Praktikat dhe raportimet bashkëkohore të gazetarëve karakterizohen nga një mungesë e qasjes kritike çka po mundësonon partitë populiste dhe mbështetësit e tyre të depërtojnë dhe manipulojnë mediat, e dalëngadalë, të depërtojnë dhe dëmtojnë proceset demokratike. Reporterët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të fillojnë të ndryshojnë këtë prirje.

Idetë dhe lëvizjet populiste po fuqizohen gjithnjë e më shumë në shtetet demokratike, duke vënë në diskutim parimet gazetareske të objektivitetit, raportimit të drejtë dhe të balancuar dhe kanë nxjerrë në pah defektet e praktikave të raportimit. Nëse gazetarët dhe mediat nuk i përgjigjen kësaj sfide, ne përballemi me një rrezik të qenësishëm të lirive themelore që qytetarët gëzojnë aktualisht.

Për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që shoqëritë përballen me një problematikë dhe sfidë të tillë. Populizmi ka gjetur vazhdimisht terren përgjatë historisë njerëzore, veçanërisht në ato vende që janë përballur me periudha krizash sociale, politike dhe ekonomike. Idetë populiste ndërtohen mbi ndjenjat individuale dhe kolektive të pasigurisë, frustrimit, pakënaqësisë dhe zemërimit të gjerë të qytetarëve.

Nëse do të rendisnim disa prej liderëve dhe organizatave populite të viteve të fundit, padyshim që në të do të përfshinim Silvio Berluskonin në Itali, Jean-Marie dhe Marine Le Pen të “Frontit Nacional” në Francë, Geert Wildersa në Holandë dhe Presidentin Donald Trump në SHBA. Ndërsa në radhët e organizatave politike janë “Alternative fur Deutschland” në Gjermani, partia “PiS” në Poloni, “Partia Pavarësia e Mbretërisë së Bashkuar” apo dhe “Tea Party” e lëvizjet “Occupy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mbështeten në elementë të ideologjisë dhe retorikës populiste.

Këto ideologji janë të fuqishme sepse mbështeten në frikën e qytetarëve të një shteti, si: kërcënimi që vjen nga të huajt, humbja e identitetit, zvogëlimi i autonomisë, humbja e privilegjeve materiale dhe e ardhmja e pasigurt. Këto janë frika ekzistenciale dhe nuk mund të injorohen. Kërkimet shkencore kanë treguar se nivelet e larta të pasigurisë, kërcënimit dhe ankthit prodhojnë reagime fiziologjike dhe psikike të joracionale. Sa më shumë rritet perceptimi për këto rreziqe aq më shumë qytetarët janë të prirur për të mbështetur lëvizjet populiste.

Populizmi përbën një sfidë edhe për gazetarinë, gazetarët dhe të gjithë ata persona që besojnë në fakte dhe janë vazhdimisht në kërkim të argumenteve racionalë. Baza e mbështetjes së liderëve dhe ideve populiste gjenerohet nga keqinformimi i individëve të cilët priren të pranojnë dhe besojnë fjalët e politikanëve. Ata ndjekin dhe i përgjigjen verbërisht fjalimeve dhe veprimeve të tyre spektakolare politke. Duke qenë se janë pjesë e kësaj hipnoze që vjen nga keqinformimi, qytetarët injorojnë provat e kundërta, argumentet logjike të ekspertëve sepse ata besojnë se këto janë pjesë e një teorie konspirative dhe besojnë se janë personat e vetëm që e kanë kuptuar të vërtetën.

Populizmi bashkëkohor karakterizohet nga një sërë elementesh të përbashkët: pakënaqësinë me performancën qeveritare, zemërim mbi regresin ekonomik dhe nivelin e punësimit, frikë dhe rezistencë ndaj fluksit të emigrantëve dhe gatishmëria për ti dhënë shpjegime e zgjidhje sempliste shumë situatave. Përfaqësuesit qeveritar perceptohen sikur janë të kontrolluar nga elita të korruptuara që duhen medoemos larguar. Ndarja e qartë e pushteteve legjislativit, ekzekutivit dhe atij gjyqësor nuk është i dëshiruar pasi konsiderohet si pengesë e efektivitetit qeverisës. Pikëpamjet e tyre mbi botën përmbajnë elementët të theksuar nacionalist dhe të politikës së izolimit. Për të promovuar këto pikëpamje liderët populist vazhdimisht përdorin hiperbola, deklarata qëllimisht të transformuara dhe demagogji. Përgjithësisht ata reflektojnë sjellje narciste, retorika e tyre ndjell rekrutime të reja dhe deklaratat bombastike shpesh herë përbëjnë kryetitujt e historive të raportuara në media.

Dështimet në mbulimin mediatik

Janë mekanizmat vulnerabël në përzgjedhjen e lajmit që liderët populist përdorin për të qenë kaq prezentë në media.  Duke publikuar deklaratat e tyre të çuditshme dhe duke u përpjekur që të  raportojnë fjalimet e aktivitetet e tyre në mënyrë të saktë, gazetarët “bien pre” e shfrytëzohen prej tyre dhe në mënyrë indirekte shtrembërojnë të vërtetën.

Idetë djallëzore që cenojnë demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe dijen përhapën në mënyrë sempliste, pa një qasje kritike nga gazetarët duke dëmtuar vlerat themelore mbi të cilat janë ngritur praktikat e gazetarisë cilësore.

Problemi qëndron pikërisht te mekanizmi i selektimit të lajmit që gazetarët kanë e që konsiston te historitë e pazakonta, të papritura, ngjarjet devijante. Tubimet e liderëve populistë dhe fjalimet e tyre përfshin të gjithë këto faktorë, për të tërhequr vëmendjen e medias dhe gazetarëve. Kjo qasje raportuese s’bën gjë tjetër veçse ndihmon lëvizjet populiste dhe përhapjen e ideve të tyre, në dëm të të vërtetës.

– Raportimi i saktë i ngjarjes, mund të jetë i gabuar!

Shumë media raportojnë në mënyrë të saktë fjalimet, deklaratat dhe retorikën populiste. Por të raportosh një takim në mënyrë të saktë, të drejtë dhe balancuar, s’do të thotë se në kontekstin e përgjithshëm nuk ke rënë pre e manipulimit.

Dështimi “i saktësisë” së një raportimi nis atëherë kur gazetari i qëndron besnik fjalëve të thëna pa dhënë një panoramë të plotë për opinionin publik. Kur historitë janë të mbushura me deklarata dhe informacione false, mbi të cilat gazetari nuk ngre pikëpyetje ose nuk i vë përballë palëve të tjera, efekti i pritshëm është që një pjesë e publikut do ti marrë ato si deklarata të vërteta. Gazetari cilësore është ajo që identifikon për audiencat pohimet dhe informacionin e dyshimtë dhe jo të mjaftohet vetëm me citimin e saktë dhe korrektë të tyre.

– Raportimi i pa verifikuar

Dështimi i dytë i raportimit gazetaresk qëndron në publikimin e informacioneve dhe deklaratave pa i verifikuar ato më parë dhe pa i vendosur në kontekst. Gazetari i detyrohet publikut dhe shoqërisë që informacioni në cdo artikull që publikon të jetë sa më i verifikuar i mundshëm, në funksion të të vërtetës. Kjo do të thotë se puna e reporterit është shumë më tepër sesa thjesht publikimi korrekt i deklaratave mes dy kandidatëve, por të kërkojë për të dhëna ose kundër argumente që vërtetojnë se këto qëndrime mbështeten në informacione të pasakta ose të paverifikueshme. Gazetari duhet të analizojë deklaratat, të evidentojë faktet dhe aludimet.

– Raportimi i balancuar mund të “turbullojë” të vërtetën  

Shpesh herë, për hir të raportimit të balancuar – që konceptohet se historia ka gjithnjë dy anë të medaljes që duhen raportuar – mund ta bëjë publikun më konfuz për të kuptuar të vërtetën. Në fakt, një histori mund të ketë jo dy, por shumë këndvështrime. Problemi nis kur baraspeshohen argumentet në një ngjarje të caktuar, për hir të këtij parimi gazetarie. Ndonjëherë ka ide, deklarata dhe qëndrime populiste që jo vetëm duhen injoruar por edhe denoncuar. Jo çdo ide ka të njëjtën peshë mendimi dhe prezantimi publik nuk duhet të jetë i njëjtë.

Detyra e gazetarit në këtë mes është të ndihmojë publikun të dallojë mes një ideje racionale dhe asaj irracionale. Elementi i baraspeshimit bëhet akoma më problematik kur gazetari një qëndrim të vërtetë, për “detyrim profesional” i duhet ta balancojë me një deklaratë të bazuar një informacion fake!

E si mund të balancosh të vërtetën dhe gënjeshtrën?! Në këto raste, nëse gazetari do të qëndronte neutral do të kontribuonte në shpërndarjen e një qëndrimi që ai është i vetëdijshëm se është i rremë.

– Gazetarët duhet të jenë të drejtë, por pikësëpari, me publikun

Një problematikë e katërt ka të bëjë me raportimin e drejtë. Sigurisht, gazetarët e kanë detyrim që të jenë të drejtë dhe të ndershëm me objektin dhe subjektin e raportimit. Por të jesh i drejtë me dikë, qoftë ky dhe burimi i tij, nuk do të thotë të lejosh keqinterpretim, ekzagjerime dhe informacione të rreme. Sa herë që gazetari ndodhet në një dilemë të tillë, për të qenë i drejtë me subjektin raportues, duhet të kujtojë, se detyra e tij primare, kontrata e tij është me publikun. Mes të dyve, pa asnjë dyshim që interesi publik prevalon.

– Populistët janë të aftë të kontrollojnë praktikat gazetareske

Çështja e pestë ka të bëjë me injorimin ose heshtjen e gazetarit përballë manipulimit të audiencës. Shumë liderë me prirje populiste kanë mësuar sesi të kontrollojnë praktikat gazetareske dhe të përdorin raportimet në interes të tyre. Këtu vëmendja e reporterëve duhet të shumëfishohet, veçanërisht, kur këto politikanë i adresohen tematikave të sulmeve terroriste, emigrantëve, Lindjes së Mesme apo stanjacionit ekonomik. Nëse gazetari nuk arrin të parashikojë efektin e raportimit të tij, atëherë do të bjerë pre e manipulimit të ideve populiste, dhe është bashkëfajtor për përhapjen e tyre.

Si të mbulosh liderët populistë, pa u bërë një zëdhënës i tyre?

Sigurisht, që gazetarët e kanë të vështirë të ndihmojnë publikun e frikësuar apo të keq informuar nga idetë populiste pasi ato nuk janë lexues apo shikues të rregullt të raportimeve gazetareske cilësore. Megjithatë, audienca që e ndjek këtë lloj gazetarie, duhet t’i kuptojë rreziqet e këtyre ideve. Reporteri duhet të identifikojë dhe të ketë një qasje kritike ndaj këtyre qëndrimeve, për të penguar rekrutimin e mbështetësve të rinj.

Duhet të jemi të kujdesshëm dhe vetëdijshëm për efektet e qëllimshme dhe paqëllimshme që raportimi ynë do të ketë mbi audiencat, duke shpëtuar nga manipulimi. Jemi të vetëdijshëm se praktikat gazetareske nuk janë të shenjta, por janë mjete që na ndihmojnë për t’i shërbyer më mirë publikut dhe shoqërisë. Raportimi i pamenduar dhe mungesa e qasjes kritike mund të jetë e rrezikshme. Ne duhet vazhdimisht të pyesim veten nëse por raportojmë në mënyrë të ndershme për publikun dhe shoqërinë tonë.

Populizmi është një kërcënim i vazhdueshëm për demokracinë. Është përgjegjësia jonë si qytetarë dhe gazetarë t’i përgjigjemi me profesionalizëm dhe të informojmë publikun mbi këtë rrezik. E ardhmja e demokracisë varet nga qasjet tona kritike dhe raportimi cilësor.

Artikulli është publikuar në European Journalism Observatory dhe u përshtat në shqip nga Elvin Luku

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu