Teknologjia dhe interneti, veçanërisht web 2.0 kanë transformuar modelet ekonomike të medias duke tronditur themelet e industrisë dhe gazetarisë tradicionale. Këto zhvillime ndryshuan format e raportimit të lajmit, platformat e shpërndarjes, skemat e reklamimit, qasjen e gazetarit me audiencën dhe anasjelltas… Të gjithë këto elementë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e demokracisë në vend.
Si ka qenë ky ndikim?! Një përgjigje e plotë do të kërkonte studime dhe kërkime mbi raste dhe vende konkrete rreth efekteve të këtij revolucioni; por, ajo për të cilën mund të flasim me siguri është fakti se as media në Shqipëri nuk ka qenë imune ndaj këtyre zhvillimeve botërore dhe është përballur me këtë tërmet teknologjik…
Sot, falë teknologjisë, spektri i mediave është bërë shumë i larmishëm. Sipas AMA-s, ekziston 1 televizion publik, 2 platforma numerike satelitore, 6 subjekte audiovizive me licence private kombëtare transmetimi audioviziv, 98 platforma kabllore, 13 platforma të me shërbim të konverguar kabllor ose online, 56 subjekte audiovizive analoge rajonalë e lokal si dhe 60 radio.
Krahas mediave audiovizive në treg publikohen 18 gazeta print gjeneraliste të përditshme (Nezaj, 2013) dhe ekzistojnë të paktën 650 portale online që e kanë decentralizuar produktin mediatik dhe vetë lajmin. (Unioni i Gazetarëve, 2017).
Numrat e mësipërm, gati gati të frikshëm, ku totali arrin në rreth 900 mediume tradicionale e të reja, ose një media për tre mijë banorë, kanë dy anë të medaljes: Në pamje të parë duket sikur ky peizazh ofron një lloj demokracie mendimi për shkak të diversitetit të medias në formë e përmbajtje. Por nga ana tjetër ajo që në dukje na ofrohet si një zhvillim i kësaj hapësire publike po kthehet në armikun kryesor të saj, pra po “e vret” demokracinë!
Pse?
Sepse frangmentarizimi i mediave që prodhon diversitetin e zërave, si kundërefekt, duke qenë se publiku është i përbërë nga shumë grupe interesi ku secili artikulohet në mediumin e tij, e dobëson qëndrimin e opinionit publik në raport me politikën. Kjo do të thotë se liria e pakufishme për të patur një media, dëmton pikë së pari vetë tregun mediatik dhe së dyti vetë demokracinë.
Eksperiencat perëndimore dëshmojnë se shpërndarja e licencave për median vizive për shembull është e kufizuar, gjithçka në raport me audiencën dhe tregun e reklamave. Po t’i hedhim një vështrim të shpejt Shqipërisë na rezultojnë 220 televizione, radio e platforma të konverguara të licencuara për një popullsi prej 2.8 milionë banorësh.
Janë shumë!
Shihni portalet, plot 650 të tilla. Këto të fundit, ndër të tjera, funksionojnë edhe në një treg kaotik, të parregulluar ligjërisht dhe në vështirësi financiare.
Sot media në vendin tonë është në krizë pikësëpari sepse ka një mbingopje të tregut në raport me audiencën. Ato nuk nxjerrin dot kostot e informacionit si mall. Fragmentarizimi i mediave sjell dhe fragmentarizim të reklamave. Vështirësitë financiare janë një ndër arsyet kryesore se pse mediat në Shqipëri janë të anshme politikisht dhe në vend që të raportojnë në emër të interesit publik, bëjnë propagandë; Së dyti, ky numër televizionesh, portalesh e gazetash ka krijuar një lloj info-obeziteti, me mijëra GB informacion që konsumohet çdo ditë, të cilat në vend që ta informojë dhe orientojë opinionin publik ka ndikuar në keqinformimin e tij.
Sakaq, analiza cilësore e peizazhit mediatik në vend, na paraqet dy probleme të tjera shumë të mëdha:
Tregu i mediave, qoftë ai audioviziv, print por edhe ai online ofron masivisht operatorë gjeneralist. Të gjithë kanë të njëjtin objekt raportimi dhe vërtiten te të njëjtat problematika, duke i parë ato nga një vështrim i përgjithshëm, që e minimizon mundësinë e thellimit të çështjes në fjalë. Mungojnë mediat me raportim të theksuar lokal dhe thuajse janë inekzistente ato të profilizuara. Duket sikur operatorët aktualë kanë mbetur në një lloj spiraleje, rrethi vicioz, në një lloj komunikimit autik!
Duke patur parasysh këtë panoramë dhe këto problematika, këtu qëndron risia e MediaLook, e cila është konceptuar si një “media watchdog”.
MediaLook është një media mbi median ose gazetari mbi ofertën gazetareske që mbulon hapësirën publike shqiptare. Pra, qëllimi i këtij portali është një qasje kritike ndaj “pushtetit të katërt” në të gjithë dimensionin e saj, por sigurisht, pa anashkaluar dhe tre pushtetet e tjera, të cilat ato monitorojnë dhe raportojnë. Ne besojmë se kritika është baza e zhvillimit të çdo shoqërie në të gjithë “hemogramën” e saj. Në këtë kuptim parimi ynë është: Kritika e demokratizon median dhe gjithë shoqërinë!
Së dyti, MediaLook duke patur parasysh dhe eksperiencat ndërkombëtare, do të vijojë paralelisht institucioneve publike dhe private të kërkimit shkencor, organizatave fitimprurëse ose jofitimprurëse, agjencive rregullatore, pse jo dhe në bashkëpunim me to, publikimin e artikujve në funksion të cilësisë së kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e medias. Në këtë pikëpamje, krahas profesionistëve të komunikimit, teknologjisë, gazetarisë dhe botës akademike, MediaLook është një “dritare e re” dhe për studentët e kësaj fushe, të cilët mund të kontribuojnë në të gjitha format e raportimit multimedial.
Së treti, krahas zhvillimeve në industrinë shqiptare të medias, MediaLook do të mbështetet dhe në publikimin dhe raportimin e zhvillimeve kryesore mbi çështjet e gazetarisë dhe teknologjisë si përcaktuese të formave të raportimit dhe mesazheve mediatike. Në këtë kuptim, MediaLook do të publikojë disa artikuj nga media të njohura ndërkombëtare, qendra kërkimore dhe portale me objekt të ngjashëm, si: NeimanLab, Observatori Europian i Gazetarisë e Columbia Journalism Review.
Po a është MediaLook zgjidhja e këtyre problematikave të industrisë mediatike në vend?
Sigurisht që, jo!
Por, MediaLook mund të jetë fillimi i zgjidhjes, vetëpastrimit, kulturës së debatit, demokratizimit të brendshëm përmes kritikës, i vdekjeve dhe rilindjeve ciklike të operatorëve dhe aktorëve mediatik…
Të tjerat, t’ia lëmë kohës!