Reporterët që raportojnë lajmet nga aktiviteti i Kuvendit të Shqipërisë kanë artikuluar ditët e fundit shqetësimin për rregulloren e miratuar rishtazi nga ana e Kuvendit që ndikon negativisht dhe në mënyrë substanciale në punën e tyre të përditshme.
Në një lexim të thjeshtë të aktit nënligjor të miratuar nga Kuvendi, konstatohet se shqetësimi i kolegëve reporter, përveçse është shumë i ligjshëm, duhet të jetë më i ashpër. Pasojat e këtij akti juridik do të jenë më të mëdha, se sa ata i parashikojnë.
Titulli i rregullores godet rëndë standardin e lirisë së mediave. “Rregullore për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e mas mediave pranë Kuvendit të Shqipërisë”. Kuvendi kërkon të orientojë median! Ky pretendim bie ndesh me konceptim e lirisë së medias, e cila nëse orientohet nga ndonjë pushtet tjetër, mund të kapërcejë kufirin drejt propagandës, marrëdhënieve publike, apo çfarë do formë tjetër, por jo media.
Duket që konceptimi përdorur nuk është lapsus. “Orientimi” reflektohet në të gjithë frymën e rregullores. Në nenin 16 të rregullores me titullin “Shoqërimi” shkruhet e zeza mbi të bardhë “Punonjësit përgjegjës për rendin dhe sigurinë sigurojnë shoqërimin e personave të akredituar gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend”.
Pra, reporter gjatë gjithë kohës do të jetë nën shoqërimin e punonjësit të gardës, i cili ka të gjithë mundësinë që të mësojë jo vetëm se me ke është takuar reporter, brenda Kuvendit, por edhe se çfarë kanë biseduar ata. Kjo praktikë e tej kalon atë të vendeve diktatoriale dhe asgjëson praktikën e lirisë së gazetarit. Shoqërimi i gazetarit praktikisht “hedh në herë” edhe procedurën e akreditimit, e cila në përmbajtje të garanton mundësinë të lëvizesh lirshëm brenda institucionit që të ka akredituar.
Brenda këtij neni bëhet një tjetër akt diskretitimi, midis mediave. Hartuesit, kanë diferencuar gazetarët e Radio televizionit publik, që në fakt është një ent publik dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare që është një ent shtetëror, zyrtar. Kjo frikë i çon hartuesit dhe deputetët që e kanë miratuar rregulloren në një logjike absurde: u japim liri gazetarëve që përfaqësojnë media të kontrolluara nga shteti, dhe censurojnë gazetarët e mediave të pavarura.
Ndërsa procedura që asgjëson praktikën e lirisë së gazetarit për të pasqyruar aktivitetin e deputetëve është izolimi i tyre në një mjedis në katin e parë të godinës dhe ushqimi i tyre me sinjalin audio-viziv nga studio qendrore e Kuvendit.
Së pari kjo krijon uniformitet në raportimin e gazetarëve nga Kuvendi. Të gjithë do të kenë një sinjal, një sasi dhe cilësi informacioni.
Së dyti, reporterët do të privohen nga liria për të parë edhe mjediset e tjera të Kuvendit, përveç sallave ku diskutohet dhe merren vendime. Në fakt gazetarët duan të shohin të gjitha mjediset, ku edhe mund të mos merren vendime, bëhet politikë, për shembull kafeneja, korridoret, zyrat e grupeve parlamentare etj.
Së treti, reporterët privohen nga liria për të zgjedhur burimet e tyre të informacionit. Në përditshmërinë e një reporter, burimet janë kontekstuale, të natyrshme dhe të menjëhershme, ashtu siç është natyra e lajmit. Në kushtet kur komunikimi me deputetët do ti nënshtrohet një procedurë burokratike dhe administrative, mundësia e reporterët për të detyruar deputetet që të japin llogari do të bëhet më e pakët dhe herë herë përtej limiteve kohore të dobisë ndaj opinionit publik.
Në këtë analizë nuk po merrem fare me ndershmërinë e hartimit dhe miratimit të aktit, me faktin që rregullorja miratohet në skajin fundor të mandatit të atyre që ngritën duart, ndërsa efektet do të jenë për një legjislaturë të re, ku siç konstatojnë me të drejtë reporterët asnjëri prej tyre nuk do të jetë.
Nuk po analizoj as formën aspak transparente se si ajo është hartuar, në kundërshtim me praktikën normale të hartimit dhe miratimit të një akti juridik, duke u konsultuar me grupet e interesit.
Të gjitha këto cenojnë procesin. E një proces i gabuar, nuk ka sesi të prodhojë një produkt të rregullt.
Pavarësisht faktit nëse kjo rregullore do të mbesë në fuqi apo do të rrëzohet, mjafton miratimi i saj për të kuptuar bezdinë që shfaqin deputetët dhe drejtuesit e pushtetit legjislativ ndaj medias në tërësi dhe lirisë së saj.