Lidhur me këtë çështje është e domosdoshme të dallohen qartë dy nivele të analizës. Domethënë të dallohet se çfarë vendi dhe çfarë funksionesh i mediave nga ana e propagandës dhe çfarë funksionesh kanë pasur ato në të vërtetë? Nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë që këto dy nivele përputhen me njeri tjetrin, por nuk mund të pretendohet edhe as që nuk kanë pika të ndryshme të përbashkëta.

Tjetër është ajo që thuhet në shtyp për median dhe gjithë jetën shoqërore të vendit, dhe tjetër se çfarë përfaqësonin në vetvete shtypi, media dhe jeta shoqërore e tij.

Koncepti mbi funksionet e shtypit të shkruar dhe të mediave në përgjithësi shpesh trajtohet sikur ka mbetur i njejtë për gjatë gjithë periudhës 45 – vjeçare të shoqërisë totalitare në Shqipëri. Por në fakt, në formulimin që bëhet lidhur me detyrat e mediave, janë shprehur edhe nuanca të ndryshme, të herëpasherëshme, të cilat nuk mund të mos merren në konsideratë.

Funksionet e mediave janë shprehur, në fakt, në dy forma të ndryshme. Edhe në formën e detyrave të përgjithshme, edhe në formën e detyrave të tyre konkrete. Forma e përgjithshme përfshin funksionet e shtypit dhe mediave në shoqëri pavarësisht se cilat janë karakteristikat e periudhës. Ajo ka të bëjë më tepër me funksionet e shtypit dhe të mediave, të cilat supozohen se mbesin të paluejtëshme dhe të përhershme. Ndërsa, funksionet e veçanta shprehin detyrat e shtypit sipas objektivave konkrete të një periudhe të dhënë. Këto detyra të fundit mund të jenë prioritare në një periudhë të dhënë dhe mund të mos shtrohen më fare për një periudhë tjetër.

Funksionet e mediave, sikurse ato shprehen, konsiderohen si universale, pra për të gjithë llojet e shtypit, të botimeve, të mediave. Ndërkaq, për çdo gazetë ose revistë, për radion ose për televizionin, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, apo për kinostudion “Shqipëria e Re”, përcaktohen edhe detyra specifike. Ja se përcaktohen detyrat brenda sistemit të shtypit të shkruar në një dokument zyrtar të kohës, një vendim i sekretariatit të komitetit qendror të partisë së punës të Shqipërisë. Atje theksohet : “Zëri i Popullit është organi kryesor i shtypit në vendin tonë që jep vijën e Partisë… Gazeta Bashkimi mund t’i kushtojë një kujdes më të madh pasqyrimit të jetës së organeve të shtetit, problemeve të fshatit, si edhe problemeve e aktivitetit në fushën e kulturës, arsimit dhe çështjeve sociale… Gazeta Luftëtari duhet të trajtojë kryesisht problemet e përgatitjes luftarake të ushtrisë… Gazeta Puna duhet të trajtojë dhe të pasqyrojë kryesisht jetën dhe problemet e klasës puntore… Gazeta Rinia duhet të trajtojë problemet që kanë të bëjnë me edukimin komunist të rinisë…”

Pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore ende nuk duket se ka pasur ndonjë formulim sintetik mbi funksionet e medias. Formulimet që jepen nuk janë fort të saktësuara e nuk perqendrohe rreth një boshti të vetëm. Sidoqoftë, bën përshtypje një shkrim, botuar pa firmën e autorit, nga më të rëndësishmit të botuar në atë kohë lidhur me problemin në fjalë. Në këtë artikull të botuar në gazetën Bashkimi, me titull “Shtyp e kulturë në Shqipërinë e re” theksohet se shtypi shqiptar i asaj kohe duhet të ishte ”Shërbenjës i vërtetë i shoqërisë e i popullit shqiptar”, “Përfaqëson një unitet mejtimi, siç është fronti unik, front nacional – çlirimtar dhe del të mbrojë interesat e këtij uniteti popullor.”

Sikurse mund të dallohet jo me shumë vështirësi, shtypi dhe detyrat e tij përcaktohen në këtë periudhë, 1944 – 1948, në funksion të realizimit të objektivave “unike” të Frontit Demokratik. Ky i fundit del si bashkim forcash politike dhe shoqërore, në solidaritetin e tyre të nënkuptuar. Në një farë mënyre është një përpjekje për t’a menduar politikën e komunikimit masiv në një mënyrë paksa më të gjerë sesa synimi për t’a vendosur shtypin nën kontrollin e drejtpërdrejt të partisë komuniste. Detyrat e shtypit në këtë deklarim konsiderohen të lidhura me angazhimin për të ruajtur “unitetin e mendimit” dhe për t’u vendosur në “shërbim të popullit”, ku “populli” kuptohet ende si një masë amorfe e padiferencuar në klasa dhe grupe të ndryshme shoqërore. Pjesa e popullsisë që përjashtohet nga termi “popull” është numerikisht e vogël. Në këtë kohë, jashtë konceptit “popull” mendohet se janë njerëzit që kanë bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë botërore.

Më pas, ndërkohë që marrëdhëniet politike dhe ekonomike me jugosllavët e Titos kanë zbritur në nivele shumë të ulëta, dhe ka nisur një afrim i përshpejtuar me Bashkimin Sovjetik të drejtuar nga Stalini, çka nis nga viti 1948, funksionet e shtypit përcaktohen ndryshe nga më parë, si në terminologji, ashtu edhe lidhur me praktikat e gazetarisë.

Shtypi nis të quhet “agjitator dhe propagandist kolektiv”, “organizator kolektiv”, etj. Ndërsa nga pikëpamja e përmbajtjes shtypi do të vihet në shërbim të veprimit dhe ndryshimit shoqëror mbi baza klasore dhe politike. Ai merr një detyrë të theeksuar pragmatike dhe ideologjike. Nuk lidhet më me emrin dhe detyrat e Frontit Demokratik. Kjo organizatë, në formë dhe në përmbajtje nuk bëhet veçse një instrument i bindur i partisë komuniste. Vartësitë e shtypit dhe të mediave, tanimë, përcaktohen në lidhje me partinë.

Në një artikull të shkruar nga Bedri Spahiu, i rëndësishëm për të kuptuar çështjen që po trajtojmë, pra nga një autor që në atë kohë mbante një post kyç në hierarkinë partiake, sekretar për propagandën në komitetin qendror të partisë, theksohet se shtypi “Do të bëhet përherë e më shumë një organizator kolektiv dhe edukator i masave në duart e Partisë dhe të Pushtetit Popullor. ” Nuk ka kaluar veçse një vit, por përkufizimi i detyrave të shtypit paraqitet tanimë ndryshe. Nga Fronti Demokratik, vartësitë e tij kalojnë te partia komuniste. Por, në këtë vit, sikurse e kemi theksuar, ka ndodhur një ndryshim i ndjeshëm. Shqipëria ishte shkëputur nga varësia e Jugosllavisë dhe kishte kaluar nën vartësinë staliniane. Modeli i shoqërisë politike, i shtetit, i reformave ekonomike, i modelit të luftës së klasave, pra edhe i komunikimit masiv, kishte marrë pamjen sovjetike. Vetë termi “Organizator kolektiv” që i atribuohet si funksion shtypit dhe mediave të kohës, vjen literalisht nga fjalori leninist dhe stalinist.

Përcaktimi i mësipërm vazhdon të mbetet në fuqi deri në fillim të viteve ’60, ndërkohë që lidhjet me sovjetikët kanë nisur të zbehen si rezultat i divergjencave politike dhe ideologjike mes E. Hoxhës dhe N. Hrushovit, të cilat çuan deri në prishjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, e mbi të gjitha, u shoqëruan me dëbimin e forcave ushtarake sovjetike nga baza ushtarake shqiptare e Pashalimanit. Gjithësesi, edhe në vitin 1962, E. Hoxha e mban ende në përdorim terminologjinë e periudhës që po perëndonte. Me rastin e 20 vjetorit të daljes të numurit të parë të Zërit të Popullit, ai iu drejtohet gazetarëve që punojnë atje, duke përdorur të njejta formula ideologjike që kanë qenë në përdorim edhe më parë. Ai iu shkruan : “Komiteti Qendror është i bindur se edhe në të ardhmen, Zëri i Popullit, do të luftojë si një propagandist dhe organizator kolektiv për triumfin e vijës së Partisë.” Ende janë në përdorim termat sovjetikë për shtypin si “organizator kolektiv”.

E vërteta është se kjo gjuhë politike nuk është se nuk përdoret edhe më vonë, por gjithësesi, pas prishjes me sovjetikët, ajo nis të tingëllojë paksa më e zbehtë.

Nga viti 1960, nis periudha kur Shqipëria izolohet nga vendet e tjera të Lindjes komuniste dhe në majë të piramidës politike totalitare përpunohet ideja për të ecur në “shtigje të reja”. Sigurisht që brenda kësaj strategjie të ndryshuar, do të duhet të përpunohej edhe një terminologji e re në përcaktimin e funksioneve të shtypit dhe të mediave. Pas letrës së Enver Hoxhës drejtuar Konferencës së katërt të Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë, përcaktimet që ai ka dhënë atje mbeten si zyrtare e më të përdorurat. Kuptohet se përzgjedhja e gjuhës politike është bërë me kujdes dhe me qëllime të përcaktuara shumë mirë në planin politik dhe ideologjik. Sigurisht, edhe në këtë rast vazhdon të mbetet në përdorim termi “organizator kolektiv”, porse termat e rinj të përdorur dhe ideja se : “Gazetarët revolucionarë janë arkitektë të mendimit revolucionar të masave”, marrin përparësi.

Në këtë përkufizim, zbehet disi ana administrative e formulimit të mëparshëm. E theksojmë këtë sepse termi “organizator kolektiv” zëvendësohet me termin “arkitekt”, çka dashje pa dashje e përqendron rolin e shtypit dhe të mediave drejt sferave më intelektuale. Nga ana tjetër, mediave terminologjikisht iu hiqet një farë pushteti praktik sepse ato nuk quhen më “organizatorë”. Organizator është vetëm një – partia. Tjetër konsiderohet periudha e aktivitetit ilegal të Leninit në rregjimin carist, ku shtypi, në mungesë të aparateve shtetërore, ishte ndofta i vetmi organizator, si makinë burokratike, e lëvizjeve revolucionare. Po kështu, flitet jo për shtypin në përgjithësi, por për “gazetarët revolucionarë”. As për të gjithë gazetarët. Ka gazetarë revolucionarë, por nënkuptohet se ka edhe që nuk janë të tillë. Statusi i gazetarit nuk të jep më asnjë funksion a privilegj në mënyrë automatike. Kërcënimi ndaj gazetarëe, të cilët, nëse devijojnë nga vija politike në fuqi, tash e tutje mund të mos konsiderohen në anën e revolucionit, por kundërshtarë të tij, mbetet i ngritur si një shpatë mbi kryet e tyre.

Nga ana tjetër, shihet se nis një periudhë që do t’a quaja të vetëglorifikimit të mediave dhe të shtypit zyrtar. Shtypi nuk e ndjen veten si çdo lloj “arkitekti” tjetër, i cili projekton duke mbajtur medoemos parasysh mirë se me çfarë lënde të parë do të realizohet në praktikë objekti i imagjinuar prej tij. Lënda e parë e këtij “arkitekti” që është gazetari, janë njerëzit, janë masat e qytetarëve. Ai merr përsipër petendimin ambicioz, gjigandoman, të bëhet “arkitekti i shpirtit të masave”. T’u japë atyre formën që dëshëron. Gazetari “revolucionar” shihet pra si faktor ndërtues, aktiv, kurse shpirti individual i gjithëkujt, apo “shpirti kolektiv i masave”, quhet një lëndë pasive, që mund të marrë ato konture që u jep sistemi i informimit masiv dhe i propagandës. Së fundi, ky krahasim me arkitektin e vërtetë, metafora e “arkitektit”, hyn në përdorim duke paralajmëruar se siç duket në shtypin shqiptar do të përvijoheshin strategji që do të çonin në ndryshime të rëndësishme përgjatë viteve të ardhëshme.

Aty nga mesi i viteve ’60, tamam në valën e lëvizjeve masive që u nxitën nga propaganda dhe u integruan në strategjitë politike të partisë në pushtet,nën influencën e Revolucionit Kulturor në Kinë, përkufizimet mbi shtypin dhe rolin e mediave në shoqëri, pësojnë ndryshime të tjera. Fillon të nxirret në pah një aspekt që më parë kalohej si pa u venë re dhe disi shpejt e shpejt. Shtypi dhe mediat nisin të quhen në shumë raste si “tribuna” të mendimit dhe të aspiratave të masave të gjera të popullsisë. Është një periudhë përgjatë së cilës, pushteti ka interes t’a zbehë rolin dhe misionin e gazetarit, duke e kthyer këtë në një përcjellës të thjeshtë të zëri të “masave”. Përgjatë këtyre viteve, edhe gazetari, sikurse funksionari i mesëm apo gjysëm i lartë, pëson një proçes zhvleftësimi. Është koha kur pushteti fton masat që të errësojnë rolin e kuadrove të shtresave të mesme. Një formë presioni dhe kontrolli mbi t’a.

Ndërkohë Mao Ce Duni është duke udhëhequr në Kinë “revolucionin kulturor” sipas parullave “Të sulmojmë shtabet!” Enver Hoxha iu drejtohet në këtë mënyrë korrespondentëve vullnetarë të mediave dhe të shtypit të fshatit Fier – Shegan : “Pa ju ngec në vend edhe shtypi edhe radioja, pasi ju u jepni atyre ushqimin kryesor, të shendetshëm, pa fraze boshe stereotipe, ju i jepni jetën e gjallë, eksperiencën e madhe të popullit.” Shihet se në këtë adresim janë ngjyrat e kohës të vendosura në mënyrë fort të dukshme. Diktatori i lartëson korrespondentët vullnetarë të shtypit dhe të medias. Nuk iu drejtohet gazetarëve profesionistë. Këta kanë arsye t’a shohin veten të zhvleftësuar. Presioni ndaj tyre është rritur. Për më shumë, ai nuk iu adresohet të gjithë korrespondentëve vullnetarë të vendit, por thjesht të atyre që punojnë në një fshat. Punohet me terma shumë konkretë. Mbi të gjitha deklarohet se gazetarët vullnetarë janë ata që i japin jetë dhe gjallëri shtypit dhe mediave. Cfarë mbetet për të bërë nga ana e gazetarëve profesionistë? Duket hija e kritikës së pashprehur drejt e në sy : “Ju nuk jeni veçse burokratë të shtypit, mykur zyrave të redaksive!”

Gjithësesi duhet pranuar se në ligjërimin politik të kohës balanca ideologjike ka ardhur në një farë ekuilibrimi. Nga njera anë, gazetari profesionist, “arkitekti”, që përvijon shpirtin e masave, kurse ne anën tjetër, vetë masat, të mishëruara te korrespondentët vullnetarë, që i “japin jetë dhe gallëri shtypit dhe mediave”! Një rivalitet pushteti që shpreh një tension, një konflikt brenda atyre që ushtrojnë profesionin e gazetarisë.

Mirëpo as ky përkufizim i fundit nuk do t’a ketë jetën e gjatë. Duke përfshirë vitet ’70 dhe më pas, të cilët përfaqësojnë një tjetër periudhë mbyllje edhe më të theksuar të Shqipërisë që nis e ndahet edhe nga Kina, një kohë përqendrimi pushtetesh edhe më të konsiderueshëm sesa më parë, brenda një ideologjie kurdoherë totalitare, metaforat për gazetarin si “arkitekt”, pra i përfytyruar si njeri në profesion të lirë, individual, dhe për mediat si “tribunë” ku dalin flasin pa radhë njerëzit e thjeshtë, kanë humbur forcën e mëparshme në përdorimin ideologjik.

Mediat konsiderohen tani, gjithnjë e më fort, si instrumente të aksionit politik të partisë në pushtet. Arkitekti tani është partia, tribuna është çmontuar dhe njerëzit nga të hipur atje janë zbritur në sheshin e një metingu, ku iu dërgohen direktiva, iu hidhen slogane nga një tribunë ku iu ndalohet të hipin. Drejtuesit e sektorëve të mediave, tanimë, janë të detyruar të flasin ndryshe. Krejt ndryshe. Pipi Mitrojorgji, njeri prej tyre, thekson në revistën që trajton probleme të mediave : “E gjithë popaganda jonë në shtyp të shërbejë për mobilizmin e masave për realizimin me sukses të të gjitha detyrave që ka shtruar Partia për të gjithë sektorët e jetës sonë.” Ndërkaq, në gjysmën e viteve ’80, periudhë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ndërkohë që pushteti kërkon që përsëri të ndërmarrë disa reforma, duke i legjitimuar ato nisur nga pakënaqësitë e masave, për mediat dhe shtypin, bëhen përpjekje për të ri-dhënë përsëri idenë e një tribune. Mediat konsiderohen si një lloj “kanali bosh”, si një lloj mikrofoni, që iu zgjatet masave popullore që ato të flasin. Foto Cami, që ndërkohë është edhe sekretar i komitetit qendror të partisë për ideologjinë, kulturën dhe propagandën, shkruan se shtypi dhe radiotelevizioni janë “Tribunë e mendimit të lirë demokratik të masave dhe e veprimit revolucionar. Vetëm si të tilla ato quhen “ndihmëse aktive” të Partisë.”

Po të dëshëronim të theksonim një përfundim paraprak, ai do të ishte se brenda ideologjisë në fuqi mediat thërriten sipas nevojave të ditës me epitete të ndryshme, roli i tyre emërtohet sipas përkufizimeve të ndryshme.

Tre janë kryesoret :

– “Organizatore kolektive të masave”. Atëhere kur theksi vihet te roli i tyre si instrumente të përçimit të direktivave, urdhërave, slogane nga maja e pushtetit te masat popullore.

– “Arkitekte të mendimit kolektiv”. Atëhere kur bëhen përgatitje që mediat të përdoren për të reformuar dhe adaptuar politikën e ditës sipas interesave politike të kohës.

– “Tribuna të mendimit popullor”. Atëhere kur pushteti ka nevojë të ulë rolin e gazetarëve, t’i mbajë ata nën presionin e korrespondentëve vullnetarë, dhe duke manipuluar turmat dhe nxitur ato kundër elitave politike që zotërojnë pushtetin apo e ushtrojnë atë nga qendra në bazë.

Nga të gjitha këto emërtime kuptohet se shtypi dhe mediat në përgjithësi shihen si elementë lidhës midis pushtetit dhe masave. Ose përbëjnë instrumentin që përdoret nga ana e pushtetit për t’a arritur mesa mundet këtë synim strategjik. Tjetër punë sesa mediat arrijnë të jenë efikase. Kjo varet nga kushtet dhe rrethanat e kohës, nga gjendja psikologjike e masave, nga interesat e përkohëshme të grupeve të caktuara shqoërore, nga konteksti i gjeopolitikës ndërkombëtare, etj.

Me anë të mediave, jashtë lëvozhgës të të folurit ideologjik të kohës, pushteti synon të ideologjizojë ndërgjegjen e tyre. Të kryejë atë që quhet manipulim nëpërmjet propagandës. Synon integrimin sa më të gjerë dhe më të qendrueshëm të mundshëm për t’i integruar ato drejt një synimi politik të dhënë.

Mesazhet që dërgohen në drejtim të audiencës, mund të kenë përmbajtje të larmishme. Nuk ka rëndësi lloji i medias së përdorur, apo gjinia e prakiktave të gazetarisë. Mesazhi mund të jetë një thirrje për të ecur më shpejt në një fushatë korrje – shirjesh të grurit. Mund të jetë një reportazh që tërheq vëmendjen për jetën dhe përpjekjet e barinjve në male. Mund të jetë një shkrim informativ t’a zemë mbi krizën ekonomike në Bashkim Sovjetik, ndërkohë që ai nis të quhet një vend revizionist. Ose çdo gjë tjetër.

Ndërkaq, mediat luajnë një rol të dyfishtë, por që në fakt është njësoj si i pari. Edhe “masat” ftohen të transmetojnë mesazhet e tyre drejt majës së pushtetit. Inciativa për të rritur rendimentin në punë, mbeshtetje morale për pushtetin dhe partinë komunioste në fuqi, lajme për ngritje të intensitetit në punë, gjithçka që kërkohet nga pushteti dhe që gjen realisht ose iluzivisht mbështetje nga poshtë.

Përsëri i njejti monolog. E rëndësishme është që në shtyp “masat” të transmetojnë nëpërmjet mediave atë informacion, ato mesazhe, që mbështesin pushtetin. Revoltat janë të censuruara. Pakënaqësitë janë të censuruara. Dëshprimin kolektiv është i censuruar. Shprehja e interesit personal është e censuruar. Mungesat e mallrave në treg janë të censuruara. Krimi është i censuruar. Jeta në burgje dhe në kampe përqendrimi është e censuruar. Informacionet mbi liritë politike në Perëndim janë të censuruara. Media i kthen pushtetit ato informacione që pushteti kërkon të dëgjojë, të kapë nga aktualiteti i ditës. Gjithçka tjetër kthehet në mosqenie.

Në kanalet e mediave, a qarkullojnë edhe lajme të vërteta? Përgjigja është pohuse : “Po!” Nëse informacioni i vërtetë për një ngjarje apo një problem, të brendshëm ose të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e cënon ideologjinë e pushtetit, politikën e ndjekur, nuk e rrënon sistemin politik dhe institucional totalitar, pra nuk bie ndesh me inkuadrimin e MASAVE rreth PUSHTETIT, ky informacion i vërtetë, sado i pjesshëm që të jetë, ai mund të transmetohej nga mediat zyrtare. Tjetër punë se ky informacion i vërtetë vjen gjithnjë e duke u ngushtuar me kalimin e vtiteve. Sa më tepër që rregjimi futet në një krizë ekonomike dhe politike të brendshme, sa më shumë ai izolohet nga jashtë, aq më shumë mediat që ka në vartësi privohen nga e drejta për të dhënë lajme të vërteta. Tjetër punë nëse informacioni i vërtetë i transmetuar është qendror apo periferik në krahasim me prirjet e përgjithëshme të shoqërisë. Shpesh herë është i vërtetë një informacion që prek periferitë e ngjarjeve kryesore të kohës. Tjetër punë që informacioni i vërtetë mblidhet me thërmija, aty – këtu, dhe mbi të gjitha vishet me një rrobë ideologjike që e përçudnon atë. E më në fund, edhe ai informacion i vërtetë që jepet, në fakt, i shërben manipulmit të publikut, sepse me anë të tij kërkohet të rritet besueshmëria te mediat zyrtare të pushtetit totalitar.

Përderisa lufta që bëjnë amerikanët në Vietnam në vitet ’60 tregon se rendi botëror i kohës nuk është i mbështetur në marrëdhënie të paqes, atëhere përse të mos jepen lajme dhe informacione nga lufta në Vietnam?

Pra, roli parësor i mediave totalitare nuk është aspak ai që konsiderohet në mënyrë klasike për mediat në përgjithësi. Nuk është e thënë se ato janë instrumente të informacionit masiv. Informimi i publikut është një nën-funksion që varet, në fakt, nga detyra të tjera prioritare të tyre. Varet nga fakti sesa i shërben ai inkuadrimit të masave rreth pushtetit, pra sa ai realizon manipulimin masiv për të bërë të pranueshëm nga publiku të politikës së ditës, të sistemit politik, pra të jetesës në një shoqëri me të drejta individuale krejtësisht të cunguara.

Jeta në kampet e internimit të kundërshtarëve politikë dhe të familjeve të tyre nuk vlen të njihet nga publiku sepse krijon të çara në ndërgjegjen e tij kolektive dhe tregon aspektin represiv të rregjimit. Atëhere mbi të nuk do të ketë informim të publikut. Por, nëse rendimenti i prodhimit të grurit në një kooperativë bujqësore është rritur, atëhere, kjo po, ajo është një ngjarje që mund të përbëjë lajm, sepse mund të përdoret si propagandë për të treguar efikasitetin, në fakt të munguar, të ekonomisë socialiste.

Mediat përbëjnë një sistem që i ngjan me një UNË gjigand që funksionon duke përthithur si informacion nga jashtë vetëm ato lajme dhe mesazhe që përputhen me strukturat e veta të brendëshme ideologjike dhe politike. Po ashtu, ai vepron si një sistem, që transmeton, pasi ka filtruar dhe ruajtur vetëm atë informacion që është në përputhje me strukturën dhe subjektivitetin e vet të brendshëm. Në këtë mënyrë, mediat i ngjajnë një subjeti stërmadh që gjithë kohës komunikon vetëm me veten e tij, domethënë me pushtetin që e zotëron atë, ndodhet kështu në një proces monologu social. Gjithëçka që ndodh, pasi të interpretohet brenda strukturave kuptimore, ideologjiko-politike që drejtojnë mediat e kohës, mund të përpunohet si lajm, të transmetohet, të ritransmetohet pa pushim. Pjesa tjetër e informacioneve eliminohet pa mëshirë, pa vrasje ndërgjegje profesionale, eliminohet thjesht dhe pastër, mbetet në errësirë, me fjalë të tjera, sikurse do të thoshte Spinoza, trajtohet vetëm si një “aksident”, si një ngjarje e rastësishme për të cilën nuk ia vlen të flitet, sepse nuk ngre peshë.

Puna nuk është se ky mënjanim i informacioneve të sikletëshme ndodhjo gjithëmonë në mënyrë të qëllimshme. Gazetari, apo drejtuesi i shtypit, shpesh tërësisht i indoktrinuar, mendon vërtet së këto lajme janë pa kurrëfare rëndësie, sepse ata e shohin botën me syzet e propagandës, të së cilës janë edhe autorë, por edhe viktima. Sa më pak që raliteti shoqëror dhe politik, apo kulturor, i kohës përputhet me parimet e inkuadrimit të masave me pushtetin, aq më e rëndësishme dhe e madhe bëhet pjesa e lajmeve të vërteta që eliminohen duke u privuar nga mundësia për të qarkulluar në kanalet zyrtare mediatike. Reciprokisht, aq më shumë rritet orientimi i publikut drejt mediave të huaja, të censuruara, dhe aq më shumë ndizet e punon sistemi i komunikimit sy më sy nëpërmjet thashethemeve që janë një farë kundër-informimi popullor, masiv, që i kundërvihet politikës të rregjimit për të kontrolluar komunikimin. Mediat zyrtare kanë kështu një funksion të rëndësishëm zbrapës, censurues, ndaj informacionit të vërtetë të padëshirueshëm.

Kur flasim për komunikimin masiv, nënkupojmë menjëherë edhe përdorim e termit MASA. Por, çfarë janë në të vërtetë këto masa në një shoqëri totalitare?

Për t’a kuptuar realisht përmbajtjen e këtij koncepti duhet pranuar se në kuptimin e masave popullore ndikojnë dy procese unifikuese. Masa në këtë rast nuk është aspak tërësia e individëve të ndryshëm nga njeri tjetri në opinione dhe qendrime politike dhe ideologjike. Individët i kanë lënë tashmë prapa krahëve dallimet midis tyre. Seicili prej tyre bën pjesë, ose konsiderohet se bën pjesë, në një INDIVID të madh, të vetëm. Në fakt, pushteti dhe sistemet e tij të komunikimit e konsiderojnë masën si një njeri të madh të vetëm. Individët realë, me pikëpamjet, interesat, bindjet e ndryshme të tyre në fakt janë të përjashtuar nga komunikimi masiv. Si individë të veçantë, sikurse i quante Hegeli, ata nuk shfaqen në hapësirat e komunikimit publik. Në komunikimin masiv merr pjesë vetëm “individi abstrakt”, kuptimi pra i unifikuar që mediat kanë për çdo njeritë veçantë dhe bashkimin e tyre në një masë unike njerëzish.

Realisht ky “individ abstrakt” sigurisht që nuk ekzsiton. Ai është një prodhim imagjinar i mediave të drejtuara nga propaganda në fuqi. Në fakt, media nuk komunikon kështu veçse me veten e vet, sepse publiku që ajo i referohet, “individi abstrakt”, në të vërtetë nuk ekziston fare. Mediat komunikojnë me hijen e vetes së tyre, me shëmbëllimin që ato vetë kanë prodhuar, “bashkëbisedojnë” me masat popullore sa kohë këto janë të manipuluara dhe i binden ideologjisë zyrtare që vetë mediat transmetojnë te to. Pra mediat komunikojnë jo me publikun real, por në boshllëk. Ato janë kështu edhe krejtësisht egologjike, bëjnë monolog, flasin me vete, ose me shembëllimin e tyre, me projektimin e vetes së tyre, janë narcisike, pra nuk njohin veçse veten e tyre, janë edhe autiste nga ana sociale, meqë nuk marrin mesazhe nga bota e jashtme veç atyre që konfirmojnë kuptimin që këto media kanë për realitetin.

– Monolog.

– Narcizëm institucional

– Autizëm social kolektiv

Ja, tre karakteristikat brenda të cilave mediat zyrtare realizojnë atë që quhet komunikim masiv.

Mrëpo, veç procesit që përshkruam më lart, ndodh edhe një unifikim i dytë. Masa, në kuptimin që u paraqit më lart, pra “individi abstrakt” unifikohet me pushtetin, duke realizuar institucionalisht dhe ideologjikisht, në imagjinatën politike sunduese një strategji krijimi të një uniteti global të masave me pushtetin. Krijohet pra, një tërësi unike absolute. Masa, në kuptimin që e merr atë pushteti, i komunikon këtij të fundit, me anë të mediave zyrtare, po ato mesazhe politike që vetë pushteti iu ka komunikuar publikut që e përmbledh brenda konceptit “publik masiv”, ose masa popullore. Pushteti i komunikon masës ato informacione që e ndihmojnë atë t’a grupojë këtë masë rreth vetes së vet. Kurse, masa i komunikon pushtetit po me anë të mediave zyrtare të njejtin reagim, pra një “feed back”, pikërisht brenda kuadrit kuptimor të strategjisë të këtij inkuadrimi politik totalizues. Gjithçka që del jashtë, ose ngrihet kundër këtij modeli, nuk hyn dot në përpunim dhe transmetim nga ana e mediave zyrtare.

Mesazhet informative që qarkullojnë brenda mediave zyrtare, si kur ato shkojnë nga maja e pushtetit drejt shoqërisë, si kur ato kalojnë nga baza e shoqërisë drejt majave të pushtetit politik, detyrimisht riprodhojnë parimet dhe normat politike, juridike dhe ideologjike në fuqi. Prandaj më shumë se një komunikim social, kemi të bëjmë me një vetë-komunikim, një rrethqarkullim të informacionit (masa i thotë pushtetit, atë që pushteti i thotë masës), brenda një strukture që nuk lejon dallimet e vërteta ideologjike dhe politike në të shprehurit publik, sepse ky i fundit nuk është aspak i lirë. Gjithçka përmblidhet brenda një strukture unikale, të vetëmbyllur. Në këtë mënyrë media shfaqet në funksionin e vet përasor, si mekanizëm propagandistik, politik dhe social unifikues.

Herë pas here, e gjitha kjo në media merr forma të ekzagjeruara që kanë nuanca përgjithësisht tragjike, por edhe komike. Edhe njerëz që në mënyrë natyrale do të duhej të shprehnin pakënaqësi ndaj rregjimit, vihen të shprehen në shtyp dhe në media për t’a përkrahur atë.

Po sjellim dy raste ndër pa fund të tillë.

Viti 1945. Koçi Xoxe, në atë kohë ministër i brendshëm dhe sekretar organizativ i komitetit qendror të partisë komuniste, figura e dytë politike më e fuqishme e kohës, është duke bërë një vizitë në qytetin e Korçës. Media e ndjek nga pas duke e mbuluar vizitën në fjalë me reportazhe relativisht të gjatë. Koçi Xoxe, atje, ndër të tjerë, takon edhe tregtarë që shteti i ka tatuar rëndë nëpërmjet atyre që janë quajtur “tatime të jashtzakonshme”, iu kishte grabitur, me një fjalë, mall e flori. Gjenerali, sikurse thuhet për Koçi Xoxen në shtypin e kohës, takon edhe të afërm, nëna, motra, të atyre që kishin qenë dënuar për krime politike. Cfarë i thonë ata njeriut të fortë të rregjimit që sapo ishte instaluar? Le të riprodhojmë atë që shkruan gazeta:

“Përpara se të fillonin bisedimet tregtarët shfaqën pendimin e tyre për sjelljen jo të mirë në ditët e para të caktimit të tatim-fitimeve të jashtëzakonshme, si edhe ndonjë ankim për veprimet e rrëmbyera të disave në fillim :

“Sidomos ne tregtarët e mëdhenj – tha z. Qiriako, tregtar grosist i njohur, ramë në një gabim të madh që nuk paguam menjëherë shumat që na ishin caktuar… Tashti e kuptojmë se taksa që na u caktua është shumë e drejtë dhe e logjikshme, sepse ne sot jemi më në gjendje se kushdo tjetër të kontribuojë në njohjen dhe mbrojtjen e shtetit të ri.”

Nëna e një të dënuari me vdekje kërkonte t’ia falnin dënimin të birit, jo sepse ky nuk qe fajtor për krimet për të cilat e akuzonin, por sepse ishte bir i vetëm. Por, nëna e një dëshmori që ndodhej njëkohësisht atje, ballë për ballë, ia priti me zjarr :

“Ti lutesh moj motër, por nuk e di se ay për të cilin kërkon falje u ka plagosur zemrën shumë nënave e motrave…”

Dhe e shoqja e një të dënuari tjetër shtroi : “Mos kij merak nëno, se e drejta sot del në shesh; nuk bëhet sot asgjë e padrejtë. Këtë e kam provuar vetë…”

“Po, po, përsëriti Gjenerali – sot triumfon drejtësia. Është populli që gjykon dhe populli është kurdoherë i drejtë dhe bujar…”

“Faleminderit o bir, thërriti një nënë tjetër që e kishte të birin në burg, u njoftë Qeveria së shpejti.”

Të gjithë, gjer nënat e të dënuarve kërkojnë me këmbëngulje njohjen e Qeverisë dhe e shfaqin parreshtur këtë dëshirë.”

Përsëri jemi në vitin1945.

Dy korrespondentë të gazetës Dayli Telegraph, Huchinston dhe Edwards, bëjnë një vizitë në burgun e të dënuarve ordinerë (sikurse e quan shtypi) dhe në atë politik të Tiranës. Kolegu i tyre shqiptar që i shoqëron në këtë vizitë e përshkruan kështu një pjesë të takimeve që ata bëjnë : “Nga burgu politik shkuam në burgun ushtarak. Sapo hymë pamë në një sallë të madhe dhe të stolisurë nonja 20 të burgosur analfabetë që mësonin shkrim e këndim. Pastaj shkuam nëpër sallat e tjera. Të gjithë të burgosurit çfaqën kënaqësinë e tyre për mënyrën e mbajtjes që iu bëhet atje dheb thnë se, dënimin që iu është dhënë e meritojnë, asnjë nga ne këtu nuk është burgosur pa të drejtë. Ne kemi besim tek qeveria jonë dhe jemi me të, kemi një gjë t’iu themi vetëm: ju falenderojmë për njohjen e qeverisë sonë.”

Përderisa maja e pushtetit mediatik dhe e atij politik janë të njehsuara, edhe në planin njerëzor, pushteti dhe media kontrollohen nga i njejti grup njerëzish. A rrjedh prej këndej se midis mesazhit që transmetohet nga mediat dhe asaj që “mendohet” prej pushtetit nuk ka dallime? Përgjigja është negative. “Jo!” Nga njera nuk rrjedh medoemos edhe tjetra. Ka raste kur ligjërimi politik brenda strukturave drejtuese partiake apo shtetërore, propaganda dhe përmbajtjet mediatike, janë e njejta gjë.

Atë çfarë ”mendon”, pushteti e transmeton, e komunikon me anë të sistemit të mediave zyrtare. Por, ka edhe raste të tjerë, kur ai nuk lëshon veçse sinjale të zbehtë të asaj çka përpunon si strategji brenda një grupi shumë të vogël individësh që kanë zenë majat e hierarkisë së pushtetit. Ky grup drejtues politik nuk mungon t’i orientojë mediat që ato të transmetojnë mesazhe dhe informacione që nuk paraqesin të vërtetën për atë çka është duke u përpunuar në “kuzhinat” më të fshehta të pushtetit. Kjo ndarje në mes tyre është e dallueshme dhe e përsëritshme sidomos në periudhat fillestare të prishjes së marrëdhënieve politike të Shqipërisë gradualisht me jugosllavët, sovjetikët, kinezët.

Një pyetje tjetër që ka vend të shtrohet është si më poshtë: Veç funksioneve zyrtare që i ngarkon pushteti, a marrin mediat edhe funksione të tjera të ndryshme, të kundërta, me të parat? Kur flitet për mediat kuptohet i gjithë sistemi i tyre, pra, duke përfshirë edhe teknologjinë e informacionit që ato kanë në përdorim të tyre, apo ato pajisje që konsumatorët e mediave, publiku, zotëron në mënyrë të personalizuar.

Kjo pyetje të çon te një problematikë që ka të bëjë me marrëdhëniet midis politikës dhe teknikës që përdoret për kapjen e sinjalit që transmetojnë mediat.

Për t’i dhënë një përgjigje të besueshme këtij problemi, do të duhej të bënim disa dallime midis pajisjeve teknologjike me anë të cilave kapet nga ana e publikut informacionet që vijnë nga mediat e kohës:

  1. Pajisje, mjete, teknika që bëjnë të mundur kapjen e informacioneve të cilat vijnë nga vetëm një emetues dhe u transmetohen një numuri të madh receptuesish.
  2. Pajisje, mjete, teknika, me anë të cilave mund të merret lirisht informacion i ardhur nga disa burime lajmesh, të cilat kapen nga një numur i madh receptuesish.
  3. Pajisje, mjete, teknika, që marrin informacione njëherësh nga shumë emetues informacioni, i cili lejon filtrimin e tyre nga ana e një kontrollouesi, që në këtë rast është pushteti.
  4. Pajisje, mjete, teknika, që marrin informacion nga shumë emetues, pa kaluar nëpër censurën e pushtetit, pra të një kontrolluesi, por duke realizuar një kontakt të drejtpëdrejt të receptuesve me emetuesin e informacionit.

Aparaturat e radios dhe të televizionit plotësojnë karakteristikat që përmbahen te pika e dytë dhe e katërt. Me anë të këtyre aparaturave, sikurse dihet, mund të merret informacion nga shumë emetuesa njëherësh dhe kjo të realizohet duke e anashkaluar censurën e pushtetit. Cdo individ, sado i përbuzur nga ana e institucioneve, sado i dobët në mjetet e tija ekonomike, diku në një dhomë të ftohtë e të errët të një banese, në qytetin apo fshatin më të largët, mund të kapë me anë të radios dhe të televizionit të tij, sado të vjetër qofshin, sinjale të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Dhe pushteti, sado i fuqishëm që ai të jetë, nuk është në gjendje t’a pengojë këtë komunikim. Në këtë mënyrë, radioja dhe televizioni, si infrastruktura teknologjike të vendosura në zotërim të publikut nisin të shfaqin autonominë e tyre nga politika në fuqi. Ato nisin t’i dalin jashtë kontrollit shtetit.

Radioja dhe televizioni si teknologji janë ndërtuar mbi një parim moral dhe mendësi tjeter, krejt të kundërta, nga ato mbi të cilat bazohet një pushtet totalitar. Në fakt, janë dy kultura të ndryshme, të cilat fillimisht duket se mund t’i vijnë në ndihmë njera tjetrës, por, më pas, pasi zënë mirë pozicionet e tyre, fillojnë të “grinden”, hapin një betejë të vërtetë midis tyre.

Sikurse e theksuam, kultura politike e pushtetit totalitar i përdor mediat për të ndërtuar një monolog me shoqërinë. Qendra burimore e informacioneve është pushteti, periferia e fushës komunikuese, janë masat e popullit. Ndërkaq, kultura që krijon radion dhe sidomos televizionin e bën të barazvlershëm individin receptues me qendrën e emetimit të informacioneve, përsa i përket lirisë së tyre për të zgjedhur informacione. Televizioni dhe radioja, në dallim nga media e shkruar, janë të lira të japin ato mesazhe që dëshërojnë, por edhe çdo individ, pjesë e publikut, nga ana e tij, është i lirë të ndjekë vetëm ato kanale televizive dhe stacione radioje që ai dëshëron. Qendra informative nuk është më në gjendje t’a monopolizojë fushën e komunikimit masiv. Gazetën mund të mos e lexosh, por veç titujve zyrtarë të gazetave, është e vështirë të gjendet shtypi i huaj në Shqipërinë totalitare, sepse në hyrjen e tij, në dogana, zyra postale, nëpër biblioteka janë vendosur ndalesat censuruese të pushtetit.

Lexuesi i zakonshëm nuk ka akses te shtypi i huaj. Kurse për radion, sidomos për televizionin, gradualisht nuk ndodh kështu, sepse publiku nuk ndjek më mediat audiovizive zyrtare, por orientohet drejt burimeve të jashtme të informacionit. Në këtë mënyrë, radioja dhe televizioni, ndonëse hyjnë fillimisht brenda skenës së komunikimit politik si instrumente propagande, ato gradualisht rinjohin edhe një herë dinjitetin e individit, autonominë e tij, lirinë e tij për të zgjedhur. Me ardhjen e tyre në fushën e komunikimit masiv, krijohen mundësitë që nga “individi abstrakt’ të rilindi përsëri individi konkret, i veçantë, ai që ndjek shijet e tij, interesat e tij informative, që formohet si qytetar politik në mënyrë të lirë. E gjitha kjo brenda një shoqërie totalitare. Bota e komunikimit audioviziv dhe universi politik totalitar hyjnë në konflikt të ashpër midis tyre.

E vërteta është se beteja mes këtyre dy kulturave në Shqipëri vazhdon gjatë, për disa dekada, dhe është shfaqur me forma dhe intensitete të ndryshme. Ajo fillon veçanërisht pas viteve ’60 kur në Shqipëri nisin të hyjnë aparatet e para të televizorëve, dhe pastaj masivisht në vitet 80 kur Shqipëria tani prodhon vetë aparatura televizori.

Aparatet e radios dhe të televizorit të përhapur tashmë anë e mbanë territorit të vendit kapnin muzikë ose emisione informative të transmetuara nga dhjetra stacione radioje dhe televizioni të huaja. Publiku, i etur për zbavitje, më shumë tërhiqet nga muzika, sidomos ajo e lehtë, sesa nga informacionet politike që ato transmetojnë. Ndërkaq, aparatet e televizorit, sidomos në qytetet e mëdha, sidomos në zonat Perëndimore, Jugore dhe Veriore të vendit, kapin fare qartë emisionet televizive italiane dhe greke, poashtu jugosllave. Parimi i mungesës së kundrapushtetit informativ që duhet të karakterizojë shoqërinë totalitare nis e thyhet. E gjithë kjo përbën diçka të papranueshme për pushtetin. Ky i fundit mundohet të kundërpërgjigjet. Por edhe njerëzit kërkojnë rrugë të reja për t’a thyer izolimin informativ.

Radiotelevizioni dhe shtypi shqiptar tanimë janë të detyruar që një pjesë të forcave të tyre t’i konsumojnë pikërisht për atë që quhet kundër-propagandë. Krijohet pa dashur një rreth vicioz shterues.

Aparatet e radios dhe të televizorëve do të gjejnë përhapje piëkrisht për të qenë mjete të fuqishme propagande dhe përhapjeje të një politike që është në fuqi në Shqipërinë totalitare. Mirëpo, për shkak të natyrës së tyre, ato përhapin kundër-fakte propagandistike, ndaj të cilëve, po me anë të radios dhe të televizionit zyrtar, pushteti duhet t’iu përgjigjet. Ishte fare lehtë për propagandën totalitare në kohën kur ekzistonte vetëm media e shkruar. Burimet e huaja të informacionit kishin shumë pak hapësirë për të vepruar. Edhe kundër-propaganda kishte shumë më pak vështirësi për t’u realizuar. Kurse më pas, sa kohë aparatet e radiove dhe të televizorëve kishin bërë që njerëzit të pajiseshin me aparate marrëse të sinjalit radioteleviziv në shtëpitë e tyre, “murtaja” kishte hyrë tashmë në “qytet”. Krijohet në këtë mënyrë një ligjësi tjetër sociologjike. Sa më tepër zgjerohet rrjeti i marrjes së sinjalit radioteleviziv në Shqipëri, aq më të mëdha bëhen kundër-pasojat propagandistike të funksionimit të tij. Aq më shumë mediat dhe shtypi zyrtar duhet të harxhojnë kohë, mund, energji, për të neutralizuar pasojat e padëshërueshme që vijnë prej këndej, pra prej penetrimin në familjet shqiptare të emisioneve televizive dhe radiofonike që vijnë nga vendet perëndimore.

Për t’i bërë ballë situatës krijohet edhe një instancë që drejton kundër-propagandën nëpërmjet mediave. Një herë në muaj mblidhen mes tyre drejtues të lartë të mediave dhe propagandës: shefi i sektorit të shtypit në komitetin qendror të partisë të punës, drejtori i drejtorisë së jashtme në komitetin qendror të partisë, ndihmësi i sekretarit të komitetit qendror të partisë për propagandën, drejtori i shtypit i ministrisë së punëve të jashtme, të cilët koordinojnë detyrat dhe drejtimet e veprimtarisë të mediave kundër propagandës antitotalitare që vjen nga jashtë.

Më pas praktikohet ndërprerja e sinjalit televiziv nëpërmjet ndalimit të funksionimit të antenave përforcuese të sinjalit televiziv të ndërtuara vite më parë. Në vitet ’60 kur vetë shteti instalonte këto antena në maja malesh, sidomos mbi malin e Dajtit, askush nga zyrtarët e lartë nuk mendonte tjetër veçse për të përfituar kulturalisht dhe politikisht nga informacionet që do të merreshin me anë të tyre nga bota perëndimore. Kjo atëhere jo vetëm nuk përbënte ndonjë rrezik për pushtetin, por edhe konsiderohej si shumë pozitive. Sa më shumë informacione nga bota e jashtme, aq më shumë dituri, lajme, mundësi për qendrime të zgjuara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo që shihej një dhjetvjeçar më parë si diçka nga ku mund të përfitohej, tanimë, duke filluar nga gjysma e viteve ’70 quhej si diçka shumë e rrezikshme për fatet e pushtetit dhe rrezikonte të gërryente themelet e tij. Në vitet ’60 antenat riprodhuese të sinjaleve të televizioneve të huaja mbi territorin shqiptar nuk shiheshin me sy të keq. Kjo vinte sepse televizori ishte një privilegj i pjestarëve të elitës politike sunduese dhe nuk shërbente si një media popullore. Ndikimi i televizioneve të huaja nuk mund të shkonte kështu drejt publikut të gjerë për arësyen e thjeshtë sepse ai nuk zotëronte aparate televizori.

Por, kishte edhe një arsye tjetër. Pushteti ende nuk e kishte përvojën lidhur me kapacitetin influencues të televizioneve të huaja mbi publikun shqiptar. Konsiderohej një naivitet të dukshëm frika nga propaganda e huaj sepse procesi i quajtur i “edukimit komunist të masave”, pra sistemi i propagandës, mendohej se do të kishte një ndikim mbizotërues ndaj televizionet perëndimore. Dhe më në fund, gjatë viteve ’60, ende pushteti në Shqipëri e konsideronte veten të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, i mbështetur disi nga vende socialiste, i përkrahur fuqishëm nga Kina maoiste, pra ende nuk e shihte nga afër rrezikun e shpërbërjes së tij përpara botës perëndimore. Të gjithë këta faktorë kishin ndryshuar një dhjetvjeçar më pas. Kjo është edhe arsyeja se pikërisht në fillim të viteve ’70, pikërisht në kohën kur maja e pushtetit konstatoi se ndikimet e televizioneve të huaja ishin bërë shqetësuese, dhe rinia po imitonte modën perëndimore, artistët po jepnin shenjat e orientimit nga estetika e Perëndimit, nisi në

Shqipëri ajo që u quajt « Luftë ideologjike kundër shfaqjeve të huaja ». Televizori i familjes tanimë shihej si një objekt i rrezikshëm, si një kanal komunikimi që në vend t’i shërbente propagandës së partisë në fuqi që ajo të hynte në çdo shtëpi shqiptari, konsiderohej si një « diversant » që sapo kishte pushtuar vatrën familjare dhe mendjet e qytetarëve.

Televizori kishte dalë jashtë kontrollit.

Jo Televizioni, por Televizori.

Jo media si e tillë, por vetëm aparati marrës.

Kaq mjaftonte.

Po t’i kthehemi historisë së çështjes, antenat ripërsëritëse dhe përforcuese të sinjalit televiziv kontrollohen tashmë nga drejtoria e përgjithshme e radiotelevizionit shqiptar. Qysh nga viti 1973, pas atij që quhet plenum i IV i komitetit qendror të partisë të punës, një gjyq politik kundër lirisë të marrjes të sinjalit dhe përmbajtjeve televizive, antenat televizive në fjalë nisin të funksiojnë me hope. Kishte orare që ato mbaheshin në punë, kishte orare kur ato fikeshin. Në funksion të programacionit kryesisht të televizioneve italiane të grumbulluara atëhere rreth RAI –it Për më tepër vendosen ata që quhen « zhurmues », të cilët pengonin emisionet e huaja të padëshirueshme të mbërrinin në ekranet e tellevizorëve të shtëpisë. Një sistem shiritash dhe tinguj zhurmash shfaqen në ekran sapo nisin « punë » zhurmuesit, pra aparatura që zhurmonin sinjalin e huaj televiziv.

Mirëpo, këtu nis të lindë një problem tjetër i madh. Sinjali televiziv ndërpritet për të gjithë, pra edhe për udhëheqësit e vendit që kërkojnë, megjithatë, t’a ruajnë këtë kanal të pazëvendësueshëm informacioni për vete dhe për familjet e tyre, të cilat i konsiderojnë emisionet e huaja televizive, filmat dhe spektaklet muzikore, ndeshjet e futbollit, të transmetuara atje, si mjete të pazëvendësueshme argëtimi. Nuk janë gati të heqin dorë prej tyre.

Cështja bëhet gjithnjë edhe më e ndërlikuar. Disa emisione të huaja televizive, sidomos italiane, dhe në radhë të parë emisionet e lajmeve, dhe ndonjë tjetër, vlerësohej se mund të sillnin edhe ndonjë dobi, në të mirë të konfirmimit të predikimeve të propagandës zyrtare. Prandaj edhe lejohen të shihen nga njerëzit. Mafia, droga, kriminaliteti, etj., që shfaqen jo rrallë në emisionet e lajmeve të televizioneve të huaja, perëndimore, duket se japin një pamje të Perëndimit, e cila është në përputhje edhe me vështrimin që ka për të ideologjia sunduese e kohës në Shqipërinë totalitare.

Kështu nis “loja” me sinjalin televiziv të huaj. Ai herë “lëshohet” dhe herë ndërpritet, pengohet. Sipas përputhjes ose jo të përmbajtjes televizive që transmetohet me propagandën shtetërore dhe partiake në vend. Ishe duke parë një film, t’a zemë për veprimtarinë e një grupi mafiozësh në Itali, befas një skenë erotike, paksa e ekzagjeruar, ndjek sekuencat e mëparshme filmike. Menjëherë ekrani zbardhej.

Të gjithë e kuptonin se antena përforcuese e sinjalit e ka ndërprerë funksionimin e saj. Ishe duke ndjekur emisionin e lajmeve. Kronika zhvendosej në Vatikan ku ndodhte një dalje e Papës para publikut. Menjëherë sinjali ndërpritej sërish. Ai rifillonte pas një ose dy minutash, pak sekonda pasi transmetimi i kronikës së mëparshme, e gjykuar si e dëmshme për publikun shqiptar, kishte përfunduar.

E gjitha kjo strategji censure sillte mërzi, nervozizëm, pakënaqësi te audienca, por edhe një rast për t’u riprodhuar historira humori dhe satire shpesh cinike.

Një nga drejtuesit e këtyre praktikave censuruese, ka dëshmuar ndodhinë e mëposhtme, në intervistën e dhënë në kuadër të këtij punimi. Sapo ishte pushkatuar aty nga mesi i viteve “’70, ish ministri i mbrojtjes. Dënuar si puçist. Ndërkaq, në një emision lajmesh të transmetuar nga RAI, duket diku fytyra e tij, për fare pak të dhjetash të sekondës, dhe pastaj sinjali ndërpritet. Ekrani bëhet i bardhë. Nga maja e kupolës së pushtetit vjen vërejtja e rëndë që sinjali në këtë rast është ndërprerë me shumë vonesë.

Argumenti ku bazohej kjo vërejtje ishte se fytyra e ish ministrit të pushkatuar nuk duhej të kishte arritur fare të shfaqej në ekran. Kjo vërejtje iu transmetua edhe teknikut që kryente drejtpërdrejt atë mbrëmje operacionin e seleksionimit të imazheve televizive që vinin nga RAI. Kur e dëgjoi këtë vërejtje që mund t’i kishte kushtuar shumë, tekniku në fjalë, i hutuar, nxorri nga goja disa fjalë të paharrueshme nga ata që ishin rreth e rrotull tij : « Por, nuk po e kuptoj, si të bëj herën tjetër ? Si dhe përse do t’a ndërprisja unë sinjalin televiziv përpara sesa figura e ish ministrit armik të ishte shfaqur në ekran ?! »

Seleksionimi censurues vazhdon, çudia është se nuk ndërpriten në radhë të parë dhe përgjithësisht emisionet e lajmeve, por ato që kanë natyrë kulturore, argëtuese, muzikore dhe sidomos spotet publicitare për mallra të shoqërisë së konsumit. Është kjo anë e fundit sidomos që konsiderohet si më delikate. Si më e rrezikshmja. Si më e papranueshmja. Këto mallra konsumi janë ato që i mungojnë më shumë se çfarëdo gjë tjetër publikut shqiptar. Aty është thëmbra e Akilit e shoqërisë shqiptare, e mbështetur te kursimi dhe jeta spartane, e varfër, rutinë. Pa argëtimin e mjaftueshëm. Në pamje të parë gjithçka do të dukej jo e zakonshme dhe normale. Do të pritej të kishte ndodhur veprimi i kundërt. Të ndërpriteshin emisionet e lajmeve dhe jo ato publicitare. Rëndësi do të kishte politika, jo reklama për veturat, tharëset e flokëve, parfumet. Por, nuk ishte ashtu, rreziku njihej shumë mirë nga vinte.

Televizioni në rradhë të parë krijonte një imazh tjetër për Perëndimin nga sa e paraqiste atë propaganda në fuqi. Këtë nuk e bënin emisionet e lajmeve, por emisionet publicitare, argëtuese, lojërat, spektaklet muzikore. Është aspekti dëfryes, jo ai politik, që e bënte të rrezikshëm televizionin italian. Është muzika e lehtë, dhe jo emisionet e lajmeve që e bëjnë të rrezikshëm një stacion televizioni italian, anglez, grek, jugosllav, radioje të huaj. Të rinjtë pasionohen pas bitëllsave, këndojnë në mjedisa të hapura publike pjesët e muzikës së lehtë italiane. Televizioni nis dhe krijon një imazh krejt tjetër për Perëndimin.

Për më tepër, ai krijon nevoja të reja për njerëzit, që shohin atje një jetë mes automobilash, vilash, pishinash, nevoja që nuk mund të përballohen kursesi nga ekonomia shqiptare e mbyllur brenda një izolimi tërësor. Informacionet nuk mund të censurohen dot më. Ata mund të marrin drejtpërdrejt nga radiot dhe televizionet perëndimore se çfarë mendon te shoqëria e zhvilluar e kohës, bota demokratike, për realitetin shqiptar. Nis një etapë tjetër e dinamikave të evoluimit të ndërgjegjes kolektive. Kritikë ndaj rregjimit nuk janë më vetëm shpirtrat liberalë brenda vendit, jo vetëm ata që janë prekur rëndë nga masat shtrënguese dhe shtypëse të rregjimit në fuqi, jo vetëm sshtresat e cënuara rëndë nga politika e shpronësimeve të pasurive dhe pronave private. Është e gjithë ndërgjegja kolektive e opinionit publik, e cila nis dhe bëhet gradualisht krittike ndaj rregjimit. Jo vetëm në sajë të gjendjes së përkeqësuar ekonomike, mungesës së lirive politike, por edhe sepse tanimë opinioni shqiptar arrin që t’a kundrojë botën shqiptare nga një pikë jashtë saj, e sheh veten me syrin e tjetrit, dhe tjetri është në radhë të parë televizionet e huaja, mediat e huaja perëndimore. Gjithnjë e më tepër, opinioni publik i beson më shumë asaj që transmeton në media një shoqëri perëndimore, të cilën nis dhe e adhuron me zili. Bota e atjeshme nis dhe i duket krejt ndryshe nga çfarë i komunikon propaganda zyrtare e regjimit.

Njerëzit i marrin vesh të gjitha komentet që bëhen në Perëndim për realitetin e shoqërisë shqiptare. Se çfarë bëhej realisht në Shqipëri, jashtë censurës mediatike të shtetit totalitar, e vetmja mënyrë mbetej t’iu drejtoheshe mediave të huaja perëndimore. Ato konsideroheshin burime të sigurta informacioni.

Paradoksi, ishte se sa më shumë pushteti i censuronte mediat perëndimore, aq më shumë ato bëheshin të besueshme nga ana e publikut vendas. « Përse do të censuroheshin televizionet e huaja, nëse ato që transmetoheshin atje, nuk do të ishin djegëse për pushtetin?” “Përse do të ndaloheshin nëse nukdo të kishte midis mesazheve të vërteta ?” – kështu mendonte njeriu i thjeshtë në vetminë e tij, a mbyllur në vatrën e tij të ngushtë dhe shumë modeste familjare. Aq më shumë, kjo besueshmëri nga televizioneve të huaja rritetj sa më tepër që mediat e Shqipërisë e vononin ose pengonin informacionin për atë që ndodhte kudo në botë apo në vend. Ky informacion, kur ishte i dëmshëm për propagandën zyrtare vinte me shumë vonesë te publiku shqiptar sepse mediat zyrtare hezitonin ta transmetonin. Vetëm kur skandali shpërthente, bëhej i njohur publikisht, atëhere kur ai nuk mund të fshihej dot më, ai hynte në hapësirat e komunikimit publik shqiptar. I filtruar, cunguar. Por, mediat e huaja perëndimore tashmë i kishin paraprirë atyre të Shqipërisë, e kishin njoftuar. Besueshmëria e tyre si burime të sigurta informimi rritej gjithnjë e më shumë. Midis opinionit publik vendas dhe mediave zyrtare shpallet një betejë komunikative, krijohet një marrëdhënie e ftohtë mosbesimi, në fillim në formë dyshimesh për informacionin zyrtar, pastaj një armiqësi e hapur, dhe më në fund një « divorc » i plotë dhe përfundimtar.

Kur është fjala për revolucionet e « kadifejta » që ndodhën në vendet e Europës qendrore, aq më tepër kur fjala është për dramacitetin e revoltës rumune në fund të vitit 1989, duhet thënë se publiku shqiptar ka rastin t’i shohë ngjarjet në televizion si një spektakël, si në një film të vendosur në skenë nga mjeshtër regjizorë. Dukej si një ndeshje futbolli. Gjithçka po përgatiste ndryshimin. Atë që do të duhej t’a realizonte në vendin e vet, publiku fillimisht e sheh në televizionet e huaja sesi e kryejnë popujt e tjerë.

Emisionet e huaja televizive mund të ndiqen në mjaft zona gjeografike të vendit edhe pa ndihmesën e antenave që përforconin sinjalin televiziv. Aparatet televizive fitojnë pavarësi nga këto antena. Shteti mund t’i fikë sa hërë të dëshërojë ato për të penguar sinjalin televiziv të ardhur nga jashtë, por kjo gjë nuk ndikon në ekranet televizive familjare që vazhdojnë të paraqesin emisionet e huaja. Në këto kushte uzina e prodhimit të televizorëve në Durrës hedh në treg aparate televizive pa qarqet e integruara që krijojnë mundësinë e marrjes së sinjaleve televizive nga larg, nga jashtë, pa pasur nevojë për përforcimin e sinjalit televiziv të ardhur nga jashtë. Teknika e aparateve televizivë marrës merr një përmasë kulturore që është krejtësisht në kundërshtim me atë të pushtetit totalitar. Por, njerëzit kundërveprojnë duke riprodhuar në mënyrë artizanale pajisjet e dosmosdoshme që të plotësojnë skemën elektronike që kanë mangët televizorët e tyre. Shoferët që punojnë në ndërmarrjet shqiptare të transportit të jashtëm nisin të të fitojnë parà me « grushta » duke bërë tregëti nëpërmjeet sjelljes nga jashtë të mikroprocesorëve për të cilat kanë nevojë aparatet televizive të prodhuaara në vend. Është më shumë një trafik i fshehtë, « çimkat » fshihen ku të munden, në sediljet e kabinave të mauneve gjigande, nëpër gomat e tyre, kontrollet në pikat kufitare bëhen shumë të imët. Dyshohet çdo shofer.

Fillon ajo që mund të quhet « lufta e antenave ». Grupe militantësh, shumica pensionistë, aktivizohen nga komitetet e partisë për të ushtruar presion moral dhe politik mbi ato familje, antenat e televizorëve të të cilave, janë të drejtuara mbi çati dhe tarraca ndërtesash banimi në atë mënyrë që të kapin sinjale televizive ardhur nga Perëndimi, apo janë të pajisura me më shumë elementë përbërës sa do të kishin mjaftuar për të kapur vetëm emisionet televizive të radiotelevizionit shqiptar.

Cdo veprim ka patjetër një kundër-veprim. Antenat televizive mbi çati dhe tarraca ngrihen natën nga ana e njerëzve, sapo erret, dhe ulen herët në mëngjes, pa u gdhirë. Fshihen nëpër pullaze. Njerëz, si fantazma, shfaqen mbi çatitë e shtëpive sapo nis e bie muzgu. Ecin lehtë mbi tjegulla. Bëjnë ushtrime gati prej ekuilibristësh. I gjithë qyteti duket sikur është mbushur me shpirtra që shëtisin natën mbi pullaze, ka plasur mania e « spidermanëve ». Qytetarët e kërkojnë lirinë e informacioni duke u kacavjerrur majave të kulmeve të shtëpive të banimit, apo duke u ngjitur si ketra mbi pemë, ku midis gjetheve të dendura të drurëve frutorë fshihen antena televizioni. Cmimi i këtyre të fundit nuk rresht së ngjituri. Vidhet llamarinë nga qendrat e punës. Artizanët që u vjen ndoresh për të montuar nga e para një antenë janë njerëzit më të kërkuar, më të çmuar, mes miqve, komshive, të afërmëve, miqve dhe shokëve. Është një zanat i fshehtë, i dënueshëm nga pushteti.

Shoqëria kërkon ekuilibrin informativ pa të cilin nuk mund të bëjë dot. Kur ia mohojnë, ajo nuk rresht derisa gjen të çarën që e të kapi informacioni i munguar.

Duhet kompensuar mungesa e informacionit. Pas çdo veprimi të pushtetit totalitar për t’a ngushtuar sferën e informacioneve nga burime jashtë vendit, vjen një kundër-përgjigje nga ana e shoqërisë për t’a zgjeruar me çdo kusht atë. Veprimet dhe kundërveprimet vazhdojnë dhe ndjekin njeri tjetrin duke përdorur seicili, gjithnjë e më tepër mënyra dhe djallëzi më të përpunuara, mjete përherë e më të ndërlikuar.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu