Prokuroria e Tiranës dhe SHÇBA kanë nisur hetimet pasi efektivët e njësisë antidrogë ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Ergys Gjençaj dhe koleges së tij Klodiana Lala. Ata ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe u goditën ndërsa po filmonin përpjekjen e dështuar të oficerëve për të ndaluar një person të dyshuar për trafik droge.

Largimi me automjetin luksoz Mercedez Benz i trafikantit, pavarësisht se ishte rrethuar nga të paktën pesë efektivë, solli reagimin e dhunshëm të oficerëve ndaj dy gazetarëve të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Ata sulmuan reporterin e News 24, fillimisht duke i marrë aparatin celular me të cilin po kryente filmimet dhe më pas e mbajtën për disa minuta të shtrirë përdhe.

MediaLook kontaktoi gazetarin Gjencaj, i cili tregoi se në momentet e para të sulmit nga uniformat blu ai u gjend përballë një situate tronditëse. “Fillimisht nuk po kuptoja ç’po ndodhte, me pas e pash veten të shtrirë përdhe“, – rrefen reporteri i News 24. Gazetari tregon se polici e ka kontrolluar dhe më pas e kanë mbajtur për më shumë se 30 minuta. “Gjatë kësaj kohe oficerët kanë fotografuar karta e punës së gazetarit dhe më morën numrin e telefonit celular“, – perfundon ai.

E ndërsa mbahet i shtrirë në tokë nga njësitë e antidrogës, kolegia e tij Klodiana Lala dëgjohet në pamjet filmike tu thotë efektivëve se personi i ndaluar është gazetar i News 24.

Organizatat e gazetarëve dënuan njëzëri dhunën ndaj gazetarit. Këshilli Shqiptar i Medias evidentoi se bëhet fjalë për një rast të përsëritur ndërsa Unioni i Gazetarëve e cilësoi  ngjarjen “një incident të rëndë”.

Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës Shqiptare MediaLook, Elvin Luku, në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se “pas dështimit spektakolar për te ndaluar trafikantin brenda makinës, efektivët tentuan te” vrisnin lajmesin” qe do raportonte këtë dështim“. Sipas tij uniformat blu kishin konstatuar praninë e gazetareve por përpjekja e dhunshme per te marre telefonin e gazetarit dhe shtrirja e tij përdhe, tregon se synimi i tyre i vetëm ishte fshehja e te vërtetës.

Sakaq i pyetur nga BIRN, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se “do të urdhëroj menjëherë SHÇBA të hetojë ngjarjen.” Nërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Nga ana tjetër Prokuroria Tiranës tha nëpërmjet një deklarate se kishte nisur hetimet sëbashku më SHÇBA për dhunimin e gazetarëve.

Kjo nuk është hera e parë që ushtrohet dhunë ndaj gazetarëve. Gjatë protestës për shëmbjen e teatrit në vitin 2020 efektivët e policisë në Tiranë dhunuan gazetarin Alfred Lela, ndërsa argumentuan se në momentin e shoqërimit ai nuk ishte duke kryer funksionin e gazetarit.

Në dhjetor të vitit të kaluar policia ndaloi dhe kërcënoi disa gazetarë ndërsa këta të fundit po raportonin nga protestat e dhunshme të të rinjve që u shkaktuan nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një oficer policie.

Ndërkaq krahas dhunës fizike media është tentuar të intimidohet edhe përmes projektligjeve, ku më i njohuri është ai antishpifje, i cilësuar nga organizatat ndërkombëtare e vendase si një përpjekje e qeverisë Rama për të vënë nën kontroll edhe median online.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu