Foto: Isa Myzyraj
Foto: Isa Myzyraj

Padyshim që dje qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, bashkëkombasit tanë në Ballkan, emigrantët shqiptarë në mbarë Evropën dhe më larg akoma, e gjithë bota pa teatrin e ngjarjeve të 8 janarit që u zhvilluan në skenën e kryeqytetit, aty diku buzë Lane.

Me pak fjalë ishte një skenar i një teatri që e kemi parë në vite, në dekada, pothuajse që përsëritet njësoj. Por ishte një gërryerje edhe më e thellë se më parë ndogfta kësaj radhe fatmirësisht pa të vdekur.

Ky është një hap përpara që duhet përshëndetur!

Kësaj jave që mbaroi bota mbarë pa në ekrane dy ngjarje të tilla, përleshjet në Kazakistan dhe në Tiranë, dy primitivitete për të cilat ka fajtorë, por ka edhe përgjegjës moralë që jemi të gjithë ne që ose i shohim si spektakël, ose i shohim me pasion si tifoza, ose i shohim për të kaluar kohën njësoj sikurse shohim skenat e Big Brodherit Vip ose të Përputhen, por këtë rradhë jo si lojë, por me përmasa reale. Më shumë i ngjajnë një spektakli televiziv me përmasa reale, një realshow tragjik.

Ishte gërryerja më e fundit, nuk ka rëndësi se kush ishte sulmuesi i radhës dhe mbrojtësi i rradhës, a ishte para kryeministrisë apo para SHQUP-it, ishin mbrojtësit e dikurshëm që sulmonin njëri tjetrin, ishte sulmuesi i dikurshëm që bënte sikur ndante sulmuesin dhe mbrojtësin e sotëm, apo një kombinim tjetër i mundshëm? Sikundër thonë strukturalistët rregullat e lojës së shahut mbeten po ato pavarësisht se cilët janë lojtarët në lojë në një moment të dhënë, jepet torra të merret mbretëresha, falet oficeri të përgatitet mati, apo jepen dy torra kundër pesë ushtarëve dhe një kali, që ndeshja të mbetet barazim, pat, dhe të vazhdojë pa fund!

Ishte megjithatë një spektakël tragjik me varé, gazlotësjellës, me skenare bandash, njerëzish në kërkim, shkallë, kacavirje, popma uji, fishekë manovre, ndalime (pa frikë se do t’i nxjerrin), skafandra, maska kundragaz, gjithçka duhej.

Por kjo ngjarje mund të parandalohej brenda logjikës së gjërave sikundër janë. Lëvizja e Foltores fare qetë e merrte ndërtesën që donte qysh në kongresin e 11 dhjetorit, kur mobilizimi i militantëve të saj ishte maksimal, tronditja e palës kundërshtare të burokracisë të partisë ishte gjithashtu shumë i rëndë, dhe qetësisht nga stadiumi vinin dhe instaloheshin në SHQUP.

Sa herë deshën aktivistë të Foltores Demokratike (FD) hynë në ndêrtesë, bënë mbledhje dhe çka deshën. Aty mund të qendronin, të vinin militantë dhe gjithçka mbaronte pa pasur nevojë për skena lufte në kryeqytet, buzë Lanës.

Aq më shumë që burokracia e partisë demokratike (BPD) mund fare mirë të lironte një ose dy salla për palën që në fund deklaroi se e pranonte të negocionte dhe qetësisht ta mbyllte këtë punë.

Aq më shumë që edhe gjykata nëse nuk e jepte dot vendimin se kujt i takonte ndërtesa, mund të bënte një akt sigurimi prove, të nxirrte të gjitha palët jashtë derisa të merrej një vendim i drejtë, i qetë i matur.

Skenat ishin gjithësesi të çuditshme. Një natë a dy netë përpara ekipi i televizionit të Syri.net TV hyn qetësisht nga driraja e banjës në SHQUP. Aty mund të hynin sulmuesit natën pa pikë qederi, si sulmuesit e Trojës që nuk hynë nga nevojtorja por futën Kalin e Trojës dhe dolën prej andej. Kurse pak orë më vonë duhej të mblidheshin sulmues nga e gjithë Shqipëria për të bërë të gjithë atë skenë madhështore beteje që u shfaq tragjike dhe me ankthet e veta në ekranet tona!

Po kështu policia fare mirë mund t’u këshillonte deputetëve të palës mbrojtëse (BPD) të mos shkonin të futeshin atë ditë në ndërtesën e SHQUP-it sepse jo vetëm ishte rrezik për ta, por edhe sepse ajo mbledhje provokonte rreziqe për sigurinë e rendit publik në Kryeqytet. Por, nuk e bëri as ajo.

Nuk po flas për diplomatë dhe delegacione të OSBE, të BE, etj., që kësaj radhe duket sikur thanë: Nuk ngatërrohemi te ky spektakël gati lufte! Duan të ndodhi, le të ndodhë!

Dhe qershia mbi tortë, na del ish burri i një ministre, sikundër përpiqen të na mbushin mendjen disa media, i cili nxjerr të dhëna që e elektrizojnë edhe më shumë situatën psiqike të atyre që udhëheqin turmat.

Përgatitjet u bënë të gjitha!

Gjithë këto mekanizma qetësimi situate dhe asnjë nuk veproi.

Në planin e jashtëm Shqipëria pësoi këto dëme, që t’i dimë mirë. Nuk janë xhamet e thyera që përbëjnë problem fare.

E para, proceset e integrimit europian shtyhen për një afat të pacaktuar. Unë kam thënë se shtyhen për në 2050! Nuk do të ketë gojë njeri tani të thotë nuk na pranon Evropa, pas katrahurës së djeshme. Shqipëria u arrit me sukses të izolohet edhe më shumë nga Evropa dhe opinioni publik evropian.

E dyta, diplomacia e Kosovës për shtet të pavarur, mori një goditje ballaz, sikundër edhe akordimi i lëvizjes pa viza të kosovarëve. Këtë rradhë janë shqiptarët e Shqipërisë që u japin me shumë sukses një grusht në brinjë shqiptarëve të Kosovës.

E treta, pjesëmarrja e Shqipërisë në mënyrë të përkohshme, fatmirësisht, në Këshillin e Sigurimit të OKB u ngjye me sukses me nota qesharake. Cfarë do të kontribuojë për sigurinë ky shtet kur përfaqësitë e huaja ende u bëjnë thirrje qytetarëve përkatës të kenë kujdes nga betejat që zhvillohen në rrugët e Kabulit, më falni të Tiranës?!

E katërta, shqiptarët më shumë se çdo ditë dje, çuan ndërmend: Mos duhet ikur nga ky vend pa të ardhme, i çjerrë, drobitur, shkalafitur? Pra, rrjedhja e emigrimit do të jetë edhe më e fuqishme, boshatisja e vendit më shqetësuese, dhe emigrantët shqiptarë në botë do të duhet të përballojnë edhe më ndjeshëm reputacionin negativ të shtetit të tyre.

E pesta, me ato skena që u panë dje në ekranet e të gjithë botës, mesazhi është i qartë për të gjithë bizneset, agjencitë investuese, bankat, sipërmarrjet e huaja : Ku do të afroheni atje? Ku ka siguri dhe qendrueshmëri politike në atë vend? Të korruptuar, të boshatisur demografikisht, ku demokracia e partive zgjidhet me skafandrat e policisë, etj.

E gjashta, spektakli i djeshëm e bëri krejt qesharake klasën politike në vend para aktorëve politikë të vendeve të tjera dhe atyre ndërkombëtarë. Që dje, i vetmi aktor politik i besueshëm për ta është Edi Rama, kryeministër, duke e rifaktorizuar me shumë sukses atë.

Pas fushatës farsë të opozitës që çuan në rezultatet qesharake për të në zgjedhjet e 25 prillit, pas kongreseve qesharake me “Parti – Enver – gati jemi kurdoherë!”, dje opozita ngriti edhe një monument tjetër për kryeministrin e vendit: Tani jemi në fazën postspektakël. Kur aktorët japin vlerësimet për atë që ndodhi dje në Kabul, ndjesë në Tiranë, dhe na bombardojnë me propagandë.

Një lutje kam, nxirrini ata djem nga komisariatet sepse ata nuk janë veçse mishi për top! Se atje brenda ushqehen me taksat tona!

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here