Dje lexuam dhe dëgjuam në median e masave se një ministër dhe drejtori i rrugëve të kombit inaguruan sikurse raportohej mbarimin e punimeve të rrugës Lin – Pogradec.

Në media, në fakt, i gjithë informacioni u përmblodh te ajo se çfarë tha drejtori i rrugëve dhe ministri. Sigurisht ata propagandë do të bënin. Nuk kam asgjë me ta! Si ishte rruga më parë, e mjeruar dhe me ndërtesa pa leje anash, se çfarë cilësie i do punët e rrugëve qeveria, dhe se çfarë do të bëjë qeveria në vitet e ardhëshme duke marrë shkas, por pa asnjë provë e argument, nga cilësia e rrugës Lin-Pogradec.

Kaq ishte në vija të përgjithshme raportimi i një gazetarie të quajtur të deklarimeve, ku gazetarin e detyrojnë vetëm të drejtojë mikrofonin si akullore te goja e pushtetarit dhe ky t’a lëpijë duke nxjerrë nga goja cfarë i do zemra drejt veshëve tanë. Sikurse thotë populli : Na çan veshët dhe nuk na ndriçon mendjen asfare!

Ne presim nga gazetaria, por gazetaria nuk e kalon dot cakun e propagandës. Ndërkohë, unë i njoh shumë mirë gazetarët e rinj. Po t’i lësh të lirë të “marrin gjak në vetull”.

Mos janë trembur nga kërcënimet dhe sinjalet e egra dërguar koleges së tyre Klodiana Lala?

Përse e them këtë?

Si nuk i bëri një pyetje ministrit dhe drejtorit të rrugëve ndokush nga gazetarët: Mirë kjo rruga buzë liqenit, por a nuk shihni një hendek të madh midis këtij kilometri rruge që nuk është i keq dhe gjendjes të rrugëve në qytetin turistik të Pogradecit që janë në pikë të hallit?

Ka ekuimlibër në politikat e rrugëve apo jo?

Lëre pastaj raportimin e ekuilibruar dhe të paanshëm që nuk e sheh gjëkundi. Mjerim i madh, i paparë.

Le të shkonte pak gazetari në fshatin piktoresk Lin dhe të pyeste pak banorët : A është e vërtetë që kjo rruga Lin – Pogradec me këto parametra që ka buzë liqenit vjen deri në qendrën e komunës tuaj? Dhe do të shihte se çfarë do të thoshin banorët e këtij fshati që jetojnë në kushte infrastrukture të degjeneruar në atë pikë sa shkel edhe dinjitetin e një qenieje të gjallë dhe jo të njerëzve me ndërgjegje e me kujtesë.

Inagurohet asfaltimi i thjeshtë i një rruge sepse në fakt rruga ka qenë që nga koha e Italisë, a më parë sigurisht, ndofta që nga koha e romakëve sikurse kalonte ignatia duke çarë Mokrën e krahinat përreth. Por, gazetari ndalohet të flasi për historinë e asaj rruge që kushedi sa herë, herë pas here është inaguruar në këtë shekull.

Si nuk patën informacione detajesh ku qendron gazetaria e vërtetë? Kur filluan punimet në këtë rrugë? Cila ishte firma që i kreu? Sa herë u hodh dhe u shqep asfalti në të? Sa është trashësia e asflatit dhe e cakullit, për sa vjet e ka garancinë? Eshtë rrugë nacionale apo lokale?

Lëre pastaj të dimë të dhëna prediktive, parashikuese: Sa makina do të kalojnë andej në vit? Më shumë i shërben Korçës apo Pogradecit? Sa është shpejtësia e lejuar? Pêrsa vjet mendohet se i zgjidh nevojat e transportit, etj.

Gazetari nuk bën “fact checking”, pra të investigojë sa të vërteta janë ato që thotë pushtetari. Nuk është e vërtetë se rruga ka nënkalime. Nuk është e vërtetë se ka ndricim që të jetë tashmë në gjendje pune në të gjithë rrugën.

Për më tepër rruga sigurisht ka disa parametra, domethënë mbrojtëse anash buzë liqenit, një pistë për bicikleta dhe udhëtarë, por nuk pyetet se çfarë ndikimi do të ketë ajo mbi banorët e hapësirës rurale.

Ku do të ecin ata me qerre, me kafshë, me motocikleta pa u konfrontuar me një qarkullim në rrugën e inaguruar që në fakt është vetëm për automjetet e shpejtësive të mëdha?

Duke u ribërë kjo rrugë nacionale, a është menduar që me rrugë dytësore të lidhen fshatrat buzë liqenit me njeri tjetrin duke kaluar në to deri në Pogradec?

Ku do të dalin fëmijët e fshatit nga zona e banuar për të shkuar në liqen? Duhet të kalojnë rrugën me vrap me rrezikun për t’u plandosur përdhe si harabela nga ndonjë automjet. Po turistët që do të popullojnë hotelet në anën e kundërt të liqenit si do të kalojnë në rrugën nacionale për të bërë plazh buzë liqenit?

U inagurua mbarimi i punimeve!!!

Po pjesa ku duhet bërë ai që e quajtën tuneli panoramik? Kanë mbaruar punimet aty??? E quajnë rruga e hyrjes në Pogradec !!! Po a thamë se është rruga Lin – Pogradec??? Pse nxitohen për të inaguruar një rrugë që në pjesën ku bëhet investimi më i madh jemi ende shumë larg mbarimit të punimeve?

Pse gazetari e lejon burokratin të gënjejë ditën për diell?

Pse??? pra, pse???

Po katastrofa ekologjike ku është gërmuar kodra dhe rruga ha kodrën dhe bimësinë shumëvjeçare mbi të? Si nuk u pyet konceptuesi se përse ka vepruar kështu?

Sa lekë a euro po kushton kjo pjesë?

Sa na ka kushtuar ne si taksa pagues për kilometër kjo rrugë?

Pse burokrati na e paraqet rrugën si dhuratë e partisë për popullin, duke harruar se ajo është bërë me paratë tona? Sa ka kushtuar? Sa?

Si është e mundur që zgjasin kaq shumë punimet? Sa metra në muaj mesatarisht janë ndërtuar për këtë rrugë?

Gazetarinë po e thajnë sepse vendin e saj e ka zënë gazetaria e deklamimit, e propagandës.

Media si propagandë, si altoparlant në vitet 80 te qyteti i studentëve, te kthimi i saj në mjet të marrëdhënieve publike që kuron imazhin e një burokrati a politikani!

Kjo gazetari nuk i duhet as dreqit.

E përsëris, e gjitha kjo ndodh kur po t’i lësh pak të lirë gazetarët, ata janë në gjendje t’a zhveshin realitetin lakuriq, ose sëpaku të thonë sikurse tha ai fëmija naiv : Realiteti qenka lakuriq!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu