“Diskutimi vetëm për veshjen e kryeministrit në program është pjesë e propagandës mediatike”, – kështu është shprehur gazetari Elvin Luku në emisionin “Provokacija” të opinionistit dhe moderatorit Mustafa Nano.
Luku u ftua në emision pas një shkrimi të tij kritik rreth intervistës së zhvilluar në këtë talk show nga Mustafa Nano, artikull që mbante titullin “Provokacija apo Gudulisja e Mustafa Nanos”. Gazetari theksoi se veshja është elementi më pozitiv i kryeministrit dhe se ky është vetëm një element i imazhit.
Studiuesi i medias u shpreh se boshti i intervistës duhet të ishte imazhi i vendit pas qëndrimeve publike të kryeministrit lidhur me deklaratën ndaj Trump në CNN, komentet mbi BREXIT apo dhe qendimin e pamenduar për president të përbashkët me Kosovën. Gjithashtu Luku u ndal dhe te çështja e propagandës mediatike, që e cilësoi si problemin real të kësaj qeverie. Ai shtoi se nuk ka asnjë kryeministër në arenën ndërkombëtare perëndimore që ka një televizion të tijin, sikurse ndodh me ERTV-në, ku të përqëndrohet i gjithë aktiviteti politik, duke sjellë atë që në teoritë e komunikimit njihet si “çmediatizim i mesazhit”.
Nga ana e tij moderatori i njohur Mustafa Nano, evidentoi se nëse do të shtronte bisedën në një formë të tillë, asnjë prej krerëve të shtetit dhe politikanëve të njohur nuk do të pranonte të vinte në studio.
Nano shtoi gjithashtu se intervista “me kushte” me Edi Ramën u pranua dhe realizua edhe për ti bërë promo emisionit, meqënëse ishte në puntatat e para të tij.