Nëse ka një koncept që përmbledh gjithçka transmetohet në ekran, ai quhet “television talk”, që në shqip do të thotë “e folura në televizion”. Brenda këtij togfjalëshi përfshihen disa gjini, si: lajmet, talk show (spektakli i fjalës), game show (spektakël i lojës), reality show (spektakli i realitetit), talent show (spektakli i talenteve), cooking show (spektaklet e gatimit), varietetë, konkurset e bukurisë, konkurset e modës, soap opera (serialet televizive), etj. (Timberg, 2002)

Fokusi i kësaj analize është gjinia talk show, ndaj në parantezë, sqarojmë se, nuk do të gjeni një përkufizim përfundimtar mbi këtë zhanër, por disa nga karakteristikat kryesore të tij. Talk show televiziv është krijim i produksioneve të shekullit të XX-të, i konceptuar si një gjini që trajton tema të lira, me një impakt të jashtëzakonshëm në formimin kulturor në shoqëri. Ai njihet si një spektakël i fjalës, i ndërtuar specifikisht mbi aktin e të folurit. (Searle, 1969)

Ndryshe nga disa formate të tjera, talk show është një ngjarje që krijohet dhe ndodh në studio. Ai ngjason me një dramë apo komedi që vendoset në skenë, por këtu regjisor është moderatori, i cili luan vetë rolin e protagonistit kryesor, ndërsa aktorët mbështetës janë të ftuarit dhe publiku. (Bruun,1999)

Por talk show do të quanim dhe një intervistë, një debat politik, një monolog dhe një komunikim të drejtpërdrejtë të moderatorit me publikun në shtëpi. Për ta përmbledhur, një format do të kategorizohej si talk show kur ai strukturohet në bashkëbisedimin mes moderatorit dhe të ftuarit, mes tij dhe publikut, apo në formën e dialogut mes të ftuarve dhe audiencës në studio e jashtë saj. Ky diskutim që ngjan herë me një shfaqje humori, e herë me një dramë, vjen në shtëpitë e shikuesve në formën e një spektakli televiziv.

Tipologjitë e emisioneve talk show sipas Bernad Timberg

Ndonëse nuk ka një përkufizim përfundimtar mbi “spektaklin e fjalës”, nga historia mbi 60-vjeçare e kësaj gjinie televizive që ka lindur në SHBA, studiuesi Bernard Timberg, ka arritur të evidentojë disa karakteristika bazë mbi të cilat ndërtohet çdo lloj programi talk show.

Por, përpara se të flasim për to, le të kujtojmë nëngjinitë klasike të talk show-t, prej të cilave janë influencuar shumë emisione të tjera në ekran:

  • Talk show argëtues i mbrëmjes i modeluar në The Tonight Show të Steve Allen dhe Jack Paar në vitet 1954-1961. Emisioni i tyre është konsoliduar në 30 vitet e ardhshme nga Johnny Carson, që sot cilësohet si “mbreti i talk show-t argëtues të mbrëmjes”. Deri në mes të viteve ’80 formati ka patur karakter humoristik, prandaj dhe drejtohej dhe vazhdon të prezantohet nga komedianë. Ai evoluoi me David Letterman, i cili arriti të kombinonte dy elemente: atë informativ me humorin, në konceptin e ashtuquajtur “infotainment”. Pas Carsonit, dy ndër emisionet më të ndjekur të kësaj gjinie në SHBA kanë qenë Late Show with David Letterman dhe The Tonight Show with Jay Leno. Aktualisht, të dy moderatorët janë larguar. I pari është zëvendësuar nga Stephen Colbert, ndërsa i dyti nga Jimmy Fallon.
  • Talk show i ditës me pjesëmarrje të audiencës i themeluar nga Phil Donahue në The Phil Donahue Show, në vitet 1967-1995. Ky format, i cili përfshin gjerësisht edhe angazhimin e publikut në studio u përmirësua nga gazetarja Oprah Winfrey, në The Oprah Winfrey Show. Në këtë lloj emisioni trajtohen një larmishmëri temash, kryesisht me karakter social. Në pjesën dërmuese të rasteve, drejtuesi i tij vinte nga fusha e gazetarisë. Pas viteve ’90, Jerry Springer e Ricky Lake e zhvillojnë këtë gjini në atë që njihet si trash talk show, duke vendosur rrëfimin personal në funksion të spektaklit. (Grindstaff, 2002) Aktualisht, një ndër emisionet më të suksesshme të talk show-t të ditës është The Ellen DeGeneres Show, i cili prezantohet nga një aktore.
  • Revista informative e mëngjesit i zhvilluar fillimisht tek “Today” me Dave Garroway në vitet 1952-1959 në NBC. Emisioni vijon ende sot. Që prej vitit 1975, ka patur një konkurrencë të jashtëzakonshme mes tij dhe programit Good Morning America në ABC.
  • Talk show-t politike të krijuar në programin Meet the Press, më 6 nëntor 1947, në NBC. Formati u ndryshua disi te emisioni The McLaughlin Group në vitin 1982, i fokusuar vetëm në debatin politik. Revolucionin në këtë gjini, duke futur elemente të humorit, e bëri programi Politically Incorrect, i drejtuar nga moderatori Bill Maher. Formati satirik i talk show-t u konsolidua me John Stewart në The Daily Show apo Stephen Colbert në The Colbert Report. (Mnookin, 2007) Një tjetër program interesant është The Rush Limbaugh Show, që ndërtohet në monologun e Limbaugh apo në komunikimin e tij me publikun.

Në studimin e tij “Television talk: A history of the TV talk show”, ku analizon gjashtë dekada të kësaj gjinie televizive në SHBA, Bernard Timberg evidenton katër karakteristika kryesore që bashkon të gjitha llojet e emisioneve talk show.

Autori thekson se elementi më i rëndësishëm i një programi të tillë është moderatori, të cilin ai e konsideron si “fytyrën” e këtyre formateve. “Në botën televizive amerikane, – vijon Timberg, – në emisionet talk show më të suksesshme, moderatori nuk është vetëm “ylli” i programit, por shumë më tepër”. Nëse e analizojmë nga pikëpamja e produksionit, moderatori sillet si një menaxhues kritik. Nga pikëpamja e marketingut, ai është etiketa, marka që shet produktin. Nga ana organizative spikat fuqia personale e tij si menaxheri kryesor. Shkurt, moderatori është ai që “josh” audiencën të shohë emisionin, drejtuesit e korporatave të sjellin reklamat dhe rrjetet televizive të blejnë formatin. Ai është pjesa më e pa zëvendësueshme e programit.

Tipari i dytë që karakterizon talk show-n sipas Timberg është komunikimi në kohën e tashme. Autori evidenton se ky element i mundëson gjinisë të jetojë në kohë. Ky lloj komunikimi krijon intimitet jo vetëm mes gazetarit dhe të ftuarit në studio, por edhe me publikun brenda dhe jashtë emisionit.

Veçantia e tretë e programeve talk show, vazhdon autori, është intervista si ofertë televizive. Timberg thekson se në momentin që analizojmë bisedat në studio, ato nuk duhen parë thjesht dhe vetëm si një marrëdhënie pyetje-përgjigje apo si rrëfimin e një historie personale. Sipas tij, ky akt i të folurit është “produkti që do t’i shitet publikut”.

Karakteristika e fundit sipas Timberg, por jo për nga rëndësia, është spontaniteti. Kur flasim për biseda spontane, thotë studiuesi, nuk nënkuptojmë një intervistë të improvizuar në moment apo një reagim të rastit, përkundrazi. Në konceptin e tij, spontanitet do të thotë parapërgatitje e programit dhe aktrim i moderatorit, duke e servirur intervistën si një ngjarje që po ndodh në atë moment. Le t’i ilustrojmë këto tipare me një shembull:

Në emisionin e datës 18 shtator 2012, moderatori David Letterman ka si të ftuar presidentin e SHBA-së, Barack Obama, në programin e tij Late Show. Ndryshe nga herët e tjera, Letterman i kushton të gjithë emisionin kreut të Shtëpisë së Bardhë, për shkak se është një “special guest”, (i ftuar special). Pasi ngroh atmosferën në studio me disa batuta, Letterman fton Presidentin Obama dhe nis me të diskutimin në studio.

Presidenti Barak Obama në Late show with David Letterman, shtator 2012

– Letterman: Dukesh në formë

– Obama: Ndihem mirë

– Letterman: Sa i gjatë je? (ilaritet në sallë)

– Obama: Rreth 180 cm

– Letterman: Në fakt, dukesh mirë

– Obama: Ti dukesh më i shkurtër

– Letterman: S’më ke parë zhveshur prandaj (ilaritet në sallë)

 – Obama: Ok, kështu e lëmë (ilaritet në sallë)

– Obama: Para se të fillojmë, ma jep pak macen tënde. Ke bërë zgjedhjen e duhur me këtë, por po e ulim këtu.

– Letterman: Oh, jo jo… Hiqe që aty. Ma jep këtu macen. Sepse, para se të fillojmë, dua të di nëse ke gjë për t’i thënë karriges bosh?

Moderatori David Letterman është mëse i ndërgjegjshëm se në krah të tij qëndron personi më i pushtetshëm në botë, por nuk ngurron t’i tregoj presidentit se është ai “zot i shtëpisë”. Letterman “e përdor” edhe Obamën në funksion të imazhit të tij. Nga ana tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë e pranon këtë pozicion pasi përmes Lettermanit, fiton simpatinë e shikuesve besnik të Late Show with David Letterman.

Skeçi i maces është një rast tipik. Drejtuesi i emisionit synonte të ironizonte monologun e regjisorit Clint Eastwood me karrige bosh, gjatë Konventës së Republikanëve disa ditë para intervistës dhe në të njëjtën kohë të nxiste Barak Obamën të shprehte qëndrimin e tij për këtë çështje. Me një kantilenë të qeshur dhe me sytë ngulitur te kukulla e tij, Lettermani pret momentin që Obama ta vendosë macen te kolltuku, për ta pyetur nëse ka ose jo ndonjë gjë për t’i thënë “karriges bosh”. Ndodhemi përballë asaj që Timberg e cilëson si ngjarje spontane, që në fakt ka qenë e përgatitur qysh në krye të herës mes Letterman dhe Obamës.

Për ta mbyllur me një shembull që na vjen po nga Letterman, por këtë radhë nga programet e para të tij në Late Night: Kur komediani Richard Pryor u shfaq në talk show-n e Lettermanit në vitin 1986, më shumë se 80% e intervistës ishte e paracaktuar. Që atëherë, për shkak të suksesit, kjo u kthye në një praktikë pune për këto formate që zbatohet sot e kësaj dite.

Më sipër pamë sesi tiparet e evidentuara nga Timberg ishin pjesë e natyrshme e talk show-ve amerikane. Por, a mundet që karakteristikat e sipërpërmendura të gjejnë vend në peizazhin e emisioneve të kësaj gjinie në Shqipëri?

Në vijim, jemi përpjekur të bëjmë një analizë të programeve shqiptare duke i parë ato në filtrin e këtyre elementëve kryesorë.

a. Moderatori, marka e programit

Kur TV Klan nisi transmetimet e Të dielës shqiptare me prezantuesin Ardit Gjebrea, më 21 shtator 2008, mediat shkruanin se televizioni Top Channel kishte kohë që përgatitej për një program të ngjashëm me E diela shqiptare, që, sikurse shkruan vetë Gjebrea në faqen e tij zyrtare në internet, “është një format i frymëzuar nga Domenica In”. Një javë më vonë, Top Channel i përgjigjet TV Klan-it me të njëjtin program, madje ideatorja e tij ishte Alessia Vessicchio, autore e disa puntatave të Domenica In.

Ardit Gjebrea në të majtë dhe Adi Krasta në të djathtë

Strategjia e përdorur nga Top Channel, për të bërë një garë me të njëjtin format, i krijoi një terren të përshtatshëm drejtuesit të emisionit, Adi Krastës. Në këto kushte, nuk ishte më një garë mes gjinive në programacion, por një konkurrencë e drejtpërdrejtë mes dy moderatorëve, Krastës dhe Gjebresë. Ata tashmë nuk përfaqësonin më veten e tyre si prezantues, por ishin imazhet e E Diell dhe Të dielës shqiptare, madje, akoma më tepër, imazhe të Top Channel-it dhe TV Klan-it.

Pesha e drejtuesit të emisionit në të dhënat e audiencës, u ndje veçanërisht në çastin kur Adi Krasta u largua nga E Diell, për shkak të përplasjeve të brendshme që pati me ideatoren italiane të këtij programi. Top Channel ndërron strategji dhe punëson një dyshe moderatorësh nga Kosova, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, të cilët riformatuan talk show-n duke futur në skenë dhe tre prezantuese të tjera, mes të cilave Albana Osmanin dhe motrat Marina e Luana Vjollcën.

Pra, imazhin e Ardit Gjebresë në E diela shqiptare, Top Channel e konkurron me pesë moderatorë brenda të njëjtit program, duke mos e identifikuar atë me asnjërin prej tyre. Është njësoj sikur një markë të njohur, kompania rivale ta konkurrojë me pesë “mini marka”, pa patur një pikë referimi. Në vitin 2017, Top Channel i rikthehet strategjisë fillestare dhe përballë Gjebresë vendos moderatorin e A Krasta Show, Adi Krasta.

Rasti në fjalë është shembulli që vërteton faktin se një format talk show është një punë grupi që identifikohet me një imazh, dhe kjo është fytyra e moderatorit. Të ftuarit, regjisori, ideatori, skenaristi, moderatorët mbështetës, banda muzikore, kameramanët, teknikët, punonjësit e skenës, skena vetë etj., vihen të gjithë në shërbim të një imazhi, që duhet të paraqitet gjithnjë në formën më të mirë të mundshme.

Po të bëjmë një zhvendosje në kohë dhe hapësirë dhe t’i rikthehemi shembullit në realitetin amerikan, në emisionit The Tonight Show, një talk show, i cili ka nisur transmetimet në televizionin NBC që në vitin 1954 dhe vijon ende sot e kësaj dite, konstatojmë se i njëjti format është drejtuar nga pesë moderatorë të ndryshëm, si Steve Allen (1954-1957), Jack Paar (1957-1962), Johnny Carson (1962-1992), Jay Leno (1992-2009), Conan O’Brien (2009-2010), Jay Leno (2010-2014), Jimmy Fallon (2014-vijon).

Gjatë gjithë kësaj periudhe 60-vjeçare, pavarësisht se parimet dhe struktura e formatit ishte e njëjtë, ka spikatur epoka e Johnny Carson. Ka disa arsye për këtë, por kritiku amerikan i TV-së, Tom Shales, thotë se më kryesorja ishte mjeshtëria e tij për të qenë një “everyman”. (Zehme, 2012) Kjo aftësi karakteriale e bëri Carsonin, që gjatë 30 viteve në ekran të meritojë me të drejtë edhe pseudonimin “The King”, mbreti i talk show-t të mbrëmjes.

b. Komunikimi në kohë të tashme

Emisionet talk show kanë një element që i dallon nga formatet e tjera; biseda në këto programe karakterizohet nga ajo që ekspertët e cilësojnë si “ndërgjegje e dyfishtë”.

Komunikimi këtu është njëherësh shumë intim, sepse diskutohet rreth jetës private të të ftuarit, por njëkohësisht është masiv, sepse gjithçka që luhet në skenë ofrohet për shikuesin e gjerë si spektakël.

Në emisionin Natën vonë, i transmetuar më datën 21 mars 2013, gazetarja Jonida Shehu ka arritur të krijojë një klimë të ngrohtë në studio me shkrimtarin Aurel Plasari dhe nga fundi i bisedës e pyet publicistin dhe për jetën e tij private. Në këtë bashkëbisedim, ku shpesh herë drejtohen pyetje me doza të forta emocionale, karakteristikë e disa programeve talk show, Plasari rrëfen se ka bërë shumë gabime në jetë. Ai thotë se i ka mbetur peng fakti që sot do të mund të kishte një djalë të rritur, të cilin, fatkeqësisht e ka braktisur ende pa ardhur në jetë.

Moderatorja Jonida Shehu interviston Aurel Plasarin

– Jonida Shehu: Cilët janë njerëzit që iu mungojnë më shumë sot, të cilët i keni humbur rrugës. Miq, të afërm etj., i vuan humbjet Aurel Plasari?

– Aurel Plasari: Shumë. (Pauzë – P) Humbjet ndoshta jo shumë, por, më saktë, do të ishte ato njerëz të cilët unë i kam braktisur.

– Jonida Shehu: I keni braktisur ju?

– Aurel Plasari: Po, në Shqipëri, jashtë. (P) Ndonjëherë, (P) në një moshë më të re, (P) s’ke ç’i bën…

– Jonida Shehu: Janë shumë?

– Aurel Plasari: Janë disa, në fakt. Kur nis të bëj ndonjë listë them, lëre se këto janë fajet e mia. (P)

– Jonida Shehu: Është e vështirë të rivendosësh edhe njëherë kontaktet?

– Aurel Plasari: Jo, jo, jo… (P) Ka të drejtë një shkrimtar anglez kur thotë se, “është më keq të lësh njerëz sesa të të lënë”. (P) Në këtë moshë e kam kuptuar. (P) Në një moshë shumë të re, do të kisha patur sot një djalë shumë të rritur! (P) Kam qenë gati i papërgjegjshëm. Ta heqim! (P) Më vonë, e kam menduar dhe mendoj që u ndodh njerëzve, në mosha të atilla… (P) Në mosha të mëdha nuk duhet lejuar çfarëdolloj vështirësie që të jetë përpara. Por atëherë, edhe jeta ka qenë e vështirë, shoqëria e kontrolluar, e disiplinuar, kërkonte llogari. (P) Në rastin konkret, fajin e kam unë, jo personi tjetër.

Kushdo që i rikthehet kësaj interviste në emisionin Natën Vonë do të përjetojë të njëjtën ndjesi si në ditën e parë. Ky është efekti i komunikimit në kohën e tashme, që karakterizon talk show-n, një gjini që synon të jetojë në kohë.

Studiuesi Bernard Timberg shkruan, se: “E folura në kohën e tashme tregon familjaritet. Moderatori i flet miliona personave, por secilit në shtëpinë e tij. Ai dhe audienca ndajnë jo vetëm momentin në kohë, por më shumë se kaq. Intimiteti i momentit lidhet me historinë, me vazhdimësinë e marrëdhënies së këtij komunikimi me shikuesin”.

Në fakt, raporti i ndërgjegjes së dyfishtë nuk lind me talk show-n, por me vetë median. Në çdo kohë shkrimtarët, poetët, gazetarët kanë reflektuar mbi këtë efekt. Diferenca mes ndërgjegjes së dyfishtë në të kaluarën dhe tani, në epokën e talk show-t, është shpejtësia e përhapjes së mesazhit, shtrirja dhe impakti i tij.

c. Biseda në studio: Produkti që tregtohet

Në një shkrim të tij, me titull “Talk-show nuk është as thjesht talk, as thjesht show”, gazetari dhe drejtuesi i emisionit Jame Vu, Mustafa Nano, thekson se:

“Suksesi i debateve të tilla varet nga lloji e statura e të ftuarve, e prandaj moderatorët vihen në garë kush e kush të ftojë më parë personazhe që supozohet se ndjellin, që njëherë mund të jetë Sali Berisha, njëherë tjetër Edi Rama, e njëherë tjetër akoma ndonjë ambasador. Për ta nuk është i rëndësishëm personi që ftojnë, por personaliteti, d.m.th një funksionar i lartë publik konsiderohet vetvetiu një i ftuar i mirë, që i rrit vlerën programit.”

Teorikisht konstatimi i Nanos, se një personalitet i lartë politik e bën emisionin shumë të shikueshëm është i drejtë, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Tjetra, lidhet me formatin, karakterin dhe aftësitë e moderatorit, strukturimin e bisedës në formë e përmbajte, parapërgatitjen dhe elemente të tjerë të spektaklit. Nëse do të bëjmë një lojë fjalësh me idenë kryesore të Nanos, do të thoshim se, në Shqipëri ka me shumicë formate talk show të debatit politik, të cilat nuk kanë elemente të show-ut, por vetëm të talk-ut.

Arsyet se pse mungon elementi i show-t në pjesën më të madhe të programeve në Shqipëri janë disa, por më kryesoret lidhen me buxhetin, stafet e vogla dhe ai që njihet si mekanizmi i selektimit, që buron nga mospublikimi i të dhënave të matjes së audiencës.

Shikueshmëria është motori që vë në punë të gjithë ingranazhet e talk show-t, zgjeron gamën e tyre dhe i fut televizionet në një garë reale me njëri-tjetrin. Kjo është dhe një nga shkaqet e krizës financiare në ekranet shqiptare, të cilat nuk marrin feedback-un e duhur nga audienca e programeve të tyre dhe rrjedhimisht nga kompanitë e reklamave.

Problemi tjetër që evidentohet buron edhe nga koncepti se televizioni “është mjet i komunikimit elitar”. Në artikullin “Komunikimi masiv dhe publiku individual – paradoks apo normë?”, gazetarja Valbona Sulçe, shkruan:

“Në fund të fundit, televizioni më shumë sesa mjet i komunikimit masiv në fakt është mjet i komunikimit elitar. Në televizion shfaqen ata që përbëjnë serën e lartë të shoqërisë, ndërsa të dobëtit mbeten jashtë, në anën tjetër. Ata janë pjesë e zinxhirit komunikativ, po nuk kanë ndikim në këtë zinxhir sepse nuk mund të shndërrohen në dhënës informacioni siç ndodh në një proces normal komunikimi, kur dy persona flasin dhe e ndryshojnë pozicionin e tyre vazhdimisht nga dhënës në marrës të mesazhit”.

Debati nëse televizioni është ose jo një mjet komunikimi elitar, i ka rrënjët tek dallimi ideologjik mes demokracisë përfaqësuese (vertikale), ku vërehet një distancë në komunikimin mes elitës politike e publikut, dhe demokracisë së pjesëmarrjes, ku kjo elitë e ekranit dialogon me publikun. (Sartori, 2006) Koha ka treguar se televizioni është orientuar më shumë drejt tregut, shpesh herë dhe në dëm të cilësisë. Një shembull të tillë ilustrues e sjell dhe moderatori Adi Krasta. Gjatë një interviste për talk show-n Klubi i Mëngjesit, më 29 janar 2013, Krasta kujton me keqardhje sesi mbyllet një emision elitar në Britaninë e Madhe.

“Në BBC u mbyll një program, i cili ishte i destinuar për letërsinë. Nga 60 milionë britanikë, atë emision e shikonin gjithsej 1 milion. Në këtë moment ndërhyn Departamenti i Marketingut dhe për shkak të audiencës së ulët vendos të mbyllë programin. Kjo bëri bujë të madhe sepse njerëzit thanë, si guxoni ju t’i mbyllni emisionin një grupi shikuesish prej 1 milion vetësh, të cilët të prirur drejt letërsisë janë më të avancuar, artikulojnë më mirë, dinë të bëjnë analizë etj., por vendimi ishte i prerë…”

Pra, televizion elitar është një gjë dhe përdorimi i ekranit për të edukuar është një gjë tjetër. Pjesa elitare e shoqërisë e ka të vështirë të realizojë një program të suksesshëm nga pikëpamja e audiencës sepse nuk bën kompromis me të vërtetën për hir të marketingut. Prandaj drejtuesit e televizionit përzgjedhin ata moderatorë që krijojnë më së miri imazhin e të ashtuquajturit “njeriun mesatar” ose “everyman”.

Për t’u rikthyer sërish te ideja e shkrimit të Nanos, se emisionin e bën i ftuari, duhet thënë se në pjesën dërrmuese të talk show-ve në Shqipëri, ndryshe nga rasti i sipërcituar me David Letterman dhe Presidentin Obama, të ftuarit nuk vihen në dispozicion të moderatorit, por këta të fundit në shërbim të tyre. Drejtuesit e emisioneve mjaftohen me praninë e një zyrtari të lartë politik dhe i kushtojnë pak rëndësi bisedës që zhvillohet në studio. Ata i nderojnë gazetarët me praninë e tyre në emision, ndërsa këta të fundit ua kthejnë favorin duke i lejuar politikanët të thonë çtë duan. Politikanët në emisionet shqiptare ndihen si zot në “shtëpinë” e tyre.

d. Talk show si një ngjarje spontane

Emisionet talk show i krijojnë ndjesinë shikuesve se janë spektakle që po ndodhin aty për aty, në atë moment të programit. Po, a është vërtetë kështu? A mund t’i lihet gjithçka në dorë rastësisë?

Sigurisht, që jo!

Atmosfera në studio, zënkat, futja e befasishme e një të ftuari pa lejen e moderatorit, të bërtiturat etj., janë truke televizive që mbajnë gjallë panelin dhe publikun në studio, ndërsa nga ana tjetër, shikuesin gjysmë të shtrirë e të shkujdesur në shtëpi e mbërthen kureshtja. Ky i fundit qëndron sy e veshë para ekranit, ndërsa muskujt e gishtave mbi butonin e pultit, gati për të kaluar në emisionin tjetër, ç’tensionohen. Tashmë i dorëzuar përballë ekranit magjik, shikuesi pret me ankth surprizën e radhës, ndërsa dora ledhaton lehtëshëm telekomandën.

Ky është efekti i spontanitetit, që në fakt është rezultat i një pune të jashtëzakonshme.

Kjo do të thotë, se sa më i natyrshëm të duket një emision talk show, aq më shumë kohë është harxhuar nga producenti e moderatori, për ta sjellë atë këndshëm në sytë e publikut.

Kur pyetëm moderatorin e Zonë e lirë, Arian Çanin, nëse publiku dëshiron të shoh tema të lehta, argëtuese apo serioze e të thella, ai tha:

“Publiku i dëshiron të dyja, por çështja është se si ia komunikon ato. Nëse ti ia jep sa më thjesht, sa më natyrshëm dhe me inteligjencën e duhur, atëherë ai i gëlltit me dashuri. Në të kundërt, publiku të braktis pa iu dridhur dora. Të “zhduk” me një buton të pultit, që nuk e heq nga dora. Prej vitesh tashmë, ne po jetojmë epokën e një miti të madh. Ai quhet “Pult”. Ose “Zaping”…” (Intervistë me Arian Çanin,Tetor 2010)

Kjo është dhe arsyeja se përse drejtuesi i Zonë e lirë, Arian Çani përgatit çdo gjë në detaj përpara se të nisë programi. Pjesa dërmuese e bisedave është e shënuar në skenar, ndonëse në ekran paraqitet sikur gjithçka është spontane.

Në emisionin e datës 15 maj 2009 në Zonë e lirë, Arian Çani vjen si i ftuar në program për të promovuar një shfaqje teatrale të tijën, ndërsa rolin e moderatorit e zë një ndër “miqtë e emisionit”, siç e quan ai, Ermal Mamaqi.

Arian Çani intervistohet nga Ermal Mamaqi në Zonë e lirë

– Ermali: Si ndihesh aty ku je?

– Çani: Ej, paske emocione kur vike si i ftuar, tani po e provoj për herë të parë!

– Ermali: Të kam ftuar për diçka shumë interesante.

– Çani: Do flasim me “ti” apo me “ju”?

– Ermali: Unë them të flasim me “ata”! (ilaritet në studio)

– Ermali: Ju jeni sonte këtu për të promovuar shfaqen tuaj të parë në teatir

– Çani: Lapsus, bëje dhe një herë – Ermali: Z.Arian Çani…

– Çani: Të lutem mbaje pak dorën më drejtë, që të duket logoja e emisionit në skaletë.

– Ermali: Sa drejtë duhet ta mbaj, se po më zë ngërçi. (ilaritet në studio)

– Ermali: Është shumë e vështirë të bësh Arian Çanin

– Çani: Shoku yt, Genti, pretendonte se më bënte.

– Ermali: Po, ai ta bënte!

– Çani: Ma bënte, po deri në një farë mase… (ilaritet në studio)

Pavarësisht se në ekran i gjithë spektakli shfaqet në mënyrë të tillë sa duket shumë spontan, gjithçka është e strukturuar mirë. I ftuari, në rastin konkret Ermal Mamaqi është zgjedhur me kujdes, pasi atij i bie detyra e vështirë për të zëvendësuar Arian Çanin në këtë ndërrim rolesh. Edhe biseda mes tyre është e paracaktuar në skaletë. Madje, në disa raste dhe gabimet gramatikore, që duken si spontane, janë shkruar në mënyrë të qëllimshme në skedat e Ermalit, për të ç’tensionuar intervistën mes tyre.

Sikurse pohon dhe vetë Çani, në emisionin e tij nuk ka asgjë të rastësishme: reklamat, pyetjet, koha e të ftuarve, gjithçka është e mirëpërcaktuar. Të gjitha intervistat dhe bisedat konsiderohen si “mall mjaft i vlefshëm”, të cilat duhet të menaxhohen me shumë kujdes.

Shënim: Elvin Luku eshte autor i librit ”Talk show: para dhe pas ekranit”, botime Pegi, 2017

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

2 KOMENTE

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu