Numri i personave që ndjekin Kampionatin Botëror “Rusia 2018” nga platformat online është pothuajse i barabartë me ata që do ta ndjekin evenimentin më të rëndësishëm të këtij viti në ekranet e televizorit tradicional.
Konkluzioni është nxjerrë nga një studim i fundit i organizatës “Interactive Advertising Bureau”, që merret me kërkime shkencore me qëllim zhvillimin e tregut biznesit të reklamave në kompanitë mediatike kryesisht në Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Europë.
Gjatë sondazhit të zhvilluar nga IAB-ja, e cila ka pyetur 4200 persona nga 21 shtete të botës, ndër të tjera u realizua edhe një pyetje mbi pajisjen që do të zgjidhnin për të parë kampionatin botëror. Të intervistuarit kishin mundësi të jepnin më shumë se një përgjigje.
Sipas rezultateve të anketimit 71% e personave u përgjigjën se do ta ndiqnin ndeshjen drejtpërdrejt ne televizor, dhe 65 % thanë se do t’i shikonin ndeshjet “live streaming” në internet.
Në radhët e individëve që përzgjodhën ekranin tradicional, vetëm 42% ishin plotësisht të bindur për këtë zgjedhje, pjesa tjetër, pra 29% ishin të lëkundur dhe prirja është që këta të shkojnë edhe drejt platformave të tjera të konverguara, përfshi dhe ndjekjen e ndeshjeve “live streaming”.
Qytetarët, shumica e të cilëve zgjodhën opsionin për të parë ndeshjet online, përmes PC-së ose Smartphone, në raport me televizorin ishin nga shtetet, si Kina (+6%), Rusia (+7%), Arabia Saudite (+2%) Emiratet e Bashkuara Arabe dhe SHBA-ja (+1%). Ndërkohë vendet me numrin më të lartë të shikuesve në ekranin tradicional ishin ato Europiane, si: Gjermania, Italia, Suedia dhe Hungaria.
Por të dhënat rreth shikueshmërisë së Kupës së Botës, përbënin vetëm një prej çështjeve të analizuara në këtë dokument, i cili shqyrtoi në mënyrë specifike sjelljet e audiencave lidhur me produktet multimediale online. Në total, 67% e të anketuarve thanë se kanë konsumuar përmbajtje mediatike “live streaming” në platforma të ndryshme, ndërsa 47% u shprehën se sot numri i transmetimeve që ata shohin drejtpërdrejt në internet është disa herë më i lartë se një vit më parë.
Kjo tendencë shfaqet ekstremisht e lartë në shtetet e Lindjes së Mesme dhe Amerikës Jugore, me respektivisht 90% dhe 80% e audiencave që shprehen se shohin çdo ditë transmetime “live streaming” në internet. Ndërkohë qytetarët në vendet e Europës dhe Amerikës Veriore i kombinojnë më shumë platformat.
Sa i takon përmbajtjeve mediatike që konsumohen në internet, rezulton se interesi kryesor është për serialet televizive me 45%, e ndjekur nga ndeshjet sportive me 31%, videot tutorial me 30%, lojëra me 29% dhe më pas lajmet (27%) e programet talk show (22%).
Të anketuarit u shprehën se për materiale më të shkurtra se 30 minuta, audiencat përdornin smartphone dhe tableta, ndërsa për ato me gjatësi më të madhe tendenca ishte për ti konsumuar në TV, paketat dixhitale, kompiutera etj.
Ky anketim vjen pas lajmeve nga ato që njihen si “audienca konservatore” si përshembull ato në Britaninë e Madhe se konsumi i ekranit të vogël ka kaluar totalin e kohë së shpenzuar për media të tjera tradicionale, televizion e gazeta.
Më herët, në tetor të vitit 2016, raporti i StatCounter njoftonte lajmin e bujshëm se për herë të parë aksesi i internetit përmes pajisjeve celulare në mbarë botën kishte kaluar lidhjen tradicionale përmes kompjuterëve desktop.
Shënim: Artikulli është botuar në NeimanLab. Ai është përshtatur në shqip nga MediaLook