Flitet për rolin e mediave në Shqipërinë e ditëve të sotme, sikurse edhe për problemet që hasin gazetarët për një raportim cilësor, për programacionin që nuk shpalos një diversitet programesh, për një televizion që mbështetet ende te fjala e kthyer në imazh, si një radio e rregjistruar me kamera, për një gazetari që transmeton në numerik, por mbetet brenda parametrave të një përmbajtjeje hierarkike, piramidale, dhe që nuk ka interaktivitet me audiencat, audienca të cilat, sidomos ato të rejat, po braktisin gradualisht sistemin e informacionit publik masiv.

Sado flitet për shkaqet e kësaj gjendjeje, ende nuk ka një shpjegim sistemik. Prandaj në paraqitjen time i përmbahem, nisur nga funksionalizmi sociologjik i Robert K. Merton, por edhe nga autorë të tjerë, në kërkimet tona në terrenin shqiptar, një hipoteze dhe paraqitjeje sistemike.

Sistemik në çfarë kuptimi?

E para, që kjo gjendje nuk shpjegohet thjesht me ndonjë vullnet malinj të individëve të caktuar. Përtej individualizimit të paraqitjes, gjykoj që paraqitja sistemike e shpjegon median e sotme shqiptare brenda të gjithë sistemit interaktiv të industrisë të krijimit, pra edhe të telefonisë, të institucioneve të artit dhe të kulturës, të komunikimit në web, etj.

E dyta, paraqitja sistemike nuk niset nga faktorë jashtë sistemikë të industrisë kreative sikurse është politika për të shpjeguar mediat dhe rolin e gazetarëve. Por, përkundrazi, niset nga sistemi brenda mediatik për të shpjeguar “metastazat” e politikës në media dhe të medias drejt politikës. Sikurse do të theksonte Paul Watlawick, të dy qelizat e mësipërme duke kërkuar të shërojnë krizën e tyre të brendshme, zgjaten drejt njera tjetrës duke u infektuar reciprokisht. Mediat bëhet e politizuar, kurse politika bëhet spektakël mediatik.

E treta, paraqitja sistemike, mbështetet edhe te ideja e Pierre Bourdieu, por e zhvillon atë duke postuluar që në brendësi të sistemit çdo vlerë gazetarie dhe cdo gazetar që del jashtë kornizës funksionaliste të industrisë të krijimit, flaket jashtë sistemit. Sistemi prevalon sipas teorisë të lojës(game theory) mbi aktorët individualë.

Së fundi, ka vend të priten edhe analizat përkatëse që ofron paraqitja sistemike e medias si një reformë tërësore, e cila me parametrat e saj transformues, e vendos industrinë e medias dhe të krijimit në modelet e sotme europiano – perëndimore duke e vendosur atë në shërbim të tregut, pra të konsumatorit, pra të opinionit publik. Jo thjesht si industri propagande sikurse është aktualisht!

Artikulli eshte pjese e nje webinar-i te publikuar ne Citizens Channel

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu