Përveç se ngritja e një “gjykate morali” që do të gjykojë lajmet përbën rast “sui generis” në të gjithë mëhallën që e quajmë Europe, duket se këto ndryshimet e reja ligjore synojnë edhe ruajtjen e monopolit të informimit tek mediat tradicionale.
Fakti që për të njëtin “fake news”, një portal me disa mijë lexues dënohet me një gjobë ku e ku më shtrenjtë se një TV kombëtar tregon më së miri se synimi janë pikërisht mediat online.
Sepse, gjatë këtyre viteve gjoja demokraci, pushtetet kanë treguar se mund ta arrijnë shumë lehtë kontrollin e mediave tradicionale, por zhvillimet e fundit me rrjetet sociale dhe mediat online treguan se nuk ka pushtet që i kontrollon dot ato.
Madje, tentativat për ti marrë nën kontroll janë kthyer në bumerang.
Përveç kësaj, nuk ka rast në botë që të vendoset për mbylljen e një medieje që vendimin të mos e japë gjykata. Madje, edhe në shtete autoritare, vendimin për mbylljen e një website apo ndalimin e aksesit në një profil në mediat sociale e jep gjykata.
Nuk është hera e parë që tentohet kontrollimi i përmbajtjes online, por duket se kësaj radhe e kanë shumë seriozisht duke u bërë madje rasti i parë që ngre një gjykate morali.
Në kushtet kur nuk kemi një kulturë të medias së lirë, dora e hekurt e shtetit si rregullator do të shkatërronte edhe atë që është ngritur deri më tani.
Tregu mediatik, sidomos ai online, ka nevojë të bëjë përmirësime rrënjësore, por kjo mund të bëhet vetëm me vetërregullim.
Dhe nëse do të flisnim për një rregullator të jashtëm, rregullatori më i madh për momentin mbi përmbajtjen online është vetë Facebook.
Disa ndryshime të algoritmave të bëra gjatë muajve të fundit skualifikojne vetë “fake news-in” në FB por edhe vetë domainin me kalimin e kohës, duke ia shfaqur atë gjithnjë e më pak ndjekësve.