Institucionet ndërkombëtare të ftuara në raundin e konsultimeve për “paketën antishpifje” kritikuan njëzëri të hënën në Komisionin e Ligjeve projektligjet e qeverisë “Rama” për rregullimin e mediave online.
Përfaqësuesit e delegacioneve të Bashkimit Europian, OSBE-së, Këshillit të Europës dhe Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara shprehën shqetësime për cenimin e lirisë së medias në Shqipëri dhe u bënë thirrje deputetëve të mazhorancës që të bënin një hap pas me projektligjet e propozuara.
I planifikuar për t’u zhvilluar fillimisht në orën 10:00, takimi me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare u shty për dy orë e gjysmë dhe filloi sërish me vonesë, për shkak se deputetët socialistë ishin të pranishëm në prezantimin maratonë të kryeministrit Edi Rama të asaj që ai e quajti “paketa speciale AntiKÇK”.
Me mbërritjen në sallë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja foli për “drafte të përmirësuara” dhe të dakordësuara me pjesën dërrmuese të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht me OSBE-në, pretendim i cili stonoi rëndë me qëndrimet e përfaqësuesve të këtyre organizatave.
Zv.drejtuesja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Monika Bylaite tha në fillim të fjalës së saj se Komisioni kishte dorëzuar dy herë komentet e veta në shkurt dhe në qershor dhe la të kuptohej se jo të gjitha shqetësimet për lirinë e shprehjes ishin marrë parasysh.
“Komisioni propozon qasje më pak të rënda, të tilla si vetërregullimi i medias. Standardet europiane dhe ato ndërkombëtare për lirinë e shprehjes janë kyçe në këtë proces dhe i bëj thirrje komisionit që të merren plotësisht parasysh,” tha Bylaite, e cila shtoi se BE ndan shqetësimet se rritja e kompetencave të AMA-s ndikon në lirinë e shprehjes.
Irina Radu, drejtuese e Zyrës së Medias në OSBE kontestoi fillimisht deklaratat e deputetëve të mazhorancës se draftet ishin dakordësuar me OSBE-në, ndërsa shtoi se pavarësisht përmirësimeve ka ende shqetësime.
“Zyra jonë në Vjenë ka ndihmuar që në fillim dhe ka angazhuar ekspertë për legjislacionin, me kërkesë të kryeministrit shqiptar, por nuk është njëlloj si të thuash që OSBE i ka miratuar projektligjet, “tha Radu në tryezë.
“Ne jemi të shqetësuar që AMA është kaq e pranishme në ligj. Ne do të donim që të drejtat të zgjidheshin para gjykatës dhe në asnjë mënyrë nga AMA. Vërejmë se gjobat janë ulur, por sërish nuk janë proporcionale,” shtoi ajo.
Në një përpjekje për diversion, relatorja e paketës ligjore, Klotilda Bushka nënvlerësoi kritikat e përfaqësuesve të BE-së dhe OSBE-së në Tiranë me pretendimin se ishin marrë parasysh opinionet e Zyrës për Lirinë e Medias në Vjenë dhe Komisionit Europian në Bruksel.
“Opinioni i fundit ligjor nga Vjena ka ardhur në tetor dhe të gjitha komentet e tyre janë reflektuar në draftin e përgatitur më 12 nëntor 2019. I falenderoj ekspetët e BE-së dhe OSBE-së për ekpertizën e tyre,” tha Bushka.
“Kemi një proces të gjatë, gati një vit që është konsultuar kaq shumë. Ka ardhur koha që të jemi konkretë dhe të diskutojmë në nene konkrete,” sugjeroi ajo.
Në të njëjtën linjë, edhe bashkërelatorja Vasilika Hysi kërkoi mendime konkrete nga përfaqësuesit e Këshillit të Europës në sallë se si mund kufizohet gjuha e urrejtjes, mbrojtja e fëmijëve, ksenofobia apo homofobia –të cilat tha se gjenden rëndom nëpër portale.
Por ekspertja e Këshilli i Europës, Deirdre Kevin goditi në thelb qëllimin e projektligjeve, duke mos e konsideruar të dobishëm diskutimin nen për nen. Në një analizë thuajse shterruese, Kevin tha se projektligjet e qeverisë bien në kundërshtim me një sërë rekomandimesh dhe rezolutash të Këshillit të Europës, të cilat promovojnë vetërregullimin në media.
“Duke parë të dy versionet, qëllimi i këtyre amendamente është thuajse i njëjti, pavarësisht ndryshimeve të vogla të referuara nga OSBE. Pra, ne mund të diskutojnë shkurtimisht ndryshimet në qëllimin e ligjit, i cili i vendos publikimet online në një regjim rregullimi statutor që konsiderohet normal vetëm për mediat audiovizive dhe entitetet e licensuara,” tha Deirdre Kevin, duke e konsideruar propozimin e qeverisë të pazakontë.
“..thelbi i qëllimit të ligjit është sërish problematik dhe nuk përputhet me standardet e lirisë së shprehjes,” tha ajo, duke theksuar se standardi është vetërregullimi dhe adresimi i ankesave përmes këshillit të medias.
Ekspertja e Këshillit të Europës hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e qeverisë se projektligjet adresojnë dizinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, ndërsa shtoi se ato janë më shumë të fokusuara te pretendimet për shpifje.
“Në morinë e çështjeve që e bëjnë këtë proces kompleks, është e vështirë të imagjinosh sesi Autoriteti rregullator mund t’u përgjigjet brenda 72 orëve çdo ankese të veçantë për shkak se gjykata thekson se ka nivele të ndryshme mbrojtjeje për njerëzit dhe politikanët janë më pak të mbrojtur ndaj kriticizmit. Ka gjithashtu kërkesa për të ndarë faktet nga gjykimet dhe opinionet,” theksoi ajo.
Kevin pyeti nëse projektligji përfshinte edhe faqet në internet të gazetave dhe pas përgjigjes “Jo” të relatoreve, i thelloi kritikat e veta me konsideratën se drafti është njëherazi edhe diskriminues dhe i padrejtë.
Përballë mishmashit të krijuar edhe nga ndryshimet e versioneve, sugjerimi i vetëm i ekspertes Kevin për ligjvënësit ishte “bëni një hap pas dhe konsideroni ta rifilloni punën nga e para, pasi ky lloj rregullimi nuk është në linjë me standardet e Këshillit të Europës dhe çdo praktikë europiane që mund të identifikohet”.
Edhe përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara, Fjoralba Shkodra, e cila lexoi një koment të përgatitur nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut nuk i kurseu kritikat për projektligjet.
“Gjobat janë shumë të larta dhe kjo masë mund të çojë në drejtim të kundërt, në heshtjen e gazetarëve dhe medias investigative,” tha Shkodra në Komision.
“Çështja e të drejtave duhet zgjidhur nën kompetencën e gjykatave. Çështja e lajmëve të rreme dhe dizinformimit duhet zgjidhur në promovimin dhe forcimin e medias cilësore dhe jo me ndalimin e lirisë së shprehjes,” shtoi ajo.
Përveç kritikave të pakursyera, diskutimet në Komisionin e Ligjeve nxorrën në pah edhe paradokse. Kryetari i AMA-s, Gentian Sala vuri në dukje kontradikta mes deklaratave të organizatave ndërkombëtare, ndërsa shtoi se Bordi i AMA-s e kishte bërë publik qëndrimin e vet. Në një deklaratë të 18 nëntorit, shumica e anëtarëve të bodit u shprehën kundër ndryshimeve në ligjin organik të AMA-s.
Ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i konsideroi kritikat si “këndvështrime të ndryshme” dhe pas organizatave ndërkombëtare, i bëri thirrje edhe kreut të AMA-s që komentet për ndryshimet ligjore t’i depozitonte me shkrim.
Zv.drejtuesja e delegacionit të BE-së, Monika Bylaite përforcoi edhe njëherë qasjen e mbajtur nga katër organizatat e pranishme në tryezë.
“Të katër organizatat këtu thanë të njëjtën gjë, që qasja duhet të jetë më e lehtë. Ne jemi për qasjen vetërregullatore,” theksoi Bylaite.
Ndërsa deputeti Ralf Gjoni, i cili kërkoi fjalën në emër të opozitës pyeti nëse projektligji rregullon edhe ERTV –median në Facebook të kryeministrit dhe pasi u shpreh në parim pro rregullimit, kritikoi faktin që një nismë e tillë vjen në Kuvend nga kryeministri Rama.
“Pronari i ERTV-së dhe pronari i Partisë Socialiste sjell nismë ligjore për mediat në Parlament. Ndërsa deputetëve u jepet kjo lugë e mbushur me çorbë nga Këshilli i Ministrave apo kryeministri dhe u thonë votojeni,” tha Gjoni, duke shtuar se projektligjet nuk duhet të votohen pa u dakordësuar 100% me ndërkombëtarët.