Në Lindjen e Mesme tensionet janë rritur dhe në ditët që vijnë përgatiten luftime të ashpra në Gaza ndofta, në kufijtë me Sirinë, me Libanin, etj.

Ndërkaq qendrat e mëdha të informacionin sot në mëngjes ngrinin çështjen serioze dhe paralajmëronin Google-in se qarkullojnë pa fund video që janë të krijuara artificialisht, në formën e lojërave elektronike me luftra në ekrane dhe që nuk kanë të bëjnë me realitetin, ku ngjarjet dhe operacionet gjithashtu priten të jenë të ashpra.

Tani në web është pothuajse e pamundur të ndash se çfarë është operacion ushtarak real në terren, dhe çfarë është film, lojë, videogame, fake, që del në telefona, në ekrane kompjuteri, dhe që andej edhe në ekrane televizioni nëse gazetarët dhe specialistët e informacionit nuk janë profesionistë të zotë dhe të ndershëm.

Mund të shohim edhe një video fake ku ne e mundim Cekinë 17 me 0! Ku 300 gola i bën ta zemë Pele që luan me ekipin tonë! Mos dallosh fare se është rrenë. Madje Pele të japë intervistë në shqip dhe të thotë në fund se: “O sa mirë me qenë shqiptar!”

“E pash ndeshjen në televizor”, – thotë! Po, mirë mo mirë, po a je i sigurt se nuk ishte një videogame e bërë nga kompanitë e basteve !!! 🙂

Njerëzimi si duket ka kaluar në tre faza përsa i përket informacionit:

Faza e parë deri përpara shekullit të 18-të dhe 19-të kur njeriu merrte vesh pak gjëra që ndodhnin në botë, larg shtëpisë së tij. Në një farë mënyre ishte rehat, dinte se çfarë ndodhte deri te pusi i fshatit dhe për më tepër e merrte vesh kur kalonte ndonjë njjeri andej, pas nja dhjetë vjetësh, a hiç fare.

Ishte koha kur këndonin : Mbeç more shok mbeç, përtej urës së Qabes.

Lajmin mund ta sillte në fshat vetëm korbi që t’i hante ato sytë e zes’.

Pastaj erdhi koha e industrisë së medias, gazetat dhe pastaj koha e radios dhe informacionit. Njeriu deri në shekullin e 20, fundin e tij, nisi të gëzohej se tani merrte vesh cdo gjë ndodhte në botë, nga Kina, në Antarktidë, nga Siberia, në Kanada, deri në Mesdhe, ta zemë andej nga Budrumi.

Në një sekondë. Krenari. Por, hajrin ja pa me të mirat dhe të këqiat. Nuk u bë më i lumtur sepse tani lajmet e këqia në të gjithë botën i binin në tru çdo ditë. Tërmete, vullkane, luftra, epidemi, kudo që të ishin i bombardonin veshët.

Njeriu u bë pak histerik.

Etapa e tretë, këto njëzet vjetët e fundit. Ja tani nuk merr më vesh nga ekranet nëse ajo që ndodh është reale në botën fizike, apo është e stisur, e përgatitur në studio, fake, produkt i informatikës, është një videogame nga ato që luajnë adoleshentët, me luftë, vrasje, rikthime të vrarës, rinisje loje, etj.

Në fakt është më keq, nuk dihet nëse është videogame që kopjon realitetin dhe bën sikur, apo janë operacionet ushtarake reale, fizike, që kopjojnë videogame.

Nuk dihet nëse ata që mbrojnë informacionin e vërtetë demaskojnë informacionin mashtrues, apo ata që bërtasin se janë të vërtetë në fakt janë mashtrues, dhe të vërtetët nga gjasmet audienca nuk i dallon dot.

Bërtet hajduti kapeni hajdutin, apo hajduti kap të vërtetin dhe e dorëzon në polici, apo i vërteti akuzon të vërtetin si hajdut, kur hajduti bëhet arbitër!

Merren imazhet, dokumentet, njerëzit fallco me zë si pe vërteti dhe japin deklarata, krijojnë skena gjoja reale, për t’u përhapur në rrjetet sociale me miliona në botë, të cilët nxisin urrejtje, dhunë, pasione, dhe e cojnë botën reale për dreq!

Rrjetet sociale kanë dalë nga kontrolli sepse agjencitë rregulluese kanë mbet pas nga koha, edhe legjislacioni, lëre pastaj formimi i gazetarëve dhe i publikut!

Nuk ka faj teknologjia, ka faj budalliku njerëzor. Rrjetet sociale janë të mrekullueshme për informacionin nën-lokal, pra për të informuar në afërsi, jo për informacion global, as ndofta për informacion kontinental, apo ndërshtetror.

Është njësoj si të përdorësh një biçikletë të mirë elektrike për të shkuar në det për peshkim! Mbytesh, dorë me nji!

Nuk është më informacioni që na jep lajme nga bota, por është informacioni që e ndryshon botën. Nuk është informacioni që na informon për botën, por është bota që krijohet nga informacioni!

A dëgjoni moooo!

Njeriu, ndryshe nga burri që pinte duhan me çibuk te pusi i fshatit dhe i dinte ato që ndodhnin bio, njeriu i sotëm, i zhvilluar, i teknologjisë, i fryrë nga ideja idiote e progresit, aq e demaskuar nga theleuesit e mëdhenj të sociologjisë, nuk dallon dot më çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është.

Kjo është drama.

Kjo është sfida për të rimenduar nga fillimi në fund konceptet e informacionit masiv dhe jo të përsëriten dogmatikisht me dyzet a pesëdhjet vjet vonesë përralla të vjetra.

Kjo është sfida e qytetarit. Nuk e ndan dot me këtë sistem mediash të vërtetën nga e pavërteta, dhe hidhet në histeri të përbotshme edhe nga pesë mashtruesa informaticienë që mund të bëjnë çfarë të duan me njohjen, shkencën, informacionin.

Edukimi me kuptimin e informacionit, o sa rëndë mungon në edukimin e shkollës parauniversare te ne.

E ha mileti sapunin për djathë, por edhe lahet me djath se e merr për sapun!

Mund të bëjnë ligjin edhe disa vagabondë, krahas gazetarëve të ndershëm që duhen mbështetur!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu