Ky synopsis paraqitet në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarëve të rinj nëpërmjet promovimit të vlera profesionale” dhe  përfaqëson reflektimin dhe interpretimet mbi rezultatet e një sondazhi që ka monitoruar tregun e punës të gazetarëve në Shqipërinë e vitit 2019. Ky studim ka patur si synim për të njohur në gjendjen e statusit soci-profesional të gazetarëve, tipologjitë e ndryshme të praktikave të tyre në ushtrimin e profesionit, si edhe marrëdhëniet e tyre me aktorët e tjerë të industrisë të medias. Është konceptuar edhe si një instrument dhe mundësi për të matur shkallën e diferencës midis dijeve që merren në universitet dhe nivelit të kompetencave praktike dhe profesionale të gazetarëve në treg – çështje sensitive për t`u diskutuar për këdo gazetar që operon profesionalisht në tregun e brendshëm.

Konstatime terreni

Tregu i medias është i copëtuar dhe gazetarët janë shumë të shpërndarë, në terren janë sonduar 10 televizione, 9 gazeta, 16 portale, 5 revista dhe 8 radio ; 48 media nga 58 në total që ishin parashikuar – afërsisht 20 % e mediave nuk janë realizuar për shkak tëcopëzimit të tregut. Vetëm një media ka patur më shumë se 20 gazetarë të intervistuar, 10% e mediave kanë qenë me mbi 10 gazetarë, 20 % janë me më pak se 10 por më shumë se 5, ndërkohë që deri në 5 gazetarë janë 70% e mediave.

Sa më lart në hierarkinë e medias intervistuari, aq më kollaj aksesi për të kryer intervistë, sa më poshtë në hierarki aq më vështirë . Në ndonjë rast gazetarët e nivelit bazë dyshues se pyetësori ishte i porositur , dhe intervistuesit si « agjenturë » e brendshme e drejtuesve të medias.

Veçoria tjetër ka të bënte me formimin e gazetarëve dhe redaktorëve të intervistuar, 30-40% e të anketuarve janëme formim në gazetari

Në asnjë rast nuk ka patur një dokument zyrtar të vulosur nga zyra e financës apo ajo e burimeve njerëzore, që të ketë përcaktuar numrin ekzakt të gazetarëve të punësuar,  qëtregon se shkalla e informalitetit në punësimet e kryera të mos jetë e vogël.

Konstatime që vlejnë si pika diskutimi

Pjesa dërrmuese e kohës e gazetarit kalon në procese ndihmëse ose mekanike, si agregim lajmesh, apo mbledhje deklaratash të lëshuara politikanëve. Gazetari, më shumë se prodhues, konceptues dhe krijues i informacionit, është transmetues informacioni.

Përqendrimi piramidal i pronësisë së mediave plotësohet nga hierarkia piramidale e personelit të gazetarëve, ku ka një numër të madh reporterësh, dhe një grup të mirë paguar të punësuarish, që moderojnë emisione politike ose monopolizojnë kolonat e analizës.

Gazetari shqiptar është i mbingarkuar me kohë pune, i detyruar të japi sasi të konsiderueshme lajmesh pa iu respektuar profilizimi sipas përvojës dhe edukimit.

Tregu i punës i paqëndrueshëm, me kalime masive nga media konvencionale drejt mediave online, dhe me ndryshime të shpeshta vendesh punësimi.

Gazetari shqiptar i privuar nga mundësia për të bërë gazetari investigative. Gazetaria investigative është e kushtueshme dhe e pamundur të realizohet me modelin e mediave komerciale apo publike që kemi sot në Shqipëri

Gazetarët e konsiderojnë veten brenda shtresës të mesme nga pikëpamja e të ardhurave, ato japin pak mundësi për të pasur fuqi financiare për të konsumuar kulturë.

Gazetari i bazës duhet të përballojë një aleancë shumë të fuqishme aktorësh që kontrollojnë informacionin : Pronarët e mediave, gazetarët me pozita drejtuese dhe të mirë paguar, politikanët e lartë, si edhe reklamuesit e fuqishëm që blejnë kohë dhe hapësirë botimi.

Ka dallime midis nivelit të shkollimit dhe ushtrimit të profesionit të gazetarit. Në tregun e punës gazetari kryen operacione të një shkalle të ulët vështirësie, ndërsa gama e njohurive të tij, është shumë më e gjerë. Kërkesat e tregut të punës për profesionin janë më të ulëta sesa standardet që profesioni duhet të ketë në nivelin bashkëkohor.

Një numër i konsiderueshëm gazetarësh e kanë nisur angazhimin profesional qysh në bankat e shkollës, një pjesë e madhe prej tyre angazhohet në media profesionalisht qysh në vitin e parë pas mbarimit të studimeve universitare.

Shumë prej tyre mendojnë që studimet në nivelin bachelor janë të mjaftueshme fillimisht për të konkurruar në tregun e punës të gazetarisë, ç`ka reflektohet te prirja për t`u tërhequr nga studimet e nivelit master. Kalimi në studimet master është një rrugëtim drejt profesioneve të komunikimit masiv, jo te gazetaria dhe raportimi.

Gazetari që duhet të përforcojë rolin e qytetarit individualisht apo si opinion kolektiv publik në vetvete, ndodhet vetë në një gjendje të vështirë socio-profesionale, dhe me një status social të dobët. Pa një përmirësim rrënjësor të kuadrit ligjor që rregullon statusin dhe kushtet e punës të gazetarëve si vështirë të shpresohet se gazetarët do të jenë në rolin e tyre si garant dhe roje të demokracisë.

Artikulli eshte pjese e nje webinar-i te publikuar ne Citizens Channel. Titulli origjinal: “Gjendja profesionale dhe sociale e gazetarit shqiptar në statusin e përçuesit të informacionit”

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu