Redaktori i BIRN Albania, njëherësh nje prej oponentët më të fortë dhe të hershëm të paketës antishpifje ka renditur nëntë arsye se pse keto drafte duhen rrefuzuar pasi censurojne median e lire.

Në një koment në rrjetin social Facebook, gazetari Erebara, thekson se krahas çështjeve që janë ngritur prej kohësh nga komuniteti i reporterëve, këto drafte nuk trajtojnë asnjë prej problematikave reale të medias, por vetëm e përkeqëson më tej klimën mediatike.

Sipas Erebaras “projektligjet përjashtojnë komunikimet politike nga të qenit subjekt i ligjit, çka do të thotë se shpifjet e fyerjet nëpër seanca parlamentare apo në deklarata për shtyp të politikanëve do të vijojnë njësoj si më parë”. Gazetari ndalet dhe te fakti se draftet “nuk trajtojnë problemin e standardit Europian të kufizimit të pronësisë në mediat kombëtare në 40% të aksioneve”:

1. Projektligjet duhet të ndalohen në parlament sepse liria e shprehjes dhe media online janë aktualisht mjeti më i fortë në duart e shqiptarëve për të luftuar korrupsionin. Nëse gazetarët do të jenë nën kërcënimin e gjobave arbitrare të Këshillit të Ankesave, ata do ta kenë shumë të vështirë të raportojnë për çështje kontroverse nga korrupsioni apo krimi i organizuar pa “cënuar dinjitetin” e një apo shumë personave.

2. Shqipëria duhet ta ndalojë qeverinë nga këto dy projektligje kontroverse jo vetëm për të mbrojtur lirinë e vet, por edhe për të ndaluar një efekt domino në listën e vendeve kandidate për anëtarësim në rajonin e Ballkanit. Nëse Qeveria e Shqipërisë arrin të mposhtë qëndrimin e prerë të Bashkimit Europian në këtë fushë, ka rrezik që qeveri të tjera me prirje jodemokratike në rajon do ta kopjojnë taktikat e saj.

3. Një sulm i qeverisë ndaj medias online ka gjasa do të fuqizojë më tej oligopolin ekzistues në tregun e televizioneve, ku biznesi është përqendruar në duart e pak personave. Nëse ndjeheni të mirëinformuar nga televizionet aktuale, atëhere keni të drejtë t’i mbështesni projektligjet.

4. Projektligjet e qeverisë janë hartuar posaçërisht për pak media online. Ato nuk prekin mediat sociale, të tilla si Facebook apo Twitter, ku ndodh shumica e dizinformimit, shpifjeve apo lajmeve të rreme. Si të tilla, projektligjet nuk do të sjellin ndonjë përmirësim në tregun e ideve të Shqipërisë, por do të kërcënojnë ato pak media online të cilat raportojnë mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar.

5. Projektligjet në fjalë kanë shumë pak shanse që t’i mbijetojnë kontrollit për kushtetutshmëri apo për përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në veçanti Nenin 1 dhe Nenin 6 të konventës. Por ndërkohë gazetarëve shqiptarë do t’u duhet të luftojnë për vite me rradhë vendime absurde të mundshme të AMA dhe AKEP ndërsa shkeljet që mund të kryhen nga këto institucione mund të sjellin kosto financiare nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, kosto që do të rëndojnë mbi taksapaguesit.

6. Projektligjet përjashtojnë komunikimet politike nga të qenit subjekt i ligjit, gjë që do të thotë se të gjitha shpifjet e fyerjet që shqiptarët janë mësuar të dëgjojnë nëpër seanca parlamentare apo në deklarata për shtyp të politikanëve do të vijojnë njësoj si më parë.

7. Qeveria nuk gjendet në atë që quhet “good faith” në këtë nismë ligjore. Ajo ka ndryshuar draftet e projektligjit disa herë deri tani për të sjellë gjithmonë të njëjtën gjë me mënyra të ndryshme. Ajo po mbështetet te kontrolli që ka te mediat konvencionale për të keqinformuar shqiptarët mbi projektligjet dhe jo te komunikimi i sinqertë me ekspertët.

8. Projektligjet nuk bëjnë asgjë për të zbardhur financimet e politikës brenda dhe jashtë fushatës elektorale nëpër media, dhe as reklamat e tyre në mediat sociale. Projektligjet nuk trajtojnë problemin e standardit Europian të kufizimit të pronësisë në mediat kombëtare në 40% të aksioneve.

9. Për të kuptuar se sa pak lidhje ka paketa aktuale antishpifje me shpifjen, ju lutem shihni se si disa nga shpifësit më të pështirë në qytet janë mbrojtjës të flaktë të saj, tërësisht të pashqetësuar për ndonjë pasojë të mundshme. Këto projektligje nuk janë bërë për shpifësit.

*Kjo është një përmbledhje e opinioneve të një grupi ekspertësh shqiptarë mbi këtë çështje.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu