Unë e përbuz kuptimin e jetës sociale dhe të politikës sipas metaforave që vijnë nga gjeometria, sidomos ajo euklidiane. Kështu që nuk dot të hargalisem duke i përfytyruar krimin dhe politikën si dy rrathë koncentrikë, tangencialë, të mbivendosur, apo të ndërprerë me njeri tjetrin.

Por, pyetja mbetet: Cfare lidhjesh ka politika dhe krimi? Pyetje e vështirë që kërkon përgjigje nga studime, dhe sado që këto studime të bëhen, përsëri do të kërkonin hulumtime madje investigime të pafundme.

Por, le t’a shohim çështjen në një plan aktualiteti. Sot e një muaj, në Shqipëri politika debaton lidhur me individë ose grupe që deklarohen se kanë qenë të lidhur me trafikun e drogës, për implikime politikanësh në shoqërira me njerëz të trafikut të lëndëve narkotike, etj. Këtu u mpleksën edhe marrëdhënie të dhunëshme erotike mes çiftesh, ku edhe politika gjeti ushqim. U implikuan policë, komisarë, deputetë, dhe debati politik i përfshiu të gjitha brenda vetes.

Politika dhe lufta politike po bëhet rreth çështjeve kriminale që në një shtet normal nuk do të ishin dosje që ja vlente të merrej tjetër njeri veç ndonjë oficer policie zone, hajde te themi ndonjë nëndrejtor rendi, ndonjë specialist krimesh dhe njerëz të shkalleve të ulta të pallatit të drejtës, por ja që ne nuk jemi normalë. Krimi na është ulur në mesin e debatit politik. Këtu ngatërrohet edhe teknologjia që si gjithmonë kulturalisht si komb e civilizim ende nuk kemi ditur ta mbajmë në zap dhe t’a përdorim si duhet, por vetëm për shejtanlliqe. Dikur bënim sikur prodhonim traktorin që nuk ishte veçse kinez, dhe sot bëjmë sikur prodhojmë avionin që nuk është veçse turk. Telefonat për të rregjistruar dhe përgjuar njeri tjetrin ose kundërshtarët.

Pse na përmblidhet debati politik në hamendje lidhur me krimin, trafikantët, deponimet e tyre, etj., ky është një tjetër debat.

Por mendoj që media dhe politika sado që duhet të merren edhe me gjendjen e kriminalitetit në vend, përsëri nuk ka vend që politikani, ose opinionisti, analisti propagandistik që mbron interesa në studio televizive të sillen dhe flasin sikur të ishin dedektivë privatë, policë, agjentë të fshehur brenda strukturave kriminale.

Duket se papritur Shqipëria është mbushur në politikë e media me Derrick, Colombo, 007, Alen Pinkertona, Monk, Sorge, e të tjerë që vetëm imagjinata filmike na i ka bërë të dashur.

Pra duhet dalluar se ku mbaron politika dhe fillon kriminologjia sepse përndryshe jemi të futur në një kurth ku politika që duhet t’i shërbejë qytetarit do ta ketë të pamundur si derimësot, t’a luajë rolin e saj specifik. Poqese kjo nuk bëhet, politikani nuk mund t’a zëvendësojë dot një komisariat policie as një deputet një polic.

Eshtë detyrë e politikës të kërkojë llogari se përse një ish trafikant transferohet urgjentisht në një vend të huaj. Kush e bëri dhe si? Por, nuk është roli i politikanit të bëjë sikur gjoja e di se një incizim është i bërë nga persona realë apo nga aktorë.

Eshtë detyrë e politikës të ushtrojë kontroll se si monitorohen dhe nga kush kamerat e një komisariati policie, por nuk mund të jetë një detyrë e politikanit të ndriçojë nëse x ja vuri apo nuk ja vuri policit revolen te koka.

Eshtë detyrë e politikanit të kërkojë që marrëdhëniet midis policisë dhe prokurorisë të jenë të tilla që as drejtori i përgjithshëm i poilcisë të mos i shpëtojë hetimit nga drejtësia nëse duhet, por nuk mund të jetë roli i politikanit të na tregojë nëse deponimet e një ish trafikanti janë ose jo të sinqerta.

Eshtë detyrë e politikanit të kërkojë llogari sesi njerëz që janë vendosur në qendër të vëmendjes të drejtësisë kalojnë kufirin dhe shkojnë në Kosovë. Por, nuk mundet që një politikan ose opinionist të na zbulojnë nëse dikush ka marrë ose jo lekë apo euro nga politika për të rrëfyer një ngjarje të stisur apo të shpikur.

Pra, duhet vendosur kufiri i specifikavee të veprimit, aksionit, dhe debatit politik nga njera anë dhe i përrallosjes mediatiko-kriminologjike nga ana tjetër, si edhe nga investigimi policesko-juridik si detyrë e organeve të rendit dhe e pallatit të drejtësisë.

Detyra është bërë urgjente sepse politika duket qartë që ka rrëshkitur drejt një sfere tjetër që është krriminologjia.

Cfarë humb opozita? Humbet rastin që nisur nga skandalet e dala në dritë të bëjë politikë opozitare.

Pra bie në kurthin e ngritur nga pushteti.

Cfarë humb qeverisja? Humbet pikërisht imazhin që duhet të ketë në popull se është atje për të qeverrisur dhe jo për t’u marrë me detyra që i takojnë organeve të rendit. Madje jo as ministrit të brendshëm. Nuk ka përse merret ky i fundit me drejtimin e operacioneve të policisë. Ka drejtor të përgjithshëm që ka këtë detyrë. Ministri është njeri politik dhe kaq.
Cfarë humbet policia dhe drejtësia? Diskreditohet në sytë e publikut çfarë cënon rëndë rendin dhe drejtësinë. I keni parë krimet sesa janë shtuar këtë muaj?

Por, nga ky konfondim i politikës me kriminologjinë, ata që humbin janë qytetarët. Nuk dinë më kush është politikani, polici, prokurori, trafikanti.

Gjithçka kthehet në një kaos ku në sytë e tij politika, veprimi kriminal, gjyqësia dhe media janë përzjerë në një univers kaotik ku ai nuk orientohet dot. Në këtë rast rruga që i mbetet qytetarit është të iki, të iki nga politika, të iki nga media, të iki nga respektimi i rendit, të iki … nga Shqipëria.

Politika duhet të merret fort me krimin, por poqese merret si një kriminologji e fabuluar, nga çdo anë t’a marrësh, ajo, pra politika bëhet e neveritshme.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu