Para disa kohësh, këngëtari i njohur, Ed Sheeran bëri një video me disa fëmijë të varfër gjatë një vizite në Liberi. Ai personalisht u ndje shumë i prekur nga gjendja e mjeruar e tyre dhe u angazhua se do i vendoste në një hotel derisa të gjendej një zgjidhje. Por nëse mendoni se shumëkush u ndje mirë për veprimin që bëri këngëtari, do gaboheni thellë. Ajo që pasoi ndaj tij ishte një fushatë e tërë me kritika, të udhëhequra nga mediat dhe aktivistët e shoqërisë civilë, të cilët e akuzonin atë për ‘vullneturizëm’ apo për ‘turizëm me varfërinë’. Kritika më e rëndë ndaj tij? Po bën ‘porno me varfërinë’.
Të njëjtën valë reagimesh nga politika, mediat dhe shoqëria civile e kam parë edhe para pak javësh kur një gazetare e njohur britanike bëri thuajse të njëjtën gjë. Vala e qëndrimeve ishte thjesht befasuese. Një pyetje që të lind në të tilla raste është se si ia ka dalë një shoqëri të krijojë ‘antitrupat’ e nevojshëm për të ndaluar të tilla shfaqje turpi, që së pari, lëndojnë dinjitetin njerëzor dhe mbi të gjitha nuk i japin zgjidhje problemit të varfërisë? Arsyeja është e thjeshtë: sepse e kanë hequr më parë mbi shpinë këtë problem, në vitet 1980 kur ishte edhe ‘epoka e artë e fushatave të bamirësisë’. Një shpërthim me pamje fëmijësh të kequshqyer u bë kaq problem, sa ishin mediat të parat që nxituan të vendosin disa standarde dhe vija të kuqe, duke e quajtur të papërshtatshëm përdorimin e imazheve për të gjeneruar audiencë, të ardhura monetare apo përfitime politike. Aq e rreptë u tregua media në këtë drejtim, sa besojeni apo jo, edhe një film i suksesshëm si ‘Slumdog Millionaire’ etiketohet si ‘porno me varfërinë’.
Ndërsa në Perëndim janë vendosur disa kufij, në Shqipëri e ke të vështirë të hapësh televizorin apo celularin sepse të vërshon një ‘lumë’ me imazhe që janë thjesht ‘porno me varfërinë’. Për të shpjeguar termin, “porno me varfërinë është çdo medium, i shkruar, i fotografuar apo i filmuar që shfrytëzon gjendjen e të varfërve për të krijuar simpatinë e nevojshme që të shiten gazetat, të rritet shikueshmëria, të shtohen klikimet apo të mbushen kutitë e votimit dhe arkat e bamirësisë për një kauzë të caktuar”.
Kritikët thonë se ‘pornoja me varfërinë’ i kthen njerëzit në objekte për hir të argëtimit të një audience të caktuar. E di që ky është një debat shumë i gjerë, por shfrytëzimi i qenieve njerëzore, qoftë për trafik seksual, qoftë edhe për përdorim mediatik, sërish shfrytëzim mbetet.
Emily Roenigk, një eksperte e kësaj fushe, thotë se janë pesë arsye se përse ‘pornoja me varfërinë’ fuqizon personin e gabuar.
Së pari, për shkak se pornoja me varfërinë e keqprezanton varfërinë, që në thelb është një problem kompleks, si rezultat i problemeve individuale dhe sistematike.
E dyta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ çon në bamirësi, jo në aktivizëm. Ajo i bën njerëzit donatorë, por jo avokatë, duke mos e kuptuar dhe trajtuar në thelb problemin e varfërisë.
E treta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ i keqprezanton të varfrit, duke krijuar stereotipe ndaj tyre.
E katërta, sepse ‘pornoja me varfërinë’ thjesht u hedh ‘hi’ syve atyre që ndihmojnë dhe atyre që janë ndihmuar. Kjo për shkak se ajo i kthen subjektet e saj në objekte, duke i zhveshur nga përbërësit kryesore të jetës njerëzore- pavarësia, autonomia dhe potenciali i pakufizuar.
E pesta, dhe më e frikshmja, ‘pornoja me varfërinë’ funksionon shumë mirë. Është thuajse e pamundur që të diskutosh për këtë temë, kur e di që shumica e njerëzve nuk shohin asnjë problem te ndihma që i jepet një fëmije.
***
Por pyetja themelore që lind është nëse ia vlen që të përdorësh ‘pornon me varfërinë’? A nuk është shfrytëzim njerëzor edhe kjo situatë për të kënaqur sërish disa instinkte bazë të njeriut?
Ka plot metoda për të ndihmuar të varfrit dhe personat në nevojë pa pasur nevojë që të zhvishen nga dinjiteti njerëzor personat që dalin në ekran. Vërtet ndjeni se duhet të dhuroni? Mblidhini ato para dhe shpërndajini nëpër komunitetet e varfra pa zhurmë mediatike. Doni që të lini një gjurmë? Jepini gaz duke ndarë pasurinë që keni. Por jo! Nuk e bëni dot sepse ju duhet audiencë, ju duhen klikime, ju duhen fonde, ju duhen kredite politike. Vërtet Taramelja e të tjerë janë në moshën kur edhe mund të gënjehen me karamele, por janë mjaftueshëm të rritur për të kuptuar se çfarë dëmi do u bëhet në dinjitet, një dëm që nuk do riparohet teksa rriten, por vetëm sa do shtohet. Lexoni ndonjë libër psikologjie ose merrni ndonjë konsulent të kësaj fushe për hir të Zotit përpara se të mbushni ekranet me të tilla pamje.
Kini pak mëshirë për ata njerëz që po përdorni për hir të një kauze që në dukje duket e mirë. Nëse vërtet nuk e keni kuptuar se çfarë po bëni, të paktën shihni se çfarë kanë bërë vendet e zhvilluara, ku dinjiteti njerëzor është në qendër të gjithçkaje. Kuptojeni se ka një arsye pse i kanë vënë kapak kësaj historie dhe nuk lejojnë asnjë flluskë të ‘pornos me varfërinë’ të shpëtojë lehtësisht në ajër.
Bëjeni për hir të profesionit, për hir të atyre fëmijëve dhe të dramave që po mbillni pa e kuptuar. Bëni të paktën atë që nuk do doni ta bënte askush me fëmijën tuaj, që e ruani si sytë e ballit nga çdo përdorim mediatik.
***
Kurse për ty, politikanin që përdridhet sa herë ka përpara një fëmijë, të cilin e sheh si mundësi për kredo politike, ka vetëm një mesazh: koha do e tregojë se kjo që po bën ka synim epshin e votat, por nëse do të bësh diçka të mirë, mos përdor më kurrë fëmijët. Sa kohë nuk e ke bërë vendin më të drejtë dhe më të barabartë, sa kohë nuk e ke përmirësuar ekonominë dhe situatën sociale që të mos prodhohen të tilla imazhe, sa kohë nuk e ke bërë qytetin më të mirë për të vegjlit, mos merr rolin e korbit që kërkon të përdorë edhe qeniet më të pafajshme dhe më të dëlira në botë. Detyra jote është vetëm një: të përmirësosh sistemin për të gjithë, sidomos për fëmijët që janë e ardhmja. Gjithçka tjetër është porno, thjesht porno. Porno e varfërisë!