Prej disa vitesh, sa del behari, dëgjohen statistikat mbi numrin e turistëve në vend përgjatë verës që sapo ka kaluar.

Jo kaq milionë jo aq milionë.

Këtë pragvjeshte edhe nga ministria edhe nga agjenci statistikash po flitet për nja 4 milionë a 5 milionë turistë në vit.

Unë e kam këtë ves. Sa herë më tregojnë shifra, pyes veten me vete : Po si i kanë matur? Se në filozofi mund të bësh edhe pa numra, kurse në sociologji a ekonomi gjithë sekreti qendron te baza e të dhënave. Përndryshe sociologjia apo ekonomia bëhet përrallë që ta tregon baba pranë oxhakut…

Folk!

Me çfarë i masin xhanëm? Dhe mendoj se sigurisht, besoj, i nxjerrin të dhënat nga hyrje daljet në kufi. Ndofta ky është sot i vetmi mjet llogaritës që kanë në duar dhe i besojnë atij.

Gjithë vera më kaloi duke parë me sy grupe turistësh ose individë turistikë të vetmuar. Po këtë a e kanë matur? – kam pyetur veten. Komshiu im Meti matet sikur të ishte princ saudian me jaht

* * *

Kam qenë diku andej nga Pogradeci a Korça këtë vit me miq të huaj.

M’u desh nja një vit t’u mbush mendjen të kalojnë disa ditë vere në Shqipëri. U kënaqën shumë në fakt. Por, aty rrotull shihja një autobuz të madh me nja pesëdhjetë a njëqind turistë të huaj brenda që qendronin në fundjavë aty pari, dhe gjithë ditët e tjera të javës shkonin në Maqedoni, Greqi, Mal të Zi, Kosovë. Punë turistësh aman! Pra ndofta kanë hyrë e kanë dalë nga kufiri shqiptar disa herë atë verë. Një pyetje më ka munduar: Nëse këta ta zemë hyjnë e dalin nja dhjetë herë nga kufiri ynë, atëhere ata numurohen dhjetëfish si turistë. Pra në vend të njëqind vetëve numurohen ta zemë njëmijë. Nëse instrumenti matës është hyrja e dalja nga kufiri, atëhere ky artefakt statistik bëhet i pashmangshëm.

Po ashtu në lagjen ku banoj në Tiranë.

Këtë verë jam çmallur me Nardin, Lokun, Bertin, Qenanin, e me radhë miq të fëmijërisë dhe të rinisë sime. Kanë ardhur nga vendet ku kanë emigruar. Disa edhe me gratë e tyre, shqiptare të kulluara, njëqind karatë edhe ato. Por, duke pirë kafen te lagja me miqtë e mi, kam menduar pas “shpinës të tyre”: Edhe këta maten si turistë? Cfarë turisti është Qenani aman, Loku, Bimi, Meti, e të tjerë? Cfarë turisti është Zefi? Ata rrinë gjithë ditën te kafja e lagjes me mua, cmallemi duke bërë muhabet, kanë ardhur të shohin “pleqtë” dhe “plakat” e tyre, dhe do të ikin përsëri andej rrugëve të Londrës, Munihut, Parisit, e më larg akoma. Këta janë turistë në vendin e tyre! Por, instrumenti matës në kufi, nëse është ai që përdoret i mat edhe ata si turistë, sikur të ishte ta zemë Meti vetë një princ saudian që ka ardhur me jahtin e tij aty përballë Butrintit.

Ka edhe më.

Nga ballkoni i apartamentitn që kam zënë diku në bregdet shoh ballkonet e apartamenteve fqinje përballë banuar nga qiramarrës shqiptarë trojesh. Edhe ata e shohin ballkonin tim. Edhe ata quhen turistë sigurisht. Ata më shohin mua çfarë ha, edhe unë i shoh ata sepse jeta në verë në plazh bëhet në ballkon, në sytë e botës. Na ka ngelur ky zakon që nga koha e çadrave në plazh në kohën e qepës. Ata gatuajnë në shtëpi. Sigurisht. Duhet të jenë të mira gjellët që bëjnë gratë e tyre. Burrat e heshtur tymosin duhan. Fëmijët ose te celulari ose luajnë me çfarë të gjejnë. Një pjesë e jona jemi popullsi që kursejmë, plazh qoftë ose dimër. Por, edhe këta turistë që konsumojnë shumë pak, ose edhe ta zemë vlonjatët që shkojnë në Dhërmi me bukë me vete, futur në bagazhet e veturave të tyre, numurohen si turistët e resorteve luksoze. Edhe këtë ndarje nuk di ta bëjë instrumenti i matjes të hyrje – daljeve nga kufiri.

Pra, nëse shërbimet tona turistike ose statistike na tregojnë përralla, folk, si sociologët që nuk kanë baza të dhënash, për numrin e turistëve (nisur nga hyrje – daljet) në kufi, atëhere nuk kemi gjë në vijë. Nuk thashë se gënjejnë por e kanë kandarin e prishur.
Si thuhej dikur : u janë prishur koqet e kandarit!

* * *

Kemi pak apo shumë turistë?

Nërkohë llokoçitemi me shifrën që kemi pasur një fluks prej 4 ose 5 milionësh turistë këtë verë.

Dakord, por cili është kuptimi i kësaj shifre? Drejtues të dikasterit që merret me këtë punë na e paraqesin si sukses. Sigurisht një anë suksesi ka! Imagjinoni sikur asnjë turist të mos shkeli territorin shqiptar se çfarë qameti do të ishte. Por, megjithatë çështja do të duhej të shihej më thellë e me profesionalizëm. Sepse të marrësh statistikat nga policia e kufirit, kjo nuk vlen fare për të matur me logjikë të fortë menaxheriale fluksin tonë turistik.
Kjo lidhet më së pari me pyetjen thelbësore : 4 ose 5 milionë në vit turistë, janë shumë apo janë pak për mundësitë e infatsrukturës turistike shqiptare?

Sepse dëgjojmë nëpunësit tanë që na thonë se planin e kemi që në të ardhmen të kemi 10 milionë turistë!!!

Shumë mirë! Por, kuptojeni që po bëni si i thonë sasi! Në strategjitë menaxheriale thjesht sasia nuk mjafton, madje rendja pas sasisë, përtej llogarive që duhen parë me gjakftohtësi dhe jashtë dëshirës për propagandë, mund të sjelli dëme të pallogaritshme. Supozojmë përshembull se në Shqipëri vijnë 20 milionë turistë në verë!!! Kjo do t’i jepte fund gjithçkaje! Pra, përpara se të flitet për shifra si dëshirë duhet parë sesa janë kapacitet reale të vendit për të pritur turistë. Thirrjet pas berihajt për sasi nuk janë veçse dëshira me lugë të zbrazur.

E vërteta është, poqese flasim drejt e pa dorashka, që po të ishte puna për katër a pesë milionë turistë në vit, ne nuk do të kishim fare nevojë për nëpunës publikë që të merreshin me turizmin. Do të mjaftonte në fakt, atëhere po, vetëm policia kufitare, dhe policia e rendit për të siguruar jetën e turistëve. Ka miliona turistë në Europë që vetëm kaq duan.

E cfarë janë 4 ose 5 milionë turistë në verë?

Ja të bëjmë një llogari të vogël:
A ka nja një milionë emigrantë shqiptarë të ikur vitet e fundit. Po marrim një shifër krejt minimale. Sikur vetëm gjysma e tyre të kalojnë ca ditë pushime vere në Shqipëri, bashkë me familjen ja u bënë 1 milonë e gjysëm turistë. Burrë, grua, fëmi. Afërsisht.
Sikur edhe nja gjysëm milioni shqiptarë nga trojet të vijnë me nga dy a tre fëmijë vetëm, ja tek u bëne dhe nja dy milonë të tjerë.

A ka Europa nja 700 a 800 milonë banorë. As 10 përqind, as 1 përqind, por vetëm 0,1 përqind e tyre të kalojnë ca ditë në Shqipëri si turistë, a nuk bëhen aty te 700 mijë ose edhe 1 milionë turistë të huaj?

Ja ku u bënë në mënyrë natyrore, pa asnjë politikë a strategji turistike, nja 4 milionë e gjysëm turistë në kohë vere! A po jo? Pa pasur nevojë fare për dikaster turizmi!
Pra nuk është problemi fare te sasia. Kot e rrahin atë gozhdë me çekiç në media.

* * *

Matja e fluksit turistik kërkon teknicitet dhe jo propagandë

Lidhur me matjen e fluksit turistik duhet të adoptohen instrumenta matës, njësi matëse, si edhe parametra çelës matjeje, që të jenë shkencorë dhe jo sipas estradës të dikurshme ku disa kamione duheshin pjestuar me disa batalione dhe dilte një numur jo i plotë!!!
Në radhë të parë duhet ndarë mirë koncepti statistikor i turistit unik dhe turistit përsëritës. Ai unik vjen një herë përgjatë verës, kurse turisti përsëritës vjen disa herë (pra më shumë se një herë) për atë periudhë kohe. Madje mund të matet nëse gjatë viteteve të fundit (ta zemë në dhjetë vitet e fundit) një turist ka ardhur vetëm një herë, apo është kthyer disa herë. Dallimi midis turistit unik dhe turistit frekuent është thelbësor në matjen, vlerësimin dhe raportimin e fluksit turistik. Përndryshe nëpunësi i ngarkuar me këtë çështje gabon dhe mashtron qeverinë, opinionin publik dhe operatorët që veprojnë në fushën e turizmit.

Pastaj duhet segmentuar fluksi turistik që cdo marketues që punon me metoda bashkëkohore e di se është një procedurë që nuk mund të anashkalohet. Pra duhet parë sa turistë janë të lindur në Shqipëri, sa janë nga trojet, sa janë të huaj në kuptimin absolut të fjalës. Pastaj, edhe me kritere sociodemografike që lidhen me moshat, seksin, etj.
Nuk është ndonjë procedurë e vështirë për t’u bërë, por kërkon integrimin e bazave të të dhënave statistikore të policisë të kufirit me parametrat statistikorë që u duhen shërbimeve të turizmit, sigurisht duke ruajtur të drejtat e qytetarëve për privatësinë e të dhënave individuale.

Sigurisht kjo kërkon edhe një marrëdhënie shumë profesionale midis asaj që quhet front-office dhe back – office në trajtimin e bazave të të dhënave sepse përndryshe radhët e turistëve që hyjnë në kufi do të bëheshin shumë të gjata.

Por, ta marrtë e mira ta marri, kanë nevojë ta dinë operatorët turistikë sesa turistë të moshave të reja hyjnë, e sa të brezit të tretë, sa burra e sa gra, sa fëmijë e sa prindër, sa persona të vetmuar, dhe sa familjarë, sa vijnë me grupe dhe sa vijnë individualisht etj.

Pra, ne hyjmë në problematikat jo vetëm të matjes sasiore të trafikut, por edhe në analizën e cilësisë të vizitës turistike. Erdhi turisti po sa ditë ndejti? Ka shumë rëndësi kjo. A është rikthyer përsëri apo erdhi njëherë dhe iku nga sytë këmbët si Nastradini në Qafë Shtamë ku u betua se nuk do të kthehej më kurrë ngaqë vendasit ja punuan shumë keq. Vizitoi vetëm bregun e detit apo ishte një vizitë shumëpërmasore duke frekentuar edhe vendet turistike etj? Sigurisht kjo nuk bëhet nga të dhënat e kufirit. Kjo kërkon baza të dhënash që vijnë edhe nga anketat sociologjike. Por, ne sociologjinë e kemi ideologjike, jo matematikore e sasiore, kuantativiste. Cfarë do t’i kushtonte vendit nëse një ekip prej njëqind sociologësh të drejtuar mirë do të ndiqnin pas këmba këmbës fluksin turistik në vend për të krijuar bazën e të dhënave që duhen? Asgjë ose pothuajse një thërrime financim. Por, shumë vullnet administrativ. Edhe më shumë talent intelektual.

Të dhënat duhet të jenë të kryeqëzuara sepse operatorët, si të gjithë shitësit modernë sot, në bazat e tyre të të dhënave duhet të kenë formularë të plotësueshëm në dhjetë minuta nga ferkuentuesit e hoteleve që kudo janë mësuar me të tilla procedura.

Mbi të gjitha duhet matur shkalla e plotësimit të pritshmërive për cdo turist në vend. Edhe për këtë ka kritere statistikore që nuk ka nevojë t’i shpikim. Poashtu edhe matja e ROI për cdo turist të ardhur as nuk duket gjëkundi. Me një fjalë cfarë fitimi ka mesatarisht ose individualisht cdo operator turistik për kokë turisti të ardhur në Shqipëri?

Sepse duhet matur mirë sa turistë blejnë ushqime në njësitë tregtare dhe gatuajnë vetë dhe sa ushqehen në restorante. Sa vijnë e rinë në shtëpitë e prindërve dhe sa shkojnë në hotele. Sa marrin dhoma me qira e sa frekuentojnë hotelet.

Përndryshe statistika vlen vetëm për propagandë dhe mbi numrin e marrë nga policia kufitare fshihet pikërisht pazotësia, dembelizmi, moskokëçarja e nëpunësve të dikasterit që merren me turizmin. Pa aplikimin e potencialit të teknologjive të informacionit, pa kryqëzimin e metodave sociologjike për mbledhjen e informacionit, pa krahasimin disavjeçar të bazave të dhënave si edhe pa u futur në logjikën e big datave, as mos shpresojmë që matja e fluksit turistik do të bëhet ndryshe sesa është bërë si në kohën e koncert në vitin 1936.

* * *

Matja e fluksit turistik sipas hyrjes – daljes të njerëzve në kufi ka pak ose aspak vlera për menaxhimin e biznesit turistik. 

Janë të tjera metoda ato që matjen teknike e realizojnë si të tillë dhe jo si fushatë thjesht propagandistike ose si mjet për të fshehur paaftësinë e njerëzve që merren me turizmin. Përkundrazi, duhet matur ndryshe nëse dëshërojmë që kjo matje të jetë pjesë e një menaxhimi bashkëkohor të sektorit turistik. Ka vend të shihen edhe të dhënat e sektorëve të tjerë jashtëturistikë por që influencohen nga ardhja e turistëve. Konsumi i impulseve telefonike, rritja e shitjeve të karburanteve, harxhimi i energjisë elektrike, etj. Përndryshe nuk ka kuptim.

Matja në fjalë vetëm atëhere bëhet për:
– Të targetuar klientët e mundshëm si prospekte duke i ekspozuar ata me reklamë dhe aktivitet promocional.
– Të ndihmuar investimet e operatorëve në këtë sektor.
Matur GDP që krijohet në sektor dhe ripërcaktuar politikat publike në këtë fushë.

Përndryshe hajde vazhdojmë si qëmoti!

Dhe miku im Meti do të matet si turist, si një princ ajatollah që vjen me jaht në Butrint, ndonëse Meti ka ardhur thjesht për t’u çmall me „plakën“ e vet dhe për të bërë pak gallatë me mua te kafja e lagjes.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu