Më 15 mars AMA shpërndau për mediat raportin e përkthyer prej saj të ekspertit të Këshillit të Europës (KiE), Ivor Millman, mbi matjen e audiencës së televizioneve në Shqipëri. Disa media e përdorën këtë raport për sulme personale, ndërsa të tjera, në këndvështrimin tim, për shkak të “pafuqisë” ose mbase dhe padijes për të evidentuar “the big news”, e raportuan në mënyrë shumë sipërfaqësore.

Duke parë këtë “impotencë” mediatike pamë të rastit të hedhim pak më shumë dritë mbi këtë raport, i cili, për problematikën që trajton, nuk duhet kaluar si një nga njëqind lajmet që qarkullojnë çdo ditë.

Në parantezë duhet thënë se analiza bazohet mbi draftin e shqipëruar nga AMA, pasi kjo e fundit nuk u krijoi mundësinë mediave dhe gazetarëve që në faqen e saj krahas versionit të perkthyer të aksesojnë dhe raportin në gjuhën origjinale të ekspertit të KiE-s.

Thënë këtë, nga gjuha e kujdesshme e raporterit Millman, i cili ka mbajtur një sërë takimesh me të gjitha grupet e interesit, u evidentuan dy elemente thelbësorë: E para, që operatorët mediatik nuk janë të interesuar për të rregullimin e tregut të audiencës dhe reklamave, dhe, së dyti, roli “abstenues” i AMA-s në zgjidhjen e situatës e mungesa e besimit të gjithë aktorëve në këtë proces.

Në raportin dhjetë faqesh të ekspertit të KiE-s, shprehet në mënyrë të vazhdueshme një lloj habie se ndryshe nga vendet e tjera në perëndim, në tregun mediatik shqiptar nisma për ngritjen e një komisioni për matjen e audiencës nuk ka ardhur nga vetë televizionet, por është propozuar nga agjencitë e reklamave, duke e cilësuar këtë si një “iniciativë të pazakontë”:

Unë besoj se marrja e kësaj iniciative nga agjencitë reklamuese dhe reklamuesit është një mënyrë e pazakontë e ngritjes së një sistemi të pranuar të matjes së audiencës televizive të të gjithë industrisë. Ajo që është më e zakonshme është që të jenë transmetuesit e një vendi ata që e iniciojnë dhe që janë financuesit kryesorë të një sistemi të vetëm të matjes së audiencës televizive, sidomos kur ka një komision të përbashkët të kësaj industrie. Megjithatë, jemi aty ku jemi.

Raporteri Millman nuk arrin të parashikoje se cili do të jetë reagimi i operatorëve nëse sistemi për matjen e audiencës televizive “financohet nga reklamuesit/agjencitë e reklamave”, siç është planifikuar në Shqipëri dhe, ndër të tjera ngre pyetje: “A do të ushtronte presion ekzistenca e të dhënave, me shpresë cilësore, në duart e blerësve dhe përdorimi i tyre për tregti që edhe transmetuesit të luanin rolin e tyre apo do të katandisej edhe kjo matje e perceptuar si një matje që i mungon besimi, qoftë kjo në mënyrë të merituar apo jo?

Megjithëse nuk arrin dot t’i japë një përgjigje kësaj pyetje, duke lene te kuptohet nje mungese deshire nga ana e televizioneve per te humbur ‘status quo-ne’ aktuale me rregullimin e tregut mediatik, eksperti i KiE vë theksin te rëndësia që ka një sistem i matjes së audiencës televizive duke e parë atë në të paktën nga katër perspektiva:

Së pari, sipas tij, për operatorët televizivë “matja e audiencës do të mund të ofronte të dhëna mbi programet dhe shërbimin që u ofrohet audiencave” dhe mundësinë për ta përmirësuar këtë përmbajtje mediatike.

Së dyti, agjencitë e reklamave mund t’i përdorin të dhënat për të planifikuar dhe blerë kohë televizive apo për të vlerësuar fushatat e reklamimit. “Pa të dhëna të besueshme të matjes së audiencës reklamuesit jo vetëm që nuk do të kenë informacionin që u tregon se çfarë mund të blejnë, por ata nuk do të dinë as më pas se çfarë kanë blerë”, – thuhet në dokument, – çka lë të kuptohet se reklamuesit harxhojnë para për hapësira publicitare që nuk e shndërron audiencën në klient.

Së treti, “për ata që varen nga financa publike”, – siç është rasti i TVSH-së, – “informacioni që jep matja e audiencës mund të tregojë se si po i shërbejnë popullatës që i financon për ta garantuar atë burim financimi”.

Së katërti, “për një rregullator”, – pra për AMA-n, “të dhënat e matjes së audiencës mund të tregojnë se si respektohet licenca dhe nëse të licencuarit u përmbahen apo jo termave të saj. Pa të dhëna të besueshme të matjes së audiencës, ky informacion mund të merret, në rastin më të mirë, pjesërisht, përmes sondazheve periodike”.

Duke u ndalur në mënyrë specifike, por shumë të kujdesshme, tek Autoriteti i Mediave Audiovizive, eksperti i KiE-s thekson se “AMA nuk i rregullon operatorët që licencon në lidhje me sa mirë i shërbejnë ata audiencës sipas matjeve” kjo dhe për faktin se “AMA aktualisht nuk ka asnjë mandat në lidhje me matjen e audiencës”. Por “unë do të ngrija pyetjen”, – shton raporteri Ivor Millman, – “nëse mospasja e një mandati specifik e pengon AMA-n ta interpretojë rolin e saj përtej kësaj, për sa kohë një gjë e tillë nuk ndalohet? Gjithsesi, kjo do t’i shtonte punë AMA-s”.

Në përfundim të arsyetimit të tij, përfaqësuesi i Këshillit të Europës kërkon nga AMA që edhe nëse nisma e Shoqatës Shqiptare të Agjencive të Komunikimit dështon të jetë ajo nismëtare e një tentative të re për rregullimin e tregut të matjes së audiencës:

Shkurtimisht, rekomandoj që AMA të luajë një pjesë në komisionin e ri të propozuar të përbashkët të industrisë, ndoshta rol drejtues. Nëse ky komision nuk bëhet realitet, rekomandoj që AMA të bëjë çmos të përdorë aspektet pozitive që gjeneroi ky propozim për ta provuar sërish. Nëse përpiqeni, mund edhe të mos ia dilni, por nëse nuk e provoni, është e sigurt që nuk ia dilni.       

Sakaq, ajo që bie në sy përgjatë gjithë leximit të raportit të ekspertit të KiE-së është një klimë e gjerë mosbesimi te të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Në këtë dokument prej dhjetë faqesh, fjala “besim” është përdorur 19 herë prej tij.

Ky skepticizëm i aktorëve me njëri-tjetrin, sikurse evidentohet gjerësisht në raport, ndoshta nuk do të ishte i tillë sikur tregu aktual mediatik të mos rregullohej sikurse ndodh aktualisht nga “një Autoritet i Medias Audiovizive me pavarësi të diskutueshme”, – sipas përcaktimit të raportit të fundit të DASH, – “dhe me një rol të limituar kundrejt operatorëve “.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu