Përpara disa javësh shkruajta për samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë protagonistët dhe vëzhguesit e jashtëm ranë dakord se samiti ishte një takim miqësor, i mbushur me rrahje shpatullash dhe deklarata inkurajuese dhe se rezultoi në një asgjë të madhe. Përtej fasadës së një takimi të ngrohtë dhe miqësor ishte një samit i dështuar që nuk solli asnjë gjë konkrete dhe pozitive për pjesëmarrësit. Nga ana tjetër, këtë javë kishim samitin e Organizatës së Traktatit të Aleancës së Veriut në Bruksel. Një takim i mbushur me përplasje dhe fërkime intensive ndërmjet vendeve anëtare, por që tregoi se mungesa e fasadës së bukur ndonjëherë, për të mos thënë shpesherë, nuk do të të thotë mungesë substance.
Fasada e samitit u prish nga paraqitja dhe kërkesat e shtruara nga Presidenti Trump ndaj vendeve të tjera të NATO-s për të arritur normat e rekomanduara të shpenzimeve për mbrojtjen. Deklaratat e tij u panë nga shumë komentues si deklarata të cilat vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e aleancës. Trump përgjithësisht nuk ka një retorikë shumë orthodokse. Dhe ai nuk e ndryshoi këtë retorikë as në qasjen ndaj aleatëve të NATO-s teksa i kritikoi gjerësisht ata. Kanali dhe shprehia e komunikimit që Trump zgjodhi për të adoptuar janë të debatueshme, por mesazhi që ai përçoi ishte tejet i kalibruar. Më shumë se aq, ishte një përpjekje për ta fuqizuar aleancën.
Në vitin 2014 në samitin e Uellsit vendet anëtare të NATO-s vendosën që deri në vitin 2024 çdo shtet duhet të akordojë minimalisht 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Përveçse ishte një vendim unanim, deklarata e samitit të Uellsit krijonte një blueprint për forcimin e aleancës me qëllim përballimin e sfidave të mëdha gjeopolitike dhe garantimin e sigurisë së të gjitha vendeve anëtare.
Nuk duhet të jesh një gjeni ushtarak për të kuptuar se plotësimi i kritereve të dakordësuara është një garanci në të mirë të sigurisë. Vazhdimësia e aleancës është e një rëndësie strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për vendet europiane dhe plotësimi i obligimeve të shpenzimeve për mbrojtjen është gurthemeli i ruajtjes së vazhdimësisë. Pikërisht për këtë arsye, të gjitha supozimet se Trump po vë në dyshim ekzistencën e aleancës nëpërmjet presionit dhe sjelljes agresive ndaj vendeve aleate dështojnë në analizimin e motiveve reale për insistimin në arritjen e normave të caktuara. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Përmbushja e kritereve forcon aleancën dhe dekurajon aktivitetet agresive nga aktorë malinjë.
Kërkesa e SHBA ndaj vendeve të tjera anëtare të aleancës për të rritur shpenzimet respektive e ka gjenezën që në administratën e Presidentit Bush. Ishte Presidenti Obama që loboi fuqimisht për të konkretizuar premtimet në shpenzimet për mbrojtjen me objektiva të qarta që duheshin arritur nga të gjithë pjesëtarët. Këmbëngulja e administratës së tanishme amerikane për t’i arritur ato objektiva është një kontinuitet i nevojshëm për të garantuar të ardhmen.
Përtej rikonfirmimit të angazhimit amerikan për sigurinë e përbashkët, samiti i Brukselit dha dhe një sinjal tjetër shumë inkurajues. Me kushtin e implementimit të marrëveshjes së arritur me Greqinë në lidhje me emrin, Maqedonia u ftua zyrtarisht për të hyrë në aleancë dhe për t’u bërë së shpejti anëtari i tridhjetë i NATO-s.
Përveçse një lajm tejet pozitiv për vendet e Ballkanit, ftesa e kushtëzuar për Maqedoninë është dhe një shenjë se aleanca nuk heziton zgjerimin. Hyrja e Maqedonisë në NATO konsolidon prezencën e aleancës në rajon. Tashmë të vetmet vende që mbeten jashtë janë Kosova, për shkak të kushteve specifike që ka, Serbia dhe Bosnja që mbahet peng nga konstrukti kushtetues që lejon krijimin e bllokimeve nga influenca ruse dhe serbe. Reagimi i ministrisë së jashtme ruse që e kundërshtoi ftesën për Maqedoninë duke argumentuar se “vendi po thithej me forcë në NATO” flet shumë për rëndësinë gjeostrategjike të kësaj nisme.
Samiti i Brukselit nuk kishte vetëm përqafime dhe buzëqeshje, por kjo nuk e bëri më pak produktiv. Ky takim rezultoi të ishte tejet substancial si në ravijëzimin e përkushtimit financiar të të gjitha vendeve anëtare në çështjet e sigurisë së përbashkët, ashtu edhe në orientimin strategjik të aleancës. Sigurisht që tani nevojiten hapa konkretë në implementimin e piketave të vendosura gjatë samitit, por është padyshim në interesin e të gjitha vendeve anëtare që t’i përmbushin objektivat dhe të investojnë për një aleancë transatlantike sa më solide dhe të gatshme për të përballuar sfidat e të ardhmes.