Kryesia e Akademisë së Shkencave e cilëson si një “reformim të Akademisë” propozimin për amendimin e ligjit aktual të dy deputeteve Petro Koci dhe Ismet Beqiraj, që pak muaj para zgjedhjeve brenda këtij institucioni, i hap rrugë rizgjedhjes së të njëjtëve anëtarë të kryesisë për një mandat të dytë.

Ndonëse në konfikt të hapur interesi, në një deklaratë të paprecedentë për mediat, Kryesia e Akademisë së Shkencave, mbron ligjvënësit nismëtarë të këtij draft propozimi me togfjalëshin “deputetë të nderuar”, ndërsa gënjen publikisht kur sulmon anëtarin e Asamblesë së saj, Akademik Artan Fugën, për ri denoncimin publik të këtij fakti, duke e akuzuar për “fyerje e denigrime të pavërteta”.

Më herët, të njëjtin shqetësim, madje me tone më të ashpra ndaj kryesisë së Akademisë, kishte mbajtur Akademik Apollon Bace, i cili për mediat pohoi se “nisma e dy deputetëve nuk është konsultuar me Asamblenë e Akademisë së Shkencave” si grup parësor interesi.

një reagim për televizionin MCN, përballë gazetares Aida Toncica, Akademiku Fuga publikoi draft propozimin me firmat e dy deputetëve të depozituar dhe protokolluar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa ftoi opinionin publik, gazetarët, median dhe komunitetin shkencor për të gjykuar mbi pohimin e tij, të mbështetur mbi këtë fakt.

Çfarë përmban “draft ligji Koci-Beqiraj” për Akademinë dhe kush përfiton prej saj?

Deputetët Ismet Beqiraj dhe Petro Koci i janë drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, më një propozim për miratimin e ndryshimeve në  ligjin nr.53/2019, datë 18.07.2019 “Për Akademinë e Shkencave”.

Në këtë kërkesë, propozohen disa ndryshime thelbësore, që i hap rrugë para përfundimit të mandatit të kryesisë aktuale, për rizgjedhjen e saj për një mandat të dytë, duke bërë ndryshime konkretisht në nenin 3 pika 4, duke hequr togfjalëshin “por jo radhazi”:

Ligji aktual:
Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.
Propozimi Koci / Beqiraj
Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të rizgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate.

Heqja e togfjalëshit “jo radhazi”, i parashikuar në ligjin aktual “Për Akademinë e Shkencave” me qëllim për të shmangur abuzimet dhe situatat monopol brenda këtij institucioni publik, favorizon pikërisht kryesinë aktuale të Akademisë së Shkencave, të cilët me këtë amendim sigurojnë dhe një mandat të dytë radhazi në drejtim të kësaj agjencie publike, nën drejtimin e Skënder Gjinushit.

Por, vetëm ky amendim nuk mjafton për rizgjedhjen e kreut aktual, Gjinushi, i cili në një deklaratë për mediat, i pyetur nëse do të rikandidojë, është shprehur se:  Njëherë varet nga ligji. E dyta, unë nuk kam në plan sot. Sot kam të mbyll, nesër është nesër… (Qesh..)

Për pengesën e dytë ligjore, për të cilën flet dhe vetë Skënder Gjinushi, mendon ish-kolegu i tij në politikë Petro Koci, i cili bashkë me Ismet Beqirajn, në draft ligjin e propozuar, parashikon që të heq dhe kufizimin e moshës për kryetarin, konkretisht:

Ligji aktual: Neni 16/1/c
Ndërprerja e mandateve: 1. Mandati i anëtarit të Akademisë ndërpritet për një nga shkaqet e mëposhtme: … c. mbush moshën 75 vjeç;
Propozimi Koci / Beqiraj
Në nenin 16, qe lidhet me “ndërprerjen e mandateve”, hiqet germa “c” e pikës 2, ndërsa pika “ç” behet “c”.

Në maj të vitit 2019, Skënder Gjinushi u zgjodh në krye të Akademisë së Shkencave në një proces pa garë, si kandidat i vetëm, pas një rezistence që iu bë platformës Fuga për hapjen dhe reformimin e këtij institucioni. Procesi zgjedhor u mbajt pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, refuzoi në atë kohë të mbajë ceremoninë e betimit të Gjinushit, ndërsa këtij akti i parapriu debati publik se Skënder Gjinushi prezantoi platformën e tij në krye të akademisë, ndërsa mbante ende postin e Kreut të Partisë Socialdemokrate. Vetë Gjinushi pranoi se e ka mbajtur postin politik deri me 18 maj, gjashtë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, fakt ky që shkaktoi një pakënaqësi të gjerë në opinionit publik, për vendosjen e një kandidati politik në krye të këtij institucioni të pavarur.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu