Komenti i mëposhtëm është një zbërthim i gjuhës me nota populiste të artikuluar gjatë mitingut që kreu i qeverisë mbajti në Kukës, fjalën e plotë të së cilit e gjeni në këtë video të ERTV-së.

Komenti i Akademik Artan Fugës është postuar në Facebook sipas specifikave komunikuese të rrjeteve sociale:

Zgjedhjet për bashkinë e Kukësit do t’i fitoka ekipi i futbollit.

Qëllimi i ekipit të ri bashkiak do të jetë të fitojë pastaj kampionatin e futbollit.

Do të ketë garë elektorale, por kjo do të jetë pa rivalë dhe pa konkurrentë se në fakt ç’e do opozitën!

Kemi bashkëqeverisjen. Ne bëjmë çfarë duam, ju po patët vërejtje na i shkruani online se ne i marrim parasysh të gjitha. Kaq meritoni ju!

Populli i Kukësit duhet të ketë kujdes nga opozita se ajo do të sjelli Suden dhe piramidat financiare. Ububuja!

Dhe ndryshimi i Bashkisë duhet se do të ndërtohet aeroporti i Kukësit një cerek ore larg atij të Rinasit, po firmat e ndërtimit të aeroportit i komandon qeveria, ndërsa Bashkia do të shohi si fluturojnë avionët imagjinarë.

Ju Kukësianët vrojtoni natë e ditë mbi aeroportin a ka drita natën apo jo: “Fshati paska drita shumë, – thotë Hëna,- c’duhem unë!

Kryetarin e Bashkisë nuk e solla unë, as lirinë, atë e gjeta mes jush, në shpatat dhe ushtat tuaja o luftëtarë të Krujës, më falni, të Kukësit, që jeni në rrezik nga hordhitë e Mehmedit të Dytë!

Brohorimat tuaja në shkallët e stadiumit që ne do të ndërtojmë!

Jeta juaj do të kalojë në avione, stadiume dhe gondola me vela në liqen që vozisin si pulëbardha!

Dhe Kukësi ka pasur suksese të mëdha këto vitet e fundit. Vërtet ju rrahëm, por pranojmë se kemi bërë gabim. Ne ndryshojmë nga qeveria e mëparshme se ne ju rrahim dhe pasi ju rrahim ju themi: Na falni se ju rrahëm, kurse ata ju rrihnin dhe ju thoshin se ja u bëmë mirë që ju rrahëm.

Aeroporti duhet që çunat e Kukësit me ose pa letra në Londër të vijnë për ndonjë dasëm me avionë në Kukës.

Sipas kësaj logjike, së shpejti do të kemi një aeroport në Kavajë, për cunat e Kavajës, që do të vijnë nga Italia për të pi raki, si edhe një aeroport edhe në Fushë – Krujë, për cunat e Fushë – Krujës, kur të vijnë nga Laçi me avion.

Dhe aeroporti do të zhvillojë zonën sepse në ndryshim nga veturat nuk do t’i vejë trarë për taksë rruge në ajër. Kështu Kosovari i Gjakovës do të shkojë në Prishtinë, aty do të marri avionin, që andej do të zbresë në Kukës, në Kukës do të pijë një kafe që do të jetë baza e zhvillimit të Kukësit, dhe po mori një veturë me qira do të vijë me pushime në det.

Kukësi do të jetë një qytet i prosperuar mbështetur mbi tre sektorë bazë: Shitje kafesh, fitore ndeshjesh futbolli, turistë gjakovarë që do të vijnë me avionë në aeroportin e ri.

Një kafe me bisht në Kukës!

Ky do të jetë slogani i fushatës në 45 vjetët e tjera të pushtetit tonë që mbështetet në tre piramida: Futboll, firma ndërtimi dhe kafe me bish për ju!

Kukësi do të fitojë kampionatin dhe në Kukës do të vijnë të ndeshen skuadra europiane dhe numri i tifozëve do të bëjë të ndërtohen hotele të reja. Emri i tij nga skuadra e futbollit do të oshëtijë në të gjithë Europën dhe turistët do të vijnë për të gjuajtur peshk në liqenin e Fierzës.

Por për këtë duhet më shumë guxim sepse ka shumë burra që bëjnë sikur nuk i hapin telefonin grave të tyre, por në fakt bëjnë kot sepse kur shkojnë në shtëpi janë pula. E si mund të fitohet kampionati me këta burra tifozë?

E kuptuat o “Kadrinjtë” e Tiranës?!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu