Është e kuptueshme që konsumatori televiziv dixhital të ndjekë kryesisht videot e shkurtra që ai vetë përzgjedh se sa të rrijë i lidhur pas transmetimeve televizive me programacion të shfaqura në kohë reale në Web ose në platformat sociale. Nuk do të kishte kuptim për të që ai i mësuar ta përdori telefonin mobil në funksionet komunikuese që ai ka duke qenë në lëvizje, të mos e përdorë po në këtë mënyrë atë edhe kur konsumon video në platformat sociale.

Duke qenë në lëvizje ai ka prirjen ta segmentojë në kohë, pra edhe në përmbajtje informacionin audioviziv që merr. Ky konsumator shpesh në moshë të re, me të ardhura relativisht më të mira se të tjerët, që ushtron profesione kryesisht me përmasë intelektuale, i mësuar që ta përllogarisë kohën e tij në mënyrë tepër aktive, ose ndryshe sikurse e thotë shprehja “të mos e harxhojë kohën kot”, me kërkesa relativisht të larta për emisione televizive ose informacion që të përputhen fort me interesat e tij, pragmatist, shpesh i zënë gjithë ditën me angazhimet e veta, që ka nevojë për një informacion që të hyjë drejt e në thelb dhe jo të paraqitur në mënyrë të zvarritur, me dëshirën për ta verifikuar informacionin duke ndjekur burime relativisht të gjëra informacioni, jo edhe aq i varur nga ideologjitë dhe paragjykimet për t’u bërë një konsumator pasiv i një vije editoriale të caktuar, me dëshira për të parë e ndjekur qasje të ndryshme të së njëjtës tematike, disi kozmopolit dhe me interesa për të ndjekur video nga burime të huaja informacioni, i aftë të komunikojë edhe në gjuhë të huaja, me interesa kulturore dhe artistike që televizioni linear nuk i plotëson dot, ndonjëherë edhe i pakënaqur me etikën disi të ngurtë të televizioneve lineare për sa i përket çështjeve që trajtojnë anë disi më delikate të sjelljes njerëzore, etj., ai pra, ka prirjen më së shumti të shkojë drejt videove të shkurtra në platformat dhe rrjetet sociale se sa të mbetet “rob” i programacionit televiziv linear transmetuar në Web në kohën reale. Aq më pak të bëhet një konsumator pasiv i përmbajtjeve televizive të transmetuara në ekranin e televizorit aktiv.

Ekrani për të nuk është një teknologji që e ndihmon të shtyjë kohën e lirë sikurse ta zëmë do ta donte një njeri më pak aktiv në jetë, ekrani i telefonit për të është një instrument për të marrë kulturë, për të përthithur informacionin e shpejtë të ditës, “për “të vjedhur” nga koha e ditës, tepër e ngarkuar, çaste të kufizuara për të vozitur në video të shkurtra. Kjo mënyrë jetese përputhet më së miri me mundësitë teknike që jep lidhja telefon mobil, Internet, video të shkurtra në rrjete sociale dhe në Web.

Në një farë mënyre ndodh që një lloj “skizofrenie” e jetesës së përditshme përputhet me një “fragmentizim të përmbajtjeve audiovizive që bëjnë të mundur videot e shkurtra. Vozitja e fragmentuar e konsumatorit të sotëm në videot e shkurtra është pra një plotësim i jetesës së sotme urbane të një sërë kategorish shoqërore. Një kohë e ndarë në sekuenca ku njëri aktivitet nuk i ngjan tjetrit brenda së njëjtës ditë.

Njeriu i sotëm urban nuk ka kohë as t’i kushtohet për një kohë të gjatë të njëjtit aktivitet përgjatë gjithë ditës. Madje edhe në jetën profesionale ai bën disa punë njëherësh për të rritur disi të ardhurat e veta. Koha e lirë e tij nuk përbëhet më nga orë të zgjatura pas pune, por ndërtohet nga çaste të copëtuara të “vjedhura” nga detyrimet e shumta, ku ai i kushtohet vozitjes në Web dhe rrjete sociale duke konsumuar video të fragmentuara, shpesh të lëna për gjysmë. Ndërkohë që fragmentimi i informacionit në video e bën edhe më skizofrenik njeriun sepse kudo informacioni i tij është i copëtuar. Nga “njeriu njëpërmasor”, që Herbert Markyz përdorte si koncept për njeriun, ne sot kemi “njeriun e fragmentuar”, për të mos përdorur termin “skizofrenik” të sotëm.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu