Në mes të muajit shtator, Parlamenti Europian ka miratuar propozimet për një direktivë të re mbi atë që njihet si digital copyright ose e drejta dixhitale e autorësisë. Qëllimi i këtij drafti është i thjeshtë: të ndryshojë rregullat ekzistuese mbi autorësinë në një epokë të re me ndryshime të vrullshme teknologjike, që ka nxjerrë “jashtë loje” ligjet aktuale. Megjithatë, efekti mund të jetë ndryshe nga ajo që ligjvënësit kërkojnë të arrijnë.
Dy nga propozimet me të diskutueshme në direktivën e re është kufizimi i drejtpërdrejtë i lirisë së shprehjes, pavarësisht se ato i janë prezantuar opinionit publik në vendet e BE-së si një përpjekje për të krijuar balancë mes industrisë kulturore dhe kompanive teknologjike. E para, ka për qëllim të detyrojë platformat e mëdha, si Google, të paguajë botuesit por dhe autorët e shkrimit, në rast të përdorimit të përmbajtjeve të tyre mediatike. E dyta, synon të vendosë filtra me qëllim që të parandalojë shkeljen e ligjit për të drejtën e autorit të artikujve, kronikave, klipeve, triler-ve dhe materaleve të tjera që hidhen në YouTube nga qytetarët ose user – generated content.
“Taksimi” i Google në favor të botuesve, një politikë që nuk funksionon
Detyrimi me ligj i motorëve të kërkimit, si Google përshembull, për të paguar botuesit ka si qëllim ndalimin e arkëtimit të reklamave prej tyre, për një përmbajtje që është prodhuar prej botuesve vetë. Gjykimi dhe qëllimi i tyre është i thjeshtë: ata synojnë që çdo qytetar ose audiencat në ekranet fikse e ato të lëvizshme t’i marrë lajmet drejtpërdrejtë në faqet e tyre në internet. Vetëm nëpërmjet përthithjes së audiencave në adresat e tyre web do të afroheshin më shumë reklama, e rrjedhimisht të ardhurat e mediave do të rriteshin. Megjithatë, qëllimi nga realizimi i kësaj skeme të propozuar mbi taksimin e linqeve bart shumë pikëpyetje.
Përdoruesit, veçanërisht vitet e fundit, parapëlqejnë që të marrin lajmet e tyre përmes rrjeteve sociale, ose shërbimeve messenger, si WhatsApp. Edhe përpjekjet e fundit në disa shtete për të detyruar Google të paguajë botuesit dhe autorët e artikujve, nuk kanë patur një fund të lumtur. Gjermania dhe Spanja janë dy ndër shtetet që i kanë miratuar këto rregulla për pronësinë intelektuale dhe rezultatet nuk kanë qenë shumë frytdhënëse. Në përgjigje të këtij ligji në Spanjë, Google reagoi thjesht duke mbyllur Google News në këtë vend.
Kjo direktive e re nuk do të mund të zgjidh problemet e botuesve dhe mediave të cilët dëshpërimisht janë në kërkim të një modeli të ri biznesi. Përkundrazi, rregullat e reja mund të kenë një ndikim negativ për demokracinë dhe liritë e shprehjes. Nëse audiencat do ta kenë gjithnjë e më të vështirë aksesin te mediat tradicionale, ato do të drejtohen në faqe të tjera, me burime të dyshimta, çka do të rriste akoma më shumë përhapjen e lajmeve të rreme dhe do të ndikonte në keqinformimin e qytetarëve.
Kontrolli i rreptë i audiencave me algoritme mund “të mbysë” lirinë e shprehjes
Direktiva e re e Bashkimit Europian ka dhe një problem tjetër dhe për këtë duhet t’i hedhim një vështrim “Nenit 13”.
Ajo që duhet evidentuar është fakti se industritë e prodhimit të kulturës dhe kompanitë teknologjike ndajnë interesa të ndryshme kur bëhet fjalë për audiencat që prodhojnë përmbajte, që njihen si user generated content. Të parët kërkojnë të mbrojnë të drejtën e autorit, ndërsa të dytët synojnë të përfitojnë para në momentin kur produkti i tyre publikohet dhe ndahet në platforma të tjera. Në këtë moment, neni 13, synon të krijojë një balancë mes tyre duke detyruar kompanitë e internetit të aplikojnë algoritme për të siguruar që audiencat të mos e cenojnë autorësinë.
Aktualisht, gjigandi YouTube paguan honorare për autorët e përmbajtjeve mediatike, në momentin kur një individ ngarkon në faqe një këngë, të Beyonce përshembull. Sistemi i tij i filtrimit, i njohur si ContentID, evidenton shkeljet e autorësisë dhe i kërkon leje autorëve të tij sesi duhet të procedojë më tej. Materiali mund të qëndrojë në internet, mund të fshihet ose të kthehet në burim të ardhurash nga reklamat – e gjitha falë një algoritmi i cili krahason produktin origjinal me ato të editura.
Problemi qëndron se YouTube i paguan autorëve të materialeve një shumë të vogël, të panegociuar mes palëve mbi paratë që gjenerohen nga reklamimet. Për industrinë kulturore, do të ishte perfekte negocimi i përqindjes së fitimit, sikurse ndodh te Spotify ose shërbime të tjera. Diferenca, aktualisht, qëndron në faktin se Spotify mban përgjegjësi si kompani ndërsa YouTube e delegon atë të përdoruesit. Në këtë kuptim, YouTube nuk mban përgjegjësi për shkelje të autorësisë.
Për të ndërtuar këtë sistem funksional të njohur si ContentID, YouTube-it i është dashur të paktën një dekadë. Ideja e direktivës së re të Bashkimit Europian është që të gjitha shërbimet e ngjashme të implementojnë një teknologji të tillë, të ngjashme me atë të YouTube, e cila parandalon cenimin e autorësisë. Problemi qëndron që vetëm pak prej tyre kanë kapacitetet financiare për të zhvilluar programe të ngjashme. Me shumë gjasë kjo do të çonte në dështimin e këtij procesi dhe mbart me vete rrezikun që YouTube të jetë kompania monopol që mbron këto të drejta.
Në emër të copyright-it
Një tjetër problem po kaq i rëndësishëm lidhet me faktin se vetë algoritmet që do të realizojnë këtë filtrim të përmbajtjes mediatike nuk janë perfekte. Pronësia intelektuale parashikon dhe përjashtime për citime apo për programe e rubrika parodi. P.sh. të përdorësh një imazh si ky në krye të artikullit është e ndaluar, por ta përdorësh atë për qëllime humoristike ose për sarkazëm, ligji sigurisht që e lejon.
Këtu fillon dhe problemi!
Në gjykatë zhvillohen diskutime dhe arsyetime, me ndihmën edhe të ekspertëve, në lidhje me limitet, kufizimet apo interpretimet e ligjit. Por, një gjë e tillë nuk ndodh me një program kompjuterik. Algoritmi, nuk i pranon këto diskutime dhe as opinionin e ekspertëve, sepse këtu jemi në anën subjektive dhe interpretative të ligjit. Për këtë arsye automatizimi i kontrollit për të drejtën e autorit do të përfundonte, as më shumë dhe as më pak në një censurë sistematike për të eliminuar çdo artikull, kronikë, video etj., qe me ligjin aktual kanë të drejtë të qarkullojnë.
Aktualisht gjendemi përballë situatës ku rregullat për autorësinë po forcohen por nga ana tjetër audiencat po përballen me masa autoritare dhe kontrolle te ashpra. Shumë persona janë artikuluar dhe kanë shprehur shqetësimin se pak nga pak ne po ndryshojmë internetin, duke “vrarë” thelbin e tij për më shumë pjesëmarrje, kreativitet, inovacion, për një shoqëri demokratike. E gjitha, në emër të copyright-it! A ia vlen?
Shënim: Artikulli është botuar në European Journalism Observatory dhe u përshtat në shqip nga Elvin Luku