Në më pak se një orë transmetimin në prime-time të emisionit politik Open me Eni Vasilin, mbrëmjen e dhjetë shkurtit, ndodhën dy “vrasje” televizive! E para, kishte të bënte me realizimin filmik të skenarit policesk mbi atentatin e mundshëm ndaj kreut të qeverisë teksa hynte në selinë e Partisë Socialiste, ndërsa, e dyta, transmetimet “live” të qytetarëve përgjatë kontrolleve rutinë të Policisë së Shtetit, me shpresën e sekuestrimit të ndonjë makine luksi me dokumente problematike.

Në fakt, ndonëse të dyja ngjarjet që u raportuan live në këtë program kishin të bënin me krimin, më shumë se, atentati i supozuar prej njeriut me kapele “Louis Vuitton” e udhëtimet e qytetarëve me makinat e tyre të luksit, “krim” përbënte forma e zgjedhur për tu raportuar nga emisioni, ndoshta i dytë ose tretë kryesor politike në vend.

Por le ti marrim me radhë!

Ajo që konstatohet menjëherë nga përcjellja e “atentatit filmik Gjuta” është se këto forma raportimi ndikojnë në të paktën tre element:

E para, ndërtimi televiziv i skenarit të atentatit, me informacione ende të paqarta që kanë si burim policinë, pjesëtarë të gardës pranë kryeministrit dhe eksponentë të PS-së, në kontekstin e një aksioni masiv “anti-KCK”, përkon ndjeshëm me politikat e PR-it dhe propagandës së qeverisë për rrezikshmërinë e luftës kundër krimit. Në këtë rast media bëhet një zëdhënëse e një interesi politik dhe jo e interesit publik;

Së dyti, riprodhimi televiziv i “skenës së krimit” me detaje operacioni, informacionet e të cilit janë ende sot e kësaj dite të dyshimta, sigurisht që nxit audiencë televizive, që çdo media lakmon, por, problemi qëndron te vërtetësia e këtij “tabloidizimi” të raportimit, të cilin, emisioni kryesor politik i një media kombëtare e ka detyrim ta garantojë;

Së treti, riprodhimi “mot a mot” i detajeve nga burimet e policisë apo gardës, e cila është kthyer në tendencë, veçanërisht në raportimin e sektorit të kronikës, ku së fundi gazetarët “po zbulojnë” hetime e bën dhe më qesharake raportimin. Nuk besoj se “marka e kapeles”, “ngjyra e xhupit” apo dhe pyetja e gardistit para arrestimit të një të dyshuari kaq të rrezikshëm: “A jeni ju një oficer policie?” ndryshojnë diçka në këtë histori, veç elementit sensacional. Në rrethana të tjera, arratisjeje p.sh., sigurisht që mund të ishin të vlefshme.

“Vrasja” e dytë, ka të bëjë me atë, që moderatorja e përsëriste vazhdimisht “jemi live”, “po ndodh drejtpërdrejtë”, duke iu referuar një ndalimi që policia i bëri një makine të rastësishme dhe ku me afrimin e kamerës, ndonëse kontrolli i dokumentacionit rezultoi në rregull, shoferit (një qytetar i zakonshëm) iu kërkua të dalë nga makina për kontroll fizik të tij dhe makinës. E gjitha në ekran, “live”, – sikurse përsëriste moderatorja.

Një dhunim privatësie, identiteti, dinjiteti, lirie dhe trajtese në publik si një person i rrezikshëm, të një qytetari të zakonshëm, që për fat të mirë hasi në një rezistencë nga ana e penalistëve, duke e cilësuar si shkelje abuzive, e duke i kërkuar drejtuesve dhe ndërprerjen e lidhjes direkte.

Moderatorja Vasili ndërkaq vijonte të justifikonte transmetimin duke argumentuar se gjithçka ishte reale dhe kamera e saj veçse po transmetonte një realitet, duke harruar faktin se prania e kamerës dikton sjelljet, në rastin konkret, të policëve.

Është “ligjësi” e shkencave të komunikimit dhe gazetarisë fakti që në momentin kur ndizet kamera, të gjithë të pranishmit, impostohen dhe nuk sillen më si në realitet, por sikurse të tjerët do të donin ti shihnin, duke u futur në rolet që kanë sipas statuseve të tyre sociale.

Përtej rastit konkret, duke përfshirë dhe Medialook, ndodh që mediat të raportojnë shkelje e abuzime por anashkalojnë faktin se çdo mungesë profesionalizmi në këto raportime, mund të përbëjë, ndoshta, një shkelje shumë më të rëndë në vetvete.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here