Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Fatjona Dhimitri denoncon drejtuesit e Akademisë së Shkencave se po synojnë të ligjërojnë organikën e fryrë të pagave në dëm të buxhetit ndërsa i bën thirrje SPAK të hetojë atë që cilësohet si shpërdorim i parasë publike nga ky institucion.

Në një qëndrim të saj, znj. Dhimitri publikon dhe qëndrimin e Ministrisë së Financave, sipas të cilit Akademia e Shkencave ka kërkuar miratimin e një strukturë shumë më të madhe dhe me kosto shtesë financiare nga ajo që është miratuar në ligjin “Për buxhetin e vitit 2020”.

Gjithashtu, në shkresën e Ministrisë së Financave, që mban firmën e titullarit të këtij institucioni, znj. Anila Denaj, konstatohet se Akademia e Shkencave ka kërkuar nivele pagash dhe shpërblimesh që nuk përkojnë me ato të parashikuara në ligjin “Për pagat dhe shpërblimet”.

Mbështetur në këtë përgjigje të Ministrisë së Financave, Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, znj. Dhimitri ka rikthyer në vëmendje të opinionit publik kërkesat e saj kundrejt këtij institucioni ku i kërkon bazën ligjore mbi të cilën mbështetet qoftë struktura e re, qoftë niveli i shpërblimeve dhe pagave, duke kujtuar se këto kërkesa mbajnë dhe firmën e “kryetarit të vetëshpallur të Akademisë së Shkencave Z. Skënder Gjinushi”, që e cilëson si të kryetar të paligjshëm.

Në vijim të qëndrimit të saj, Dhimitri ka kërkuar nga “organet e drejtësisë dhe në veçanti SPAK-ut të hetojë faktet e publikuara si dhe të iniciohet një procedurë për atë çfarë po fsheh Akademia e Shkencave”.

Qëndrimi i plotë i Kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Medias, znj. Fatjona Dhimitri:

Akademia Abuzive e Shkencave

Përpjekjeve të Kryesisë së Akademisë së Shkencave për të ligjëruar strukturën, organikën, nivelin e fryrë të pagave i pret hovin shkresa Nr. 5249/1 Prot, datë 19/03/2020 e Ministrisë së Financave Dhe Ekonomise . Kjo e fundit vërteton atë çfarë unë vazhdimisht kam pohuar që nga momenti i marrjes së detyrës së Kryetares në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve për Informim Publik.

Më datë 12.02.2020 në kërkesën për informacion të hollësishëm ( shkresa me Nr. Prot 612 Prot , datë 12.02.2020) drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave, ndër të tjera kërkoj:

  1. “ Ku e bazoni ju në ligj kërkesën tuaj për aprovimin e organigramës dhe personelit të Akademisë së Shkencave?
  2. Në cilin ligj bazoheni ju për aprovimin e pjesshëm të pagave të administratës të Akademisë së Shkencave?
  3. Përse Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave lidhur me miratimin e strukturës, organikës, nivelin e pagave të Akademisë së Shkencave ndërkohë që ne kemi aprovuar një buxhet akademie, pra së bashku me buxhetin e shtetit ka kaluar edhe buxheti që i alokohet kësaj të fundit?”

Përfshirja e qëllimshme në paligjshmërinë në të cilën është zhytur sot kjo Akademi, reflektohet edhe në përgjigjet aspak shteruese te Sekretarit Shkencor, Z. Shaban Sinani, referuar shkresës me Nr. 144/1 Prot , datë 17.02.2020, “…Struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara është në përputhje të plotë me buxhetin e miratuar dhe nuk prodhon efekte financiare shtesë e më tej …… pa pozicione punë të tepërta, me funksione dhe organikë të mirëpërcaktuar…”

Për sa më sipër, në shkresën drejtuar Kuvendit të Shqiperisë nuk ka një relacion mbështetës lidhur me shpenzimet që janë bërë dikur prej Akademisë së Shkencave ashtu sikundër pretendohet, që struktura, organika, niveli i pagave nuk prodhojnë kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

Struktura, organika dhe niveli i pagave të sjella për miratim në Kuvend prej kryetarit të vetshpallur të Akademisë së Shkencave Z. Skënder Gjinushi, dëshmojnë dyfish paligjshmërinë e këtij dokumenti pasi ai jo vetëm mban firmën e kryetarit te paligjshëm të Akademisë, por nga ana tjetër ky i fundit zhytet edhe më thellë në sferën e abuzimeve përmes firmosjes së dokumentave me efekte financiare në dëm të buxhetit të shtetit.

  • Por si munden këta zotërinj që ulen në kolltukun e akademikut të mos respektojnë ligjin që aq shumë e propaganduan për të vënë kontrollin absolut mbi mendimin shkencor?!
  • Si mund të pohojnë që struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara nuk prodhojnë pozicione pune të tepërta kur vetë kryesia e Akademisë shpërndan para për komisione vetëm për pjesëmarrje në mbledhje, madje edhe për njësitë e pambështetura në ligjin i cili u miratua në shkelje te Kushtetutës përsa i perket relacionit financiar?!
  • Ngrejnë institutet kërkimore paralele duke shpenzuar fondet e buxhetit të shtetit e si rrjedhojë taksat e qytetarëve shqiptarë.
  • Krijojnë një aparat të fryrë prej më tepër se tridhjetë nëpunësish.
  • Ende nuk tregojnë rendimentin financiar të objektivave për vitin 2020.
  • Vendosin praktikën e faljeve të botimeve duke krijuar mundësinë për korrupsion dhe abuzime.
  • Nuk kanë recencuar me recenca të jashtme planin e botimeve .
  • Funksionojnë pa koordinim me universitetet duke gllabëruar kompetenca në mënyrë ekskluzive.
  • Për të shkuar më tej me mendimet e marra hua të cilat i bëjnë fakte të kryera dhe i quajnë ato shkencore.

Si mund të heshtë politika dhe drejtësia shqiptare për atë cfare po ndodh sot në Akademinë e Shkencave? 

Në vendet perëndimore tempulli i shkencës prodhon ide shkencore përmes metodave shkencore , krejt e kundërta me atë çfarë ndodh në Shqipëri, aty ku shkenca vihet në shërbim të udhëheqjes politike e transformohet në çerdhe abuzimesh për përfitime vetjake.

Ne fakt Akademia e Shkencave po tregon që nuk ka përparuar që nga koha e komunizmit e cila ishte në shërbim të diktaturës. 

I bëj thirrje organeve të drejtesise dhe në veçanti SPAK-ut të hetojë faktet e publikuara si dhe të iniciohet një procedurë për atë cfarë po fsheh Akademia e Shkencave.  

Shqipëria ka nevojë të orientohet drejt novacioneve për të avancuar në harmoni me shtete të përparuara Europiane dhe të tilla nisma për të shpërdoruar buxhetin e shtetit deri në babëzi nuk sjellin gjë tjetër veç varfëri dhe plakje të trurit.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here