Sa fate njerëzish atje janë tronditur, çfarë vuajtjesh fizike dhe psikologjike për njerëzit, fëmijë, të rritur dhe të moshuar shohin atdheun e tyre nën zinxhirë tankesh! Raportohen të vrarë dhe të plagosur!
Asnjë pikë dyshimi që gjendja e popullsisë është dramatike.
Ajo që më bën shumë përshtypje është se media ndërkombëtare ka shumë pak për të mos thënë fare imazhe, raportime live nga terreni që të tregojnë realitete domethënëse. Janë raportime aspak cilësore, pak a shumë si të ishin të ndonjë kanali televiziv në Shqipëri që e trajton televizionin si radio dhe radion si gazetë!!! Mirë po supozoj që shërbimet e propagandës të dy ushtrive duket paskan zgjedhur të mos përdorin pamje filmike nga operacione luftimi.
Shumë e çuditshme ky lloj mbulimi me informacion i luftimeve reale që duhet të jenë vërtet shumë të ashpra sa kohë që rusët, të cilët erdhën brenda disa orësh në Kiev janë ndodhur tre netë me radhë para një rezistence dinjitoze të forcave ukrainase!
Cfarë bëhet me trupat e të vrarëve nga dy palët, ku mjekohen të plagosurit, si ja bën popullsia për t’u yshqyer, ku armatosen qytetarët dhe ku janë pozicionuar, ku përplasen tanket me njeri tjetrin kur fotot nga dronet apo nga satelitët fare mirë mund të na japin pamjet pa vendosur në rrezik qytetarët, ku u strehuan banorët e ndërtesës apo ndërtesave që u qëlluan me raketa, çfarë bën popullsia përreth Kievit apo në rajone të tjera, çfarë mendojnë ushtarakët e të dy palëve, të paktën të palës mbrojtëse?
Mbulimi i çuditshëm, më shumë pak lajme me zë dhe figurë nga terreni, si asnjë luftë tjetër!
Dhe të mendosh që miliona aparate celulare janë në duart e popullsisë për të filmuar skenat e trishta nga jeta e përditshme! Lidhja e Internetit punon!
Si shpjegohet që nuk përdoren për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar dramën e një populli!
Shohim vetëm popullsi që strehohet në bodrume ndërtesash a tunele metrosh, njerëz, burra, gra, fëmijë që hypin në trena për të ikur apo kalojnë kufirin, një tip i vetmuar që i doli para tanksit dhe miqtë e vet e hoqën që andej ndërkohë që tanksi priste, një tanks i vetmuar që i hypi sipër një veture por shyqyr drejtuesi i veturës ishte i gjallë në timon dhe një qiell Kievi që skuqet nga ndriçimi i shpërthimeve që duhet të jenë gjigande dhe me shumë dëme, por në mëngjes nuk kemi lajme ç’u bë, kush luftonte, ku, etj? Ish presidenti ukrainas që ndonjëherë del duke folur anglisht nga sheshi i pallatit të tij rrethuar nga miqtë e vet në lagje, presidenti Zhelenski nuk shihet ku është kur bën deklaratat e tij!
Vërtet nuk e kuptoj këtë lloj informacioni që bazohet më shumë te fjala e gazetarëve në studio dhe e gazetarëve me helmeta dhe me jelekë antiplumb por që në fakt duket se janë relativisht larg qytetit dhe fushës të operacioneve luftarake. Lëvizjet e tankseve ruse jepen me shigjeta në hartë, por imazhe nga terreni ku ata lëvizin ka shumë pak për të mos thënë fare!
Jam i bindur që kur luftimet të mbarojnë do të shohim lemerirat e luftës, por nuk kuptoj se përse ky lloj raportimi sot! Nuk ja vlen të dish se çfarë raportojnë televizionet ruse! Dihet që prodhojnë vetëm propagandë! Po televizionet ukrainase çfarë raportimesh televizive bëjnë për të informuar qytetarët? Përse nuk përdoren këto imazhe dhe raportime?
Cfarë presioni ka në terren nga forcat ushtarake që pengon informacionin të qarkullojë për ta nxjerrë dramën në sytë e gjithë planetit!
Mbase pretendoj tepër!