Ra si rrufe: Ilir Meta i asociuar saktë apo fallco, vërtetë apo me manipulim dosjesh, me një person IM, nja dyzet vjet më parë akuzohet nga kundërshtarët e tij politikë se paska bashkëpunuar me policinë sekrete, me Sigurimin!
Lloj lloj të virgjërish, dhe virgjëreshash politike u sulën dhe bënë të habiturit, të tronditurit, të çuditurit, të mahniturit, të shkoqiturit, të vilaniturit, të paditurit.
Një tallje e madhe me shqiptarët, që në masën 99 përqind nuk dinë si është e vërteta, madje brezat e rinj meqë i kanë lënë injorantë në histori, nuk dinë gjëje prej gjëje, dhe janë gati mish për t’u manipuluar nga propaganda politike për pushtet!
Përtej rastit Ilir Meta, ku i interesuari duhet ta kuptojë se është i pari dhe kryesori që i duhet jetikisht ta sqarojë këtë problem aktivisht. Aty është politika e viteve që vijnë! Ose ai demaskon mashtrimin, dhe kthehet në pushtet, ose të tjerët do ia nxjerrin kur duhet dhe opozita shkatërrohet në atë moment edhe për nja dhjetë vjet të tjera sikurse është bërë sot copë-copë për faj të dihet se kujt!
Por, sot, nuk e kam fjalën këtu!
E kam se ka arritur puna që edhe pastrimi i jetës shoqërore dhe transparenca bëhet vetëm për qëllime politike, vetëm si një teknikë për të qëruar Ilir Metën si kundërshtar politik me mashën gjoja të tronditjes të Kryetares të Kuvendit për materialet sekrete që paska zbuluar!
Mjafton të sjellësh ndërmend kohën kur skandali plasi. Momenti më i mirë politik për kryeministrin. Bashkë me Ilir Metën flak edhe një lëvizje politike dhe një elektorat opozitar me të. Çfarë dhurate!
Autoriteti i dosjeve kërkon ligj që të hapen të gjitha dosjet, jo vetëm atë dosje personale që kërkon i interesuari!!! A thua se mungonte ligji që drejtuesit e lartë politikë të shtetit të kontrolloheshin një më një! Çfarë ligji të ri u kërkoka kur nuk ka lidhje fare me kontrollin ndaj një ish kryeministri dhe ish presidenti! Ligji që është në fuqi nuk pengon fare që të verifikoheshin si duhesh, ai, por edhe ca isha të tjerë, ish presidentë, ish kryeministra, ish ministra, etj.
A thua se ligjvënësi kur ka nxjerrë ligjin nuk është menduar për ta hapur halenë e denoncimeve dhe futur shqiptarët për njëqind vjet në gjiriz, apo për t’i vënë një farë kapaku ujërave tona të zeza! A thua edhe sot kjo pyetje nuk shtrohet për këdo që ka dy fije serioziteti në moral dhe dy fije gramë në tru!
Dhe duket se shkon te mami që pret atje në majë të podiumit, e paditur, e panjohur me pisllëqet me të cilat politika ka bashkëjetuar në këto tridhjete vjet: Siiiiiiiiii? Një spiun i Sigurimit paska qenë shoku im, drejtuesi im, udhëheqësi im në parti dikur, presidenti im?
Po kjo është tronditëse! Kjo më djeg duart! Çojani shokut Enver, se Hysniu dhe Ramizi nuk kanë këllqe të mbajnë në duar dosjet e poliagjentit Mehmet Shehu! Uaaaaa!
A thua se këta të tronditurit dhe vetë kryeministri ynë nuk kanë ditur se kanë bashkëjetuar dhe bashkë drejtuar, nuk kanë përdorur, emëruar, ish punonjës të lartë të policisë sekrete, Sigurimit, Ministrisë së Brendshme në krah të tyre dhe në të gjithë hierarkinë e administratës së lartë!
Dhe sapo vazhdojnë ta bëjnë madje!
Çfarë hipokrizie! I kanë quajtur krahu i djathtë i tyre! Botërisht! E ku është çudia e tyre këtu! Ku është virgjëria e përlyer këtu si mund të ishte përlyer Zonja e Papërlyere e besimit në Zot?
Mjafton të sjellës kohën e viteve 80 dhe nën zë për këtë apo atë thuhej : Ruaju atij! Se është spiun!
Brezi ynë e di se këta që përfliteshin nuk ishte pa gjë: Ka midis tyre sot që janë akademikë, profesorë, drejtorë, gazetarë, drejtues mediash, diplomatë, dreqin me të birin. Aty kanë qenë tridhjet vjet dhe askush nuk është marrë me ta!
Nga opinioni publik është menduar se poqese ruhet një kujdes për drejtuesit e lartë të shtetit, të tjerët të kishin të drejtën e një shansi të dytë!
Por mos bëjë njeri të tronditurin, të virgjërin! Mund të dalin edhe ish presidente republike që të kenë bashkëpunuar ngushte me shërbimet sekrete! As tronditem, as çuditem, kurse për individë ministra e kryetarë partie, dorën në zjarr nuk e ve, por ne të atij brezi, i përflisnim nën zë midis nesh!
Por, nuk bëhet një ligj për një njeri sepse është në kundërshtim me kulturën minimale juridike të një shteti ligjor! Rusoi do të ishte kthyer përmbys në varr! Por, kush pyet për Rusoi, ka mendimtarë këshilltarë Kuvendi i Shqipërisë të Virgjër!
Hapini, hapini dosjet e denoncuesve! Do ta shihni mirë tronditjen zonja Nikolla, do të tronditeni mirë, ose asfare, kur të kryqëzoheni në rrugë, por edhe në korridoret e zyrave me njerëz ish denoncues!
Duhet të ketë pasur shumë, por unë nuk i hyj kësaj sepse nuk më lejon etika. Unë me ata nuk pi kafe, nuk bashkëpunoj por kjo është çështja ime personale!
Tronditin shqiptarët sepse i kanë lënë pa shkollimin e duhur! Mos doni emra nga Rusia, në Poloni, Gjermaninë Lindore, Bullgaria, ish Jugosllavia e me radhë ku ish drejtues të tranzicionit postkomunist ishin agjentë të Stazit, KGB, UDB-vas, Securitates?
A nuk është vëllai ynë Vuçiç i implikuar me pushtetin millosheviçian? Tronditesh zonja Kryetare?
Pse kush ka qenë në krye të lëvizjeve antikomuniste në vendet ish komuniste në mesin e dytë të viteve ’80 ku plekseshin agjentë, disidentë, antikomunistë të sinqertë, si edhe njerëz që ishin nga pak nga të gjitha!
Doni emra?
Ore a ka në shtet ndonjë njeri që e njeh mirë Fukonë dhe strukturalizmin si metodologji arsyetimi apo janë të gjithë me shkolla partie apo veterinarie? Përzierja e policit, kontrabandistit, analistit, nuk është gjë e rrallë, sipas strukturalizmit! As e të burgosurit me gardianin, as e mësuesit me nxënësin, as e mjekut me pacientin, as e disidentit me agjentin, etj. Por, këto duan këllqe e netë dimri të bisedohen. Shkolla jonë u vjen anash, dhe pastaj kemi tronditje! Hahahaha, tronditje!!!
Nuk e dinë këta se revolucionin e nis Mbreti dhe pastaj i shket nga dora! Kanë këta haberin nga historia e shekujve 18 dhe 19, apo merren gjoja vetëm me Mesjetën! O pikaaaaa!
Historia mësohet e dogmatizuar, prandaj brezat e shqiptarëve bien preh e propagandës!
Të virgjërit e politikës harrojnë të shohin përreth tyre sepse do kuptojnë se janë brenda bordellos!
A thua se Kuvendi nuk shkonte drejt një ligji pa e përdorur dhe manipuluar kështu sulmin ndaj kundërshtarit politik kryesor të kryeministrit!
Babiiiii, Mamiiiiii, nuk e gjeta të virgjër, do e ndaaaaaj!
Çfarë turpi! Shoqëria shqiptare ka nevojë për etikë, transparencë, demokraci, këta na japin shfaqje me Xhejms Bonda, njësoj si Enveri në fund që kur tallonat ishin vendosur dhe po vdisnim urie, duke ndarë tre vezë për shtatë persona, na gëzonte duke zbuluar poliagjentin, pikërisht shokun e vet, atë që e kishte pasur pranë vetes, duke na kërkuar ne të ishim vigjilentë! Dhe në fund i fuste edhe një miting madhështor te sheshi. Kishte hak! Sihariqi ishte aty! Ishte zbuluar një grup i ri armiqësor!
Kush i ha këto përralla për herë të dytë!!!
Sa për z. Ilir Meta, e përsëris, ai është ndodhur para një sulmi të ulët dhe qesharak politik! Por, tjetër është bizantinizmi dhe inkuzicionizmi i metodës të përdorur, dhe tjetër përmbajtja e dosjes. Pra, manipulimi politik nuk i jep të drejtën IM që të mos sqarojë dosjen që i vendosin në ngarkim: Pavarësisht se çfarë mendoj unë, politikani Ilir Meta është vendosur para një sfide të madhe: O del i larë, dhe fiton zgjedhjet, o fatkeqësisht ka një hije, si pasojë e historisë, dhe duhet të mendojë për fatin e opozitës që ka nevojë të forcohet!
Kurse nëse një ligj që hap gjithçka, që ka vend të arsyetohet gjerësisht, dhe jo me seanca urgjente shikimesh dokumentesh sekrete te zyra e zonjës Nikolla, jo me teknika inkuizicioniste të tipit : mblidhni shokët e byrosë se do të tregojmë se çfarë gjetëm në kasafortën e shokut Hysni!, jo me manipulime bajate, pra ka vend të mendohet që shëndoshjen me maturi të etikës të shqiptarëve të mos e vëmë në shërbim të poshtër të kulisave politike për pushtet!
Por, klasa e sotme politike nuk ka fuqinë të bëjë transparencën e të gjithë denoncuesve, agjentëve, punonjësve të fshehtë!
Do të ishte e ngjashme me bllokimin e rrjetit të Internetit që sapo ndodhi, hakerim total, bllokim total, atëherë zonja Nikolla, ju dhe unë do ta shohim mirë se çfarë është të tronditesh me të vërtetë!