Une nuk jam historian, por nganjehere të bien padashje në duar dokumente që të bëjnë të mendosh sesa fallcitet ka në historinë e shkruar, sa artificiale dhe e manipuluar është ajo, dhe do të jetë!

Thuhet se Shtrausi, kancelari i Bavarisë, politikan i lartë gjerman erdhi në Shqipëri, por deritani lihet të kuptohet se nuk dihet se çfarë e shtyu të vinte, ose bëhen supozime kot e më kot.

Dokumentet që më ranë në dorë fare rastësisht tregojnë çudinë që në fakt nuk është çudi. Pas 40 vjetësh nga koha e dokumentit, po i hap edhe unë pak, fare pak arkivat e mia!

Shtrausi erdhi i ftuar indirekt, mbase edhe direkt, i ndjellë, nga pala shqiptare, sipas direktivës të Enver Hoxhës. Kush nuk beson ta kërkojë dokumentin, sigurisht po e gjeti dot! Unë e kam parë dhe e di ku është.

Pse shefi i diktaturës në vitin 1984 u drejtua te Gjermania?

Sepse sikurse tregon dokumenti, nisur nga gjendja ekonomike e vendit, ai deklaron se sistemi socialist ishte në krizë të thellë dhe ashtu po shkonte drejt falimentimit. Sipas tij gjermanëve t’u propozohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike, kërkesa për reparacione të harrohej si e tillë, të pranoheshin të gjitha kërkesat e tyre duke iu propozuar edhe privilegje në rrugët detare Adriatik-Jon, që nënkuptonte edhe privilegje ndoshta gjeopolitike.

Nuk e bënte fare nga dëshira, por dokumenti tregon sesi qysh në 84 udhëhëheqja shqiptare e ka kuptuar se modeli ekonomiko-politik që sundonte ishte i mbaruar. Pra, gjashtë vjet përpara rënies të komunizmit në Shqipëri.

Hoxha vdes në 1985. Shtrausi vazhdon të vijë, marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë vendosen në 1987, por negociatat për marrëdhënie në fusha të tjera duke kapërcyer kuadrin ideologjik shqiptar dështojnë.

Pyetja është se përse udhëheqja shqiptare pas vdekjes të diktatorit saboton hapjen drejt Gjermanisë Federale?

Arësyeja e parë që supozohet është frika që ajo ka. Ndofta ndihet e paaftë ta bëjë hapin e kërkuar. Por për këtë mund të imagjinosh kot!

Problemi është se në 1987 tashmë situata gjeopolitike e botës kishte ndryshuar. Gorbaçovi në Bashkimin Sovjetik sikurse krahu sundues i udhëheqjes sovjetike kishte marrë vendimin për t’i lënë vendet e Lindjes sikurse republikat e tjera sovjetike të largoheshin si barrë e tepër e një anije që po mbytej. Por, jo të shkonin nën suazën e Gjermanisë!

Kjo politikë çoi në 1989 edhe në marrëveshjen Gorbaçov – Bush (senior) në anijen e ankoruar në Maltë, mbi parimet e menaxhimit të botës evropiane e më gjerë pas Luftës së Ftohtë.

Pse udhëheqja shqiptare pasi merr në 1984 direktivën e drejtuesit kryesor të shtetit totalitar për t’u hapur drejt Gjermanisë, sikurse tregon qartazi dokumenti që kam parë e studjuar, bën hapat e para, dhe pas vdekjes së tij zbythet?

Mendonte se do t’ja dilte vetë? As mund të mendohet!

Nga shkaku i dogmatizmit të këtij apo atij drejtuesi të lartë?

As mund të mendohet! Vetë udhëheqësi i tyre kishte thënë para se të vdiste dritën jeshile! Pra, ajo që thuhet se negociatat dështuan si pasojë e dogmatizimit të Foto Camit të gjorë është pesë me hiç!

Qëkurse në Gjermani për bisedime u dërguan ai, shefi i propagandës, duket qartë se u vajt për ta dështuar procesin!

Dogmatizmi i Foto Camit të shkretë u përdor si mekanizëm për objekiva gjeopolitike afatgjata të tjera!

Atehëre përse? Nuk deshte klasa politike gjermane?

As që bëhej fjalë sepse Shtrausi nuk vinte sepse i kaloi rruga këtej!

Atëhere pyes: Përse ky dokument u mbaj i fshehtë?

Kam një supozim! Me përgatitjen e rënies së perdes të hekurt, fuqitë super të mëdha që kontrollonin procesin, cka doli fare e qartë sidomos pas takimit Gorbaçov – Bush (Senior), nuk mendonin se ndikimi gjeopolitik Gjerman do të duhej të arrinte deri në Shqipëri.

Cka faktet dhe proceset e mëvonëshme e provuan deri tani!

Kush e do dokumentin historik duhet t’a kërkojë e ta gjejë atje ku është! Po e gjeti dot ama!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu