Në orët e para të 27 marsit 2023, një makinë u ndal jashtë ambienteve të televizionit shqiptar Top Channel në Tiranë dhe sulmoi godinën me automatik, duke lënë të vrarë një roje sigurimi 60-vjeçar – një nga sulmet më të rënda kundër një media në dekadën e fundit. Pas incidentit, të cilin televizioni e quajti “sulm terrorist”, kryeministri, presidenti, kryetarja e Kuvendit dhe shumë personazhe publike në Shqipëri e denoncuan atë dhe kërkuan që përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Megjithatë, muaj më vonë, agresorët ende nuk ishin identifikuar, ndërsa autoritetet kishin dhënë pak ose aspak informacion mbi ecurinë e hetimeve.

Një muaj më parë, një grup raportues prej tre anëtarësh i emisionit investigativ “Fiks Fare” në të njëjtin stacion televiziv, u sulmuan fizikisht dhe u kërcënuan me armë teksa po xhironin pamje për nxjerrjen e paligjshme të materialeve inerte në lumin Zezë, rreth 30 kilometra në verilindje të Tiranës. Një patrulle policie iu desh gati një orë për t’iu përgjigjur incidentit. Në janar 2023, gazetari televiziv Elvis Hila dhe gruaja e tij u sulmuan nga dy burra, çështjen gjyqësore të të cilëve gazetari e kishte mbuluar më parë. Në maj të vitit 2023 të dyshuarit u arrestuan dhe më vonë u dënuan me pesë muaj burgim.

Edhe pse sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe të afërmve të tyre mbeten të kufizuara në Shqipëri, rastet që raportohen nuk hetohen gjithmonë tërësisht. Ngacmimet dhe kanosjet, abuzimet verbale dhe fushatat e shpifjeve, si në internet ashtu edhe jashtë tij, mbeten mjaft të zakonshme dhe shpesh vijnë nga nivelet më të larta të pushtetit, duke minuar cilësinë e fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit.

Sipas Mapping Media Freedom Database, 64 shkelje të lirisë së medias janë regjistruar në Shqipëri nga viti 2020 deri në 2023, nga të cilat tre të pestat ishin sulme verbale, duke përfshirë kanosje dhe kërcënim, përpjekje për të diskredituar gazetarët, fyerje dhe abuzime, tallje dhe trolling, ndërsa pjesa tjetër përfshinte sulme fizike, kërcënime ligjore, censurë dhe sulme ndaj pronës. Numri i incidenteve të regjistruara në vitin 2023 është pothuajse dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Baza e të dhënave drejtohet nga Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), një mekanizëm në mbarë Evropën, i cili gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në shtetet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate.

Një shembull famëkeq i këtij lloji sulmi erdhi në korrik 2023 nga kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar Erion Veliaj, i cili e quajti gazetaren e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, Ola Xama, një “vrasëse me pagesë” kur ajo e kontaktoi atë për të komentuar për një investigim me interes publik për kontratat e menaxhimit të mbetjeve.

Xama kishte raportuar për një hetim zyrtar nga Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Investigimi detajonte gjithashtu rolin e bashkisë së Tiranës në një partneritet të diskutueshëm publik-privat, i cili është kthyer në skandalet më të mëdha korruptive të Shqipërisë për dekada, me një ministër në burg dhe një tjetër në arrati ndërkombëtare.

Pas kësaj fyerjeje, mediat pro-qeveritare në Tiranë për javë të tëra mbrojtën Veliajn dhe përdorën gjuhë nënçmuese dhe negative për të denigruar Xamën për publikimin e saj. Kur Ricardo Gutierrez, kreu i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), e mbrojti Xamën, ai u sulmua gjithashtu dhe EFJ-ja u quajt një organizatë e parëndësishme.

Kjo nuk është hera e parë që kryebashkiaku i Tiranës Veliaj kritikohet për sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave. Vetëm disa muaj më parë, ai njoftoi publikisht emrin dhe mbiemrin e një gruaje që ai pretendon se qëndron pas faqes satirike të njohur në Facebook të quajtur “Lolita”, e cila shpesh shënjestron zyrtarë qeveritarë si Veialj, dhe tha se kishte dy fëmijë, përpara se ta akuzonte për shantazh të kompanive të autobusëve pa ofruar asnjë provë. Në një deklaratë të dytë, Veliaj kërcënoi me ndjekje penale influencuesin dhe administratorin e një faqeje tjetër online “Jeta osh qef” – të dy kritikë ndaj kryetarit të bashkisë – ndonëse nuk kishte autoritet të urdhëronte një ndjekje të tillë penale.

Në mars dhe korrik 2022, kryeministri Edi Rama i ndaloi gazetarëve Ambrozia Meta dhe Klevin Mukaj pjesëmarrjen në konferencat për shtyp të qeverisë, pasi ata bënë pyetje që ishin në interes publik. Rama pretendoi se gazetarët kishin vepruar në mënyrë joprofesionale dhe kishin nevojë për tre muaj “riedukim”, një term i përdorur gjatë regjimit komunist të Shqipërisë për intelektualët që dërgoheshin të bënin punë krahu pasi hynin në telashe me autoritetet.

Nën presion nga qeveria nuk janë vetëm gazetarët, por edhe mediat kritike. Në mars 2023, Ora News TV dhe News 24 TV pretenduan se organet tatimore i kishin goditur me qindra mijëra euro gjoba me pretendimin se kishin paguar paga “nën normën mesatare të tregut”. Të dy mediat pretenduan se gjobat kishin për qëllim t’u mbyllnin gojën atyre dhe të heshtnin raportimin e tyre kritik ndaj skandaleve të qeverisë. Qeveria u përgjigj se po mbronte të drejtat e punës së gazetarëve.

Sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave kritike në Shqipëri nuk vijnë vetëm nga Partia Socialiste në pushtet, por edhe nga opozita e qendrës së djathtë. Në korrik 2023, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një raport që tentoi të diskreditonte artikujt nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative të shkruara gati një dekadë më parë. Ai pretendon se ato janë përdorur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për ta shpallur atë persona non-grata për përfshirje të pretenduar në korrupsion. Berisha dhe familjarët e tij u sanksionuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj 2021 “për përfshirje në akte korruptive”. Më 22 korrik 2022, atij iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të lidhjeve të dyshuara me grupe kriminale dhe korrupsion. Berisha pretendoi se raportimet e BIRN kundër tij nuk ishin të vërteta dhe se ishin financuar nga financuesi hebre hungaro-amerikan George Soros, një figurë e urryer për disa të djathtë.

Mediat e pavarura dhe gazetarët janë shtylla të rëndësishme të fjalës së lirë në një shoqëri demokratike dhe sigurojnë kontrolle dhe balanca të rëndësishme duke kërkuar llogari nga ata që kanë poste publike dhe pushtet politik. Sulmet dhe fushatat e shpifjeve kundër gazetarëve tentojnë të minojnë besimin e publikut në gazetari dhe media, duke e bërë më të lehtë përhapjen e dezinformatave dhe teorive të konspiracionit. Ato paraqesin gjithashtu një rrezik për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke pasur një efekt dekurajues në raportimin e tyre dhe duke i shtyrë ata drejt vetëcensurës. / MOM Albania 2023

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu