Pavarësia financiare është baza e pavarësisë editoriale. Kur kompanitë mediatike nuk arrijnë të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të mbijetuar në treg por kontrollohen nga interesa të caktuara – veçanërisht ato politike – ato, padyshim që e dorëzojnë këtë pavarësi.
Kriza financiare e vitit 2008 ka patur një efekt negativ në tregun mediatik, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Qendrore. Që prej rënies së Murit të Berlinit situata e tranzicionit politik dhe privatizimi ose shndërrimi i televizioneve shtetërore në publike, ky rajon është dominuar nga botues apo kompani ndërkombëtare të cilët kanë dhënë impulse shumë pozitive në këto ekonomi në zhvillim.
Por menjëherë sapo të ardhura nga reklamat pësuan një rënie, kompanitë ndërkombëtare filluan të largohen. Hapësira e mbuluar prej tyre në botën mediatike u zëvendësua nga investitorë vendas ose “oligarkët”, aktivitetet kryesore të të cilëve ishin në sektorë të tjerë dhe ku shpesh herë atyre u duhej dhe ndanin interesa me klasën politike. Disa madje u përfshinë dhe drejtpërdrejt në politike.
Dominimi i oligarkëve – dëmtimi i ambientit mediatik
Sipas ekspertit të medias në Çeki, Vaclav Stetka – aktualisht pedagog i Medias dhe Komunikimit në Universitetin Loughborough – kriza ekonomike e detyroi median të futet në një rreth vicioz. “Që kur botimi apo publikimi u kthyer në një biznes jofitimprurës, situata në rajon ka degraduar vit pas viti”, – tha Zatetka për EJO, ndërsa shtoi se “dominimi i mediave nga oligarkët dhe modeli i centralizuar i pronësisë nuk mund të përshkruhet aspak si një ambient i shëndetshëm për të zhvilluar pavarësinë gazetareske”.
Modelet menaxhuese të mediave në Grupin e Vishegradit
Megjithatë, brenda grupit të Vishegradit, ku përfshihen katër shtetet Sllovaki, Hungari, Çeki e Poloni, vetë gazetarët kanë marrë masa për të luftuar rrezikun e kahershëm për kapjen e mediave ose përqendrimin e tyre në pak duar.
Disa media të pavarura kanë eksploruar modele dhe opsione të ndryshme financimi me qëllim për të siguruar qëndrueshmëri dhe pavarësi në treg, si modeli i mbështetur në “subscribtion”, grantet, financimi nga audiencat, decentralizimi i aksionariatit apo dhe format e monetizimit të përmbajtjeve mediatike online.
Sllovakia, pionieri i ndryshimit
Pavarësisht faktit se ky shtet ka një popullsi prej 5.4 milion banorësh dhe një treg shumë të vogël mediatik, Sllovakia ka eksperimentuar dhe praktikuar disa nga praktikat e reja te modeleve të financimit.
Një histori suksesi në Sllovaki është e përditshmja “Dennik N” e cila krahas letrës ka dhe një website lajmesh i themeluar nga një grup gazetarësh të cilët u larguan nga gazeta “SME” në shenjë proteste pasi bashkëpronari gjerman i saj, në vitin 2015 i shiti aksionet te një grup sllovak investimi i njohur si Pentan. Ndryshimi i strukturës pronësore të SME-së shtoi frikën se shumë shpejt gazeta do të ndjente efektet negative të përqëndrimit nga ana e pronarit të ri sllovak, çka do të dëmtonte pavarësinë gazetareske.
“Basti” i gazetarëve themelues të Dennik N “u fitua” pasi në vitin 2018 kjo gazetë kishte 30 mijë subscribers dhe 75% e të ardhurave të gazetës vinin nga lexuesit e saj. Aktualisht Dennik N po studion tregun, – me mbështetjen e një fondi të Google, – për të parë se deri sa munden audiencat e tyre të paguajnë dhe për çfarë lloj informacioni ato janë të gatshëm të shpenzojnë. Modeli i suksesshëm sllovak është eksportuar edhe në Republikën Çeke, ku është hapur filiali i Denik N, në tetor të vitit 2018.
Çekia, vendi ku start up-et mediatike kanë sfiduar oligarkët
Kërcënimi i “oligarkisë” ka detyruar disa gazetarë në Çeki të ndërmarrin veprime të ngjashme. Kur Andrej Babis – personi i dytë më i pasur në këtë shtet, aktualisht kryeministri i Republikës Çeke – bleu kompaninë mediatike Mafra në vitin 2014, disa gazetar të saj u larguan dhe hapën mediat e tyre. Një prej tyre ishte revista e përmuajshme Reporter, e specializuar në analiza dhe raportim investigativ. Burimet kryesore të financimit të Reporterit ishin të ardhurat nga reklamat, shitjet dhe donacionet në favor të saj.
Polonia: qasja profesionale si gjeneruese e të ardhurave nga audienca
Kompanitë ndërkombëtare mediatike kanë ende një ndikim dhe prezencë relativisht të lartë në ambientin mediatik vendas, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë aktuale për të “ripolonizuar” median.
Disa kompani të mëdha kanë mbështetur projektet e mediave të reja. E përditshmja historike Gazeta Wyborcza ka kontribuar në krijimin e portalit jofitimprurës me lajme investigative oko.press në vitin 2016. Oko.press aktualisht vetëfinancohet ose nga audienca e saj ose nga grante. Në konferencën Hapësira Publike në Europë mbajtur në Potsdam në dhjetori të vitit 2018, gazetari i Oko, Agata Szczesniak përshkroi sesi portali ka gjeneruar mbështetjen e audiencës dhe fushatat e mbledhjes së parave, me ndihmën e një financuesi që dikur ka pas punuar për Amnesty International.
Hungaria dhe modelet hibride të medias
Në Hungari, kapja dhe kontrolli i mediave nga shteti ka arritur në një nivel shumë të lartë. Tregu mediatike është dëmtuar nga fakti se pavarësisht se mediat proqeveritare kanë një shitje dhe audiencë të ulët ato vijojnë të marrin para nga shteti.
Mediat e pavarura janë thuajse tërësisht të financuara nga grante ose donacione të lexuesve të tyre. Portalet e pavarura më në zë si, Inex.hu dhe 444.hu, mbështeten në paranë e audiencave, ndërsa platformat investiguese jofitimprurëse si Atlatszo.hu dhe Direkt36.hu financohen nga grantet.
Nga ana tjetër, platforma e ekstremit të majtë Merce.hu mbështetet tërësisht nga donacionet e lexuesve të saj.
Shënim: Artikulli është botuar në European Journalism Observatory. U përshtat në shqip nga Elvin Luku