Thaçi, i udhëzuar nga Edi Rama dhe në shërbim të idesë së ndarjes së Kosovës, bëri dje dhe sot dy lëvizje:

1. Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Hashim Thaçi komandon mashën, ndërkohë që vetë është po mashë e Viçiqit. Edi Rama ngrohet në zjarrin që ka ndez Beogradi, e trazon Thaçi me mashën e vet.

Kush ka vetëm pak intuitë dhe pak nuhatje politike, e kupton se Hashim Thaçi, në stilin e sivëllëit të tij kryeministër të Shqipërisë, po tallet me viktimat e veta, qytetarët e Kosovës, po i përçmon ata në mënyrën më barbare dhe po sillet me Kosovën, sikur ajo të ishte pronë e vetja. Edhe pronën e tij private ai që e posedon nuk mund ta shesë me ligj pa dakordësinë e anëtarëve të familjes së paku mbi 18 vjeç. Hashim Thaçi ka vendosur ta copëtojë e ndajë Kosovën në vija etnike pa pyetur për ligj, për kushtetutë, për të drejtën që e ka çdo qytetar i atij vendi mbi territorin e saj.

Prandaj duhen gjetur burra e gra që presidentin e Kosovës ta mbyllin në presidencë, ta detyrojnë të merret vetëm me protokollin e presidencës, ta shkarkojnë nga detyra e rrëmbyer si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, madje t’ia ndalojnë çdo kontakt fizik e telefonik me anëtarët e këtij grupi negociator. Shkurt, Hashim Thaçi dhe Edi Rama duhen shpallur non grata në pjesmarrjen e tyre në çfarëdo forme në negociatat me Beogradin. Izoloni dhe Lutfi Hazirin, Neshat Dacin e këdo tjetër që nëpërkëmbë sovranitetin e Kosovës!

2. Sot ka dalë dhe një provokim i ri. Edi Rama urdhëroi një opinionist të Shqipërisë të flasë për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Shqipërinë. Këtij opinionisti ish-ministri im demokrat i kulturës i pati dhënë çmimin kombëtar për kolumnen më të mirë, edhe pse ai asokohe e sot bën pjesë në lobingje të dyshimta të dëmshme për vendin tonë, si manekin i Edi Ramës e ndonjë tjetri.

Mesa lexoj midis rrjeshtave, mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë është ky: “Jepjani ju veriun e Kosovës Serbisë, sepse ne do jua japim në këmbim të kësaj veriun e Shqipërisë. Ka ekzistuar një ide e tillë e çmendur para njëzet vitesh, kur Edi Rama ishte ministër kulture në këtë vend të marrësh! Po riaktivizohet prapë një ide e tillë. Veriu i Shqipërisë duket se shihet si “pjesa reaksionare” për qeverisjet e socialistëve dhe si e tillë ajo “duhet bashkuar me raksionarët e Kosovës”, por që sot fatkeqësisht po manipulohen nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

Diletantët politikanë të rajonit tonë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri besojnë se “deti po bëhet kos dhe o burra të marrë kush është i zoti lugën e të hidhet brenda”! Edhe Thaçi e tha sot hapur: “Nëse ne në Kosovë vendosim ta ndajmë Kosovën, Fuqitë e Mëdha nuk do të jenë kundër”! Kaq pristë në Beograd Vuçiqi e Daçiqi, këtë paska pritur me shumë entusiazëm presidenti i Kosovës! Bravo! Më shumë nuk ka nevojë për këtë radhë!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu