Shprehja ‘Studenti ka gjithnjë të drejtë!’, – që Ministrja ka përzgjedhur të përdorë në këtë proteste masive të studentëve në rang vendi, nuk është një slogan, ndonëse përdoret si i tillë në komunikimin publik të saj.
Kur dëgjova znj. Ministre ta artikulonte, duke njohur kuptimin dhe kontekstin se kur ajo është përdorur, mendova se diçka do ndryshoje: E para, ndoshta, ky do të ishte fillimi i fundit të reformës aktuale, pra rishikimi i saj; Ose, e dyta, znj. Ministre nuk e di kuptimin e shprehjes dhe po bën një ‘vetëvrasje’ politike.
Ajo është përdorur vazhdimisht nga Akademik Artan Fuga gjatë diskutimeve për reformën në arsim, të cilën Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit – UT, fillimisht nën drejtimin e Profesorit dhe më pas nën drejtimin e Prof. Mark Markut, i kanë bërë që në start oponencë reformës së arsimit në qëndrime publike në media dhe rrugë institucionale.
Shprehja e plotë e Akademik Fugës është : “Studenti ka gjithnjë të drejtë, madje, edhe kur e ka gabim, ka të drejtë!”
Dhe nënkupton se studenti mund të reagojë në mënyrë të gabuar, por ky nuk është faji i tij, por i dështimit të gjithë sistemit të dijes nga cikli i ulët, në shkollë të mesme e në universitet, që e ka formuar atë në mënyrë e tillë. Në këtë kuptim, edhe kur ai gabon ka të drejtë, sepse këtë dije dhe nivel njohurish i kanë mësuar në vite.
Pra, kjo shprehje, është përdorur si një kritikë ndaj gjithë sistemit arsimor që është ndërtuar dhe vijon të ndërtohet me këto “reforma” arsimore.
Sot, jemi në piken kur Ministrja Nikolla, përdor këtë shprehje, që mesa duket nuk i di as kuptimin, dhe, duke u pajtuar me këtë, rrjedhimisht, ka pranuar dështimin e sistemit arsimor, në krye të së cilës qëndron prej më shumë se një mandati…
Por, megjithatë, kjo gafë e pavetëdijshme, e rastësishme (siç ka ndodhur jo rrallë here në historinë e vendeve perëndimore) mund të shërbejë dhe si një pikë kthese, në një moment historik për vendin, që është rishikimi i reformës në arsim: çlirimin e universitetit nga një filozofi vertikale operimi, duke hequr zgjatimet e saj në borde administrimi me vendimmarrje financiare; duke i kthyer mbështetjen financiare për kërkim shkencor rentabël, të matshëm; duke hapur dhe jo ngurtësuar ndarjet mes fakulteteve me qellim rikonceptimin e kurrikulave sigurisht me “core content” por dhe me një qasje ndërdisiplinare, të diktuar nga profesionet e reja që lindin me teknologjinë e informacionit…; duke vënë studentin në qendër, jo si një slogan klishe, por duke i garantuar të drejtat individuale (që sot nuk i ka), ka vetëm të drejta të deleguara ose të përfaqësuara, lirinë për të zgjedhur pedagogun e një fakulteti apo universiteti tjetër për të ndjekur leksionet me të, regjistrimin e më shumë se një dege paralelisht, dixhitalizimin e infrastrukturës së komunikimit institucional dhe hapjen e jo mbylljen e auditorëve me teknologji të reja, etj…
Pra, kthejeni këtë pakënaqësi studentore, krizë politike, në momentin historik të kthesës së këtij brezi, të tjerëve në vijim dhe të gjithë shoqërisë.