Pak ditë nga dokumenti qe “u zbulua” nga mediat mbi strategjinë e PD-së lidhur me qasjen që politikanë e eksponentë të saj duhet të mbajnë në raport me TV-të, portalet e gazetarët pjesë e propagandës qeveritare, publikohet raporti final i OSBE – ODIHR që ndër të tjera kryqëzon mediat për mbulimin procesit zgjedhor.
Dokumenti i organizatës ndërkombëtare thekson se dy televizionet kombëtare Klan e Top Channel kanë raportuar më së shumti në favor të PS-së dhe kanë mbajtur qëndrim neutral ose negativ ndaj PD-së gjate fushates elektorale. E tillë ka qenë situata edhe në programet talk show për Top Channel, ndërsa për Klan, panorama ka ndryshuar, ndërsa raporti përmend emisionin Opinion me një qasje kritike. Ekspertiza e OSBE-së nënvizon se dy kanalet më të balancuara në edicionet informative kanë qenë RTSH dhe Vizion Plus, por me këtë të fundit që i ka kushtuar hapësirë televizive në programacion dy herë më shumë “zërave” të PS-së në raport me ata të PD-së.
Dy stacionet me shikueshmërinë më të lartë në vend, Top Channel dhe TV Klan, kanë mbuluar Partinë Socialiste më së shumti me tone pozitive dhe neutrale ndërsa Partinë demokratike në mënyrë neutrale dhe negative. Nga ana tjetër News 24 mbuloi Partinë Socialiste në mënyrë negative dhe neutrale ndërsa mbajti një qasje të kundërt me PD-në. Ndërkaq Vizion Plus ka mbuluar PD-në në mënyrë pozitive dhe neutrale dhe PS-në në mënyrë më të balancuar, pozitivisht dhe negativisht. Më neutral ka qenë raportimi i Radio Televizionit Publik Shqiptar, i cili ka raportuar aktivitetet e PD-së në mënyrë korrekte ndërsa ato të PS-së neutrale dhe pozitive.
Ndërkaq, sa i takon emisioneve talk show dhe ato me baze aktualitetin politikë të ditës në Top Channel, News 24 dhe RTSH, mbulimi ka qenë i njëjtë sikurse me edicionet e tyre informative. Ndryshe paraqitet situata në emisionin Opinion me Blendi Fevziun i cili ka patur në qëndrim më kritik nda Partisë Socialiste krahasuar me linjën editoriale të reflektuar në lajme. Ndërsa në Vizion Plus programet talk show i kanë rezervuar një hapësirë dy herë më të madhe Partisë Socialiste krahasuar me PD-në, por duke mbajtur qëndrime neutrale me palët.
Duke u ndalur te praktika e përhapur gjerësisht e partive kryesore politike dhe eksponentëve politikë për të shpërndarë në media materiale të parapërgatitura, ODIHR është shprehur me tone kritike duke theksuar se përdorimi i tyre dhe mungesa e shënimeve për origjinalitetin e materialit ka krijuar paqartësi dhe konfuzione te votuesit.
Por raporti final i OSBE-ODHIR ka ripërsëritur, sikurse në dokumentin paraprak, se mediat në vend riprodhojnë dhe ritransmetojnë aktivitete politike duke i marrë ato nga ERTV-ja, duke mos krijuar mundësi për informim objektiv të shikuesve, që rrezikojnë të bien pre e propagandës:
Ndërmjetësues të ODIHR kanë nënvizuar se përgjatë zgjedhjeve, aktivitetet e fushatës së Kryeministrit Edi Rama janë filmuar dhe transmetuar ekskluzivisht për kanalin televiziv në Facebook, ERTV, ndërsa televizionet e licencuara nga ama mund vetëm të ritransmetonin këto aktivitete, ndonëse zyra e PR-it të kreut të qeverisë pohon se ato janë të hapura për median. Praktika për të kufizuar aksesin mediatik në ngjarjet publike të organizuara nga zyrtarë shtetëror dhe krerë të partive politike, ka limituar aftësinë e votuesve për të marrë informacion objektiv gjatë fushatës. Gjithashtu, ato cenojnë dhe të drejtën themelorë të medias për të marrë informacion dhe për të përmbushur funksionin e tyre si një watchdog.
Për këtë arsye, rekomandon ODIHR, “legjislacioni duhet të amendohet dhe të sigurohet që mediat të kenë mundësi që në mënyrë të pavarur të mbulojnë aktivitetet elektorale të garuesve dhe të reduktojnë përdorimin e kontentit mediatik të prodhuar nga partitë politike në edicione informative, me qëllim manipulimin e votuesve. Dhe, kurdoherë, – vijon ODIHR, – që kasetat do të prodhohen nga partitë dhe përdoren nga mediat, kjo duhet ti bëhet e ditur qartësisht shikuesve.