Pas tre ditësh në mungesë shërbimesh, që pasuan sulmin kibernetik ndaj e-Albanias, qytetarët shqiptarë mund të aksesojnë sërish platformën e cila gradualisht po rikthen funksionin e saj të plotë.

Agjencia për Media dhe Informim njoftoi zyrtarisht se: “E-albania rikthehet në funksion për 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët shqiptarë.” Sipas saj AKSHI po punonte së bashku me ekspertët e Microsoft DART dhe ato të “Jones Group International” për të rikthyer të gjitha shërbimet në funksion.

e-Albania filloi rifunksionimin e saj pak pasi televizioni kombëtar Top Channel publikoi një lajm ekskluziv me titull: “Hakerat kanë kërkuar 30 milionë $! Virusi kishte shkatërruar të dhënat online të institucioneve shtetërore“, në të cilin evidentohej se: “Hakerat kanë kishin bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar me sistemet më të vështira për t’u zbërthyer. Ndërkohë mësohet se virusi i përdorur fshin dokumentet dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh”. Sipas të njëjtit lajm pranë AKSHI-t kishte mbërritur një mesazh ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë dollare në monedhën bitcoin.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili në tre postime në Twitter e cilësoi lajmin e Top Channel një shpifje dhe ndër të tjera i bëri thirrje këtij televizioni ti ndalë ato:

 

Kaq ka mjaftuar që TV kombëtar Top Channel të ndryshojë menjëherë titullin kryesor të lajmit ekskluziv në faqen online të televizionit, në: Irani sulmoi Shqipërinë? Mesazhi politik pas goditjes së shërbimeve të e-Albania, duke u tërhequr ndaj paralajmërimeve të kreut të qeverisë në profilin e tij në Twitter.

Qytetarët shqiptarë u përballën me një situatë të pazakontë nga fillimi i kësaj jave, kur shërbimet publike online dhe faqet qeveritare të administruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dolën jashtë funksionit për shkak të sulmit kibernetik, që sipas kreut të qeverisë kishte ardhur nga një shtet armiqësor.

Për rrjedhojë aplikimet për shtrimet në spital apo marrja e dokumenteve në gjendjen civile, hipotekë, taksa, transportin rrugor, regjistrimet në ciklin e ulët arsimor etj, apo dhe pagesat online si pjesë ë mbi 1200 shërbimeve që ofronte e-Albania, ishin të pamundura të kryeshin duke krijuar dëme të parikuperueshme në procedurat me afate dhe kosto shtesë për qytetarët.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu