngritura në këtë artikull.
Shënim: Artikulli është publikuar në reporter.al