Kur bëja një studim për sistemin e informacionit dhe propagandës në shoqërinë shqiptare totalitare 1945 – 1990, shihja elemente ekonomike dhe sociale me shumë hollësi.
Më në fund rashë në vjetarin statistikor të republikës popullore me ca marifete sepse ishte sekret.
E bëra fije fije duke e studjuar. E kam akoma në bibliotekën time si relike shumë të rrallë. Mos ma kërkojë njeri sepse nuk e jap as e huazoj.
Një ditë prej ditësh, pashë përhapjen e sëmundjeve të mushkërive dhe të tuberkulozit në Shqipëri. Cfarë të shihja? Statistikat tregonin se në qytete ku kishte më shumë shërbime mjeksore dhe niveli i jetesës ishte pak më i mirë se në zonat e thella malore dhe rurale, sëmundjet e mushkërive ishin më të përhapura.
Kurioz u bëra. Pashë dhe shumë sëmundje të tjera si prostati, veshkat, ku e di unë tani çfarë tjetër ishin më të pranishme në qytete për frymë popullsie sesa në fshat.
Habi e madhe.
Shkova takova një mjek aty nga vitit 1993, me përvojë ai.
Qeshi kur i shpjegova habinë time. E more, më tha, në zonat fshatare dhe kodrinore e malore sëmundjet i raportonin më pak sesa në qytet. Ata ishin po aq të sëmurë ose të shëndoshë sa në qytet mbase, por sistemi nuk i rregjistronte.
Më ra tavani në kokë nga turpi. Qysh atëhere bëja kujdes.
Aty nga viti 1993 isha ca kohë në Norvegji në një stazh për administrim agjencish shkencore. E kisha dëgjuar, por edhe e dija se në vendet nordike vendi, statusi i femrës është shumë i mbrojtur dhe i respektuar.
E pashë edhe me sytë e mi, qendroja me sociologë dhe m’a shpjegonin. E respektonte burri femrën deri në mërzi.
Mirëpo para një dhjetë vjetësh pashë se në statistikat botërore Norvegjia dhe vende të tjera nordike rezultonin me shkallën ndofta më të lartë të dhunës në familje kundër grave.
Hapa sytë. Për një çast sepse menjëherë m’u kujtua mjeku me përvojë.
Pastaj e verifikova.
Në vendet ku gruaja ha dru vërtet nga burri i vet, problemi është se ajo as nuk e raporton dot kollaj këtë dhunë të pisët dhe të poshtër. Se po ta raportojë që ka ngrënë dru, ha dyfish dru. Për të mos thënë që e kanë bindur se kush të rreh të do, se druri është seksi, se dru është kur t’a djegin mishin me cigare jo kur të gjuajnë me shkelma në bark dhe të qëllojnë me grushte në kurriz.
Kështu që atje ku gruaja rrihet më shumë statistikisht ajo në fakt atje rrihet më pak!
E kuptove moooo!
Kurse në Norvegji, psh, burrin e pillte belaja sepse edhe ta shihte pak vëngër gruan ajo mund ta denonconte në polici. Dhe polici në fillim i hidhte prangat burrit, e conte të flinte në stacionin e policisë, edhe pastaj sqarohej muhabeti!
Kështu varet edhe se çfarë quhet dhunë. Poqese dhunë quan vetëm cjerrjen e lëkurës me teneqe kutie qumështi Panda, ose kuti konservash, sigurisht statistikat do të tregojnë se aty ka shumë pak akte dhune.
Dhe studjuesit e shkretë i citojnë shifrat zyrtare dhe bëjnë studime bazuar në fakte të sakta.