Shpesh i vogli, i dobti, i pamunduri ka një mënyrë për të kompensuar gjendjen në të cilën ndodhet. Sikurse e ka shpjeguar në të gjithë këtë shekull qysh nga krijimi i saj, psikanaliza na mëson se kjo dobësi shpesh shoqërohet me një gjendje iluzioni, me prodhime deliresh madhështie. I vogli ëndërron se është i madh!
E veçantë ka qenë kjo analizë sidomos në vitet 50 të shekullit të kaluar kur kjo hipotezë hyri fuqishëm në shkencat sociale. Një sërë autorësh si Arendt, Reich, Adorno, Fromm, etj., shpjeguan që ky mekanizëm i prodhimit të delireve të madhështisë nga të vegjëlit, të pamundurit, të dobtit, iu ndodh individëve që janë tashmë të rritur, por u ndodh edhe partive të ndryshme politike, u ndodh shtresave të tëra sociale, iu ndodh shteteve të ndryshme, por edhe kombeve të vegjël numerikisht apo në territor.
Dobësia e kompensuar me madhështi, grandomani, vetëpëlqim. Aq e fortë është kjo ndjenjë saqë njeriu, kombi, shteti, sikurse thonë mendimtarët që përmenda, që është i kapur nga kjo psikozë, nuk e kupton fare atë. Deliri nis edhe infekton të gjithë ndërgjegjen kolektive dhe individuale dhe individi i kapur nga kjo psikozë madhështie nis edhe i duket se ndodhet në qendër të botës, nis e mendon edhe për të tjerët, prodhon ndjenjën e vetëpërkryerjes, dhe zhvillon të gjitha teoritë dhe projektet pa i matur forcat e veta.
Psikanaliza ka vërtetuar në rrugë eksperimentale se kemi të bëjmë me një varg gjendjesh emocionale dhe psikike që kalojnë nga trauma e të ndjerit një vogëlsirë në erërat që fryjnë në botë, në qytet a në lagje, një bizhdil që shkon nga fryn era, pastaj te vetëgënjimi se je barazuar me forca vigane që të mbajnë në krahë. Më pas madhështia iluzore e bën subjektin të mendojë se është i pakritikueshëm, perfekt, vepron gjithnjë drejt, është më i miri dhe se përfaqëson historinë, barazohet me vetë Zotin. Realiteti është i mjerë kurse ndërgjegja iluzore e paraqet sikur është madhështor, një sinfoni e përkryer. Bota përqark duket shumë e vogël përpara mendimit që kihet për veten e vet. Pastaj kalohet në idealizimin e vetes, dhe më në fund në injorimin e të gjithë të tjerëve.
Ne si popull jemi modestë dhe të thjeshtë. E kam fjalën për individin e zakonshëm që në një cep të shoqërisë përpiqet të mbijetojë apo të përballojë jetën e vet mes qindra hallesh dhe vështirësish. Në historinë tonë, kjo ka qenë karakteristika kryesore, por që në dekadat e fundit disi ka ndryshuar gjithashtu. Folklori dhe arti popullor në shekuj na jep provat e padiskutueshme të modestisë, të sensit realist, të thjeshtësisë, të të qenurit me këmbë në tokë të shqiptarit të thjeshtë zakonisht i mbyllur brenda një bote rurale, dhe i shtypur nga Perandori, Sulltani, pronari i tokës, etj.
Mirëpo sidomos gjatë shekullit të 19 dhe 20, sikurse edhe në kohët e sotme, gjendja ka ndryshuar kur e shohim se çfarë ndodh në ideologjitë që forcat politike prodhojnë.
Në to ka një kompensim të vogëlsisë, pafuqisë, halleve kombëtare me anë të një paraqitjeje madhështore të vetvetes. Nis e prodhohet një lloj marrëzie e madhështisë, nje idealizim i vetvetes, një delir grandomadh.
Në disa drejtime ai ka qenë çudibërës, sepse sikurse thekson Niçe kjo mënyrë ndofta është e vetmja për të përballuar dobësinë dhe ndrojtjen nga shkatërrimi. Sikurse shkruante Shopenhaueri njeriu për të përballuar zhdukjen e vet nga jeta, nis e shpreson se me vdekjen e tij e gjithë shoqëria do të heshti dhe do ta shoqërojë me duartrokitje drejt banesës së fundit!!!
Por, sado i dobishëm, ky delir madhështie, kjo ideologji e marrëzisë së madhështisë, për të mobilizuar forca të mëdha njerëzore dhe shpirtrore, ai sigurisht sjell dëme të pariparueshme. Dhe sikurse ka theksuar Frojdi, kjo vjen fillimisht sepse ndjenja iluzore e madhështisë, humbet sensin e realizmit. Në fund të fundit në betejën midis realizimit dhe madhështisë iluzore, kjo e fundit e qorrolleps gjithçka.
Vazhdojnë edhe sot dëshirat që ne të jemi pasardhës e një popullsie të stërlashtë që ka qenë në fillimet e para të njerëzimit nga kanë ardhur të gjitha gjuhët dhe kulturat e tjera. Vetëm se na duhen argumente. A thua se kjo na prish punë për të qenë ata që jemi pra si një kulturë e prejardhur në rrënjët e veta në një zanafillë iliriote kaq të denjë, me rrënjë edhe më të thella. Nuk na mjafton epopeja e madhe kombëtare e Gjergjit të madh, por duam të themi se ishim ne krutanët që mbrojtëm krishtërimin europian nga avancimi otoman. Nuk na mjafton bukuria e shqipes si gjuhë për ne, por e duam në delir si gjuhën më të bukur se të gjitha gjuhët e tjera, a thua se është një garë për Misss Universin! Sulltanatin? E kanë pasur shqiptarët në një numur të madh rastesh, edhe vezirët poashtu!
Që nuk mohon sigurisht që kanë qenë si fakt ndonjëherë i përsëritur, por Perandoria ishte kaq e madhe dhe me kaq shumë kultura brenda saj ku influencat ishin kaq të ndryshme. Aleksandri i Maqedonisë me origjinë ilire, a thua se këtej varej fati i Maqedonisë së Lashtë dhe i pushtimeve të saj. Napoleoni korsikan me origjinë shqiptare!!! Mustafa Qemali gjithashtu, çka nuk është se nuk ka bazën e vet, por reformat në Perandori nuk shpjegohen me shqiptarizmin e tij.
Pas Luftës së Dytë botërore ky delir madhështie në ideologji shkonte bashkë me një realitet që ecte drejt shkatërrimit. Jemi 800 milonë na thuhej duke na bashkuar me kinezët e asaj kohe, por në fakt ishim 400 herë më pak sa pretendonim. Drejtojmë Traktatin Ushtarak të Varshavës sepse ministri ynë i mbrojtjes ishte nënkryetar i këtij Traktati, por në fakt ishim atje thjesht “për të ndezur cigaret e zotërinjve oficerë”, sikundër do të thoshte Shvejku i Jaroslav Hashekut. E pa fund raste të tilla.
Faza pas vitit 90 e ka rritur këtë dozë madhështie përkundrejt një realiteti gjithmonë e më të dobët dhe të brishtë. Kemi mbetur me rendimente në bujqësi më të ulëta sesa ato të kohës së monizmit. Qindra mijë shqiptarë kanë braktisur vendin. Gjendja e institucioneve nuk ka kapur aspak standardin e shtetit të së drejtës. Mijëra ekonomi gjoja sipërmarrëse nuk janë veçse kioska shitjeje ku nuk hyn hyn askushi. Vishemi në pjesën dërmuese nga tregu i Gabit. Mbetëm jashtë integrimeve europiane, Por ndjenja e madhështisë vazhdon!
Atë e ushqen lufta për pushtet e partive politike dhe e liderve të tyre. Sa janë në pushtet e paraqesin gjendjen me arritje madhështore, dhe sapo largohen nga pushteti e nxijnë. Kjo e ka bërë opinionin publik ose mosbesues ose të lëkundet nga madhështia në deprimim. Të eturit për karrierë mbivlerësojnë veten e tyre dhe nisin besojnë se janë madhështorë. Pastaj rivihemi në qendër të botës, i japim mësime gjithë botës, e cila na sheh me sy tallës dhe gazmor!
Në këtë mënyrë individi, kombi, humbasin sensin e realitetit dhe ndërmarrin projekte jo në përputhje me “jorganin” që kemi por me dëshirat e grandomanisë. Sot në Durrës psh kam dëgjuar nja dy pensioniste, gra, që më thoshin se në pak vite, kjo lagja jonë do të jetë si Dubai!!!
Ja kalojmë Evropës, Anglisë, Gjermanisë, Francës për vaksinime. Kur shohim se jemi në fund nga numri i popullsisë së vaksinuar!
Por, nuk po vazhdoj më tej! Ardhja te realiteti ynë i vogël, i brishtë, modest është filozofia e parë politike që na duhet! Ndryshe do të përplasim kokën shumë shpejt te realitete kokëforta, aq më shumë kur nuk lëmë rast pa përmendur kot e më kot se ne paskemi qenë të vetmit që kemi mbrojtur hebrenjtë nga nazistët! Të vetmit në rruzull. Ne jemi Nênë Tereza e Globit mbarë! Presim nja 600 afganë dhe e bëjmë te madhe a thua se po presim gjithë flukset e emigracionit, me qindra milionë që pështjellojnë botën. Dhe bota na sheh me buzën në gaz!
Të kthehemi te jeta jonë e vogël, modeste, te projektet tona të vogla, me dimensione modeste, sepse ndryshe do të zhdukemi, të ruajmë identitetin tonë aq sa jemi, sepse para një bote të madhe jemi një pikë ujë. Mos ngatërrojmë ambiciet e mëdha të feudalëve shqiptarë që hanin kokat në betejat me Sulltanët, me faktin se tokat me shqiptarë ishin provinca periferike pa peshë në Perandori. Të kthehemi në politika e gjeopolitika të qeta, paqësore, modeste, aq sa na takon, sikurse bëjnë shtete të vegjël në lulëzim si Danimarka, Monako, Zvicra, apo në Ballkan si Mali i Zi.
Kështu do të jemi të dobishëm si për vete, ashtu edhe për partnerët dhe miqtë tanë dhe botën në përgjithësi!