Më 22 Qershor 2017, rrjeti ndërkombëtar CNN publikoi një shënim editorial online ku kërkonte ndjesë publike për shkak të një informacioni të pakonfirmuar plotësisht, sipas të cilit, “këshilltari politik i Presidentit Trump, z. Anthony Scaramucci ishte i lidhur në Fondin e Investimeve Direkte Ruse”. Në njoftimin e CNN argumentohej se “lajmi i publikuar nuk i ishte nënshtruar filtrave gazetareskë sikurse parashikohet në standardet dhe politikën editoriale të televizionit”. Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, që u cilësua si “jo plotësisht i konfirmuar”, tre gazetarët veteranë Tomas Frank, Lex Haris dhe fituesi i çmimit Pulitzer, Eric Lichtblau, dhanë dorëheqjen.
Ashtu si CNN, ndjesë publike për informacione të pasakta kundrejt lexuesve të tyre kanë publikuar dhe media prestigjioze si NYTimes, Guardian, Washington Post, ABC News, etj… sa herë kur, për një arsye apo një tjetër, kanë gabuar!
Gabimi është njerëzor ndërsa ndjesa publike është një akt reflektimi dhe përgjegjësie kundrejt palës së dëmtuar, lexuesit dhe opinionit publik!
Sakaq, më 14 Qershor 2019, një aksion i madh i forcave speciale në qytetin e Elbasanit solli një sërë arrestimesh, në radhët e të cilëve dhe gazetarë e ish punonjës së medias. Operacioni ishte dinamik e po kështu dhe fluksi i informacionit që mbërrinte nga momenti në moment në redaksitë e lajmeve.
Shumë media, përfshi disa televizione kryesore, gazeta e portale gabuan, ranë pre e informacioneve nga burime të pasakta, madje, akoma më tepër, e mungesës së profesionalizmit të gazetarëve dhe editorëve të tyre… e për rrjedhojë, një qytetar i vendit, personazh publik për shkak të profesionit të gazetarit, u shpall botërisht i arrestuar në aksionin antikorrupsion (ndër të tjera)!
Fotoja e tij “u var” në murin e lajmeve të faqeve zyrtare të mediave dhe në Facebook, si në ato filmat “western” që të kujtojnë keqbërësit e shumëkërkuar, me damkën “i arrestuar”!
Madje, rasti më spektakolar, ilustrues i kësaj shpifje dhe mashtrimi publik, mes shumë artikujve të ngjashëm në media, ishte ai i publikuar në portalin Newsbomb, ku fillimisht postohet si një “zbulim” emri i gazetarit tjetër të arrestuar për korrupsion, e më pas, po e njëjta media shkruan se “u tha se ishte arrestuar…”, në një kohë kur këtë e ka “zbuluar” po vetë!
Prisni, se ka akoma…!
Kur gazetarët dhe lexuesit reagojnë përballë kësaj “lajthitje” profesionale, drejtuesit e këtij portali atakojnë me emra të përvetshëm gjithsecilin prej tyre dhe justifikojnë “lajthitjen” me “lajthitje” të tjera edhe më të rënda, çka të lë të kuptosh që këtu problemi nuk është publikimi i një FAKE NEWS-i, por fakti që publikimi i një FAKE NEWS-i konceptohet si diçka normale dhe rutinë në profesionin e gazetarit. (lexoni komentet nën këtë status)
Këtu nuk është çështja e një portali, por e një fenomeni që sot po luftohet anembanë globit, e ku, gazetarët apo dhe aktorë të tjerë si shoqatat e gazetarëve duhet të reagojnë, jo ndaj emrit të përvetshëm, por ndaj fenomenit, që, sikurse ka ndodhur dhe herë të tjera, po “amnistohet” si diçka normale.
Edhe njëherë: nuk është çështje fake newsbombi, fake newssoti, fake newsshqipi apo dhe fake newsmedialooku…, por, pikësëpari, përgjegjësie ligjore, sociale dhe publike që gazetari dhe media si biznes dhe “e mirë publike” kanë në raport me lexuesin e tyre… pra, është çështje e standardeve dhe parimeve më të larta të gazetarisë.
Ato standarde që drejtuesja e këtij portali, Unioni i Gazetarëve, MediaLook, Shoqata, Shoqata, Shoqata…, i rikujton me shkrime e konferenca sa herë vjen 3 Maji, por që në 364 ditët e tjera të vitit, duket se i harrojmë.
Doni shembuj, ja një opinion shumë i mirë i drejtueses së portalit më 3 maj 2013, me titullin: Të jesh gazetar!, i cili përfundon me këto fjalë: “… duhet të gjithë sot në ditën e gazetarëve të përpiqemi t’i themi stop kësaj situate. Ndoshta e kemi lënë vetë të degradojë kështu. Por do të ishte më e ndershme, që t’i pranonim gabimet.”
Ta nisim aty pra, te pranimi i gabimeve dhe të mos kujtohemi për gazetarinë dhe gazetarët vetëm më 3 Maj, por në 365 ditët e vitit.