“Cilësia” është fjala kyçe në të gjitha debatet dhe forumet e gazetarisë së sotme, por cili është kuptimi i saj?

Në një konferencë të mbajtur në Lisbonë, të organizuar nga Google dhe Knight Foundation, ku morën pjesë më shumë se 150 gazetare dhe ekspertë të teknologjisë së informacionit, u diskutua gjatë e gjerë situata aktuale e medias. Megjithatë, ajo që mbizotëroi debatin ishin rrugët se si do të mund të mbijetonte gazetaria cilësore në epokën e keqinformimit, konkurrencës dhe ekonomisë së vëmendjes.

Shumë prej nesh pretendon se puna e tij është gazetari e mirë, cilësore, e për këtë arsye kërkojmë vazhdimisht vëmendjen e të tjerëve, që është dhe shpërblimi i mundit tonë. Por kur flasim për “zgjim” të interesit të audiencave, nuk mund të anashkalohen rrjetet dhe platformat e shpërndarjes, si Facebook, YouTube, Twitter, etj., pa të cilët ky proces nuk do të ishte i mundur. Jo vetëm kaq! Me vëmendje të lexuesit kuptojmë dhe një strategji ndërveprimi për t’i mbajtur ata të lidhur pas përmbajtjeve cilësore, në vend që të rendin, sikurse ndodh sot, pas një produkti me informacion “limonadë”, teorish konspirative e shpesh herë me informacion qëllimisht të rremë. Mendoj, se për të mbërritur te kjo strategji, duhet të kthejmë kokën pas për të rikujtuar çdo të thotë gazetari cilësore?

Ekonomia e vëmendjes

Kompanitë e mëdha si Apple e Facebook kanë marrë masat e tyre për të përmirësuar agregatorët e lajmeve, duke i programuar në mënyrë të tillë që të kontribuojnë në zhvillimin e asaj që njihet si “ekonomia e vëmendjes”, ose, ndryshe, drejt trafikut të përmbajtjeve që ata prodhojnë.

Iniciativa të besueshme në fushën e gazetarisë, si “Trust Project”, kanë dhënë sinjalet e para duke krijuar indikatorët e besueshmërisë, të cilat promovojnë disa standarde dhe ndihmojnë audiencën të orientohet drejt gazetarisë së besueshme. Nga ana e tyre dhe kompanitë mediatike kanë marrë disa masa për të ndihmuar ndjekësit të aksesojnë lehtësisht artikujt dhe kronikat cilësore. Ndër këto masa mund të përmendim shpërndarjet përmes e-maileve të personalizuara, aplikacioneve dhe njoftimeve si për audiencat fikse ashtu dhe për ato të lëvizshme.

Megjithatë, ajo që gazetari apo eprori i tij quan produkt cilësor, jo domosdoshmërish është i tillë dhe për audiencën!

Nëse do t’i kthehemi kohëve të vjetra, atëherë kur gazetat kishin pushtetin dhe dominonin tregun, me artikuj cilësor do të kuptonim një gazetari serioze, elitare ndoshta dhe me një impakt të veçantë për opinionin publik. Vetë gazetarët dhe kryeredaktorët e përkufizonin gazetarinë si një produkt jo partizan, jo populist, pa qëllim argëtimi dhe që duhet të trajtonte vetëm ngjarje që konsideroheshin të rëndësishme, jo periferike, për opinionin publik.

Po sot, çdo të thotë gazetari cilësorë në një epokë ku personalja dhe emotivja, subjektivja dhe njëçastshmëria janë elementët që udhëheqin interesin dhe diskursin publik? Cili është vendi i saj në periudhën e gazetarisë së shpërndarjes, produktit me kërkesë të personalizuar dhe të aksesit të audiencave përmes “trukeve” të motorëve të kërkimit?

Gazetari cilësore nuk do të thotë më vetëm një produkt cilësor! Kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra lidhet me shpërndarjen, angazhimin e audiencave, personalizimin e produktit dhe funksionin utilitar të tij.

Kush mendon me logjikën e një menaxheri do të thoshte që sasia, më shumë se cilësia, ka rolin më efikas në një agjenci lajmesh. Dhe sasia, ose siç flitet në gjuhën e portaleve e mediave sociale “post reach” apo kohëqendrimi i audiencave, përkthehet në të ardhurat që sigurojnë vazhdimësinë e kompanisë.

Duke patur ndërmend këto diskutime, pyetja që lind është, si mund ti ofrojmë audiencave një produkt më cilësor nga ai që marrin aktualisht?

  1. Gazetari cilësore është akses dhe shpërndarje e gjerë e produktit mediatik

Nuk ka pikën e rëndësisë sesa i vlefshëm apo i rëndësishëm është artikulli juaj nëse audiencat nuk do të mund ta aksesojnë atë. Nuk mund t’ia lini gjërat rastësisë dhe fatit nëse motorët e kërkimit apo rrjetet sociale do ta shpërndajnë ose jo këtë produkt. Një nga diskutimet më interesante dhe në konferencën e Lisbonës, ishte me drejtuesit e platformave, rreth masave që ata po marrin për të nxjerrë në pah artikujt cilësorë.

Pra, hapi i parë është imperativi i kahershëm i gazetarisë: beje artikullin të aksesueshëm ose të lexueshëm!

  1. Gazetari cilësore është shërbim i personalizuar dhe përkujdesje për audiencën

Pikë së pari, personalizimi! Kjo do të thotë pak tituj por të saktë, njësoj si artikujt e limituar që ofrojnë aplikacione si CompassNews. Përmes algoritmeve i mundësojnë audiencës të lexojë ato shkrime që i interesojnë, por tepër cilësore. Megjithatë, kjo jo gjithnjë është e mjaftueshme, pasi parimi kryesor është një shërbim që mundëson “feedback”, interaktivitet dhe angazhim të dhënësit dhe marrësit. Për shembull, London Times ka krijuar grupe në Facebook rreth tematikave të caktuara, që aktualisht drejtohen nga vetë lexuesit të cilët nxisin diskutime dhe debate. Ndërsa media të tjera fokusohen më shumë te rritja e numrit të “subsciption”.

  1. Gazetari cilësore është vlera e shtuar e artikullit

Për disa media shpejtësia në dhënien e lajmit është maja e profesionit, por për disa të tjera, në epokën e sotme të njëçastshmërisë vlera e shtuar e lajmit është konteksti, analiza, komenti… shkurt raportimi i thelluar. Ndoshta, kjo do të kërkonte të përqendroheni te 30% i audiencës suaj për ti dhënë një informacion të plotë dhe shterues. Kohëqendrimi i audiencës në disa artikuj mund t’ju ndihmojnë të gjeneroni trafik për ato shkrime që janë më pak të ndjekur.

  1. Gazetari cilësore do të thotë artikuj që tërheqin vëmendjen e audiencave

Përdoruesit dhe ndjekësit janë të ndryshëm. Madje edhe interesat e individëve nuk janë të njëjta në momente të ndryshme të ditës ose të jetës së tyre. Studimet kanë treguar se përdoruesit e mediave sociale përdorin gjithnjë e më shumë burime dhe detyra juaj është ti sfidoni ato. Në këtë kuptim, edhe lajmet që qarkullojnë në mënyrë masive në rrjete nga mediat tabloide mund të konsiderohen si gazetari cilësore. Ato arrijnë me mjeshtëri që më lajmet politike të tërheqin vëmendjen e një grupi lexuesish që ndoshta mund të mos jenë aspak të interesuar te politika. Ju mund të mos e pëlqeni gjithnjë mënyrën që ata përdorin por duhet pranuar se aftësia për të “bërë për vete” një lexues të gjerë (shpesh here pa lidhje me njëri-tjetrin) mund të jetë e vlefshme.

  1. Gazetari cilësore është informacion i larmishëm, utilitar dhe argëtues

Shpesh herë ne i keqkuptojmë lexuesit dhe nuk i kuptojmë realisht arsyet se pse konsumohen lajmet. Një ide mund të jetë fakti se kërkojnë të jenë të informuar dhe kjo është një gjë e mirë për gazetarët. Por arsye të tjera mund të jenë dhe rutina, argëtimi, spektakli, zgjidhja e problemeve dhe kënaqësia. Mjaft i konsideruat këto lloj lajmesh dhe artikujsh si pak cilësor.

Nga ana tjetër, publiku jo gjithmonë e di se çfarë kërkon dhe kjo është një shtysë e mirë për ta surprizuar atë. Një element i gazetarisë cilësore është ti thuash publikut atë që ai nuk di. Një teknikë e mirë për të dhënë elemente të rinj është praktika e redaksive në Norvegji, ku shpesh herë gazetarët përziejnë qëllimisht sektorët: P.sh. Gazetari sportiv raporton mbi një ngjarje të aktualitetit politik dhe anasjelltas… Shpesh herë kjo nxjerr në pah elemente të rinj dhe i ndihmon gazetarët të rifreskojnë idetë.

  1. Gazetari cilësorë është ajo që ka ndikim

Kur flasim për cilësi, diskutojmë për përmbajtjen e produktit mediatike dhe konsumimin e tij nga audienca, por çfarë mund të themi për efektet e gazetarisë që ju praktikoni?

Universitetet përqendrohen vazhdimisht në matjen e ndikimit të kërkimeve të tyre shkencore, ku si metoda matjeje janë dhe numri i citimeve nga një sërë agjencish apo kur politikat shtetërore apo projektligjet kanë si referencë arritjet e këtyre punimeve.

E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me gazetarinë. Nëse redaksitë do të arrinin të kuptonin realisht efektin dhe ndikimin që raportimet e tyre kanë në jetët e njerëzve ata do të ishin më të ndërgjegjshëm për fuqinë, vlerën e këtij profesioni dhe rëndësinë e tij për qytetarët dhe komunitetet të cilave u drejtohen. Në të gjithë botën, gazetarët kanë filluar të flasin shumë vonë për rëndësinë e punës së tyre dhe ndikimin e saj në demokraci dhe jetën e qytetarëve. Pyetja që ngrihet është: Çfarë të dhënash kanë sot gazetarët për këtë ndikim, përtej gjykimit personal ose të kolegëve të ngushtë? A janë pyetur ndonjëherë audiencat e tyre?

  1. Gazetari cilësorë është raportimi i eksperiencave emocionuese

Historikisht, gazetarët e kanë nënvlerësuar efektin e emocionit, duke e cilësuar si nivelin më të ulët të raportimit. Por duhet  thënë se emocionet, ndjenjat, identiteti dhe vlerat janë pjesë e qenësishme e jetës së qytetarëve dhe eksperiencave të tyre mediatike, ndaj ai duhet marrë seriozisht.

Aktualisht një aplikacion lajmesh, i programuar për analizë të raportimit emocional, po rezulton shumë i suksesshëm. Ai përpunon dhe ofron artikuj të personalizuar për audiencat që janë vazhdimisht në kërkim të emocioneve të forta. Ideja është për të krijuar dhe ofruar eksperienca me gjendje të ndryshme psikologjike se emocionale. Kjo do të sjellë rritje të trafikut të audiencës.

8. Gazetari cilësorë janë raportimet që shkojnë përtej lajmit

Në web 2.0 lajmi ka ndryshuar rrënjësisht natyrën dhe cilësinë e tij. Mos ndoshta gazetaria nuk është më e mjaftueshme? Sikurse thekson dhe kërkuesi shkencor i MediaLab, Hossein Derakhshan, raportimi klasik i lajmit duket se nuk pëlqehet më nga të gjithë njerëzit. Ai sugjeron raportime të ndryshme në vende të ndryshme sipas kontekstit dhe shprehjeve kulturore. Gazetarët vazhdimisht janë përgjigjur duke aplikuar forma të reja raportimi në video, vizualizime ose multimedia. Ndoshta, me këto ndryshime të shpejta të teknologjisë së informacionit, edhe redaksitë e lajmeve duhet të jenë vazhdimisht të hapura për zhanre të rinj të raportimit gazetaresk.

Shënim: Analiza është botuar në European Observatory of Journalism dhe është përshtatur në shqip nga Elvin Luku

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu